ATV

Category: Lajme

  • 29 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

    29 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

    Sot bëhen 29 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

    Beteja disa orëshe me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

    Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë. Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.

    Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

    Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës. /kp

  • Sot varroset 30-vjeçari që u ther për vdekje në Gjakovë

    Sot varroset 30-vjeçari që u ther për vdekje në Gjakovë

    30-vjeçari Rexhë Brahimaj, do të varroset sot në fshatin Jabllanicë, pasi u ther për vdekje në orët e para të së martës në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të familjes, ceremonia mortore do të mbahet me fillim nga ora 17:00.

    I ndjeri ishte edhe i afërm i Egzona Muqiqit, bashkëshortes së këngëtarit të njohur, Albatrit Muqiqit.

    Dorasi Q.S., sipas policisë, është vetëdorëzuar disa orë pas aktit, ndërsa është ndaluar për 48 orë. Ndryshe, prokuroria pritet që brenda afatit ligjor ta paraqesë kërkesën për caktimin e paraburgimit.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, fillon periudha e regjistrimit për votim jashtë Kosovës

    Zgjedhjet e 7 qershorit, fillon periudha e regjistrimit për votim jashtë Kosovës

    Sot, më 6 maj, sipas planit të aktiviteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të fillojnë faza të ndryshme të procesit zgjedhor, të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

    Duke filluar nga dita e sotme do të fillojë regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës (6 maj – 17 maj 2026), ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda komunës (6 maj – 17 maj 2026) dhe kundërshtimi i pasaktësive në listën votuese (6 maj – 18 maj 2026).

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se shtetasit që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe të përzgjedhin mënyrën e votimit.

    “Gjatë kësaj periudhe 12-ditore (6 maj – 17 maj 2026), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për një nga tri mënyrat e votimit: (1) për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës; (2) për të dërguar fletëvotimin përmes postës në njërën nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës apo (3) për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.

    Për regjistrimin e votuesve, Elezi tha se KQZ ka funksionalizur platformën elektronike https://diaspora.kqz-ks.org.

    Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, të mbajtur më 5 maj, KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike dhe caktoi numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim në ambasada dhe konsullata.

    Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit ëshë 66,450.

    Kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

    Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, KQZ ka rregulluar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me votimin jashtë Kosovë. KQZ ka vendosur numrin minimal prej 50 votuesish të regjistruar si kriter për organizimin e votimit në një përfaqësi të caktuar diplomatike.

    “Nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ. Ndërkaq, për shtetasit që regjistrohen për të votuar me postë, KQZ, ashtu siç ka bërë në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, do t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim”, tha Elezi.

    Gjithashtu, duke filluar nga sot (6 maj – 18 maj 2026), do të fillojë periudha 13-ditore për kundërshtimin e pasaktësive në listën votuese.

    Sipas Elezit, “çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj, përmes (1) përmes platformës elekronike https://qv.kqz-ks.org, ose (2) duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”.

    Po ashtu, sipas tij, “gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, sqaroi Elezi.

    Edhe në këtë proces zgjedhor (6 maj – 17 maj 2026), KQZ do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës që të ndryshojnë Qendrën e Votimit vetëm brenda komunës së tyre.

    Qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre: (1) përmes platformës elektronike të KQZ-së https://qv.kqz-ks.org, ose (2) duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e ku është i regjistruar votuesi.

  • Parashikimi i motit për të mërkurën

    Parashikimi i motit për të mërkurën

    Të mërkurën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, sidomos në regjionin e Gjakovës, me shpejtësi prej 10-52 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje të mëtejshme, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 24 deri në 27°C.

  • Pas Samitit në Armeni, Kurti shfaqet në Shkup

    Pas Samitit në Armeni, Kurti shfaqet në Shkup

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që është mbajtur në Armeni.

    Pas kthimit nga Samiti, Kurti është ndalur në Shkup.

    Kjo është bërë e ditur përmes një fotografie, nga Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

    “Mire se erdhe në Shkup miku im, kryeministër Albin Kurti”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Avokati i Thaçit konfirmon shtyrjen e vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Avokati i Thaçit konfirmon shtyrjen e vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.

    Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit e ka bërë për RTK-në avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, i cili në një përgjigje për RTK ka konfirmuar saktësinë e informacionit të raportuar në media.

    “Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiq në përgjigjen e tij në pyetjen nëse raportimi për shtyrjen e vendimit për 20 korrik është i saktë.

    Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.

    Kësisoj epilogu i një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së pritet të bëhet publik më 20 korrik 2026. /RTK

  • Mungoi në mbledhjen e LDK-së, reagon Avdullah Hoti

    Mungoi në mbledhjen e LDK-së, reagon Avdullah Hoti

    As Hykmete Bajrami e as Avdullah Hoti nuk u panë në mbledhjen e Kryesisë së LDK’së, ku u diskutua rreth bashkimit me Vjosa Osmanin.

    Hoti ka reaguar në profilin e tij në Facebook, pasi kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se është votuar pro garimit me Osmanin në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Ai ka postuar një logo të LDK-së me mbishkrimin “LDK mbi të gjitha”.

  • Linjat ajrore anulojnë 13 mijë fluturime në maj për shkak të krizës së karburantit

    Linjat ajrore anulojnë 13 mijë fluturime në maj për shkak të krizës së karburantit

    Linjat ajrore në mbarë botën kanë anuluar mijëra fluturime gjatë muajit maj dhe kanë reduktuar ndjeshëm kapacitetet, ndërsa mungesa e karburantit për avionë po fillon të ndihet gjithnjë e më shumë. Kjo situatë rrit rrezikun për ndërprerje të udhëtimeve, veçanërisht për familjet që planifikojnë pushimet gjatë periudhës së pushimeve shkollore.

    Planet e udhëtimit për këtë periudhë mund të goditen rëndë, pasi kompanitë ajrore globale kanë njoftuar anulimin e rreth 13 mijë fluturimeve të planifikuara për maj.

    Sipas të dhënave nga firma analitike e aviacionit Cirium, vetëm në dy javët e fundit janë hequr nga oraret e fluturimeve afro dy milionë vende. Numri total i vendeve të disponueshme globalisht ka rënë nga 132 milionë në 130 milionë gjatë fundit të prillit.

    Këto anulime pritet të ndikojnë ndjeshëm te udhëtarët që kanë rezervuar pushime jashtë vendit në fund të majit, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në disa pjesë të Evropës kontinentale.

    Ndër kompanitë evropiane që kanë anuluar fluturime janë Turkish Airlines, Lufthansa, British Airways dhe KLM.

    Një verë e vështirë për aviacionin

    Situata pritet të përkeqësohet gjatë verës. Linjat ajrore jo vetëm që kanë reduktuar vendet, por edhe kanë kaluar në përdorimin e avionëve më të vegjël për të kursyer karburant, duke rritur mundësinë e vonesave dhe anulimeve të tjera.

    Kriza e karburantit lidhet me konfliktin në Iran, i cili ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve. Që nga fillimi i konfliktit në shkurt, çmimi i karburantit për avionë është më shumë se dyfishuar. Një ndër arsyet kryesore është mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.

    Ndër kompanitë më të prekura është Lufthansa, e cila ka hequr rreth 20 mijë fluturime me distanca të shkurtra nga orari veror.

    Në nivel global, shumë kompani ajrore kanë rritur çmimet e biletave për linjat më të kërkuara, kanë anuluar plotësisht fluturimet më pak fitimprurëse dhe po vazhdojnë të përdorin avionë më të vegjël për të përballuar krizën, transmeton albinfo.ch.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, sekretarja e transportit, Heidi Alexander, njoftoi pezullimin e përkohshëm të një rregulli që detyronte linjat ajrore të përdornin slotet e tyre në aeroporte, përndryshe rrezikonin t’i humbnin ato. Kjo u jep mundësi kompanive si British Airways të reduktojnë fluturimet pa u penalizuar.

    Ndërkohë, pasagjerët që nuk preken nga anulimet mund të përballen me riorganizime të fluturimeve në data të tjera, çka mund të rezultojë në pushime më të shkurtra nga sa ishte planifikuar fillimisht.

  • Xhafer Tahiri konfirmon qëndrimin në krye të LDK-së së Vushtrrisë: Fitore bashkë me presidenten Vjosa Osmani

    Xhafer Tahiri konfirmon qëndrimin në krye të LDK-së së Vushtrrisë: Fitore bashkë me presidenten Vjosa Osmani

    Xhafer Tahiri ka konfirmuar qëndrimin në krye të degës së LDK-së në Vushtrri.

    Ai ka thënë se kjo me qëllim fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit bashkë me presidenten Vjosa Osmani.

    “Në respekt të plotë ndaj strukturave të Degës dhe vullnetit të anëtarësisë, kam vendosur të vazhdoj angazhimin tim në krye të Degës së LDK-së në Vushtrri, me një qëllim të vetëm: fitoren në zgjedhjet nacionale të 7 qershorit bashkë me Presidenten @vjosa.osmani Dorëheqja ime nuk ka qenë ikje nga përgjegjësia, por reflektim. Ndërsa sot, ky vendim për të vazhduar është përgjigje ndaj një kërkese të qartë politike: unitet, mobilizim dhe rezultat”.

    “E djathta e patriotët po bashkohen, sepse ndryshimi është i domosdoshëm e Vushtrria do të jetë pjesë e këtij ndryshimi. Unë besoj në bashkëpunim, në respekt institucional dhe në një qasje që e vendos interesin e përgjithshëm mbi çdo interes personal apo grupor. Koha e ndarjeve mori fund. Koha e fitores ka ardhur”, ka thënë Tahiri.

  • Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, 200 milionë lira turke për fuqizimin e FSK’së

    Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, 200 milionë lira turke për fuqizimin e FSK’së

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bashkë me ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Yaşar Güler, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar Ushtarak ndërmjet dy qeverive.

    Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Qeveria e Turqisë do të mbështesë Qeverinë e Kosovës me 200 milionë lira turke, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe avancimin e mëtejshëm të saj institucional e professional.

    “Ky bashkëpunim reflekton qartë nivelin e lartë të marrëdhënieve tona dhe vullnetin e përbashkët për t’i çuar ato edhe më tej në shërbim të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.