ATV

Category: Lajme

  • ​Abdixhiku takoi ambasadorin francez: Koordinimi me aleatët, i domosdoshëm

    ​Abdixhiku takoi ambasadorin francez: Koordinimi me aleatët, i domosdoshëm

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale në veri të vendit.

    Abdixhiku e ka shprehur qëndrimin e LDK-së duke theksuar domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve me aleatët ndërkombëtar.

    “Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Guérot për qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate, duke theksuar domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës me aleatët tanë si parakusht i stabilitetit afatgjatë”, ka njoftuar LDK, përcjell kp.

    Kreu i LDK-së gjithashtu ka theksuar nevojën e mbështetjes ndaj institucioneve të rendit në Kosovë, me qëllim të garantimit të sigurisë së institucioneve dhe të qytetarëve përballë rrezikut të dhunës së krijuar nga bandat kriminale në veri të vendit.

  • Numër më i vogël i protestuesve në Zveçan

    Numër më i vogël i protestuesve në Zveçan

    Numri i protestuesve në Zveçan sot është më i vogël, krahasuar me ditët e tjera.

    Situata është e qetë, shkruan KosovaPress

    Në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, serbët po protestojnë edhe sot.

    Dje, në Zveçan situata herë pas here është tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • Pamjet e një grupi të rinjsh që po enden nëpër veri me bluza të grupit famëkeq “Wagner”

    Pamjet e një grupi të rinjsh që po enden nëpër veri me bluza të grupit famëkeq “Wagner”

    Gjatë ditës së djeshme, disa të rinj mbanin bluza të grupit famëkeq Wagner.

    Ata endeshin nëpër veri krahas turmës së proteuseve.

    Nuk dihet nëse ata vërtetë janë pjesë e këtij grupi, apo motivet po i mbanin me qëllim në veshjet e tyre për të shkaktuar amulli tek të gjithë.

    Megjithatë dyshimet se grupi Wagner ndodhet në veri tash e një kohë janë ngritur para disa muajsh.

    VIDEO

    Edhe në shkurt të këtij viti, kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se, përreth Kosovës, ekzistojnë 48 baza operative, disa prej tyre ushtarë të grupit Wagner të Rusisë, e të tjera të “Ujqërve të Natës”.

    “Serbia është bërë më agresive ndaj Kosovës pas pushtimit rus [në Ukrainë]. 48 baza operative janë përreth Kosovës, prej tyre 28 baza ushtarake e 20 xhandarmëri, ku janë parë mercenarë të Ëagnerit dhe Ujqërit e Natës”, deklaroi Kurti në intervistë për “France 24”.

    E ditë më parë, kur në veri situate doli jashtë kontrollit për shkak të 4 kryetarëve shqiptarë të zgjedhur nëpër komunat serbe, kompania izraelite “Terror Alarm”, në një cicërimë të saj, mbrëmë ka thënë se “Grupi terrorist Wagner është nisur për në Kosovë”.

    Kompania që lëshoi njoftimin është e njohur për paralajmërimet e autoriteteve për sulmet terroriste dhe parandalimin e shumë prej tyre në kulmin e sulmeve të ISIS në Evropë të viteve 2014-2017, raporton KosovaPress.

    Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Ëagner në Telegram.

    Postimi në llogarinë  e tëitterit, “Terror Alarm” e bëri pas eskalimit të situatës në Zveçan, ku grupe kriminale serbe sulmuan KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, me ç’rast mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

    Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

  • ​Kovaçevski: Paqja në Kosovë është paqe për Ballkanin Perëndimor

    ​Kovaçevski: Paqja në Kosovë është paqe për Ballkanin Perëndimor

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, ka bërë thirrje për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës. Ai ka thënë se të githa mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me rrugë diplomatike, derisa ka theksuar se paqja në Kosovë është paqe për Ballkanin Perëndimor, transmeton KP.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka folur në margjinat e samitit të liderëve evropian në Moldavi.

    “Ne kemi një qëndrim shumë të qartë se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me rrugë diplomatike sepse paqja në Kosovë është paqe edhe për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se koha e konflikteve është shumë prapa nesh. Pra, zbatimi i marrëveshjeve tashmë të dakorduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe aneksi i planit të zbatimit duhet të jetë imperativ për politikanët nga të dyja vendet, ne bëjmë thirrje për de-eskalim dhe për vazhdimin e komunikimit midis dy vendeve me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai./

  • Rama: Tensionet në veri të Kosovës të zgjidhen krah për krah me botën demokratike

    Rama: Tensionet në veri të Kosovës të zgjidhen krah për krah me botën demokratike

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se tensionet në veri të Kosovës duhet të zgjidhen krah për krah me botën demokratike.

    Ai, gjatë një takimi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në të cilën ishte i pranishëm edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u shpreh se tensionet në veri duhet të zgjidhen, duke arritur marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi.

    “Rajoni duhet të hyjë në një marrëdhënie të re me BE-në, ndërkohë që konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke u dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.”, shkroi Rama në Facebook.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • ​Pavarësisht thirrjeve të institucioneve, dhjetëra qytetarë mblidhen në urën mbi Ibër

    ​Pavarësisht thirrjeve të institucioneve, dhjetëra qytetarë mblidhen në urën mbi Ibër

    Dhjetëra qytetarë janë përgjigjur në thirrjen për protestë tek ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pavarësisht thirrjeve të institucioneve të Kosovës për të mos e bërë këtë, raporton KP.

    Thirrja është bërë përmes rrjeteve sociale dhe Policia e Kosovës ka deklaruar se e njëjta po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta.

    Personat që janë tubuar po këndojnë herë pas here këngë si “besa besë”, “jo nuk ndahet Mitrovica”, si dhe po brohorasin “UÇK”.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që mos u përgjigjen thirrjeve për protestë në Mitrovicë. Ai ka deklaruar se këto thirrje janë të dyshimta nga organizime anonime.

    Sveçla ka deklaruar se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe marshim drejt veriut, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.

    “Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar ministri i Brendshëm.

  • Alivanoset në gjykatore Dardan Krivaqa

    Alivanoset në gjykatore Dardan Krivaqa

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbyllur për publikun shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, për shkak se do të bëhet administrimi i CD-së, e cila vlerësohet si prova kryesore e aktakuzës. Dukagjini mëson se Krivaqa është alivanosur në gjykatore.

    I akuzuari për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmani, Dardan Krivaqa është alivanosur në gjykatore.

    Pas kalimit në seancë private, kur parashihej të shfaqej CD-ja me video-incizime të pamjeve të rënda të banesës së Dardan Krivaqës, ky i fundit alivanoset në gjykatore dhe merrë ndihmë nga autoambulanca, akoma pa u shfaqur pamjet.

    Në seancë nuk po qëndrojnë as prindërit e Marigona Osmanit, të cilët janë shprehur se nuk mund të përballojnë ato pamje.

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbyllur për publikun shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, për shkak se do të bëhet administrimi i CD-së, e cila vlerësohet si prova kryesore e aktakuzës.

    Seanca u mbyll për publikun me propozim të prokurorit Valdet Avdiu dhe avokatëve Arbnora Shefkiu (mbrojtëse e Arbër Sejdiut) dhe Admir Salihu (mbrojtës i Dardan Krivaqës), raporton RTV Dukagjini.

    Ndërsa seanca pritet që të hapet sërish pas shikimit të kësaj CD-je.

    Kjo pasi avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi që të hyjnë në prova materiale 18 raporte mjekësore, psiqike të familjarëve të Marigona Osmanit që e dëshmojnë gjendjen e rënduar psikologjike të tyre.

    “Gjykatësi i dorëzoi 18 raporte mjekësore, psikiatrike dhe psikologjike që tregoi gjendjen e rëndë pas vrasjes së familjares së tyre ndërkaq relevanca e ketyre provave është, meqë kodi penale në mënyrë decidive e citon, te shpallja e dënimit të ketë parasysh edhe pasojat e rënda që janë kryer nga kjo vepër e rëndë. “, ka thënë Rexhepi.

    Ndryshe, në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës.

    Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmanin.

    Në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

    Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Me çka akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

  • Berisha zbulon marrëveshjen e Albin Kurtit me Ambasadën Amerikane për veriun

    Berisha zbulon marrëveshjen e Albin Kurtit me Ambasadën Amerikane për veriun

    Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin DIREKT në ATV, tregoi se cila ishte marrëveshja mes Albin Kurti dhe ambasadorit amerikan për zgjedhjet në veri të vendit, marrëveshje kjo që sipas Berishës nuk u respektua nga kryeministri.

    “Marrëveshja mes Kurtit dhe ambasadës amerikane ka qenë që këta janë kryetarë teknikë. ‘Po ta njoh legjitimitetin procedural formal, por mbajë si kryetarë teknikë, sepse edhe po të dërgohen në zyra janë jofunksionalë, sepse nuk e kanë mbështetjen e komunitetit shumicë atje nga 45 mijë qytetarë, që kanë pasë me votu, kanë dalë 1200-1300 prej tyre, 13 të komunitetit serb që janë shumicë atje’. Kjo ishte marrëveshja, legjitimimi, por në nivelin teknik sa për të parë tutje procesin të cilin partnerët ndërkombëtarë ishin krahë nesh për të na ndihmuar dhe çfarë bëri zoti Kurti, i mori forcat policore dhe i dërgoi i futi në mënyrë të dhunshme atje”, tha Berisha. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Në Krushë të Madhe përurohet çerdhja në vlerë mbi 376 mijë euro

    ​Në Krushë të Madhe përurohet çerdhja në vlerë mbi 376 mijë euro

    Komuna e Rahovecit përuroi sot çerdhen për fëmijë në Krushë të Madhe. Në vlerë mbi 376 mijë euro, shumë shpejt do të hapen dyert për 114 fëmijë krushian. Në përurimin e saj, u tha se plotëson të gjitha kriteret dhe standardet dhe se është objekt bashkëkohor.

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e konsideroi lajm të mirë hapjen e kësaj çerdheje në ditën ndërkombëtare për fëmijët.

    “Ne jemi të lumtur që sot po e përurojmë çerdhen e fëmijëve në Krushë të Madhe. Është lajm i mirë edhe për faktin që është dita ndërkombëtare e fëmijëve. Shpresojmë që kjo çerdhe në afat optimal të mbushet me fëmijë dhe me edukatore. Kjo çerdhe i plotëson kriteret, standardet, është objekt bashkëkohor dhe shpresoj që do të kemi mundësi që edhe për fëmijët të kemi një zgjidhje jashtëzakonisht të mirë edhe për Krushën e Madhe, por edhe fshatrat në rrethinë”, tha Latifi.

    Drejtori komunal i Arsimit, Avni Morina tha se presin nga Ministria e Arsimit që të bëjë furnizimin me inventarë, kërkesë kjo e bërë një vit më parë.

    “Vlera e ndërtimit të këtij objekti së bashku me punimet e instalimit të ujit, të rrymës dhe të kanalizimit, u desh të investohej me punë të tjera që të sjellej rryma, uji dhe kanalizimi, sepse është në periferi të fshatit, e gjithë vlera e projektit është 376 mijë e 185 euro e 69 cent. Kjo çerdhe për fëmijë përmban pesë klasa për 114 fëmijë, dhomë gjumi me 27 shtretër, menzën ku njëkohësisht ushqehen 32 fëmijë, zyrën e administratës për katër persona, zyrën e mjekut, zyrën e drejtorit apo drejtoreshës, zyrën e pedagogut apo psikologut, nyjet sanitare, të cilat janë të integruara në secilën klasë, ku qëndrojnë fëmijët dhe korridoret dhe hapësirat e tjera të nevojshme për fëmijët prej moshës nëntë-mujore deri pesë-vjeçare”, u shpreh ai.

    Tutje, Morina njoftoi se kanë shpallur konkursin për edukatore, me ç’rast tha se e vetmja pengesë për të filluar punën është mungesa e inventarit./kp

  • ​Zgjerohet Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, miratohet shtimi i 4 portave të reja

    ​Zgjerohet Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, miratohet shtimi i 4 portave të reja

    Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” do të zgjerohet me 4 porta të reja të imbarkimit, duke e rritur numrin e portave nga 8 në 12.

    Zgjerimi i terminalit do të bëhet në anën jugore dhe atë veriore të portave ekzistuese të imbarkimit.

    Sipas njoftimit nga Aeroporti, buxheti i paraparë për këtë plan është rreth 3 milionë euro.

    “Zgjerimi i terminalit do të bëhet në anën jugore dhe në anën veriore të portave ekzistuese të imbarkimit, ndërsa buxheti i paraparë për këtë plan në total është rreth 3 milionë euro. Meqenëse Plani i Zgjerimit bie nën kompetencat e Partnerit Privat, zgjerimi i terminalit do të bëhet pa asnjë shpenzim shtesë për Dhënësin apo Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Zgjerimi synon të rrisë kapacitetin e terminalit për të përballuar flukse më të mëdha të udhëtarëve, por edhe rritjen e komoditetit për pasagjerët që të kenë sa më të lehtë kalimin nëpër kontrollet e aeroportit.

    “Gjatë mbledhjes Komiteti miratoi edhe raportin vjetor për vitin 2022 si dhe diskutoi mbi kërkesën e partnerit privat për zgjatjen e afatit të koncesionimit me qëllim reflektimin e kohës së pandemisë ashtu siç parashihet në kontratë. Sipas Raportit mbi Pasqyrat Financiare të Auditorit të Pavarur, të Ardhurat Bruto për vitin 2022 ishin 60,177,176€ apo 36.91% më të larta sesa viti paraprak, ndërkaq numri i udhëtarëve u rrit nga 2,198,414 në 3,012,108 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 37%”, është theksuar në komunikatë./KosovaPress