ATV

Category: Lajme

  • Adriana Matoshi iu kundërpërgjigjet kolegeve artiste që e kritikuan për gjuhën e saj: Unë nuk e ulë nivelin e debatit, unë e bëj të sinqertë

    Adriana Matoshi iu kundërpërgjigjet kolegeve artiste që e kritikuan për gjuhën e saj: Unë nuk e ulë nivelin e debatit, unë e bëj të sinqertë

    Aktorja dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, pas kritikave që mori në rrjete sociale nga kolege të saj artiste, mes tyre Eliza Hoxha dhe Adelina Thaqi Meta.

    Reagimi i Matoshit vjen pasi ditë më parë u diskutua gjerësisht një status i saj, ndërsa më pas pasuan kundërpërgjigje publike nga dy koleget, të cilat e kritikuan gjuhën dhe mënyrën e komunikimit nga një figurë publike dhe e zgjedhur.

    Në statusin e saj të fundit, Matoshi thekson se arti nuk duhet parë si “dekor”, por si pasqyrë e realitetit dhe si zë për shoqërinë, duke nënvizuar se heshtja përballë padrejtësisë nuk është kulturë.

    Ajo shkruan se nuk synon t’u pëlqejë të gjithëve, por të jetë e sinqertë me veten dhe me qytetarët, duke shtuar se arti që “nuk shqetëson”, sipas saj, nuk e zgjon askënd.

    “Ka njerëz që flasin për ‘art’ si dekor, por nuk e durojnë kur arti bëhet pasqyrë. Unë nuk kam zgjedhur të jem e qetë kur realiteti kërkon zë… Të flasësh për shoqërinë nuk është përçarje. Të heshtësh përballë padrejtësisë nuk është kulturë”, shkroi Matoshi, duke vazhduar më tej se “arti më i mirë është ai që e kupton populli” dhe se kur flet me “gjuhën e popullit”, arti jeton jo vetëm në skenë, por edhe tek secili që e ndjen.

    Në fund të shkrimit, deputetja e VV-së u shpreh se është e lodhur nga “moralizma bosh” dhe ftoi që debati të zhvendoset te veprat: “Mjaft me moralizma bosh. Flasim për vepra”, përfundoi ajo.

  • Lahi Brahimaj kujton Luan Haradinajn: Ishim më shumë se nip e dajë, kemi qenë bashkëluftëtarë

    Lahi Brahimaj kujton Luan Haradinajn: Ishim më shumë se nip e dajë, kemi qenë bashkëluftëtarë

    Lahi Brahimaj ka kujtuar nipin e tij, dëshmorin Luan Haradinaj, në 29-vjetorin e rënies së tij.

    Përmes një postimi në Facebok, Brahimaj tha se Luanin nuk e kishte veç nip, por edhe bashkëluftëtarë.

    Ai shtoi se lidhja e tij me Luanin ishte unike, megjithatë, thekson se prita në Qafë Mullar e ndau fizikisht nga ai.

    “Por amaneti yt për liri vazhdoi duke u bërë frymëzim për mijëra djem e vajza të UÇK-së që jetësuan ëndrrën e madhe për lirinë e Kosovës. Ende i kam të freskëta rrugët që i merrnim për Shqipëri, organizimet dhe fillimet e celulave të para të UÇK-së. Luan, ti mbete gjithmonë i ri, deri sa ne po plakemi çdo ditë me kujtimet e tua! Daja yt, Lahia”, ka shkruar ai.

  • Në përvjetorin e rënies së Luanit, feston ditëlindjen Nana Rukë

    Në përvjetorin e rënies së Luanit, feston ditëlindjen Nana Rukë

    Sot feston ditëlindjen Nana Rukë, nëna e Ramush Haradinajt.

    Ditëlindja e saj rastis në përvjetorin e rënies së djalit të saj, heroit Luan Haradinaj.

    Për urime, nënës Rukë i ka shkuar edhe ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

    “Urime ditëlindjen Nana Rukë! Jetofsh gjatë, me shendet të plotë dhe e rrethuar me dashurinë e familjes!”, ka shkruar ajo.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, Haxhiu u bën thirrje bashkatdhetarëve: Regjistrohuni

    Zgjedhjet e 7 qershorit, Haxhiu u bën thirrje bashkatdhetarëve: Regjistrohuni

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje qytetarëve që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e rolit të mërgatës në vendimmarrje.

    Në mesazhin e saj, Haxhiu ka vlerësuar kontributin e diasporës ndër vite, duke thënë se ata e kanë mbajtur Kosovën afër përmes punës, sakrificës dhe përkushtimit.

    “Sot po ju drejtohem juve që për dekada e keni mbajtur Kosovën afër, në punë, në shtëpi, në gjuhë në kujtesë dhe në dinjitet. Afati i regjistrimit për të votuar jashtë vendit nis sot dhe vazhdon deri më 17 maj. Regjistrohuni për të votuar, ju keni qenë pranë Kosovës edhe kur kufijtë, dhuna dhe largësia janë munduar t’ju mbajnë larg. Keni punuar dhe keni sakrifikuar për ta ndihmuar atdheun tonë. Keni qenë zëri i Kosovës kudo në botë, vazhdoni kontributin për Republikën e Kosovës dhe bëhuni pjesë e vendimmarrjes”, tha Haxhiu përmes një videoje të publikuar në Facebook.

    “Regjistrohuni me kohë. Ndihmoni njëri-tjetrin, flisni me familjarët e miqtë dhe të rinjtë që kanë lindur jashtë por që Kosovën e kanë në zemër dhe në mendje”.

  • Abdixhiku: Trashëgimia që Agani la pas, përkushtim për ta bërë Kosovën siç ai e ëndërroi gjithmonë

    Abdixhiku: Trashëgimia që Agani la pas, përkushtim për ta bërë Kosovën siç ai e ëndërroi gjithmonë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Akademikun Fehmi Agani në 27-vjetorin e vrasjes së tij.

    Në komunikatën për media, Abdixhiku potencoi se Agani dha kontribut të çmuar në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave të Universitetit të Prishtinës, të cilët më vonë ishin dhe prijës të lëvizjes për liri e pavarësi.

    Ai shtoi se Fehmi Agani ishte njeriu i urtë e fjalëpak, që gjithë karrierën e tij akademike ia kishte përkushtuar jo vetëm arsimimit dhe edukimit të brezave të tërë, por mbi të gjitha ligjëratat e tij synimin kryesor kishin brumosjen atdhetare e patriotike për t’i rezistuar armikut, deri në liri dhe çlirim.

    “Më 6 maj të vitit 1999, pa pritur agun e lirisë, forcat policore e ushtarake serbe, shuan nga jeta intelektualin e rrallë, politologun, atdhetarin e madh të Kosovës, e nënkryetarin e LDK-së, Fehmi Agani. Si shkrimtar, gazetar, si sociolog e mbi të gjitha si atdhetar i madh, Prof. Agani ishte pjesë e gjeneratës së artë intelektuale e politike shqiptare në Kosovë në fund të shekullit kaluar. Vrasja e tij ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes tonë politike për liri e pavarësi. Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të Kosovës”.

    “Agani, ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike, krah i djathtë i Presidentit Rugova dhe nënkryetar i LDK-së. Andaj, sot në 27 vjetorin e vrasjes së tij nderojmë dhe kujtojmë jetën e bujshme arsimore e atdhetare; personalitetin dhe figurën e tij patriotike e politike, që mbeten model për gjeneratat e ardhshme. Sot, një çerekull pas nga vrasja e tij, ne kujtojmë dhe nderojmë figurën markante të prof. Aganit, që pas vetës la një thesar të çmuar prej një intelektuali dhe politikani të një plejade të papërsëritshme. Trashëgimia që ai la pas është pjesë e përkushtimit në punën tonë të përditshme për ta bërë Kosovën të tillë siç ai e deshi e ëndërroi gjithmonë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së prof. Fehmi Aganit!”, ka shkruar Abdixhiku.

  • Koalicioni me PDK-në, Rama kundër përçarjeve: Kosova ka nevojë për unitet dhe vizion

    Koalicioni me PDK-në, Rama kundër përçarjeve: Kosova ka nevojë për unitet dhe vizion

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se qeverisja duhet të mbetet përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve, duke vendosur në qendër shërbimin publik, bashkëpunimin dhe respektin institucional.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për realizimin e të mirës së përbashkët.

    Një ditë pasi e zyrtarizoi koalicionin me PDK-në në Prishtinë, Rama e cilësoi këtë periudhë si një moment të rëndësishëm për kryeqytetin, duke përmendur projektet madhore zhvillimore dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, të cilat sipas tij do të ndikojnë në ndërtimin e një Prishtine moderne, funksionale dhe konkurruese në nivel evropian.

    “Qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit. Prandaj, obligimi ynë moral dhe politik është i qartë: të ofrojmë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë. Politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike: për qytetarin. Sot, Prishtina ndodhet para një momenti të rëndësishëm historik dhe zhvillimor. Me projektet madhore që na presin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një Kryeqyteti europian, funksional dhe konkurrues”, ka shkruar ai.

    Rama është shprehur kundër retorikës përçarëse, duke bërë thirrje për unitet, stabilitet institucional dhe vendimmarrje të përgjegjshme.

    “Këto procese kërkojnë stabilitet institucional, bashkëpunim dhe vendimmarrje të përgjegjshme. Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët. Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e PËRBASHKËT. Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme. Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh”.

    “Duke vendosur qytetarin në qendër dhe duke qenë të vetëdijshëm se pushteti është shërbim, e jo instrument bllokimi, kemi finalizuar bashkëqeverisjen në Kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK). Në këtë kuadër, emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ”Kolegjiumi” i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm. Paralelisht, janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve tanë nga AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale”.

    Ndër të tjera, kryetari i Prishtinës tha se, si në zgjedhjet e kaluara, edhe në ato të 7 qershorit, do ta përkrahë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    “Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës”.

    “Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim. Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara”.

  • Rrahmani: Marrëveshja për koalicion me PDK-në pritet të finalizohet brenda dy ditësh

    Rrahmani: Marrëveshja për koalicion me PDK-në pritet të finalizohet brenda dy ditësh

    Deputeti dhe përfaqësuesi politik Eman Rrahmani, ka deklaruar se procesi i bisedimeve për një bashkëpunim të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) është në fazën përfundimtare dhe se marrëveshja pritet të konkretizohet brenda dy ditëve të ardhshme.

    Rrahmani është shprehur se palët janë afër finalizimit të një dakordimi politik, ndërsa ka theksuar se gjithçka do të bëhet e qartë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

    “Kanë mbetur në këto dy ditë me finalizu dhe me parë për bashkëpunimin, po besoj që po, por ka mbetë me u finalizu këto dy ditë. Pasi ta bëjmë marrëveshjen e shohim si, por këto dy ditë përfundon marrëveshja”, ka deklaruar Rrahmani.

    Sipas tij, detajet përfundimtare të bashkëpunimit do të sqarohen pas arritjes së marrëveshjes, e cila pritet të përcaktojë edhe formatin e bashkëpunimit politik mes palëve./Front Online

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur çmimet tavan për derivatet e naftës që do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme.

    Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizel) është caktuar në 1.69 euro për litër, një cent më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.50 euro për litër.

    Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.81 euro për litër.

  • Sekuestrohen mallra të kontrabanduara në Ferizaj, vlera mbi 16 mijë euro

    Sekuestrohen mallra të kontrabanduara në Ferizaj, vlera mbi 16 mijë euro

    Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm kundër kontrabandës, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme mallrash ilegale në qytetin e Ferizajt.

    Sipas njoftimit zyrtar, dje, pas pranimit të informatave për një depo të dyshuar, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore që çuan në zbulimin e mallrave të kontrabanduara. Autoritetet policore kanë identifikuar një person të dyshuar, mashkull kosovar, i cili dyshohet se kishte shfrytëzuar depon për ruajtjen e produkteve të futura ilegalisht në Kosovë përmes rrugëve të paligjshme nga Maqedonia e Veriut.

    Pas sigurimit të autorizimit nga prokurori kompetent, është kryer kontrolli në lokacionin e dyshuar, ku janë sekuestruar:

    800.4 kilogramë duhan i përpunuar
    94 kilogramë mjaltë
    30.4 kilogramë ambalazh plastik
    178 kilogramë ambalazh letre
    Një makinë për përpunimin e duhanit
    Një makinë për përpunimin e ambalazhit
    Një spërkatëse uji për trajtimin e duhanit

    Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara vlerësohet rreth 16,500 euro, ndërsa dëmi i shkaktuar përmes shmangies së akcizës dhe detyrimeve doganore arrin rreth 34,000 euro.

  • AAK do të garojë e vetme në zgjedhjet e 7 qershorit

    AAK do të garojë e vetme në zgjedhjet e 7 qershorit

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë e vetme në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, ish-deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

    Ndonëse ka pasur diskutime për koalicione, Tahiri thotë se AAK-ja që herët e ka bërë të qartë pozicionin e saj.

    Tahiri u shpreh se subjekti do të garojë me një listë, siç e quajti ai, “bukur konkurruese”.

    “Nesër është 7 maji, është dita e fundit kur certifikohen koalicionet. Mund t’ju njoftoj se Aleanca do të garojë vetëm, nuk do të ketë asnjë koalicion. Do të jemi si subjekt politik me një listë bukur konkurruese, me kuadro të Aleancës, por edhe me të tjerë, dhe në këtë garë shkojmë si Aleancë, shkojmë vetë. Pa koalicione”, tha ai.

    Ai potencoi se AAK-ja është më e fuqishme kur garon e vetme.

    “Ka pasur diskutime, mirëpo herët e kemi bërë të ditur që Aleanca garon vetë. Aleanca është më e fortë kur garon me logon e vet, kur garon me kauzën e vet dhe mësimet e së kaluarës tregojnë që nuk kemi kaluar mirë me koalicione. Mendoj që kësaj radhe Aleanca do ta marrë rezultatin më të mirë që e ka pasur ndonjëherë në zgjedhje qendrore”, tha ai.

    Tahiri nuk përmendi emra partish me të cilat mund të kenë pasur diskutime për koalicion parazgjedhor.

    “Diskutimet nuk kanë qenë formale, ka pasur ide më herët, mirëpo kemi qenë të saktë dhe të përcaktuar që do të garojmë vetë”, u shpreh Tahiri. Sa i përket listës së kandidatëve, ai nuk dha shumë detaje, përveç kandidatit për kryeministër, që sipas tij do të jetë Ardian Gjini. “Fillimisht është kandidati për kryeministër, i cili është ndryshe, ndërsa një numër i madh emrash po e lë të shihet nesër, kur të publikohet lista e Aleancës. Megjithatë, do të ketë shumë risi”, shtoi ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se afati shtatë ditor ka nisur më 1 maj dhe do të përfundojë më 7 maj 2026.

    Gjatë kësaj periudhe, të gjitha partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës janë të obliguara ta njoftojnë KQZ-në, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, mospjesëmarrjen apo formimin e koalicioneve.