ATV

Category: Lajme

  • Kurti: S’kam marrë kurrfarë ultimatumi

    Kurti: S’kam marrë kurrfarë ultimatumi

    Forcat speciale të Policisë të Kosovës, do të duhej të largohen nga objektet komunale në komunat veriore më së largu të enjten, sipas një ultimatumi që përmendet se emisari amerikan, Gabriel Escobar, i ka dhënë kryeministrit Albin Kurti në takimin e së hënës.

    Por kryeministri Kurti mohon të ketë marrë ndonjë ultimatum të tillë nga ndërkombëtarët.

    “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam, bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës, e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, tha Kurti.

    Sidoqoftë, njësitë elite të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në veri që nga dita kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë, nisën punën.

    “Nga e premtja e 36 majit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndroj te pjesa para objektit të komunës së Zveçanit dhe nga ajo ditë nuk ka pasur lëvizje të njësisë speciale, dhe pikërisht është njësia speciale e cila është vendosur si kusht nga ndërkombëtarët, që duhet të largohet në mënyrë që të ketë shpërshkallëzim të situatës në veri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Por me a pa ultimatum, autoblindat e policisë që nuk lëvizën nga vendi tash e 12 dite, u zhvendosën sot në pjesën prapa komunës së Zveçanit.

    Për situatën në veri që tash e dy javë po kujdeset KFOR-i, i shqetësuar është shprehur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa ka kërkuar nga të dyja vendet që të ndërmarrin hapa për ulje të tensioneve.

    “Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, duhet të ndërmarrin hapa konkretë për ta shtensionuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e ndihmuar nga BE-ja, që është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme. NATO-ja do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Stoltenberg.

    Situata në veri u tensionua pasi serbët kundërshtuan dhunshëm hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kundërthënie mes Qeverisë e Sindikatës për shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Kundërthënie mes Qeverisë e Sindikatës për shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur propagandë deklarimet që gjoja kategori të caktuar në administratën publike, apo shërbyesve publikë nuk trajtohen siç duhet, duke aluduar edhe në kushtet e punës së policëve të Kosovës.

    Madje, për rrezikshmërinë në punë të zyrtarëve policorë, ministri i Financave pretendon se një pjesë e pagesës, është përfshirë në pagën që e marrin pjesëtarët e policisë.

    “Ndërkaq, sa i përket shtesës së rrezikshmërisë, që ka qenë më përpara, ajo është ritransformuar dhe një pjesë e saj është përfshirë në pagë, meqenëse me çdo pozitë vjen edhe specifika të veçanta, pra për atë pozitë të caktuar dhe tani jemi në diskutim e sipër për kategori të caktuara, që do të mund të përfitojnë, sepse ekspozohen proporcionalisht para një rreziku dhe normalisht siç e ka thënë ministria e punëve të brendshme momentin që përcaktohet dhe vendoset ka edhe kompensim retroaktiv”, tha Murati.

    Megjithatë, sipas Sindikatës së Policisë, tash e katër muaj, asnjë zyrtari policor nuk i është paguar rrezikshmëria.

    “Prej shkurtit kur ka hyrë në fuqi ligji, pagesa për shtesën e rrezikshmërisë nuk është ekzekutuar. Nëse nuk ekzekutohet edhe për muajin qershor, i bie që janë pesë muaj që policët nuk i marrin shtesat për rrezikshmërinë”, tha Imer Zeqiri, nga sindikata e Policisë.

    Kundërthënie mes Sindikatës dhe ekzekutivit ka edhe sa i përket kompensimit të punës jashtë orarit.

    “Sa i përket çështjes së pagesave apo kompensimit, konsideroj që të gjithë policët apo kushdo që merr pjesë në orare më të shtuara, përtej orareve të zakonshme, është duke u kompensuar”, tha Murati.

    Kompensimi për punën jashtë orarit është bërë, por jo për të gjitha orët, sipas kreut të Sindikatës.

    “Shtesat për punë jashtë orarit janë ekzekutuar deri në muajin e kaluar të gjitha orët, kurse në maj janë paguar vetëm nga 60 orë, pavarësisht sa orë ka punuar zyrtari policor”, tha Zeqiri.

    Ndërkaq, edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, në raportimin e djeshëm në Komisionin për Siguri, ka konfirmuar se policëve nuk iu është paguar asnjë cent në muajt e fundit për rrezikshmërinë në punë. Nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat, Policisë së Kosovës dhe disa profesioneve të tjera iu ndërprenë shtesat për rrezikshmëri, me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar puna e Komisionit për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • KOMF: 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore

    KOMF: 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore

    Me moton “Është në dorën tane”, Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë-KOMF ka hapur fushatë vetëdijesuese në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

    Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, derisa ka treguar qëllimin e fushatës, u ka bërë thirrje edhe deputetëve të miratojnë ligje që avancojnë gjendjen e fëmijëve dhe familjeve të cenueshme, që kanë nevojë për shërbime sociale.

    “Qëllimi i fushatës është vetëdijesimi, sensibilizimi, mobilizimi i të gjitha institucioneve, ofruesve të shërbimeve në nivel komunal dhe qendror. Po ashtu, kjo fushatë është një thirrje edhe për deputetët në Kuvendin e Kosovës, pasi kanë mandatin për të miratuar ligjet që avancojnë gjendjen e fëmijëve dhe familjeve të cenueshme, që janë në nevojë për shërbime sociale”, tha drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi.

    Se institucionet duhet të ofrojnë shërbime më kualitative për fëmijët dhe familjet e cenueshme, e thotë edhe monitoruesja e kësaj organizate, Loreta Keqekolla.

    “Institucionet po përpiqen sa u përket shërbimeve, por ende ka shumë sfida dhe problematika. Mirëpo, duhet të punojmë që të mos kemi shkelje ndaj kategorive të ndryshme, për shembull, fëmijëve që punojnë në rrugë, me aftësi të kufizuara e të tjerë, në mënyrë që të përmirësojnë situatën e shërbimeve sociale në përgjithësi”, monitoruesja e KOMF-it, Loreta Keqekolla.

    Sipas KOMF-it, vetëm 10 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale.

    Fushata do të jetë njëjavore, ku qytetarët mund të shohin instalacion, i cili është me të dhënat kryesore për fëmijët më të cenueshëm, të cilët kanë nevojë për ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e tyre. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dështon rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

    Dështon rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

    Propozim-rezoluta e grupit parlamentar të PDK-së për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, nëpërmjet së cilës u kërkua shkarkimi i ministres Rozeta Hajdari, nuk kaloi. Projekt-rezoluta mori vetëm 26 vota për.

    Ndërkohë, në seancën e së enjtes në të cilën u trajtuan pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, u miratua plani hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

    “Qëllimet kryesore të planit janë futja nën kontroll e zhvillimeve dhe zvogëlimin në maksimum i veprimeve abuzuese me mjedisin”, tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

    Por, pati kundërshtime.

    Pavarësisht qëndrimit të partisë, për këtë plan hapësinor votuan edhe dy deputete të opozitës.

    Ndërkohë në rend dite ishte edhe votimi për ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për lirinë fetare.

    Derisa nevojiten edhe votat e komunitetit serb, shqyrtimi është shtyrë për një seancë tjetër.

    “Një pikë e cila nuk mund të kalojë pa pjesëmarrjen dhe votat e komunitetit serb, sepse është një projektligj i karakterit vital dhe kërkon edhe votën e 2/3 të pakicave. Dhe pjesëmarrjen e një pjese të votave të komunitetit serb”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Me 70 vota për, po ashtu, është krijuar Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje. Derisa u zgjodh edhe një anëtar i bordit për Ankesa të Mediave, si dhe zëvendësi i Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë.

    Në mungesë të deputetëve të AAK-së në sallë është shtyrë votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë, e propozuar nga kjo parti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Ajo që ndodhi në veri ishte paralajmëruar që sa muaj

    Gashi: Ajo që ndodhi në veri ishte paralajmëruar që sa muaj

    Avokati Tomë Gashi, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se kriza e fundit që u shkaktua në veri, ishte e paralajmëruar që sa kohë dhe nuk ishte asgjë e re.

    Ai tha se deri në zgjedhjen e kryetarëve të komunave veriore, gjithçka ishte në rregull sa i përket koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare.

    “Momenti i parë i krizës së fundit nëse mund ta quajmë krizë situatën e përshkallëzuar në veri, ka qenë data 5 nëntor e vitit të kaluar kur me një kërkesë apo sinjal të Vuçiqit dhanë dorëheqje katër kryetarë të komunave veriore dhe dhanë dorëheqje rreth 500 policë, të cilët në mënyrë teatrale, para mediave i hoqën uniformat e tyre, disa e kthyen armatimin disa jo, pastaj i morën dhe ishte diçka që parashihej që Kosova nuk mund t’i lë vendet e kryetarëve të komunave të zbrazëta dhe ishin zgjedhjet e caktuara në bazë të kushtetutës nga presidentja Vjosa Osmani dhe ishte në dhjetor të vitit të kaluar. Me kërkesë të SHBA-së, tash ai termi që po përdoret çdo e dyta fjalë me bashkësinë ndërkombëtare, ato u shtyen me 23 prill. Ne kemi pasur paralajmërim që Lista Serbe do t’i bojkotojë këto zgjedhje me kërkesë prapë të Serbisë dhe Vuçiq, që nuk ishte fundi i botës që ata do t’i bojkotojnë por bënin presion te secili serb të pjesës veriore të Kosovës dhe në kryetar të caktuar, që njëri prej tyre quhej Jabllanoviq, dhe dy ditë para zgjedhjeve ai dha dorëheqje dhe nuk u kandidua fare. Presioni ishte i hapur dhe nëse nuk merr pjesë në zgjedhje, fitojnë ata që marrin pjesë në zgjedhje. Fatmirësisht i kishim katër kryetarë shqiptarë, dy të LV-së dhe dy të PDK-së, dhe deri këtu ishim në rregull”, tha Gashi.

    Gashi tha se kuptohet që kryetarët që zgjidhen në zgjedhje të lira, duhet që të shkojnë në objektin komunal për me e kry punën dhe kjo pastaj ka kaluar në kompetencën e policisë që të ofrojë siguri për personat që është e nevojshme.

    “Ishte mbështetja e këtij ambasadori të njëjtë amerikan, të këtyre burrështetasve evropian, të ambasadorëve që ishin këtu dhe thanë që askush nuk duhet t’i intimidojë apo thjeshtë t’i pengojë kryetarët e komunave që në mënyrë demokratike, në mënyrë ligjore janë zgjedhur. Dhe normal që kur zgjidhet një kryetar, ai duhet me shku në Kuvendin Komunal, në komunën e tij me e kry punën. Duke pasur parasysh që situata e rrezikshmërisë ishte e përcaktuar nga policia dhe nuk ishte nga kryeministri as nga Qeveria, policia i ka çështjet e sigurisë. Për shembull ata munden me vlerësua për secilin person publik por edhe privat që nëse është e nevojshme një përkrahje apo mbështetje policore për t’i kry funksionet apo punën tyre, ata këtë punë e kanë, policia e jonë këtë punë e ka edhe këtë e bëri”, tha Gashi.

    Sipas tij, ajo që ndodhi më pas kur kryetarët u vendosën në objektet e komunave, ishte e pritur që do të ndodh, por sa i përket protestuesve, Gashi tha se aty veç serbë lokal nuk ka pasur.

    “Pastaj në momentin kur ua mundësuan qasjen në objektet komunale katër kryetarëve të veriut, ndodhi ajo që pritej që do të ndodhë, ishte një protestë por nuk ishte protestë që shumë thonë serbë lokalë. Në ato protesta të dhunshme veç serbë lokal nuk ka pasur. Kur i sheh personat e maskuar, kur e sheh dhunën që e kanë bërë ndaj KFOR-it, ata njerëz mund të jenë gjithçka, veç civilë jo”, tha Gashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Begaj: Tensionet në veri erdhën si rrjedhojë e dhunës nga grupet kriminale

    ​Begaj: Tensionet në veri erdhën si rrjedhojë e dhunës nga grupet kriminale

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se tensionimi i situatës në veri të Kosovës ka ardhur si rrjedhojë e ushtrimit të dhunës nga grupe kriminale. Sipas tij, një situatë e tillë nuk i shërben stabilitetit të rajonit i cili është në proces të integrimit.

    Begaj ka theksuar rëndësinë që ka zbatimi sa më parë i marrëveshjes së dakorduar në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër.

    Këto deklarata, Begaj i ka bërë pasi ka pritur në takim homologun e tij nga Estonia.

    “Ndërkohë që të gjithë neve prisnim që të zhvilloheshin negociatat midis Kosovës dhe Serbisë për të ecur përpara në atë drejtim të zbatimit të asaj çfarë u dakordësua publikisht në Bruksel dhe anekseve të Ohrit, kemi pasur një tensionim të situatës. Një tensionim që ka ardhur si rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe që jeton në veri të Kosovës dhe ushtrimit të papranueshëm të dhunës nga grupe kriminale, të cilat ushtruan dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj gazetarëve dhe ndaj Trupave Paqeruajtës të KFOR-it. Ndaj me ju shqetësimin që çdo sjellje, çdo qasje, çdo ngjarje e cila nuk përputhet me normat dhe me ligjet ndërkombëtare natyrisht që sjell pasoja. Sjell pasoja në radhë të parë për vetë palët që janë të përfshira, sjell pasoja për rajonin ku ndodhen këto palë dhe më tej akoma sjell pasoja dhe për komunitetin ndërkombëtar, siç është rasti konkret, një sforcim i panevojshëm i energjive dhe të komunitetit ndërkombëtar dhe i partnerëve tanë strategjikë”, ka thënë Begaj, transmeton KP.

    Ai ka theksuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës, me KFOR-in dhe presidentë të rajonit.

    “Në telefonatat e mia me autoritetet e larta të Kosovës kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vendosur theksin në domosdoshmërinë e zbatimit së marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel dhe të anekseve të dakordësuara në Ohër. Duhet të fokusohemi tek prioritetet dhe jo tek ato që janë gjëra sekondare. E përsëris që për mua sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm nëse ndërtimi i institucioneve demokratike atje është gjithashtu i domosdoshëm. Për të ardhur te qëndrimi për zhbllokimin e situatës, unë kam bërë një thirrje vëllazërore për autoritetet e Kosovës që në këtë situatë duhet të kenë durim, duhet të kenë maturi dhe duhet të dëgjojnë dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjik. Dhuna nuk është zgjidhja, konflikti i dhunshëm nuk duhet të jetë asnjëherë opsion, i vetmi opsion për zgjidhje është dialogu”, ka thënë presidenti i Shqipërisë.

    Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

    Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

    Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

    Të hënën dhe të martën në Prishtinë kanë qëndruar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

    Në takimin e zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, ata kanë paraqitur një propozim me tri elemente. I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

    Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen.

  • Paga minimale deri në 500 euro, Jusuf Azemi pret që të votohet në Kuvend

    Paga minimale deri në 500 euro, Jusuf Azemi pret që të votohet në Kuvend

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Amar Rrahmani, javën e kaluar propozoi një amendament dhe që me këtë rast i mori votat e mjaftueshme nga komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere që paga minimale të jetë 450 Euro për vitin 2023, dhe vitin 2024 të jetë 500 euro.

    Këtë propozim, Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një prononcim për emisionin DIREKT në ATV, tha se e sheh pozitive, për të cilin thotë se është në harmoni me kërkesat e tyre si sindikatë.

    “Në fakt unë mendoj që deputeti që këtë e propozoi, e ka propozuar edhe në bazë të kërkesave tona, si sindikatë që një kohë bukur të gjatë kemi kërkuar që paga minimale të jetë 450 euro dhe ne e përgëzojmë për punën që e ka bërë ai deputet së bashku me deputetët e tjerë, sepse komisioni për Buxhet dhe Finanaca i propozon Parlamentit të Kosovës që paga minimale të jetë 450 euro, me çka po themi edhe njëherë është një diçka që edhe sindikata dinë të kënaqet me diçka çka është normale. Ne e dimë që ky version, ky propozim duhet të kalojë edhe në Parlamentin e Kosovës, megjithatë për herë të parë nga qeverisja e Albin Kurtit e sidomos nga Parlamenti i Kosovës. Ne si sindikatë mund të falënderojmë për veprimin dhe vendimin që e morën këta deputetë të këtij komisioni”, tha Azemi.

    Deklaratën e ministrit Hekuran Murati se këto me këto propozime po bëhet tallje me qytetarët, Azemi tha se ky ministër është duke u talluar me punëtorët e sektorit privat, ku një pjesë e madhe e tyre ende vazhdojnë të marrin 130 dhe 170 euro.

    “Këta deputetë kanë folë në emër të popullit dhe ministri Murati, nuk është tallje, por ai me vetveten, pasi që ne mendojmë se ministri Murati është duke u tallur me punëtorët e sektorit privat të Kosovës në momentin që edhe sot ka punëtorë që paguhen 130 euro dhe 170 euro, andaj ne mendojmë që është një pikënisje shumë e mirë dhe ne realisht, ende pa u aprovuar ky vendim në parlamentin e Kosovës, në disa kompani veç se kemi sinjale pozitive se ky vendim po zbatohet pa hyrë ende në fuqi”, tha Azemi.

    Propozimin e komisionit që paga të jetë 450 euro për sivjet dhe 500 për vitin e ardhshëm, Azemi e quan shumë simbolike, por thotë ai, se është një shpresë që po fillon të lëvizë e mbara edhe për këta punëtorë.

    “Ne po themi për herë të parë diçka që një komision i Parlamentit të Kosovës e ka parë të arsyeshme që kjo pagë të jetë 450 euro për vitin 2023 dhe 500 euro për fitin 2024, kërkesë e jona e përditshme që për çdo ditë edhe qeverisë ehe parlamentit edhe institucioneve tjera u kemi bërë thirrje. Unë mendoj se gjithë njerëzit që mendojnë me kokë, të cilët mendojnë aty ku po jetojnë dhe me çka po ballafaqohemi na, mendoj se është një shumë simbolike, por megjithatë, me këtë vendim edhe ne si sindikatë kemi të drejtë t’u themi punëtorëve të sektorit privat ‘ndaluni pak sepse ndoshta po fillon të lëvizë e mbara edhe për këta punëtorë’”, tha Azemi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Mustafa: Çmimin e prishjes me ShBA-të do ta paguajë Kosova, jo Kurti e Osmani

    ​Mustafa: Çmimin e prishjes me ShBA-të do ta paguajë Kosova, jo Kurti e Osmani

    Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në vitin 2020 kjo parti e kishte prishur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje për të evituar konfrontimin e Kosovës me shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas tij, kjo i kishte kushtuar partisë me humbjen e votave.

    “LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-të. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vet në pushtet së bashku me analfabetët funksional”, ka thënë Mustafa.

    Ai ka thënë se çmimin e prishjes së relacioneve me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian nuk do ta paguajë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

    “Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në, nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin por do ta paguajë e gjithë Kosova. Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”, ka shkruar Mustafa./KP

  • A po e rrezikon Kosova liberalizimin e Vizave? – Arbnor Sadiku: Asgjë s’është e pamunduar

    A po e rrezikon Kosova liberalizimin e Vizave? – Arbnor Sadiku: Asgjë s’është e pamunduar

    Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, në emisionin DIREKT në ATV, se në rast që Qeveria nuk operon dhe bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare për problemet e brendshme dhe mosmarrëveshjet me Serbinë, as pezullimi i liberalizimit të vizave nuk është i pamundur për bashkësinë ndërkombëtare.

    “Sanksionet plus që do t’i marrë në rast që nuk operon dhe bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare për problemet e saj të brendshme dhe mosmarrëveshjet me Serbinë, do të ishin lajme shumë të këqija qoftë për ekonominë e Kosovës, për qytetarët e saj në kuptimin që pezullimi i liberalizimit të vizave do të ishte një ndëshkim i cili nuk e kanë merituar qytetarët e Kosovës, nuk do ta meritonin në rast se ndodh për shkak të këtyre raporteve të keqësuara politike midis kryeministrit Kurti dhe Unionit Evropian dhe SHBA-ve”, tha Sadiku.

    Ai tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare siç janë Unioni Evropian dhe OKB-ja, ndërsa sipas tij, pa pasur bashkëpunim dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, është shumë e vështirë që Kosova të jetë pjesë e këtyre dy organizatave.

    “Asgjë nuk është e pamundur për bashkësinë ndërkombëtare, pasi që Kosova tashmë është një vend, i cili ende nuk e ka të përmbyllur tërësinë e vet. Realisht po bën përpjekje të vazhdueshme për afirmimin e shtetësisë së saj në aspektin ndërkombëtarë dhe kyçjen në organizata ndërkombëtare siç është Unioni Evropian dhe OKB dhe pa pasur një mbështetje dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare është shumë e vështirë që të pritet që Kosova të jetë pjesë e këtyre organizatave”, tha Sadiku. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shqipëri-Kosovë, tri marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi

    Shqipëri-Kosovë, tri marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi

    Në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miratoi sot disa marrëveshje të rëndësishme me Republikën e Kosovës.

    Qeveria e Shqipërisë miratoi marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, shkruan Atsh.

    Gjithashtu, qeveria miratoi në parim marrëveshjen mes dy vendeve, për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve si dhe në fushën e inspektimeve.