ATV

Category: Lajme

  • ​Ligjvënësit amerikanë mbështesin krijimin e një Tribunali për krimet e Rusisë

    ​Ligjvënësit amerikanë mbështesin krijimin e një Tribunali për krimet e Rusisë

    Ligjvënësit në SHBA kanë shprehur mbështetje për krijimin e një tribunali ndërkombëtar të ndarë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për të gjykuar krimet e agresionit që kanë ndodhur gjatë luftës në Ukrainë.

    Si presidenti francez Macron, ashtu edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky së fundmi kanë bërë thirrje për krijimin e një tribunali të tillë të pavarur ndërkombëtar.

    Senatorët amerikanë dhe diplomatja e lartë amerikane për drejtësinë penale globale, Beth Van Schaack, diskutuan përpjekjet aktuale të SHBA për ta bërë gjykatën realitet në mënyrë që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet dhe agresionin ndaj Ukrainës.

    Ky diskutim u mbajt gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, më 31 maj.

    Gjykata eventuale, do të merrej me krimet e agresionit dhe jo krimet kundër njerëzimit që aktualisht ndiqen penalisht nga ICC.

    Van Schaack theksoi ndikimin e madh që do të kishte kjo gjykatë, duke deklaruar se këto përpjekje do të çonin në “gjyqin më të rëndësishëm në histori që nga Nuremburgu”, një referencë për gjyqet e krimeve të luftës të mbajtura pas Luftës së Dytë Botërore, që rezultoi me dënime për shumë kriminelë nazistë të luftës.

    Van Schaack detajoi gjithashtu implikimet ndërkombëtare, duke thënë se një gjykatë ndërkombëtare për krimet e agresionit ka të ngjarë të implikojë Bjellorusinë për ndihmën në aktet e agresionit rus. Për më tepër, duke i parë në mënyrë specifike krimet e agresionit, diplomatja tha se gjykata mund të ndjekë penalisht agresionin rus që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014.

    Departamenti amerikan i Shtetit shpreson gjithashtu se krijimi i një gjykate kundër agresionit do të dërgonte një mesazh ndërkombëtar kundër “shkeljeve të ngjashme flagrante të sovranitetit shtetëror”, tha Van Schaack, shkruan REL.

    Për shkak se propozimi aktual bazohet në gjykatat ukrainase, komiteti ra dakord se do të duhej të kishte një mbikëqyrje të konsiderueshme dhe asistencë kapacitetesh nga partnerët ndërkombëtarë.

    Të gjithë anëtarët e komitetit pohuan përkushtimin e tyre ndaj llogaridhënies ruse, me një senator që tha se “mosndëshkimi nuk është një opsion”.

  • ​Osmani: Hyjnë në fuqi tri marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit

    ​Osmani: Hyjnë në fuqi tri marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit

    Në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, kanë hyrë në fuqi tri marrëveshjet që janë në kuadër të Procesit të Berlinit. Marrëveshja e parë vendosë lëvizjen e lirë të njerëzve vetëm me letërnjoftime dhe pa viza në Ballkanin Perëndimor, diçka që Kosova dhe Bosnje Hercegovina deri tani nuk kanë mundur ta aplikojnë.

    Sipas Ministrisë së Jashtme në Maqedoninë e Veriut, marrëveshjet pritet të hyjnë në fuqi edhe në tri vendet e tjera nënshkruese, që përfshijnë Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.

    Ministri Bujar Osmani, e ka quajtur këtë hap të rëndësishëm në përpjekjet për t’i afruar qytetarët.

    “Maqedonia e Veriut është depozitues i këtyre marrëveshjeve të rëndësishme. Me kënaqësi dëshiroj të ju informoj se sot hyjnë në fuqi marrëveshjet për shtetet që i kanë përfunduar të gjitha procedurat e brendshme juridike si Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa shumë shpejtë kjo pritet të ndodh edhe në Republikën e Serbisë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën”, ka thënë Osmani, përcjell KP.

    Marrëveshjet të cilat janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar përfshijnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

    Muaj më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

    Kjo ishte bërë me shumicë votash ku 82 deputetë votuan për këtë marrëveshje, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar se lëvizja e lirë e qytetarëve është diçka që është synuar tash e sa kohë nga Kosova.

  • Nënshkruhet marrëveshja 2.5 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan

    Nënshkruhet marrëveshja 2.5 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, shefi i Zyres të BERZh në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe Sekretari Gjeneral i Hidromoravës Agim Smillaku kanë nënshkruar të enjten marrëveshjen e grantit prej 2.5 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

    Më saktësisht, granti përfshin 1 milion euro për zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza, ndërsa 1.5 milionë euro për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza.

    “Projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan kap vlerën totale prej afro 23.5 milionë euro, për të cilat tashmë është siguruar financimi. Implementimi i projektit është në fazën përgatitore dhe deri në fund të vitit pritet të fillojnë punimet në terren”, ka shkruar ministri Murati në Facebook.

    Sipas këtij njoftimi, nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tejet me rëndësi për regjionin e Anamoravës, pasi që përforcon kapacitetet e KRU Hidromorava dhe përmirëson kushtet e ambientit përmes trajtimit të ujërave të zeza për rreth 76 mijë qytetarë.

  • “Dikush është baba këtu”- Për kë e ka fjalën Xhavit Haliti?

    “Dikush është baba këtu”- Për kë e ka fjalën Xhavit Haliti?

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti mbrëmë në emisionin CONTEXT në ATV, duke veprimet e Qeverisë veri të vendit, tha nuk mund të ndërmerret një veprim i tillë pa koordinim me Amerikën.

    Ai vlerësoi vendosjen e flamurit në objektet e komunave në veri, mirëpo tha se kur të vendoset flamuri, nuk bën më të hiqet.

    “Flamurin kur ta qitsh, nuk duhet me e hjek dhe krejt kjo për me e përmbledh është mosmarrëveshjet, ose jo gatishmëria për t’u sqaru dhe për të marrë miratimin e amerikanëve. Nuk mundesh me e ndërmarrë një veprim të tillë, pa e njoftu një shtet, për shembull. Amerikën a këto shtetet e mëdha evropiane të NATO-s që janë këtu”, u shpreh Haliti.

    Ai tha se “ne po mendojmë se jemi të pavarur”, por sipas tij, asnjë shtet Evropës nuk është i pavarur.

    “Ti i ke më shumë se 50 ose dikush më tha 80 për qind e italianëve janë kundër dërgimit të armatimit në Ukrainë. A ka ndonjë iniciativë shtetërore që mos me dërgu. Dikush është baba në këtë, po do me hy në valle, ai që e udhëheqë vallen është një, nuk munden shumë me qenë”, tha Haliti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani takon Zelenskyn: Askush nuk e kupton dhimbjen e Ukrainës më mirë se Kosova

    Osmani takon Zelenskyn: Askush nuk e kupton dhimbjen e Ukrainës më mirë se Kosova

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot në Moldavi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn, të cilit i ka shprehur solidaritetin e plotë të Kosovës.

    Osmani ka potencuar se askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës.

    “Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë.”, ka shkruar Osmani në Twitter.

  • Dalin pamjet nga samiti në Moldavi: Osmani e ulur në mes të Macronit dhe Scholzit, Vuçiqi në skaj

    Dalin pamjet nga samiti në Moldavi: Osmani e ulur në mes të Macronit dhe Scholzit, Vuçiqi në skaj

    Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të tjera evropiane po takohen në Kishinjev të Moldavisë për të diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë tensionet në veri të Kosovës.

    Samiti filloi me një fjalim e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Në foton e shpërndarë nga Blerim Vela në Twitter, shihet edhe presidentja Vjosa Osmani e ulur mes Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz.

    Në skaj, ajo ka homologun serb, Aleksandar Vuçiq, për të cilin ka thënë se nuk e ka në plan që ta takojë, pas zhvillimeve në veri vendit. /atvlive.tv

  • Begaj për situatën në veri: E patolerueshme dhuna ndaj KFOR-it dhe mediave

    Begaj për situatën në veri: E patolerueshme dhuna ndaj KFOR-it dhe mediave

    Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen hungareze, Katalin Novak, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovë, ku shprehet se është e patolerushme dhuna e ushtruar ndaj KFOR-it dhe mediave.

    Sipas tij nuk ka asnjë justifikim për të dyja palët për moszbatimin e marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel dhe anekseve të saj në Ohër.

    “Nuk janë në shërbim të askujt dhe për më tepër pengojnë proceset integruese ne BE. Për ne misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR është një histori suksesi prej 21 vitesh dhe me presidenten ndamë të njëjtin mendim që ky mision e ka kryer misioni me përgjegjshmëri dhe pa anësi, me përkushtim të jashtëzakonshëm”.

    “Keqpërdorimi i popullatës serbe ndaj Kosovës dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e patolerueshme, Asnjë pretekst nuk nxirret për të justifikuar asnjërën nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të dakordësuar publikisht në Bruksel dhe anekseve të saj në Ohër. Mendoj që në këtë moment nevojitet një ç ‘tensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për arritjen e asaj marrëveshjes që është dakordësuar. Në këto momente duhet t’i kërkohet durim dhe maturi dhe përkushtim në angazhimet që ata kanë marrë në të mirë të mirëqenies të dy vendeve dhe rajonit”, është shprehur Begaj.

  • Tensionet në veri, Kuvendi pritet që nesër mbajë seancë të veçantë

    Tensionet në veri, Kuvendi pritet që nesër mbajë seancë të veçantë

    Kuvendi i Kosovës nesër pritet të mbajë një seancë të veçantë, ku pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë situata në veri të vendit.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar ftesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës dërguar deputeteve për mbajtjen e kësaj seance, ku pritet të zhvillohet debat parlamentar për situatën në veri të Kosovës pas protestave të dhunshme në tri komunat në veri.

    Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Kuvendit, grupet parlametnare opozitare kërkuan që sa më shpejt Kuvendi të mblidhet, duke kërkuar që në këtë seancë i pranishëm të jetë edhe kryeministri Kurti dhe të raportojë mbi situatën dhe qëndrimet e tij.

    Kujtojmë se protestat në tri komuna në veri të vendit filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

    Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.

    Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

    Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”.

    Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë perëndimor thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

    Kryeministri Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

  • ​Protestuesit mbi lumin Ibër: Jemi në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it

    ​Protestuesit mbi lumin Ibër: Jemi në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it

    Dhjetëra qytetarë janë përgjigjur në thirrjen për protestë tek ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pavarësisht thirrjeve të institucioneve të Kosovës për të mos e bërë këtë.

    Thirrja është bërë përmes rrjeteve sociale dhe Policia e Kosovës ka deklaruar se e njëjta po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta.

    Personat e tubuar kanë kënduar këngë si “besa besë”, “jo nuk ndahet Mitrovica”, si dhe kanë brohoritur “UÇK”.

    Kadri Batusha, i cili kishte ardhur nga Prishtina në Mitrovicë, ka thënë se kanë dalur për të treguar mbështetje për Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

    “Protesta jonë është qëllimi që kanceri në trup tonë që duan të na instalojnë me u bo Asociacioni, dhe njëkohësisht sa më afër policëve dhe miqëve tanë të KFO-it këtu, në rast nevoje edhe t’i përgjigjemi atdheut. Unë çuditem si munden të tolerojnë që mbi trupin e njomë të këtij shteti që 15 vjet, me shekuj brez pas brezi duke paguar çmimin e lirë, ata që na vranë dje dhe sot u mundësohet të na vrajnë edhe sot”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta dijë qe e ka mbështetjen e qytetarëve.

    “Kryeministri Kurti ta dijë se ne na ka, na ka jo vetëm ent ë gjallëve, por edhe që kanë vdekur në vatan, kudo këtu në çdo cep të banesave është Ademi, Zahiri, edhe Haradinajt. Njëkohësisht shfrytëzoj rastin ‘Ramush kthehu në rrugë të Zotit, unë kam besim te ti, atdheut ka nevojë për ty”, ka shtuar ai.

    Tubimi ka zgjatur vetëm disa minuta dhe protestuesit janë shpërndarë të qetë.

    Para mbledhjes së qytetarëve, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë thirrje që mos u përgjigjen thirrjeve për protestë në Mitrovicë.

    Ai ka deklaruar se këto thirrje janë të dyshimta nga organizime anonime.

    Sveçla ka thënë se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe marshim drejt veriut, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.

    “Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar ministri i Brendshëm./kp

  • Berisha: Po të kishim Ministre të Jashtme, Von Cramon do të detyrohej të kërkonte falje për fyerjen ndaj Policisë së Kosovës

    Berisha: Po të kishim Ministre të Jashtme, Von Cramon do të detyrohej të kërkonte falje për fyerjen ndaj Policisë së Kosovës

    Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin DIREKT në ATV, tha se po të kishte Kosova Ministri të Jashtme, diplomatja evropiane Viola Von Cramon do t’ju kërkonte falje për fyerjen ndaj Policisë së Kosovë.

    “Edhe ajo mikja e apasionuara për zotin Kurtit, diplomatja evropiane Cramon, ajo ka qenë shumë e apasionuar nga pas zotit Kurti dhe dhe barcoletave që ky tregon, iki atje dhe i fyeu policinë. Po të kishte këtu Ministri të Jashtme dhe ministre do të kishte notë diplomatike dhe t’ju kërkojë falje publike Policisë së Kosovës, sepse ata nuk janë vullnetarisht atje, po ka një plan operativ, ka një urdhër edhe një vendim politik dhe nuk guxon t’i fyejë institucionin policor para kriminelëve ruso-serbë që janë pozicionuar atje e që i viktimizojnë disa qytetarë që vijnë që i qesin si fortifikata, e si mbrojtje”, tha Berisha.

    Kujtojmë se të shtunën e kaluar, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e ka vizituar veriun dhe nga Zveçani kishte thënë se “kjo është e frikshme”, derisa dikush po i tregonte se çfarë ndodhi të premten atje. Në afërsi të objektit të komunës, Von Cramon kishte thënë se “është një situatë e vështirë”, ndërsa më pas bisedoi me disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. “Ku është kërcënimi? Pse… Çfarë dreqin ju solli këtu?”, kishte pyetur ajo njërin prej policëve. Njëri prej policëve i ishte përgjigjur se kanë ardhur për të mbrojtur kryetarin e zgjedhur. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: