ATV

Category: Lajme

  • “Nuk ka dorëzim” – Në Mal të Zi tubime përkrahëse për serbët në Kosovë

    “Nuk ka dorëzim” – Në Mal të Zi tubime përkrahëse për serbët në Kosovë

    Në shenjë mbështetjeje për serbët në Kosovë, disa qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës para një kishe në Podgoricë të Malit të Zi.

    Në tubim nuk pati fjalime, ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin “Kosova është zemra e Serbisë” dhe mesazhe të tjera.

    Ata kishin veshur bluza me mesazhet “Vëllai për vëllain, nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, “Mali i Zi – Rusi”, si dhe me imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin.

    Ftesa për tubim është shpërndarë në rrjetet sociale dhe thuhet se është organizuar nga një grup qytetarësh.

    Pjesëmarrës ishin edhe disa deputetë të partive më të vogla pro-serbe, si Bogdan Bozhoviq nga Partia Popullore Socialiste dhe Marko Millaçiq nga Mali i Zi i Vërtetë, si dhe bartësi i listës zgjedhore të Koalicionit Popullor, Dejan Vukshiq.

    Në qytetin e Nikshiqit sot pritet të mbahet një tubim i ngjashëm.

    Rreth një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë dhe rreth dy të tretat i takojnë një dege lokale të Kishës Ortodokse Serbe.

    Tensionet me Beogradin janë zbutur ndjeshëm nga koha kur Mali i Zi e shpalli pavarësinë në vitin 2006, por çështjet e identitetit kombëtar malazez dhe kulturës së përbashkët shkaktojnë ende dilema. /REL

  • AGK: Fushatë e rrezikshme me fotomontazhe ndaj gazetarëve

    AGK: Fushatë e rrezikshme me fotomontazhe ndaj gazetarëve

    Berat Buzhala, Bekim Kabashi dhe Lavdim Hamidi, janë bërë cak i foto-montazheve, të cilat po shpërndahen në rrjete sociale këtë pasdite.

    Foto-montazha e Buzhalës është krijuar në atë formë që të duket gjoja se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ripostuar një cicërimë të Buzhalës, duke thënë se është njëri nga gazetarët më të mirë kosovarë.

    Ndërsa, Kabashit dhe Hamidit, u janë vendosur flamuj të Serbisë në ballë me mbishkrimet: “Zagarët e Vuciqit”, si dhe “Bravo vëlla” (duke aluduar se kështu po iu drejtohet presidenti Serb dy gazetarëve).

    Një fushatë e tillë, është shumë e rrezikshme dhe vë në cak të sulmeve online si gazetarët, ashtu edhe familjet e tyre.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.

  • Protestuesve në Zveçan u bashkohen edhe punëtorët e komunitetit serbë të Trepçës

    Protestuesve në Zveçan u bashkohen edhe punëtorët e komunitetit serbë të Trepçës

    Protestës së sotme të serbëve të veriut i janë bashkuar edhe punëtorët serbë të Trepçës

    Ata thonë se kanë dalë në përkrahje të protestuesve rreth kërkesave që ata kanë, dhe jo vetëm kaq.

    Sipas deklaratave, ata janë detyruar ta ndalin punën pasi thonë se rruga ka pesë ditë që është bllokuar dhe kjo ka bërë që të bllokohet edhe shpërndarja e materialit jashtë minierës.

    “Policia e Kosovës ka bllokuar rrugët dhe që 5 ditë nuk kemi punuar, nuk kemi pasur mundësi ta shpërndajmë materialin jashtë minierës”, thanë ata.

  • ​Serbët protestojnë edhe sot në veri të vendit

    ​Serbët protestojnë edhe sot në veri të vendit

    Në tre komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për katër ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

    Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

    Serbët kanë paralajmëruar edhe për sot protesta në këto komuna nga ora 7:00 e mëngjesit.

    Ndërsa dje në Zveçan situata herë pas here është tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve.

    Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

    Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • Schmidt nuk beson se do të ketë përshkallëzim në Kosovë

    Schmidt nuk beson se do të ketë përshkallëzim në Kosovë

    Christian Schmidt ka dhënë një intervistë për televizionin gjerman “Phoenix TV”, ku mes tjerash ka folur edhe për konfliktin ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.

    Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Bosnje dhe Hercegovinën e konsideron të pamundur përshkallëzimin mes Kosovës dhe Serbisë pas trazirave të fundit nga militantët serb në veri të Kosovës.

    Kur u pyet nëse mund të ketë një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, Schmidt u përgjigj:

    “Jo, nuk kam shqetësime të tilla. Sepse forcat e arsyes mbizotërojnë. Bëhet fjalë për argumente taktike, fatkeqësisht të dhunshme që mund të instrumentalizohen dhe që nuk pasqyrojnë ndonjë zemërim spontan të asnjë populli”.

    Në të kaluarën, ai ka përjetuar konflikte shumë më dramatike, por konflikti aktual mund të jetë “i kufizuar”, tha Schmidt.

    Megjithatë, një parakusht për një afrim është “që të ekzistojë një strukturë e orientuar drejt rregullave që u jep të dyjave – në këtë rast Kosovës dhe Serbisë – mundësinë e ekzistencës paralele”.

    Një problem në Ballkan është se konfliktet nuk mund të kufizohen në rajone, thotë ai.

    “Ballkani është në vetvete një rajon lehtësisht i ndezshëm në të cilin ne të gjithë duhet të bëjmë çmos për të mbështetur qetësinë, paqen dhe mungesën e dhunës”, tha Schmidt.

    Për këtë arsye, përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Evropian janë “të domosdoshme”.

    Schmidt tha gjithashtu se është e nevojshme të gjendet “një mënyrë e bashkëpunimit të ndërsjellë” dhe “njohjes së pavarësisë së vendeve përkatëse”.

  • Vuçiq thirrje ndërkombëtarëve: Merrni masa ndaj përgjegjësve për situatën në veri të Kosovës

    Vuçiq thirrje ndërkombëtarëve: Merrni masa ndaj përgjegjësve për situatën në veri të Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje mbrëmë komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të vendosura kundër, siç tha ai, atyre që janë kokëfortë dhe përgjegjës për përshkallëzimin e situatës në Kosovë, “duke rrezikuar kështu paqen dhe sigurinë e gjithë rajonit”.

    Vuçiq, në një deklaratë për mediumin amerikan CNN, u bëri thirrje serbëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të ruajnë maturinë.

    Reagimi i tij vjen pasi Qeveria e Kosovës mori qortime nga ShBA-të, rreth zhvillimeve në veri, ku serbët po kundërshtojnë kryetarët veriorë.

    Ai e ka mohuar akuzën e Kurtit se ai i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, teksa shtoi se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, rreth krizës në Kosovë.

    Sekretari Blinken ka deklaruar se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat siç ka thënë ai, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. Nga ana tjetër, Macron ka thënë se Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara.

    Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.

    “Unë e di që këta njerëz janë të vendosur të luftojnë në mënyrë paqësore për të drejtat e tyre elementare. Ata duan të mbijetojnë, të ruajnë emrin dhe mbiemrin, fenë e tyre dhe të kenë të drejtën të jetojnë atje ku kanë jetuar gjithmonë. Këshilla ime dhe kërkesa është që gjithmonë ta bëjmë atë në mënyrë paqësore dhe të qëndrojmë të kthjellët. Dhe i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime vendimtare kundër atyre që janë kokëfortë dhe që e përshkallëzojnë situatën në terren, duke rrezikuar kështu paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, theksoi Vuçiq i pyetur se cili ishte mesazhi i tij për njerëzit që po protestojnë në veri të Kosovës.

    “Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk e kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.

    Ai theksoi se janë dy gjëra kyçe, “se Serbia i ka zbatuar të gjitha obligimet e saj nga marrëveshja e parë, nga prilli 2013, dhe Prishtina nuk e ka zbatuar të vetmen – formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, transmeton Paparaci.

    “Nuk e kanë bërë, as nuk duan ta bëjnë”, tha ai. Ai po ashtu ka deklaruar se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë mbajtur me pjesëmarrje prej 3.4 për qind. Për këtë arsye nuk janë legjitime dhe si të tilla janë zgjedhje të rreme, tha Vuçiq.

    “A do të quheshin legjitime diku tjetër zgjedhjet me një pjesëmarrje kaq të ulët?”, pyeti ai. Ai gjithashtu theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i quan fashistë, ultranacionalistë apo kriminelë 97 për qind të qytetarëve në veri.

    “Nuk mund të bëni pa 97 për qind të njerëzve dhe vetëm me tre për qind. Serbët duan siguri dhe siguri për veten dhe familjet e tyre”.

  • Komandanti i KFOR-it: Nëse s’do të ndërhynim në veri, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit

    Komandanti i KFOR-it: Nëse s’do të ndërhynim në veri, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se në Zveçan kishte njerëz që sipas tij, kanë pasur qëllim për ta nxitur turmën e banorëve serbë, të cilit që nga 26 maji janë mbledhur para objektit të komunës.

    Serbët lokalë që kanë sulmuar personelin e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët, po i kundërshtojnë kryetarët e komunave veriore. ShBA-të kanë qortuar Qeverinë Kurti për veprimet e saja karshi këtyre zhvillimeve, teksa kanë përjashtuar Kosovën nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023”.

    E sipas Risctuccias, po mos të ishte KFOR-i i pranishëm në komunat po ndodhin tensionet, gjërat do të kishin shkuar shumë më keq, transmeton Paparaci.

    “Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, tha ai për gazetën italiane “La Repubblica”.

    Prandaj siç thotë ai, situata në veri do të mund të përshkallëzonte më tej pa praninë e KFOR-it.

    Së fundmi, NATO ka vënë në gatishmëri të lartë edhe një batalion rezervë për dislokim në Kosovë “në rast se ka nevojë”, shkaku i tensioneve në veri të vendit. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Stuart Munsch, në KFOR.

    Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi NATO vendosi të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

    “Diskutimet e tyre [Admiralit Munsch dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia] përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në postimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në Twitter.

  • Sveçla thotë se ​grupet kriminale në Zveçan janë të drejtuara nga Beogradi

    Sveçla thotë se ​grupet kriminale në Zveçan janë të drejtuara nga Beogradi

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se autorët e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan, do të vihen para drejtësisë.

    Ai ka deklaruar se grupet kriminale në veri të vendit janë të drejtuara nga Beogradi.

    “Dënojnë ashpër sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan nga grupet kriminale të maskuara të drejtuara nga Beogradi. Këto akte rrezikojnë jetë dhe synojnë destabilizimin e vendit tonë. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër një dhune të tillë. Autorët do të identifikohen dhe do të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një zyrtar policor ka marrë lëndime nga sulmet e protestuesve në veri të vendit.

    Sipas njoftimit të Policisë, në orët e pasdites janë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë.

  • Serwer: ShBA-të mbështesin 100% Vuçiqin, duan që Kurti t’i përkulet vullnetit tyre

    Serwer: ShBA-të mbështesin 100% Vuçiqin, duan që Kurti t’i përkulet vullnetit tyre

    Profesori amerikan Daniel Serwer në një intervistë për Euronews Albania, komentoi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës.

    Ai theksoi se SHBA po mbështet 100% Beogradin ndërsa shtoi se kërkojnë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet t’i përgjigjet vullnetit të Serbisë.

    Sipas tij, Kurti duhet të menaxhojë marrëdhëniet që ka me SHBA dhe BE.

    “Shtetet e Bashkuara po mbështesin Beogradin në 100% dhe kërkojnë që Kurti ti përgjigjet vullnetit të Beogradit. Kjo është ajo çka po përpiqen të bëjnë. Mendoj se SHBA dhe BE do të vazhdojnë rrugëtimin që kanë zgjedhur dhe ajo që Kurti duhet të kuptoj është se si të menaxhojë marrëdhëniet me SHBA dhe BE, në mënyrë që këto dy të fundit të jenë në një pozicion më neutral”, tha ai.

  • Haliti tregon se a do ta votojë rrëzimin e qeverisë Kurti

    Haliti tregon se a do ta votojë rrëzimin e qeverisë Kurti

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti mbrëmë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka kërkuar publikisht dorëheqjen e Albin Kurtit, pas qortimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por thekson se për rrëzimin e Qeverisë do të duhet t`i kenë votat.

    “Ka tri ditë që i kam kërku publikisht dorëheqjen, Albin Kurtit. Kryeministri i Kosovës duhet të tërhiqet për shkak të veprimeve të pamatura, duhet të mbaj përgjegjësi dhe në radhë të parë, të shkarkoj ministrin e brendshëm, sepse mendoj që ai ka udhëhequr dhe ka komanduar forcat e Policisë në drejtim të veriut të Kosovës dhe ka krijuar incidente, të cilat Serbia u përpoq ti justifikoj veprimet e dhunshme edhe kundër KFOR-it dhe kundër Policisë së Kosovës”, u shpreh Haliti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: