ATV

Category: Lajme

  • Protestuesit në Zveçan sulmojnë Policinë e Kosovës

    Protestuesit në Zveçan sulmojnë Policinë e Kosovës

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    Një veturë e Policisë së Kosovës u sulmua sot teksa po lëvizte në Zveçan. Rastin e ka konfirmuar edhe policia, teksa kanë thënë se përveç dëmit në veturë nuk ka pasur të lënduar. Pjesa tjetër e ditës, në Zveçan e Leposaviq ishte e qetë. Protestuesit serbë po vazhdojnë protestën e tyre ku po kërkojnë largimin e kryetarëve të komunave dhe largimin e policisë nga objektet.

    Protestuesit serbë vazhdojnë ta kenë halë në sy Policinë e Kosovës.

    Ata u sulmuan edhe sot pasi hynë brenda perimetrit ku qëndrojnë protestuesit në Zveçan.

    Për ta larguar automjetin nga aty është dashur të hapet kordoni i KFOR-it.

    Përveç dëmeve në veturë nga sulmi me gur, policia tha se nuk pati lëndime te pjesëtarët e saj.

    Ndonëse jemi në javën e dytë prej kur serbët filluan protestën në veri, shumë protestues u panë edhe sot në Zveçan.

    Nga dita e parë, këtu nuk munguan as drejtuesit e Listës Serbe që njëkohësisht po e drejtojnë edhe protestën.

    Turmës sot iu bashkuan edhe disa maturantë, që me këngë e me valle po festonin përfundimin e procesit mësimor dhe po jepnin përkrahjen e tyre për protestuesit.

    Përball tyre, vazhdojnë ende të jenë njësitë e KFOR-it që po sigurohen për qetësi në atë vend.

    Pothuajse ditë e njëjtë ishte edhe në Leposaviq.

    “Për të tetën ditë rresht, qytetarët nga komuniteti serb këtu në komunën e Leposaviqit po vazhdojnë protestën e tyre, derisa po gjejnë edhe mënyra se si ta kalojnë kohën”.

    Rruga që tashmë është bllokuar për qarkullim të veturave, të hënën u shndërrua në fushë futbolli për qytetarët serbë.

    Dikush tjetër luante shah e shumë të tjerë, të ulur nën tenda me kafe e muhabet, po kalonin ditën.

    Të vendosur përballë objektit të komunës në të cilin qëndrojnë njësitë speciale të policisë së Kosovës, protestuesit thonë se nuk do të largohen derisa të ketë policë aty.

     

  • Kryetari, “qëndrestari” i vetëm në komunën e Leposaviqit tash e një javë

    Kryetari, “qëndrestari” i vetëm në komunën e Leposaviqit tash e një javë

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nuk ka dalë nga ndërtesa komunale për më shumë se një javë. Për qëndrimin e tij brenda objektit që po ruhet nga KFOR-i dhe njësitë speciale të Policisë, kryeministri Albin Kurti e lavdëroi Hetemin. Por, juristë dhe njohës së qeverisjes lokale thanë se i vetëm në komunë, kryetari përballet me sfidën e funksionimit praktik.

    Një ditë pas ceremonisë së betimit në shkollën e fshatit të tij – Bistricë, të premten e 26 Majit, në masa të shtuara sigurie, Lulzim Hetemi hyri në ndërtesën komunale në Leposaviq – për herë të parë si kryetar.

    Pak minuta pas, aty e vendosi flamurin shtetëror.

    Në raste të ndryshme, ai priti në takim ministrat Elbert Krasniqi dhe Xhelal Sveçla, si dhe disa përfaqësues të Policisë.

    Nga e hëna e kaluar Hetemi nuk ka dalë nga ndërtesa komunale, të cilën po e ruajnë KFOR-i dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

    Nuk dihet nëse në komunë ka tjetër punëtor, pos kryetarit.

    Ai nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit nëse ka marrë ndonjë vendim e as për atë se si po funksionon.

    Juristi dhe njohësi i qeverisjes lokale, Qëndrim Arifi, shpjegon se në rrethanat aktuale, pa administratë dhe drejtorë të sektorëve, kryetari i ligjshëm ka fuqi vendimmarrëse, por i mungon mekanizmi zbatues.

    “Jemi në rrethanë të jashtëzakonshme dhe problemi është politik, nuk është praktik. Mirëpo, ky problem politik sjell të gjitha këto pasoja praktike, që e vë në mëdyshje misionin se pse je brenda asaj komune ose pse je kryetar i asaj komune. Pra, kryetari i komunës praktikisht je kur mund t’i realizosh detyrat dhe përgjegjësitë që të janë dhënë me ligj”.

    Arifi thekson se mandati që fitojnë nuk i kufizon kryetarët e komunave në orar punë prej tetë orësh në ditë.

    “Qëndrimi në komunë është zgjedhje e vetë kryetarit dhe nuk ka ndonjë karakter në aspekt të mbulimit të normës së orëve të punës, dihet rrethana se pse ai po qëndron aty. Sidoqoftë, kryetarët e komunave sot janë shërbim të qytetarëve 24 orë”.

    Duke lavdëruar Hetemin, i cili nuk ka dalë nga ndërtesa e komunës për më shumë se një javë, kryeministri Albin Kurti tha se ai po bën “qëndresë shembullore për Republikën e Kosovës”.

    Në protestat që nisën me dhunë ndaj Policisë dhe gazetarëve, ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todic, përmes KFOR-it, thuajse çdo ditë i ka kërkuar kryetarit Lulzim Hetemi të lirojë zyrën.

    Edhe pse deri tani nuk ka një konfirmim për autenticitetin, një koment në Facebook nga një profil me emrin Lulzim Hetemi, u bë viral dhe më pas u fshi.

  • Forcat speciale turke mbërrijnë në Kosovë

    Forcat speciale turke mbërrijnë në Kosovë

    Një batalion komando turk i kërkuar nga NATO ka mbërritur në Kosovë, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë së fundmi në katër komunat veriore, shkruan Associated Press.

    Protesta e 29 majit në komunën e Zveçanit la të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, 11 italianë dhe 19 hungarezë. Lëndimet që pësuan ushtarët përfshinin fraktura dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara.

    Pasi ushtarët u plagosën javën e kaluar, NATO tha se do të dërgonte 700 trupa shtesë në veri të Kosovës.

    Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit serbë shkëmbyen kushte për të de-përshkallëzuar situatën në veri.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria mund të konsiderojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, por jo përpara se bandat përgjegjëse për dhunë të largohen.

    Lista Serbe Srpska tha se do të merrte pjesë në zgjedhjet e reja komunale, por se qeveria duhej së pari të tërhiqte forcat speciale të policisë nga veriu i Kosovës dhe të vazhdonte me krijimin e Asociacionit.

    Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, mbërriti në Prishtinë të hënën për t’u takuar me Kryeministrin Kurti sot në ora 20:00.

  • Mbrojtja e Pjetër Shalës ia paraqet disa fotografi dëshmitarit të shtatë

    Mbrojtja e Pjetër Shalës ia paraqet disa fotografi dëshmitarit të shtatë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar gjykimi kundër Pjetër Shalës, ku është intervistuar edhe dëshmitari i shatë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Gjatë seancës, mbrojtja e të mbrojtja e të akuzuarit i ka shfaqur disa fotografi për dëshmitarin, por ato nuk janë bërë publike.

    Këto fotografi janë të disa personave për të cilët dëshmitari më herët kishte thënë që nuk i njeh, sipas avokatit Mohamed Hédi Aouini.

    Mirëpo sot dëshmitari ka thënë që në njërën prej fotografive është një person të cilin e njeh, por më parë, sipas tij, nuk ka arritur ta identifikojë.

    “A konfirmoni që nuk e keni njohur këtë person kur ju është treguar kjo fotografi më përpara, jo sot, por në atë momentin që nuk duhet ta përmendim?” e ka pyetur avokati Aouini.

    “Propozoj që t’i bëhen këto pyetje dëshmitarit, a mund të komentoni pse nuk e keni njohur këtë person në këtë fotografi atëherë?”, është përgjigjur kryegjykatësja Veldt Foglia.

    “Kam qenë edhe sëmurë nga sytë, dhe jam ende sëmurë, nuk kam pasur syze dhe nuk i kam vërejtur fort, unë që dy vjet kam fillu me syze, i kam dy palë, edhe të leximit edhe kështu, mu tash mu kujtu dhe prapë po them se mua po më përngjan shumë në personin që ka qenë palë e dëmtuar, se ka qenë në dhomën time. Nuk do të thotë që nuk e kam njohur sot e të nesërmen po e njoh, se kokën e kam goxha të ngarkuar”, është përgjigjur dëshmitari.

    “Syzet që mi ka dhënë mjeku i kam për bazë nervore kur jam nervoz duhet me i mbajt, i mbaj dy tre orë deri të qetësohet truni, shoh më mirë, atëherë i heq, se nuk mund t’i mbaj rregullisht sepse i kam prej mjekut, sepse ndikon në sy, në bazë nervore, në pamje”, ka vazhduar ai.

    “Dëshmitari kur ju përgjigj asaj pyetje, nuk i kishte vënë syzet, kaq kisha për të thënë”, ka thënë më pas avokati Aouini.

    Vetëm kjo pjesë e seancës ka qenë publike, pasi që pjesa tjetër ka qenë e mbajtur privatisht.

    Seanca është zhvilluar publike vetëm në këtë pjesë, pjesa më e madhe e saj ka vijuar e mbyllur për publikun.

    Sipas Gjykatës Speciales, “krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

  • ​Sekuestrohen tri armë zjarri në rajonin e Prishtinës

    ​Sekuestrohen tri armë zjarri në rajonin e Prishtinës

    Policia e Kosovës ka sekuestruar tri armë zjarri ku njëra prej tyre ishte përdorur në një rast në Mramor ndërsa tjetra në një tentim vrasje në Podujevë.

    Lidhur me këtë, disa persona të dyshuar janë shoqëruar në polici dhe ndaj tyre janë inicuar raste për posedim dhe përdorim të armës.

    Ndërsa janë identifikuar tri lokacione.

    “Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacioneve policore, Veriu dhe Podujeva, dje kanë sekuestruar tri armë zjarri, dy nga të cilat personat e dyshuar i kanë përdorë në dy raste (Mramor-gjuajtje me armë, dhe Podujevë-tentim vrasje)”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës./KP

  • PDK-ja e AAK-ja e kritikojnë Qeverinë për menaxhim të dobët të buxhetit

    PDK-ja e AAK-ja e kritikojnë Qeverinë për menaxhim të dobët të buxhetit

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kritikuar Qeverinë për menaxhimin e buxhetit, raporton Ekonomia Online.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ku është shqyrtuar raportin vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, tha se ka pasur keqmenaxhim të parasë publike.

    Ai tha se ministrat e Qeverisë Kurti janë vetëm sa për t’u dukur dhe jo që të merren me menaxhim të mirëfilltë.

    “E kuptoj se ju duhet me çdo kusht të mbroni edhe atë që është keqmemaxhuar. Isha ndjerë keq nëse vetëm 15 për qind të investimeve kapitale është shpenzuesmëria e parasë publike. Nëse këtë e bëni që të mburreni, nuk kam fjalë. Ajo që mund të them, më të vërtetë ministrat kanë ardhur sa për t’u dukur, dhe jo që të merren me menaxhim të mirëfilltë dhe të realizojnë kërkesat e qytetarëve”.

    “Sa ministri në Qeverinë e Kosovë kanë nën 2 për qind shkurtushmerinë e parasë në investimet e kapitale dhe cilat masa i keni marrë ju. Nuk keni qenë transparent. Sa ndërmarrje e qytetarë kanë përfituar dhe si ka qenë kriteri i shpërndarjes. Mburreni për rritje ekonomike, e sot jemi me trend 3.5 për qind. Nuk është larguar as TVSh në produktet bazë”, tha ai.

    Ministri i Financave Hekuran Murati tha se raporti i viti të kaluar është vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare se Qeveri ka menaxhur, më së miri në rajon krizën e inflacionit dhe krizën energjetike.

    “Ky raport edhe viti i kaluar fiskal është vlerësuar si ndër më të mirët, marrë parasysh rrethanat dhe krizat që jemi përballë. Këtë nuk e them unë e thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar, BE në raportin e tyre, e thotë Banka Botërore dhe BERZh. Të gjitha institucionet ndërkombëtare që kanë peshë dhe kredibilitet sa i përket kësaj çështje e tregojnë se Qeveri ka menaxhur më të miri të mundshëm, më së miri në rajon krizën e inflacionit dhe krizën energjetike”.

    Lekaj tha se gjatë fushatës zgjedhore Kurti ka premtuar që Kosovën do ta bënte si Zvicër e Kroaci, por si pasoj e keqmenaxhimit 100 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova.

    “Në fushat elektorale keni thënë se keni më bërë Zvicër e Kroaci, zhvillimi ekonomik ka me qenë aq i fuqishëm sa që nuk ka nevojë më që qytetarët të shkojnë diku tjetër. Dhe do të kthehet truri i Kosovës këtu që të jetë, por ja sot përballemi sa i përket atij vizioni me 100 mijë qytetar që largohen nga Kosova. Që pjesa dërmuese e intelektualëve më s’kanë shpresë”.

    Edhe deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, kritikoi menaxhimin e Qeverisë sa i përket buxhetit, raporton EO.

    “Po shihet qartë që realisht ma shumë ka ardhur me propagandë se sa me sqaruar para Komisionit edhe me kërkuar falje për mos zbatimin e planit vjetor të punë së Qeverisë. Dua t’i ngrisë disa çështje, e para ju keni dështuar në tërë zbatimin e planit të Qeverisë apo ligjit të buxhetit në përgjithësi”.

    “Pse them dështim, dështim i madh është që kur planifikoni t’i mbërri të hyrat buxhetore prej 2.9 miliardë euro e mi mbërri 2.6 miliardë euro është dështim i madh”, tha ai.

  • Çeku: Kriminelët në veri veçse dihen, radha e Prokurorisë

    Çeku: Kriminelët në veri veçse dihen, radha e Prokurorisë

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se pas punës së jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë për identifikimin e kriminelëve në veri, radhën e ka Prokuroria që të merret me ta.

    “Kriminelët në veri tash veçse dihen. Ata kanë emër e mbiemër. Institucionet e sigurisë po bëjnë punë të jashtëzakonshme në identifikimin e tyre. Tash është radha e Prokurorisë”, ka shkruar Çeku.

  • Krasniqi shkon në veri, takohet me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut

    Krasniqi shkon në veri, takohet me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka vizituar sot dy kryetarët e komunave në veri të Kosovës, Ilir Pecin e Zveçanit dhe Izmir Zeqirin e Zubin Potokut.

    “Sot, vizitova Zveçanin dhe Zubin Potokun, ku takova kryetarët e këtyre dy komunave, Ilir Pecin në fshatin Kelmend dhe Izmir Zeqirin në fshatin Çabër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    “Pashë nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen jo vetëm Kryetarët e komunave, por edhe qytetarët shqiptarë në këto vendbanime”.

    Krasniqi e ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të partisë ndaj Pecit dhe Zeqirit.

    “Të dy kryetarët i falënderova për përkushtimin, sakrificën dhe vullnetin, që, përkundër kushteve jo adekuate, detyrën e tyre ta ushtrojnë me durim, përgjegjësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në paqe dhe shtensionim të situatës në komunat e tyre”.

    “Para se gjithash, sot, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci janë në shërbim të qytetarëve, të komunave të tyre dhe të shtetit të Kosovës. Dhe, për këtë, ata gëzojnë mbështetjen e plotë timen dhe të Partisë Demokratike të Kosovës”.

  • Zogaj: Do të fuqizojmë zyrat e informimit të institucioneve të gjykatave

    Zogaj: Do të fuqizojmë zyrat e informimit të institucioneve të gjykatave

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, është zotuar se do të ketë fuqizim të zyrave të informimit. Në diskutimin e organizuar nga misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), ai ka folur edhe për përmirësimin e komunikimit të gjykatave me publikun dhe mediat. Zëdhënës të këtyre institucioneve kanë thënë se janë të ngarkuar në fushën e komunikimit dhe se është e vështirë që të përgjigjen shpejt.

    Edhe kryesuesi i KGjK-së ka pohuar se ka numër të paktë të zëdhënësve të gjykatave, për çka tha se do të fuqizohen zyrat e informimit.

    “Kemi strategjinë për komunikim, e cila është maternizuar edhe me aktet e brendshme të strukturës organizatave të gjykatave por edhe të vet të KGjK-së. Dhe tash jemi në një fazë ku do të fuqizojmë zyrat e informimit të gjykatave, sepse ne kishim zëdhënës dhe ne parashihet që të kemi zyra të informimit, pra do të shtohen kapacitetet. Nuk besoj që do të mbetet nevoja që këto zyra të fuqizohen dhe në kuptimin e shkathtësive dhe që realisht të kemi matje adekuate çka është në interes për publikun. E mirëpres komunikimin me të gjithë, ne do të jemi në komunikim krejtësisht transparent. Ka raporte që absolutisht nuk kemi pritur që KGjK do t’i publikojë dhe janë në ueb-faqet tona”, ka thënë Zogaj, transmeton KP.

    Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu ka folur për vështirësitë në mbulimin e fushës së komunikimit.

    “Ka qenë shumë sfiduese, për shkak se ne e mirëmbajmë ueb-faqen e gjykatave. Përveç që jemi përgjegjës për komunikim, përpilim të komunikatave, dërgim tek publiku dhe të mediat, publikimit të tyre në ueb-faqe, po ashtu jemi edhe të vetmit që mirëmbajmë faqen e gjykatave në facebook. Ku përpiqemi të jemi sado pak kreativ… Ne si zyrtarë për informim jemi të ngarkuar me publikim të aktgjykimeve të gjykatës, me publikim edhe të aktvendimeve, falë përgjegjësive që na i ka shtuar kryesuesi të vendimeve disiplinore, jemi edhe zyrtarë të protokollit edhe zyrtarë për qasje në dokumente publike”, ka thënë ajo.

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mbajtur diskutimin lidhur me mënyrat e rritjes së transparencës gjyqësore dhe përmirësimin e komunikimit të gjykatave me publikun dhe mediat.

  • KFOR mundëson largimin e veturës së bllokuar të Policisë nga protestuesit serbë në Zveçan

    KFOR mundëson largimin e veturës së bllokuar të Policisë nga protestuesit serbë në Zveçan

    Një zyrtarë policor ka tentuar të dal me veturën e Policisë nga mes zona e sigurisë dhe protestuesve serbë, të cilët po vazhdojnë edhe sot të qëndrojnë para objektit të Komunës së Zveçanit, por ai është bllokuar nga protestuesit, të cilët nuk lejonin largimin e veturës.

    Ai ka qëndruar për më shumë se 20 minuta në hapësirën në mes protestuesve dhe barrikadave të cilat i ka vendosur KFOR-it. E më pas ishin ushtarët e KFOR-it, ata që hoqën rrethojat, duke lejuar që vetura e Policisë të hyjë në zonën e sigurisë ku po qëndrojnë edhe automjetet e tjera të njësisë speciale dhe të KFOR-it.

    Baki Kelani e konfirmon për ATV-në: Vetura e policisë në Komunën e Zveçanit është sulmuar