ATV

Category: Lajme

  • ​Vuçiq konfirmon se do të takohet me Macron-in dhe Scholz-in

    ​Vuçiq konfirmon se do të takohet me Macron-in dhe Scholz-in

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Vuçiq derisa theksoi se nuk e di se kush do të vijë nga Kosova, u shpreh sdo të përpiqen të bëjnë më të mirën për t’i kthyer gjërat në normalitet. Ai ka folur edhe për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, për çka ka thënë se kjo varet nga të dy palët.

    Këto komente presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i bëri në margjinat e Samit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

    “Nuk e di kush do të vijë nga Prishtina, por pa dyshim që do të takoj Scholz-in dhe Macron-in dhe ky do të jetë një diskutim shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh Vuçiq.

    Edhe pse vet i shtyu serbët që të mos jenë pjesë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për komunat veriore, Vuçiq përsëriti se me 3.4% nuk janë zgjedhje legjitime.

    Ai tha se Kosova nuk është dahsur të dërgoj Njësinë Speciale në komunat në veri të vendit, derisa shpifi se gjoja “maltreton dhe persekuton qytetarët”, kur dihet se Policia e Kosovës po qëndron kryesosht brenda objekteve komunale dhe është KFOR-i jashtë.

    “Për ne është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë përpjekjet që disa njerëz të kuptojnë se 3.4% nuk janë zgjedhje legjitime, se nuk e imponojnë vullnetin e tyre me dhunë, të mos i fusin forcat speciale të policisë pa qenë nevoja.. Sigurisht që do të kemi një takim me Scholzin dhe Macronin, por edhe me shumë kryeministra dhe presidentë të tjerë. Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për t’i kthyer gjërat në normalitet, për t’i deeskaluar gjërat, por nëse kjo ndodh apo jo, për tango duhen dy, dhe kjo nuk varet vetëm nga ne”, theksoi ai.

    Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës./KP

  • Prishtinasi kanos ish të dashurën, dërgohet në mbajtje

    Prishtinasi kanos ish të dashurën, dërgohet në mbajtje

    Një person ka kanosur ish të dashurën e tij me të cilën kishte bashkëjetuar më parë.

    I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    DHUNË NË FAMILJE/Prishtinë 31.05.2023 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte kanosur ish të dashurën e tij viktimën femër kosovare me të cilën kishte bashkëjetuar një kohë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Borrell: Po pres takim me Vuçiqin, dhuna nuk është rruga

    Borrell: Po pres takim me Vuçiqin, dhuna nuk është rruga

    Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, ka folur sërish për tensionet në veri të Kosovës.

    Ai ka bërë të ditur se është në pritje të një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, meqë siç tha me palën kosovare takimi u zhvillua dje.

    ”Jam në pritje të një takimi me [Aleksandër] Vuçiqin”. Duhet të insistojmë se dhuna nuk është rruga, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryesit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Duhet të shmanget çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizjet e pakoordinuara”.

    Këto komente Borrell i dha këtë mëngjes, gjatë hyrjes në Samitin e liderëve Evropianë që do të mbahet në Kishinau të Moldavisë.

    Borrell mes tjerash pranoi se Bashkimi Evropian duhet të punojë për të stabilizuar kontinentin.

    ”Ne kemi shumë probleme në Ballkan”, u shpreh mes tjerash ai.

  • Ish-kongresisti amerikan i viziton prindërit e ish-presidentit Thaçi: Drejtësia ndaj tyre është e njëanshme

    Ish-kongresisti amerikan i viziton prindërit e ish-presidentit Thaçi: Drejtësia ndaj tyre është e njëanshme

    Ish-kongresisti amerikan, Tony Hall i ka vizituar prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi, në Burojë të Skenderajt, raporton Ekonomia Online. Hall është pritur në odën e familjes Thaçi, nga babai i ish-presidentit, Haxhi Thaçi. Me këtë rast Hall tha se u ndje i mikpritur në shtëpinë e ish-kreut të UÇK-së.

    Ai shtoi se familjarët u shprehën të shqetësuar për gjykimin e bijve të tyre në Hagë, për çka tha se i mirëkupton. Madje tregoi se ka vizituar edhe një shoqatë të grave të dhunuara gjatë luftës.

    Për këtë ai tha se duhet të ketë drejtësi, në mënyrë që të gjykohen krimet e jo të hetohen vetëm krerët e UÇK-së, duke e quajtur këtë drejtësi të njëanshme.

    “Qëllimi i vizitës ishte që ta takoja së pari babain e ish-presidentit Hashim Thaçi, e pastaj edhe familjarët e ish-liderëve që po mbahen në Hagë. Ai (babai i Thacit) më priti shumë mirë. Mendova se po i bëja një nder, por në fakt ai më bëri mua nder. U ndjeva shumë i mikpritur në shtëpinë e tij”.

    “Jam takuar edhe me familjarët e tjerë të ish-liderëve që po mbahen në Hagë. Ishte një takim shumë i mirë por ata natyrisht se u shprehën të shqetësuar për sistemin e drejtësisë dhe unë i kuptoj plotësisht. Para së të vija këtu, kam vizituar edhe një vend që kujdeset për gratë e dhunuara gjatë luftës”.

    “Më lë pa fjalë që 25 mijë vajza dhe gra kosovare janë përdhunuar gjatë luftës. Nuk duket të ketë drejtësi në të dy anët. Njerëzit që kanë kryet këto krime duhet t’i paguajnë ato. Për mua kjo është drejtësi e një anshme”.

    Sipas familjarëve, ish-presidenti Thaçi ka qëndruar në dhomë vetëm me babain dhe nënën e tij. Madje, prapa kamerës, vëllai i Thaçit ka thënë se është ndërprerë rrjeti dhe energjia elektrike në një KM2.

    Hall, të mërkurën ka takuar familjarët e ish-liderëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte, raporton Ekonomia Online.

    Ky takim vjen pas vizitës që Hall u ka bërë ish-krerëve në Hagë, për të cilët tha se janë të dekurajuar nga padrejtësia dhe tej-zgjatja e gjykimit.

  • 1 Qershori, uron Haradinaj: Investimi në fëmijë është jetëgjatë dhe garanton të ardhme të sigurt

    1 Qershori, uron Haradinaj: Investimi në fëmijë është jetëgjatë dhe garanton të ardhme të sigurt

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar fëmijët me rastin 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

    Haradinaj ka thënë se kjo ditë na shërben si përkujtim, se detyrim i yni është garantimi për edukimin e tyre të mirëfilltë dhe për sigurinë.

    “Mirëqenia e fëmijëve është pasqyra më e qartë e suksesit dhe e nivelit të demokracisë së një shteti e shoqërie”.

    “Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve – 1 Qershori, na shërben si përkujtim, se detyrim i yni i përbashkët është, që t’iu garantojmë atyre edukim të mirëfilltë, siguri dhe t’i mbrojmë nga çdo lloj abuzimi e dhune”, është shprehur Haradinaj.

    Ai ka shtuar se investimi në fëmijët është afatgjatë dhe i domosdoshëm.

    “Investimi në fëmijët është padyshim investimi më jetëgjatë, i domosdoshëm dhe që garanton të ardhme të sigurt për vendin”.

    “Gëzuar 1 Qershorin, për të gjithë fëmijët!”, ka thënë Haradinaj.

  • Ish-ministri Nenad Rikallo dënohet me 3 vjet burg

    Ish-ministri Nenad Rikallo dënohet me 3 vjet burg

    Ish-ministri serb i Bujqësisë, Nenad Rikallo, është dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Ai është dënuar lidhur me akuzat për korrupsion. Aktgjykimi u shpall të enjten, raporton Betimi për Drejtësi.

    Kurse, ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi, u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim efektiv.

    Sipas aktgjykimit, ish-ministri Nenad Rikalo dhe ish-sekretari Kapllan Halimi, shpallen fajtorë për pikën 1 të aktakuzës. Me këtë, Rikalo dënohet me 3 vite burgim efektiv, kurse Halimi me 2 vite e 6 muaj burgim.

    Kurse, të akuzuarit Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Leon Thaçi dhe Albana Zeqiri, lirohen nga akuza, pasi që nga provat e administruara nuk është vërtetuar se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale për të cilën janë akuzuar sipas aktakuzës.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaqa dhe Sejdiu paraqiten në gjykatë

    Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaqa dhe Sejdiu paraqiten në gjykatë

    Dardan Krivaqa dhe Dardan Sejdiu, të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit, janë shfaqur në seancën gjyqësore të së enjtes në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

    Seanca kundër Krivaqës dhe Sejdiut pritet të fillojë së shpejti, teksa i pari po akuzohet për vrasje të rëndë dhe veprën penale “dhunimi”, ndërsa i akuzuari i dytë për “ndihmë në kryerjen e krimit”.

    Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

  • Osmani: S’kam plan të takohem me Vuçiqin, Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë

    Osmani: S’kam plan të takohem me Vuçiqin, Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka thënë se Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin e Ballkanit dhe ka tendenca për të destabilizuar Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

    “Ne si rajon dhe në veçanti si Kosovë, jemi përballë sfidave. Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë, duke tentuar vazhdimisht për ta destabilizuar Kosovën, por edhe shtetet e tjera të rajonit. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë që t’i luftojmë këto tendenca destabilizuese”, tha ajo.

    Osmani vlerësoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është i interesuar të përdorë bandat e tij kriminale për të destabilizuar Kosovën.

    Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se nuk ka planifikuar të takohet sot me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Ajo ka theksuar se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët që kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, për të forcuar situatën dhe për të parandaluar destabilizimin e rajonit.

    Presidentja Osmani ka njoftuar se do të zhvillojë takime me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me liderët e tjerë evropianë gjatë samitit.

  • Komiteti për Administrimin e Tokës takohet për herë të parë, vlerësohet se Kosova po ndjek vendet evropiane

    Komiteti për Administrimin e Tokës takohet për herë të parë, vlerësohet se Kosova po ndjek vendet evropiane

    Komiteti për Administrimin e Tokës dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacion Hapësinor (IKIH), ka filluar zyrtarisht punën të enjten, kur edhe u mbajt takimi i parë i këtij komiteti, raporton EO.

    Në takim u theksua rëndësia e komitetit veçanërisht për sinkronizimin e informacioneve për planifikimin hapësinor të Kosovës.

    Ministria i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, tha se informacionet kadastrale luajnë rol kyç në planifikimin hapësinor, por edhe në politikëbërje.

    “Informacionet kadastrale luajnë një rol kyç në planifikimin hapësinor dhe në bërjen e politikave”.

    Aliu tha se Komiteti, përveç tjerash, do ta ndihmojë edhe hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës.

    “Kuvendi ka marrë vendimin për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe si ministri jemi të angazhuar në këtë plan. Puna në këtë Komitet ka rëndësi në disa projekte e plane”.

    Ai ka vlerësuar se janë bërë përmirësime të mëdha në administrimin e tokës.

    “Komiteti ndërministror për administrimin e tokës kombëtare për informacionin hapësinor tashmë ka filluar punën. Deri më tani janë bërë përmirësime të mëdha në administrimin e tokës”.

    Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se Kosova po ndjek vendet evropiane, teksa ka treguar edhe disa hapa konkretë që Agjencia po ndërmerr.

    Ahmeti tha se një ndër projektet më të rëndësishme të Agjencisë është pikërisht ky Komitet.

    “Kosova po ndjek shembujt më të mirë të shteteve evropiane. Deri më tani Agjencia kadestrale ka bërë hapa konkret në jetësimin e disa projekteve. Një ndër projektet më të rëndësishme është ky komitet. Është lehtësuar qasja në rrjet dhe është përshpejtuar koha”.

    Tutje, ai tha se qëllimi kryesor është sinkronizimi i të dhënave ndërmjet të gjithë akterëve, teksa ka treguar se Agjencia po punon në pesë udhëzime administrative për implementimin e IKIH.

    “Krijimi i kornizës ligjore për menaxhimin e tokës lehtëson administrimin e tokës. Na është paraqitur nevoja që të dhënat e agjencive të jenë të sinkronizuara dhe ky është edhe qëllimi kryesor”.

    “Jemi duke punuar në pesë udhëzime administrative për implementimin e IKIH. Jemi në fazën fillestare të disa projekteve kapitale, të cilat lidhen kryesisht ne krijimin e të dhënave. Do të krijohen foto të reja për gjithë territorin e Kosovës. Të gjitha të dhënat do të vendosen në portalin e IKIH. Këto aktivitete i ndihmojnë qytetet e Kosovës që ta bëjnë planifikim me të mirë hapësinor”.

    Udhëheqës i projektit të Bankës Botërore “REGIP”, Paul Prettitore, tha se po investojën në modernizimin e sistemit kadastarl të Kosovës.

    “Banka Botërore ka bërë investime të mëdha në këtë sektor. Së fundi kemi bërë investime të mëdha në modernizimin e sistemit kadastral. Kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe jemi të fokusuar që t’i implementojmë projektet tona”.

    Jennifer Ober, udhëheqëse e aktivitetit të qeverisjes së pronës në USAID, tha se fillimsit në kuadër të projektit do të punojnë me shtatë komuna për t’u zgjedhur më pas në 19, raporton EO.

    “Kam qenë kënaqësi te punojmë me Agjencinë kadastrale dhe Ministrinë e Mjedisit. Do të fillojmë të punojmë me 7 komuna dhe në fund të projektit do të punojmë me 19 komuna”.

    Modest Gashi, përfaqësues i “UN Habitatit”, tha se kanë qenë të fokusuar në shtatë komunat veriore të Kosovës, për çka ka sqaruar se kanë arritur që të arrijnë qëllimet e përcaktuara.

    “Ne si organizatë e dimë rëndësinë e të dhënave hapësinore. Andaj në punën tonë që ka qenë e fokusuar në 7 komuna veriore të Kosovës, së bashku me Agjencinë Kadastral, kemi arritur qe t’i organizojmë këto komuna”.

    Bilbil Kastrati, përfaqësues i OSBE-së, tha se Agjencia ka arritur që të zbatojë ligjet në fuqi e implementojë strategjitë.

    “Agjencia kadastrale ka arritur rezultate të implementuar Ligjin për kadastrën dhe të drejtat pronësore dhe implementimin e strategjisë për të drejtat pronësore. E kuptojmë që Agjencia kadastrale ka nevojë për mbështetje”.

  • 1 Qershori, Dita e Fëmijëve

    1 Qershori, Dita e Fëmijëve

    Dita ndërkombëtare e fëmijëve për një pjesë të vendeve të botës është 20 nëntor ndërsa për pjesën tjetër është 1 qershori.

    Fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë që këtë ditë të jenë të lumtur dhe ta festojnë së bashku me prindër.

    1 qershor si Dita e fëmijëve u vendos sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

    Në të njëjtën ditë, konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.

    Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.

    Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një dite për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.

    Është dita kur vetë fëmijët shprehen lirshëm për të thëne të drejtat e tyre.

    Shumë vende të botës e kanë pranuar 1 qershorin si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe organizojnë aktivitete të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirqenies së tyre.

    Kjo ditë lumturon fëmijët dhe prindërit kur shohin fëmijët me buzëqeshjen e tyre të ëmbël.

    Sot të gjithë fëmijët festojnë 1 Qershorin ku më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve dhe shtetit.

    Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve. /atvlive.tv