ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku: Nuk e kam problem Vjosa Osmani t’i prijë listës, do ishte kandidate e shkëlqyeshme për presidente

    Abdixhiku: Nuk e kam problem Vjosa Osmani t’i prijë listës, do ishte kandidate e shkëlqyeshme për presidente

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një paraqitje për media, pas mbledhjes së mbajtur me kryesinë e partisë tha se është diskutuar për përgatitje për zgjedhjet e reja dhe listën e LDK-së.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa asnjë problem do të lironte numrin 1 të listës që asaj t’i prijë Vjosa Osmani.

    Abdixhiku i pyetur nga gazetarët tha se beson që Vjosa Osmani është kandidatja më e shkëlqyeshme për Presidente.

    Ai tha se populli i Kosovës do që Vjosa Osmani të jetë sërish Presidente e Kosovës.

    “Pa asnjë problem, kjo çështje nuk është për mua. Besoj që Vjosa Osmani duhet të jetë kandidatja e shkëlqyeshme për Presidente dhe më e duhura, besoj që populli i Kosovës e do këtë”, ka thënë Abdixhiku.

  • Haxhiu fton BE të dërgojë vëzhgues për zgjedhjet: Do kontribuonin në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit

    Haxhiu fton BE të dërgojë vëzhgues për zgjedhjet: Do kontribuonin në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit

    U. D presidentja e vendit, Albulena Haxhiut, ka ftuar Bashkimin Evropian që të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Haxhiu, i është drejtuar me letër presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, , Kaja Kallas, ku ka bërë ftesën për dërgimin e misionit vëzhgues të zgjedhjeve.

    ‘‘U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Komunikata:

    U.D. Presidentja Haxhiu fton Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, përmes së cilës ka ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të caktuara për datën 7 qershor 2026.

    Në letrën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka nxjerrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian që, përmes një Misioni të pavarur Vëzhgues, të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve.

    U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira.

    Republika e Kosovës e ka vlerësuar vazhdimisht rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e institucioneve demokratike dhe në avancimin e standardeve zgjedhore. Ftesa për dërgimin e Misionit Vëzhgues është vazhdim i kësaj praktike institucionale dhe shprehje e përkushtimit të Kosovës për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të besueshëm.

  • Meloni reagon pasi shpërndahen foto të saj zhveshur të krijuara me inteligjencë artificiale

    Meloni reagon pasi shpërndahen foto të saj zhveshur të krijuara me inteligjencë artificiale

    Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, ka reaguar pasi në rrejte sociale janë shpërndarë fotografi të saj të krijuara me inteligjencë artificiale ku ajo shfaqet zhveshur.

    Meloni ka thënë se këto fotografi të rreme janë duke u bërë nga ndonjë kundërshtar i zellshëm.

    Kryeministrja italiane ka thënë se fotografi të tilla që njihen si “deepfakes” janë të rrezikshme.

    “Deepfakes janë një mjet i rrezikshëm, sepse ato mund të mashtrojnë, manipulojnë dhe godasin këdo. Unë mund ta mbroj veten. Shumë të tjerë nuk munden.Për këtë arsye, një rregull duhet të zbatohet gjithmonë: verifiko para se të besosh dhe beso para se të ndash. Sepse sot më ndodh mua, nesër mund t’i ndodhë kujtdo”, shkruan ajo.

  • VV’ja fton mërgatën të regjistrohen për votim, fajëson Opozitën për zgjedhjet e 7 qershorit

    VV’ja fton mërgatën të regjistrohen për votim, fajëson Opozitën për zgjedhjet e 7 qershorit

    Lëvizja Vetëvendosje, i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen në mënyrë që të votojnë me postë, në ambasada ose konsullata.

    Nga VV’ja, është deklaruar edhe se, afati për regjistrim hapet nesër, e së bashku me të edhe linku për regjistrim.

    Postimi:

    Regjistrohu për votim nga mërgata

    Afati: 6–17 maj 2026

    E dashur mërgatë,

    Të nderuar bashkatdhetarë,

    Edhe pas shumë përpjekjeve e propozimeve nga ana jonë dhe të gjitha refuzimeve nga ana e opozitës, vendi po futet sërish në një proces zgjedhor. Ju folët qartë në zgjedhjet e fundit, sikurse i gjithë populli i Kosovës, por kjo nomenklaturë e vjetër politike nuk do të dëgjojë.

    Edhe ky proces, si të gjitha proceset elektorale, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ndërkaq, të gjithë ata bashkatdhetarë që nuk do të vijnë fizikisht për votim në Kosovë, duhet patjetër të regjistrohen paraprakisht për të fituar të drejtën për votim me postë apo në ambasada/konsullata.

    Afati për regjistrim hapet nesër, e së bashku me të edhe linku për regjistrim.

    Ju faleminderit!

  • Djali i shoferit që goditi për vdekje dy fëmijët në Durrës: Babai do të marrë dënimin e merituar

    Djali i shoferit që goditi për vdekje dy fëmijët në Durrës: Babai do të marrë dënimin e merituar

    Një ngjarje e rëndë e ka tronditur Shqipërinë ditën e diele.

    Tre fëmijë u goditën nga një veturë në lagjen 15-të të Durrësit, ku dy prej tyre vdiqën e një tjetër mori lëndime të rënda.

    Shoferi Nikoll Radaçi, u arrestua nga policia teksa sot doli para gjykatës ku iu caktua edhe masa e paraburgimit.

    Lidhur me tragjedinë sot folën edhe djali i të dyshuarit.

    Ai për Top Channel po ndihen të shkatërruar nga ky rast, derisa theksoi se babai i tij duhet ta marrë dënimin e merituar.

    “Në radhë të parë, duam t’u japim ngushëllime familjeve të viktimave! Në emrin tim dhe të familjes sime, dua të kërkoj falje publike për tragjedinë e rëndë që ka ndodhur. Aksidenti i shkaktuar nga babai ynë ka marrë jetën e dy fëmijëve të pafajshëm dhe nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që kjo ngjarje ka shkaktuar te familjet e tyre dhe te të gjithë ne si shoqëri. Ngjarjen e morëm vesh nga media. U shokuam, sepse bëhej fjalë për jetë njerëzish dhe, mbi të gjitha, për fëmijë të mitur. I kemi ndjekur detajet dhe prononcimet në media. Ato janë diçka për të cilat çdo njeri ka mendim të ndryshëm. I kuptojmë njerëzit që janë kaq të irrituar, por kjo po ndikon shumë keq”.

    ​”Ne nuk po mbrojmë aktin, babai ynë do të marrë dënimin e merituar për këtë gabim që ka bërë. Ju lutem na kuptoni, jemi të shkatërruar. Me babin nuk kemi pasur kontakt tani që është arrestuar. Po, është e vërtetë që jemi larguar nga shtëpia për arsye sigurie, sepse është një rast i rëndë dhe nuk ishte e sigurt jeta jonë që pas asaj tragjedie që ndodhi, ne të rrinim aty, pasi i kemi shumë afër njerëzit e viktimave”, deklaroi ai.

    “Mesazhi ynë për ta është: Nga zemra kërkojmë falje. E dimë që asnjë fjalë nuk mund ta zbusë dhimbjen që po kalojnë, por ne ndajmë me ta këtë dhimbje. Jemi njerëz dhe, mbi të gjitha, jemi fëmijë… dhe e kuptojmë sa e rëndë është kjo humbje. Po, ka pasur raste që ai konsumonte alkool”, shtoi ai.

  • “Nuk është art, është përçarje”: Adelina Thaçi-Meta godet Adriana Matoshin për gjuhën e përdorur

    “Nuk është art, është përçarje”: Adelina Thaçi-Meta godet Adriana Matoshin për gjuhën e përdorur

    Ish-deputetja e LDK-së, Adelina Thaçi-Meta e ka kritikuar indirekt kolegen e saj nga Vetëvendosje, Adriana Matoshin për gjuhën e saj të përdorur në rrjetet sociale.

    Sipas Thaçit, artistët nuk e ulin nivelin e debatit dhe nuk përçajnë.

    “Ka njerëz që mbajnë titullin “artist”, por e përdorin zërin vetëm për të sulmuar, jo për të ndërtuar.
    Për vite me radhë, heshtje për teatrin, për kulturën, për artistët, por zë i lartë për përçarje, për gjuhë të ulët dhe sulme politike. Kjo nuk është art. Kjo nuk është kulturë”, ka shkruar ajo.

    “Artisti i vërtetë nuk e ul nivelin e debatit, ai e ngre shoqërinë. Nuk përçan, por bashkon. Nuk shërben si megafon i urrejtjes, por si zë i ndërgjegjes. E kur je edhe përfaqësues i qytetarëve, përgjegjësia është dyfish – të mbrosh kulturën, të fuqizosh artin, të japësh shembull dinjiteti dhe të ndërtosh ura komunikimi. Sepse arti është mision. Dhe misioni nuk është të ndash, por të bashkosh.
    Mjaft Ma” shkruan Thaçi-Meta.

  • Kriza politike në Rumani, rrëzohet qeveria

    Kriza politike në Rumani, rrëzohet qeveria

    Parlamenti i Rumanisë ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit të qendrës së djathtë Ilie Bolojan përmes një vote mosbesimi, duke thelluar krizën politike në vend dhe duke hapur një periudhë të re pasigurie institucionale.

    Vendimi u mor pas një debati të tensionuar në parlament, ku vetë Bolojan e cilësoi mocionin si “të rremë, cinik dhe artificial”, duke paralajmëruar se ndryshimi i qeverisë në një moment krize nuk është në interes të vendit.

    Roli vendimtar në rrëzimin e qeverisë e luajti Partia Socialdemokrate (PSD), e cila, pas pakënaqësive të thella me politikat e ashpra të kursimit të ndërmarra nga qeveria, u largua nga koalicioni qeverisës dhe vendosi të bashkëpunojë me forcat e së djathtës ekstreme, konkretisht me Aleancën e Bashkuar të Rumunëve. Ky bashkëpunim ka shkaktuar reagime dhe polemika edhe në nivel europian, pasi socialistët rumunë janë pjesë e grupit të qendrës së majtë në Parlamentin Europian, i cili më parë ka kritikuar aleanca të ngjashme me të djathtën ekstreme.

    Qeveria e drejtuar nga Bolojan ishte në pushtet që prej vitit 2025, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Marcel Ciolacu. Rrëzimi nga pushteti vjen më pak se një vit pas zgjedhjeve presidenciale të tensionuara, ku presidenti aktual Nicușor Dan arriti të mposhtë liderin e ekstremit të djathtë George Simion.

    Simion konsiderohet si një nga figurat kryesore pas këtij zhvillimi politik, pasi partia e tij ka fituar terren në sondazhe dhe po përfiton nga pakënaqësia publike dhe pasiguria ekonomike. Ai ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke deklaruar se e ardhmja e vendit duhet të vendoset nga vota e qytetarëve. Megjithatë, analistët e shohin të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme përpara përfundimit të mandatit aktual parlamentar në vitin 2028.

    Tashmë, presidenti Nicușor Dan pritet të nisë konsultimet me partitë politike për krijimin e një qeverie të re. Një nga skenarët e mundshëm është formimi i një koalicioni të ri mes liberalëve dhe socialistëve, ndoshta nën drejtimin e një figure teknokrate të pavarur. Një tjetër mundësi është që vetë Bolojan të mandatohet për të drejtuar një qeveri minoritare.

    Situata mbetet e ndërlikuar edhe në aspektin ekonomik. Romania duhet të përmbushë reforma kyçe deri në muajin gusht për të përfituar rreth 11 miliardë euro fonde nga Bashkimi Europian. Nëse dështon të stabilizojë financat publike, vendi rrezikon gjithashtu një ulje të vlerësimit të kreditit, gjë që do të rëndonte më tej ekonominë.

    Kjo është hera e shtatë që një qeveri në Rumani rrëzohet me votë mosbesimi që nga përfundimi i regjimit komunist pas Revolucionit të vitit 1989, duke treguar për një histori të vazhdueshme të paqëndrueshmërisë politike. Ndërkohë, presidenti Dan është përpjekur të qetësojë qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se orientimi perëndimor i vendit nuk do të ndryshojë, pavarësisht krizës aktuale politike.

  • 11 vjet nga gurëthemeli i Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    11 vjet nga gurëthemeli i Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    Ambasada amerikane në Kosovë sot kujtoi hedhjen e gurthemelit të parë për ndërtimin e objektit të ambasadës në Prishtinë 11 vjet më parë.

    Në njoftimin e kësaj ambasade, thuhet se Kosova ka një nga ndërtesat më moderne të ambasadave amerikane në botë dhe këtë e quajti simbolikë të një partneriteti mes të dyja vendeve.

    “Në këtë ditë, 11 vite më parë, Shtetet e Bashkuara zyrtarisht hodhën themelet për kompleksin e ri të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. Kosova ka një nga ndërtesat më moderne dhe më të avancuara të ambasadave amerikane në botë – një simbol i partneritetit diplomatik dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, shkroi ambasada.

    Ajo shtoi se dizajni inovativ dhe i sigurt i ndërtesës përfshiu shumë punëtorë dhe arkitektë vendorë gjatë procesit të ndërtimit.

  • Koalicioni i ri në Prishtinë, Lushaku: I takon Përparimit me marrë vendime dhe me dhanë përgjegjësi

    Koalicioni i ri në Prishtinë, Lushaku: I takon Përparimit me marrë vendime dhe me dhanë përgjegjësi

    Anëtarja e Kryesisë së LDK’së, Jehona Lushaku, tha se në mbledhjen e sotme të Kryesisë do të flasin edhe për çështjen e Përparim Ramës, por nuk u zgjerua shumë, duke thënë se ato që kishin për të thënë i thanë në komunikatën e lëshuar sot.

    LDK pak më herët tha se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje, ndërsa Rama pak më vonë njoftoi për emërimin e nënkryetares Besianë Musmurati nga radhët e PDK’së.

    Sidoqoftë, Lushaku tha se fokusi i mbledhjes së sotme të partisë do të jetë te niveli qendror.

    “Gjithçka që kemi dashur me thënë është thënë në deklaratën zyrtare të LDK-së. Ndryshe, Përparimi është kryetar i Prishtinës edhe i takon atij me dhanë edhe përgjegjësi edhe me marrë vendime në sajë të kompetencave që ai i ka. “S’kanë lidhje këto të dyja. Ju lus, çështjet komunale janë të ndara, çështjet qendrore janë çështje qendrore. Ne sot si temë diskutimi do të kemi rrugën tonë përpara dhe bashkimin e së djathtës për nivelin qendror. Dhe koalicionet dhe gjithçka tjetër që është për nivelet lokale, e nuk jemi veç në Prishtinë, po edhe në shumë komuna tjera duke qeverisur ose duke bashkëqeverisur me ndonjë parti tjetër, janë çështje lokale për të cilat sot nuk është prioritet”, tha ajo siç raportoi EO.

  • DnV: Rregullorja e re e KQZ-së për vëzhguesit kufizon vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve

    DnV: Rregullorja e re e KQZ-së për vëzhguesit kufizon vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve

    Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka vlerësuar se Rregullorja Zgjedhore për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, e miratuar nga KQZ më 29 prill përmban dispozita që tejkalojnë kornizën e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    DnV thekson se dispozitat e së njëjtës rregullore cenojnë drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile.

    “Ndryshe nga rregullativa paraprake, që akreditimin e organizatave vëzhguese e bazonte në verifikim formal të kërkesave ligjore, më rregulloren e re procesi kthehet në mekanizëm kufizues, pengues dhe kontrolli ndaj shoqërisë civile në vëzhgim të zgjedhjeve. Kjo rregullativë nuk buron nga ligji, dhe si e tillë cenon lirinë e asociimit dhe parimin e sigurisë juridike të organizatave. Për më keq, vetë procesi i hartimit dhe miratimit të kësaj rregulloreje është zhvilluar pa asnjë konsultim paraprak me organizatat e shoqërisë civile dhe pa asnjë njoftim public”.

    “Konkretisht, rregullorja përmban dispozita [Neni 3.6] që kundërligjshëm i japin mandat KQZ-së që të refuzojë akreditimin e një organizate vëzhguese mbi bazën e “të dhënave nga institucionet kompetente për rrezik ndaj rendit juridik dhe kushtetues”. Kjo përgjegjësi nuk është në mandatin e KQZ-së, pasi që vetëm gjykatat kanë kompetencë për të vendosur për situata të tilla”, thuhet mes tjerash në një reagim të DnV-së.

    Më poshtë reagimi i plotë:

    Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” vlerëson se Rregullorja Zgjedhore Nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 prill 2026, përmban dispozita që tejkalojnë kornizën e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe që cenojnë drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile.

    Ndryshe nga rregullativa paraprake, që akreditimin e organizatave vëzhguese e bazonte në verifikim formal të kërkesave ligjore, më rregulloren e re procesi kthehet në mekanizëm kufizues, pengues dhe kontrolli ndaj shoqërisë civile në vëzhgim të zgjedhjeve. Kjo rregullativë nuk buron nga ligji, dhe si e tillë cenon lirinë e asociimit dhe parimin e sigurisë juridike të organizatave. Për më keq, vetë procesi i hartimit dhe miratimit të kësaj rregulloreje është zhvilluar pa asnjë konsultim paraprak me organizatat e shoqërisë civile dhe pa asnjë njoftim publik.

    Konkretisht, rregullorja përmban dispozita [Neni 3.6] që kundërligjshëm i japin mandat KQZ-së që të refuzojë akreditimin e një organizate vëzhguese mbi bazën e “të dhënave nga institucionet kompetente për rrezik ndaj rendit juridik dhe kushtetues”. Kjo përgjegjësi nuk është në mandatin e KQZ-së, pasi që vetëm gjykatat kanë kompetencë për të vendosur për situata të tilla.

    Po ashtu, është shtuar dispozitë [Neni 3.4] që i japin KQZ-së autoritet përtej ligjit që, sipas vlerësimit të saj, të kërkojë dokumente shtesë lidhur me burimet e financimit të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve. Vëzhgimi i zgjedhjeve nuk kushtëzohet me ekzistencën e fondeve të dedikuara, meqë e drejta për vëzhgim, si e drejtë qytetare mund të ushtrohet edhe mbi baza vullnetare. Për më tepër, çështja e burimit të financimit të OJQ-ve është e rregulluar me legjislacion tjetër, monitorimi i së cilave është në përgjegjësi të institucioneve tjera shtetërore.

    Si kriter për akreditim të organizatave vëzhguese, Rregullorja [Neni 3.2] kërkon gjithashtu dorëzimin e të dhënave të detajuara, përfshirë themeluesit dhe strukturën drejtuese dhe raportet vjetore të OJQ-së, duke e zgjeruar ndjeshëm gamën e informacionit që duhet dorëzuar për akreditim. Ligji e përcakton qartazi që kriter për akreditim të organizatave është certifikata e regjistrimit dhe statuti i organizatës, përmes së cilave verifikohet fushëveprimi i organizatës, i cili duhet të jetë në fushën e zgjedhjeve apo të drejtave të njeriut.

    Në anën tjetër, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor, DnV vazhdimisht ka rekomanduar që KQZ-ja të mos lejojë angazhimin e komisionerëve, stafit zgjedhor apo vëzhguesve të cilët janë dënuar apo janë në procedurë hetimore për shkeljet zgjedhore. Sidoqoftë, në rregulloren e re [Neni 3.8] ky kufizim është përcaktuar vetëm për vëzhguesit, e jo edhe për komisionerët dhe stafin zgjedhor – që përbën diskriminim dhe cenim të parimit të barazisë para ligjit. Për më tepër, përgjegjësia për verifikim duhet të bjerë mbi KQZ-në dhe institucionet tjera publike, e jo tek organizatat vëzhguese apo vetë vëzhguesit.

    Në këtë Rregullore [Neni 8.4] është përcaktuar që vetëm organizatat e akredituara vëzhguese mund të dërgojnë vëzhgues në takimet e KQZ-së dhe KKZ-ve. Kjo dispozitë është në shkelje të nenit 9 të Ligjit për Zgjedhje, i cili thekson se mbledhjet e KQZ-së janë të hapura për publikun, pa përjashtim, përpos rasteve kur diskutohet për çështje lidhur me personelin e KQZ-së.

    Demokracia në Veprim rikujton se vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor për transparencën e procesit zgjedhor dhe për besimin e publikut në rezultatet e tij. Vendosja e kushteve dhe kërkesave shtesë përtej ligjit, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si realizohet vëzhgimi në praktikë, duke kufizuar hapësirën për vëzhgim dhe për rrjedhojë edhe nivelin e integritetit dhe legjitimitetit të procesit zgjedhor.

    Për këto arsye, Demokracia në Veprim kërkon nga KQZ që sa më parë të rishqyrtojë Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2026, të largojë dispozitat që tejkalojnë bazën ligjore dhe të sigurojë që rregullimi i vëzhgimit të zgjedhjeve të mbështetet në standarde demokratike të qarta, të barabarta dhe të zbatueshme për të gjithë.