ATV

Category: Lajme

  • Gjendet i vdekur një burrë në Podujevë

    Gjendet i vdekur një burrë në Podujevë

    Një person është gjetur pa shenja jete paraditen e së martës në Podujevë.

    Policia ka njoftuar se lidhur me rastin kanë filluar hetimet, ndërsa me trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Bastisje tek Agjencia Kadastrale

    Bastisje tek Agjencia Kadastrale

    Një bastisje është duke u zhvilluar në objektin e Agjencisë Kadastrale në Prishtinë.

    Bastisja është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    Shala ka thënë se për detaje do të njoftojnë më vonë.

  • Aktakuzë ndaj tetë personave për krime lufte në Gjakovë

    Aktakuzë ndaj tetë personave për krime lufte në Gjakovë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj M.K, V.M., D.R., Z.D., C.B.,M.I.,S.S. dhe S.K për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit nga 24.03.1999 deri më 31.03. 1999, në qytetin e Gjakovës, gjatë një operacioni të gjerë, duke vepruar në bashkëkryerje dhe në koordinim me struktura policore, ushtarake dhe paramilitare, kanë kryer vrasje, dëbim të popullsisë civile, shkatërrim dhe plaçkitje të pronës së tyre.

    Ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë këtij operacioni të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe janë vrarë 65 civilë dhe janë zhdukur 12 civilë.

  • PDK: Zvarritjet e pafundme e kanë kthyer procesin gjyqësor në Hagë në padrejtësi të institucionalizuar

    PDK: Zvarritjet e pafundme e kanë kthyer procesin gjyqësor në Hagë në padrejtësi të institucionalizuar

    Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kjo vonesë e pajustifikueshme është një dëshmi e radhës e këtij procesi të stërzgjatur, i cili e ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në një proces të ndikuar nga kalkulimet politike.

    “Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se PDK i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në një shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.

    “PDK mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • Turqia zbulon raketën e re balistike ndërkontinentale me një rreze veprimi deri në 6000 km

    Turqia zbulon raketën e re balistike ndërkontinentale me një rreze veprimi deri në 6000 km

    Turqia ka zbuluar publikisht raketën e saj të re balistike ndërkontinentale, Yildirimhan, për herë të parë në ekspozitën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes SAHA 2026 në Stamboll, duke shënuar një hap tjetër në zhvillimin e aftësive strategjike të sulmit me rreze të gjatë veprimi në vend.

    Raketa u zhvillua nga Qendra e Kërkimit dhe Zhvillimit e Ministrisë së Mbrojtjes Turke dhe, sipas të dhënave të paraqitura në ekspozitë, mund të arrijë shpejtësi deri në Mach 25 (rreth 8.5 kilometra në sekondë) dhe ka një rreze veprimi deri në 6,000 kilometra.

    Sistemi “Yildirimhan” përdor tetoksid të azotit të lëngshëm si lëndë djegëse dhe ka katër motorë raketash, karakteristika që, sipas burimeve turke, e rendisin atë ndër platformat më të përparuara të raketave të zhvilluara nga Turqia deri më sot.

    Prezantimi u zhvillua në kuadër të Ekspozitës Ndërkombëtare të Mbrojtjes dhe Hapësirës Ajrore SAHA 2026, ku industritë turke të mbrojtjes dhe agjencitë shtetërore prezantojnë sisteme të reja teknologjike në fusha të tilla si mbrojtja ajrore, sistemet pa pilot, aviacioni dhe teknologjitë hapësinore.

  • A4 ndalon prodhimin, njofton KEK-u

    A4 ndalon prodhimin, njofton KEK-u

    Njësia A4 është ndalur në mënyrë të kontrolluar nga operimi, si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldajë, konkretisht në zonën e tejnxehësit, ka njoftuar KEK-u.

    Stafi profesional i TC Kosova A ka vlerësuar se ndalimi i njësisë ka qenë i domosdoshëm dhe në përputhje të plotë me standardet teknike dhe të sigurisë, me qëllim të parandalimit të dëmtimeve më të mëdha dhe të paparashikueshme në pajisje.

  • Haradinaj ia uron ditëlindjen nënës së tij: Të paçim me shëndet e jetë të gjatë!

    Haradinaj ia uron ditëlindjen nënës së tij: Të paçim me shëndet e jetë të gjatë!

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka uruar ditëlindjen nënës së tij, Rukës.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj i uroi jetë të gjatë e më shëndet nënës së tij, duke i përmendur edhe vuajtjet që ka kaluar ajo ndër vite.

    “Urime ditëlindjen, Nana Rukë! Një jetë plot dhimbje shqiptare që ka me u rrëfy ndër breza! Të paçim me shëndet e jetë të gjatë!”, ka shkruar ai.

  • Baton Haxhiu: A e dini çfarë pyetjeje më bëri prokurori përmes hetuesve?

    Baton Haxhiu: A e dini çfarë pyetjeje më bëri prokurori përmes hetuesve?

    Gazetari Baton Haxhiu ka publikuar një tjetër shkrim, pasi ishte intervistuar lidhur me një deklaratë të tij për Albin Kurti. Haxhiu ka treguar cilat pyetje ia bëri prokurori Arianit Salihu.

    Shkruan Baton Haxhiu

    Sinqerisht, dje hezitova t’i shkruaj publikisht këto pyetje. Jo sepse ishin sekrete hetimore. Por sepse më vinte turp që një prokuror i Republikës së Kosovës, si Arianit Salihu, kishte ndërtuar një procedurë mbi këtë nivel mendimi.

    Më dukej e pabesueshme që në vitin 2026, pas gjithë krizave që ka ky vend, një institucion i drejtësisë kishte ardhur deri te kjo pikë e degradimit intelektual dhe procedural.

    Shihni çfarë pyetjesh bën një prokuror, që në shkrimin e djeshëm nuk i vendosa sepse po ndjeja turp në vend të prokurorit.

    Shihni çfarë pyetjesh më bëjnë hetuesit!

    “A e njihni Albin Kurtin?”

    “A e dini ku e ka shtëpinë?”

    Për një moment mendova se mos po mungonte kamera e ndonjë emisioni satirik.

    U përgjigja qetë.

    “Po, e njoh prej 30 vitesh”.

    “Dhe jo, nuk më intereson fare ku banon”.

    Aty e kuptova se problemi nuk ishte më deklarata ime. Problemi ishte niveli i frikës dhe devotshmërisë me të cilën dikush kishte vendosur ta mbrojë pushtetin nga një metaforë politike.

    Për disa sekonda mendova se mos kisha hyrë gabimisht në ndonjë skeç televiziv dhe jo në një institucion të hetimit. Pastaj kuptova se jo. Ishte serioze. Ose të paktën përpiqej të dukej serioze.

    Dy hetues, korrektë dhe pothuajse në siklet nga pyetjet që po lexonin, po më intervistonin për një deklaratë politike të bërë në televizion. Dhe diku, në një zyrë të Prokurorisë Themelore, një prokuror (paramendojeni, është zv. Kryeprokuror në Gjykatën Themelore) kishte menduar se mbrojtja e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës fillon duke pyetur një gazetar nëse e njeh kryeministrin dhe ku banon ai.

    Në atë moment më erdhi një lloj qetësie. E kuptova se Albin Kurti qenka më i mbrojtur sesa çdo lider në Ballkan. Jo nga Garda. Jo nga policia. Por nga metaforat.

    Mesa duket, një fjali televizive tashmë konsiderohet kërcënim strategjik për stabilitetin kombëtar. Dhe aty fillon operacioni heroik i mbrojtjes së liderit: “A e njihni Albinin?” “A e dini ku banon?”

    Një republikë, që sadopak kam kontribuar të jetë e lirë dhe të ketë lirinë e mendimit dhe të fjalës, Arianit Salihu e ka reduktuar në adresë të banimit të kryeministrit.

    Dhe sinqerisht, nëse do ta lexoja këtë në ndonjë roman satirik për shtetet e vogla në Ballkan, do të më dukej ekzagjerim letrar. Por ja që nuk është ashtu! Është realitet procedural.

    Madje, në një moment mendova edhe për vetë Albin Kurtin. Sa e trishtë duhet të jetë për një kryeministër të mbrohet nga kjo lloj devotshmërie institucionale. Të kesh institucione që, në vend se të mbrojnë ligjin, përpiqen të mbrojnë figurën tënde nga analizat politike dhe figurat letrare.

    Sepse kjo nuk është mbrojtje. Kjo është mënyra më e keqe për t’i bërë dëm një pushteti edhe kur adhuron liderin, siç e bën Arianiti prokuror.

    Ta rrethosh pushtetin me njerëz në prokurori që e marrin budallallëkun seriozisht dhe e quajnë profesionalizëm, është fundi i botës.

    Dhe para se të hapet ndonjë lëndë e re, po e sqaroj edhe këtë për Prokurorinë Themelore të Prishtinës: fraza “është fundi i botës” është figurë letrare. Nuk nënkupton shkatërrimin e planetit, nuk është kërcënim ndaj rendit kushtetues dhe nuk kërkon pyetjen hetimore “a e dini ku banon bota”.

    Përdoret zakonisht për momente si këto, kur imagjinata procedurale e një institucioni arrin aty ku logjika ka kohë që ka dhënë dorëheqje.

    Prandaj, në vend që të hetohen korrupsioni, kontratat, krimi ekonomik, kapja e institucioneve apo degradimi i administratës, ne kemi arritur në një nivel tjetër të sofistikimit juridik. Prokuroria merret me interpretimin e figurave letrare dhe me gjeografinë e kryeministrit. Ku banon ai?!

    Dhe pastaj habitemi pse qytetari nuk ka besim. Sepse, natyrshëm, qytetari mendon se prokurori merret me ligjin. Ndërsa prokurori, në raste të tilla, duket sikur merret me prodhimin e besnikërisë ndaj pushtetit përmes absurdit procedural.

    Kjo nuk është më drejtësi. Kjo është burokraci e ankthit politik.

    Dhe më tragjikja është se askush aty nuk dukej i keq. Përkundrazi. Hetuesit më lanë përshtypjen e njerëzve që edhe vetë e ndjenin absurdin e situatës. Tragjedia nuk ishte tek pyetja, por tragjike ishte që pyetja kishte kaluar hallkat institucionale dhe kishte marrë vulë zyrtare. Thirrje si dëshmitar?!

    Pra, dikush e kishte shkruar. Dikush tjetër e kishte aprovuar. Dikush kishte menduar se kjo kishte kuptim.

    Dhe aty fillon problemi i vërtetë i një shteti. Jo kur gabon një njeri. Por kur absurdi fillon të marrë formë procedure.

    Kur dola nga hetuesia për krime të rënda, për një moment mendova të kthehesha prapa dhe t’u thoja se nuk duhet të shqetësohen më për adresën e Albin Kurtit.

    Sepse me këtë nivel interpretimi të metaforave, rreziku më i madh për kryeministrin nuk vjen nga ata që flasin në studio televizive, por vjen nga ata që i lexojnë figurat letrare si plane operative.

    Dhe sinqerisht, pas kësaj eksperience, ndjeva një lehtësim të madh. E kuptova se në këtë vend ende nuk kemi hyrë në diktaturë.

    Kemi hyrë në diçka shumë më ballkanike. Në administrimin institucional të budallallëkut. /AlbanianPost

  • Shtyrja e afatit për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së, flasin nga Specialja

    Shtyrja e afatit për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së, flasin nga Specialja

    Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep i ka thënë KosovaPress-it se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur.

    “Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt para trupit gjykues.

    Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Ibrahimi: Komunat detyrohen të paguajnë për zgjedhjet – AKK kërkon ndalim urgjent

    Ibrahimi: Komunat detyrohen të paguajnë për zgjedhjet – AKK kërkon ndalim urgjent

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj praktikës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili po obligon komunat të mbulojnë pagesat për stafin mbështetës të angazhuar në procesin zgjedhor.

    Kryetari i ASK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë se kjo përbën zhvendosje të padrejtë të përgjegjësive financiare dhe goditje direkte për buxhetet komunale, të cilat tashmë ndodhen nën presion të madh financiar.

    Sipas tij, situata bëhet edhe më shqetësuese kur dihet se niveli qendror ende nuk ka ekzekutuar pagesat për të njëjtin staf nga proceset e kaluara zgjedhore.

    “AKK e bën të qartë se organizimi dhe financimi i zgjedhjeve është përgjegjësi ekskluzive e KQZ-së dhe jo e komunave. Prandaj, kërkojmë nga KQZ që të ndalojë menjëherë këtë praktikë dhe të marrë përsipër të gjitha obligimet financiare që lidhen me procesin zgjedhor. Çdo tentativë për bartjen e kostove të zgjedhjeve te komunat është e papranueshme dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga pushteti lokal”, ka thënë Ibrahimi.