ATV

Category: Lajme

  • Escobar: Duam më të mirën për Kosovën

    Escobar: Duam më të mirën për Kosovën

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka ripërsëritur përkrahjen e madhe ndaj Kosovës duke thënë se kërkesa e vetme është që të dëgjohet komuniteti ndërkombëtar.

    Kështu ka deklaruar ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa ka potencuar se se duan më të mirën për Kosovën.

    “Është një unitet i madh transatlantik, mes SHBA-së, BE-së e NATO-s, që ka paraqitur kërkesat e njëjta. Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Një gjë dua të them, erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, tha Escobar.

  • Ndërhyrja e OSBE në zgjedhjet në veri, kthim mbrapa

    Ndërhyrja e OSBE në zgjedhjet në veri, kthim mbrapa

    Ndërhyrja ndërkombëtare, pas situatës së krijuar në veri të Kosovës javën e kaluar, ishte e domosdoshme.

    Gjendja e tensionuar shtyu Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që të dalë me një udhëzues 9 pikësh, për shtensionim e normalizim të situatës.

    Ajo çka po konsiderohet shqetësuese është pika e 7-të e këtij propozimi, e cila flet për zgjedhjet e reja në 4 komunat veriore.

    Partia më e madhe opozitare PDK vlerëson se ky është kthim mbrapa dhe nuk bën të pranohet.

    Sipas AAK-së, Organizimi i votimeve nga OSBE-ja i takon të shkuarës e heqje dore nga shtetësia.

    Opozita thekson se organizimi i çfarëdo procesi zgjedhor në Kosovë është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nuk mund të jetë ndryshe.

  • Pse Kosova e dëmtoi perspektivën e anëtarësimit në NATO sipas Agon Maliqit?

    Pse Kosova e dëmtoi perspektivën e anëtarësimit në NATO sipas Agon Maliqit?

    Analisti politik Agon Maliqi, ka shpjeguar se pse aleanca e NATO’s nguron të pranojë brenda vetës shtete si Kosova që kanë konteste të hapura.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se as Ukrainës kurrë nuk i është foruar njëmend anëtarësimi në NATO për shkak të kontestit me Rusinë.

    ”Krejt hezitimi i NATO-s për me pranu vende si Kosova si anëtare buron prej frikës se një vend me kontest të hapur me vende fqinje përbën rrezik, sepse aleanca është e detyruar të të mbrojë. Për këtë arsye edhe nuk iu ofrua kurrë realisht anëtarësimi Ukrainës. Për këtë arsye edhe neve nuk na pranojnë pa e zgjidhur çështjen me Serbinë“, ka thënë Maliqi.

    Ai ka shtuar se kredibiliteti i Kosovës është zbehure dhe më shumë pasi ”u kurthuan ushtarët e NATO’s“.

    ”E tash pasi ia kurthuam NATO’s ushtarët në veri pa koordinim dhe e humbëm edhe atë pak trohë kredibiliti dhe besueshmërie, ia dhamë argumentin ma të mirë kundërshtarëve të Kosovës brenda NATO-s. Se në interes të kujt është kjo situatë faktet flasin vetë. Gjithsesi, me rëndësi është se prijësi po flet rrjedhshëm në CNN“, ka shkruar Maliqi.

  • Kurti pas takimit me emisarët: Rruga përpara, ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga grupet kriminale

    Kurti pas takimit me emisarët: Rruga përpara, ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga grupet kriminale

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, ka shprehur gatishmërinë “e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët në shtensionimin e gjendjes dhe normalizimin e marrëdhënieve”.

    Kurti ka thënë se rruga para është ndalimi i sulmeve nga ekstremistët e dhunshëm e grupet kriminale. Kurti tha se vetëm sundimi i ligjit mund ta hapë rrugën e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore.

    “Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Ëashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj. Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në njoftimi ne Zyrës së Kryeministrit.

  • Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin

    Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin

    Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    “Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, pas takimit trepalësh mbrëmjen e 5 qershorit.

    Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.

    Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim, i cili zgjati mbi dy orë, si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

    “Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.

    Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.

    “Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçaku.

  • Kurti arrin në Qeveri, pas pak pret në takim mysafirët e rëndësishëm

    Kurti arrin në Qeveri, pas pak pret në takim mysafirët e rëndësishëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë, ku po pritet të takojë emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Kurti është paraparë të takohet me Lajçakun e Escobarin nga ora 20:00, por dy emisarët ende nuk kanë arritur.

    Kurti ishte i pranishëm në finalen e Kupës së Kosovës në futboll mes Prishtinës e Gjilanit, të cilën e fitoi Prishtina 2:0. Ai ia dorëzoi trofeun kapitenit të Prishtinës, Gledi Mici.

  • Vazhdon dëmtimi i lumenjve në Kosovë

    Vazhdon dëmtimi i lumenjve në Kosovë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Nxjerrja e rërës dhe zhavorrit rreth lumenjve nga kompanitë private ka bërë që shumë herë lumenjtë të dalin nga shtretërit. Më i dëmtuari është lumi Drini i Bardhë. Ministria e Mjedisit bën të ditur se nuk mund të fillojë me implementimin e planit adekuat, pa i pasur statistikat ujore në Kosovë, të cilat nuk janë rifreskuar nga vitet e ‘80-ta.

    Ndonëse, Kosova është njëri nga vendet e Ballkanit me më së paku burime me ujë të pijshëm, edhe ato që janë po keqshfrytëzohen.

    “Qindra hektarë të lumenjve vazhdojnë të mbeten të degraduar nga gurëthyesit, ku si pasojë e rërës dhe zhavorrit dukuria e daljes së lumenjve nga shtrati është bërë e shpeshtë”.

    Ndër lumenjtë më të shkatërruar nga nxjerrja e zhavorrit rezulton të jetë Drini i Bardhë, i cili është lumi më i gjatë në Kosovë, që përfshin 112 kilometra.

    “Prej të gjithë lumenjve më i dëmtuari nga zhavorri është Drini i Bardhë…..”

    Ministria e Mjedisit thotë se projekti për sanimin e shtretërve të lumenjve ishte gati prej kohësh.

    Por problematikë mbeten edhe statistikat e vjetruara për sipërfaqet ujore, të cilat nuk janë rifreskuar që nga vitet e ‘80-ta.

    “Ka qenë në plan realizimi i digave për parandalimin e rasteve të tilla, por statistikat e vjetruara të cilat është dashur të bëhen qysh prej kohësh….”

    Përveç Drinit të Bardhë, degradim nga aktivitetet e nxjerrjes së zhavorrit dhe nga ndotja e pakontrolluar kanë pësuar edhe Lumbardhi i Pejës dhe Lumëbardhi i Deçanit.

     

     

  • 25 vjet burg për Izet Godenin që vrau gruan me sëpatë

    25 vjet burg për Izet Godenin që vrau gruan me sëpatë

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI 

    Është dënuar me 25 vjet burgim Izet Godeni, i cili në nëntor të vitit të kaluar, vrau me sëpatë gruan e tij Sadije Godeni, në shtëpinë e tij në lagjen “Tophane” në kryeqytet. Gjykata Themelore në Prishtinë e mori këtë vendim pasi ai e kishte pranuar fajësinë për veprën “vrasje e rëndë”.

    Me 25 vjet burgim është dënuar Izet Godeni, i cili gjashtë muaj më parë kishte vrarë në mënyrë çnjerëzore gruan e tij Sadije Godenin.

    Gjykata në Prishtinë vendimin e mori pasi që Izet Godeni, kishte pranuar fajësinë për krimin.

    Me datë 30.05.2023, Gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G. ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31.05.2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G., i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh.

    Derisa arsyet që e çuan 71-vjeçarin ta kryejë këtë akt nuk janë bërë të ditura, Gjykata ka dhënë detaje se si ai e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

    I akuzuari I.G., me datë 25.11.2022, rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. Derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G. kishte ndërruar jetë.

    Pas kësaj 70-vjeçari ishte dorëzuar në Polici rreth orës 5 të mëngjesit dhe menjëherë ekipet policore, bashkë me Prokurorin e shtetit, kishin arritur në vendin e ngjarjes, ku kishin sekuestruar edhe sëpatën, të cilën dyshohet që ai e përdori për ta vrarë Sadije Godenin.

  • Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mjedisit

    Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mjedisit

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU  

    Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me INDEP-in, kanë mbajtur aktivitete me fëmijë. Sipas tyre, qëllimi i aktiviteteve ishte vetëdijesimi i fëmijëve për një mjedis më të mirë.

    Dëshirat e tyre për një mjedis më të mirë, fëmijët në kryeqytet po i shprehin duke pikturuar në letër.

    Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përmes këtij aktiviteti po synon vetëdijesimin e fëmijëve për një mjedis sa më të mirë.

    “Kemi marrë një seri aktivitetesh për shënimin e 5 qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit. Njëri ndër aktivitetet është me fëmijët nga një kopsht në Prishtinë dhe aktivitetet e tjera që jemi duke i zhvilluar, është edhe në Rahovec, pastrimi i lumit të Rahovecit, në Lipjan aktivitete të ndryshme, vizatime më fëmijë dhe mbjellje të fidanëve të ndryshme në tërë Kosovën… 3:19 Ky aktivitet është i rëndësishëm duke pasur parasysh që ndikon drejtpërdrejt në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe brezave të tjerë për çështje të mjedisit”.

    Ndërkaq, Dorentina Beka-Latifi, hulumtuese në INDEP, thotë se ky aktivitet zhvillohet tash e disa vjet me radhë.

    “Nuk është hera e parë që INDEP-i organizon aktivitete të tilla për Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit. Por, këtë vit së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe me Komunën e Prishtinës e kemi organizuar aktivitetin “Piktorët e Planetit”, me fëmijët e një kopshti, për të shprehur dëshirat e tyre se si e ata e shohin mjedisin dhe ta shprehin atë përmes vizatimeve”.

    Përveç kryeqytetit, aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, u mbajtën edhe në qytete të tjera.

  • Gazeta gjermane: Politikat e Kurtit, në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit!

    Gazeta gjermane: Politikat e Kurtit, në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit!

    Një prej gazetave më të njohura gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung hedh hije të forta dyshimi në një artikull të saj lidhur me lëvizjet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u fajësua nga perëndimi se i hodhi benzinë zjarrit në veri të vendit me përpjekjen për të kontrolluar përmes policisë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat komunale atje.

    Shkrimi i përgatitur nga Michael Martens, i cili e pati intervistuar Kurtin para disa muajsh, konsiderohet mjaft i rëndë, e kjo shihet që tek titulli: “Kush po bën lojë të gabuar në Kosovë?”

    “Politikat e kryeministrit kosovar Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit”, ka shkruar mes të tjerash Martens, në një pohim mjaft të ashpër, të cilin tenton ta argumentojë duke treguar sesi një konflikt i ri në ‘oborrin ’ e Europës Juglindore është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit aktualisht.

    “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron të përdor gjithë pushtetin e tij për të siguruar monopolin e shtetit në përdorim të dhunës në veri. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, qeveria e të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshiron ta pengojë një gjë të tillë, dhe ka qenë goxha e suksesshme deri tani. Megjithatë, Kurti, në mënyrë të panevojshme, po ia bën të gjithë këtë mjaft të lehtë”, theksohet në shkrim.

    Autori përmend marrëveshjen e vitit 2013, që parashikon edhe krijimin e Asociacionit përveç integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës. Ai mendon se Kurti po e pengon krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë me “arsyetime pjesërisht të dobëta”.

    “Përveç faktit që enklavat serbe në jug, të rrethuara nga vendbanime shqiptare, nuk mund të shkëputeshin lehtë nga pjesa tjetër e Kosovës, vetë qeveria kosovare ka fuqinë t’ia heqë lehtësisht këtë instrument Vuçiçit. Modelet e një Asociacioni sigurisht që janë të imagjinueshme e ato do t’i mundësonin pakicës serbe të vetëqeverisej në masë të madhe pa rrezikuar shtetin Kosovar”, argumenton Martens.

    Sipas tij, duke e refuzuar edhe vetë idenë e një Asociacioni serb të komunave, Kurti po ia bën më të lehtë planin Vuçiçit për destabilizimin e Kosovës dhe për t`ia hedhur fajin Prishtinës për një gjë të tillë. “Kjo nuk është në interes të Kosovës, dhe as të Perëndimit”, shkruan ai.