ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti: Të përkushtuar për mirëqenien e fëmijëve

    ​Kurti: Të përkushtuar për mirëqenien e fëmijëve

    Me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve sot është mbledhur Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.

    Në këtë takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se teksa ka uruar Ditën e Fëmijëve, ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të rritur mirëqenien e fëmijëve.

    Sipas tij, mirëqenia e fëmijëve nuk është vetëm obligim ligjor dhe etik por edhe gurthemel për shoqëri prosperuese.

    Ai tha se të drejtat e fëmijëve janë përgjegjësi kolektive për të cilat duhet të angazhohen dhe punojnë krah per krah duke bashkuar forcat të gjitha institucionet.

    Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve është krijuar për të komunikuar dhe koordinuar politikat, programet dhe proceset në lidhje me çështjen e të drejtave të fëmijëve, brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të lehtësuar realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe për t’iu ofruar atyre mundësi të barabartë për pjesëmarrje aktive në shoqëri.

  • Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, i bashkohet protestës në Zveçan

    Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, i bashkohet protestës në Zveçan

    Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Miljana Nikoliq, raportohet se i është bashkëngjitur protestës që ka nisur mëngjesin e sotëm në Zveçan.

    Nikoliq, e cila ishte shprehur e pakënaqur me vendimin e Qeverisë Kurti rreth reciprocitetit me Serbinë, bashkë me deputetët e tjerë të Listës Serbe, kishin dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

    Kujtojmë se serbët në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të tria komuna në veri të Kosovës – janë duke protestuar prej ditësh kundër kryetarëve shqiptarë.

    Tensionet janë rritur nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ka ndihmuar ata të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve vendas.

  • Mblidhen serbët sërish në komunat veriore, aktualisht situata është e qetë

    Mblidhen serbët sërish në komunat veriore, aktualisht situata është e qetë

    Në komunat veriore të Kosovës serbët janë mbledhur sërish kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave.

    Në Leposaviq, Zubin Potok dhe në Zveçan, protestuesit serbë janë tubuar për herë të katërt këtë javë, mes tensioneve në rritje, pasi të premten e javës së kaluar Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të futeshin nëpër komuna.

    Situata aktualisht është e qetë në tri komunat. Megjithatë, kujtojmë se të hënën protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • Rakiq ka një njoftim pas negociatave me KFOR-in

    Rakiq ka një njoftim pas negociatave me KFOR-in

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se pas negociatave të djeshme, KFOR-i ka dislokuar pjesëtarë të saj në pesë lokacione në Zveçan.

    Në një deklarim për media nga Zveçani të enjten në mëngjes, Rakiq tha se KFOR-i ka përmbushur premtimin e tyre.

    “Pas bisedës së djeshme me kolonelin amerikan të KFOR-it, kemi marrë garanci dhe shohim se ata e kanë përmbushur premtimin e tyre. Ata kanë vendosur forcat e tyre në pesë pika në rrugët përreth qytetit për të parandaluar hyrjen e forcave speciale të policisë dhe incidentet. I falënderoj për mirëkuptimin e tyre, do të thotë shumë për ne”, tha Rakiq.

    Ai ka thënë se “populli serb nuk ka asnjë problem me ushtarët e KFOR-it”.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë në shërbim të ushtarëve të KFOR-it nëse kanë nevojë për ndihmë, sepse ata janë aty për të mbrojtur njerëzit që po protestojnë në mënyrë paqësore”, ka shtuar Rakiq.

  • Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

    Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

    “NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, shkruan REL.

    Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.

    Stoltenberg tha se dhuna kundër trupave të NATO-s është “krejtësisht e papranueshme”.

  • Sveçla fton qytetarët mos të marrin pjesë në protestën e sotme në Mitrovicë: Thirrja po përhapet nga persona të panjohur

    Sveçla fton qytetarët mos të marrin pjesë në protestën e sotme në Mitrovicë: Thirrja po përhapet nga persona të panjohur

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të enjten se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe sipas tij, nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.

    Ai shtoi se përmes këtij organizimi në rrjetet sociale, po tentohet të nxiten tubime të panevojshme.

    “Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, shkroi i pari i MPB-së në Facebook.

    “Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit”, shtoi Sveçla.

    Krejt në fund, ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime.

    Njashtu si Sveçla, edhe Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët të shmangin këtë protestë.

    Disa thirrje janë përhapur në rrjetet sociale për organizimin e një proteste masive, sot në ora 12:00 në jug të Mitrovicës. Këto thirrje u drejtohen qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë kinse për marshim në veri të vendit.

    “Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend”, tha Policia e Kosovës.

  • Kryetari i Zubin Potokut vazhdon punën nga Zyra për Komunitete

    Kryetari i Zubin Potokut vazhdon punën nga Zyra për Komunitete

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër të kësaj komune.

    Ai shtoi se, aktualisht, është duke u vlerësuar gjendja e sigurisë në komunë, për të vendosur nëse do të shkojë në objektin komunal.

    Kujtojmë se serbët në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të tria komuna në veri të Kosovës – janë duke protestuar prej ditësh kundër kryetarëve shqiptarë.

    Tensionet janë rritur nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ka ndihmuar ata të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve vendas./REL/.

  • Osmani sot takohet me Macron dhe Scholz

    Osmani sot takohet me Macron dhe Scholz

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet për vizitë në Moldavi, ku me ftesë të organizatorëve ajo po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

    Në margjinat e këtij samiti, siç merr vesh Telegrafi, Osmani sot do të zhvillojë një takim trilateral me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

    Burime të Telegrafit gjithashtu kanë theksuar se në takim nuk do të jetë i pranishëm presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Gjatë pjesëmarrjes së saj në këtë samit, Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, dje ka bërë të ditur se bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë më 1 qershor me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Macron i ka konfirmuar këto biseda në një fjalim të mbajtur në Konferencën GLOBSEC në Bratislavë.

  • Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

    Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

    Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.

    Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.

    Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

    Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

  • Komandanti i KFOR-it: Në Zveçan ka pasur profesionistë, të cilët me dashje kanë nxitur turmën

    Komandanti i KFOR-it: Në Zveçan ka pasur profesionistë, të cilët me dashje kanë nxitur turmën

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku ka theksuar se po të mos ndërhynte KFOR-i “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

    Ristuccia shtoi se në Zveçan ka pasur njerëz që me qëllim kanë nxitur turmën e banorëve serbë.

    “Në sheshin në Zveçan ka pasur profesionistë të protestës të cilët me dashje kanë nxitur turmën”, ka thënë ai për gazetën italiane “La Repubblica”.

    Ai foli edhe për ushtarët e KFOR-it që pësuan lëndime gjatë konfrontimit me protestuesit e dhunshëm.

    “Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën më 29 maj. Jam shumë pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villaggio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”, ka thënë ai.

    Ai është pyetur edhe për mercenarët rus, pjesëtarët e Brigadës Wagner, për të cilët u tha se janë nisur për në Kosovë.

    Komandanti i KFOR-it bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë.