Historiani Metor Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se historia e re e Kosovës bënë pjesë shumë pak nëpër librat shkollorë në Shqipëri.
Ai madje tha se edhe sot, shumë shqiptarë të Shqipërisë nuk dinë fort për historinë e re të Kosovës.
“Në bazë të diskutimeve që kemi zhvilluar ka shumë pak nga pjesa më e re e historisë së Kosovës. Nëse bën matje të opinionit publik në Shqipëri, ka plotë prej shqiptarëve të Shqipërisë që fatkeqësisht nuk dinë fort për historinë më të re të Kosovës, nuk është se i njohin personalitetet dhe këtë e kemi parë plotë herë dhe mundemi me ba edhe matje tjera, por kjo nuk është një diçka që a mundet me na brengosë”, tha Hasani.
Sipas tij, programet përbashkëta të hartuara nga qeveritë e të dy shteteve mund ta drejtojnë krijimin e kurrikulave të përbashkëta.
“Programet e përbashkëta të hartuara nga qeveritë tonë munden me na drejtu drejt kurrikulave të përbashkëta, që mundet me pas shkëmbime. Është një kuotë e caktuar që ne pranojmë studentë nga Shqipëria dhe po besoj që edhe në Shqipëri është një kuotë e tillë, një apo dy studentë që pranojnë për departament dhe kjo nuk është e mjaftueshme”, tha Hasani. /atvlive.tv
Avokati Tomë Gashi, në emisionin DIREKT në ATV, tha se nuk ka mundur ta kuptojë si ushtarët e KFOR-it iu rrinin gati “gaditu” personave të infiltruar të Serbisë në protestat e dhunshme në veri dhe nuk u kundërvunë atyre aspak.
“Në prizmën time, unë nuk kam mundur ta kuptoj qysh pjesëtarët e KFOR-it iu rrinë gati ‘gaditu’ edhe marrin goditje prej tyre pa iu kundërvënë atyre thuajse aspak. Ata ishin të armatosur të themi kushtimisht deri në dhëmbë, kishin të gjitha mjetet për t’i rezistuar këtyre protestave të dhunshme, këtyre personave të infiltruar dhe në prizmin tim do duhej të reagonin shumë më ashpër dhe jo që rezultati të jetë 30 thuajse gati më zero”, tha Gashi.
Ai tha këtë situatë të tensionuar e bëri Serbia përmes spiunëve të saj, pjesëtarëve të milicisë që u identifikuan që kanë qenë të infiltruar.
“Kemi pasur ish policë të Serbisë duke e sulmuar KFOR-in dhe në momentin që njësitë tona shkuan paraprakisht për t’i mbrojtur objektet komunale dhe kur KFOR-i shkoi aty, ishte një situatë tepër e tensionuar sa që të gjithë po e dimë që rezultoi me 30 të lënduar pjesëtarë të KFOR-it dhe pesë të policisë tonë. Si situatë ishte tepër e tensionuar por këtë situatë prapë e bëri Serbia përmes spiunëve të tij, do të thotë përmes pjesëtarëve të milicisë së tyre që u identifikuan që kanë qenë të infiltruar apo kanë ardhur në Kosovë dhe dhuna ishte e paparë”, tha Gashi. /atvlive.tv
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha se nga 9 deri më 12 qershor do të zhvillojë bisedime me serbët në Kosovë, teksa tensionet në veri të Kosovës po vazhdojnë.
REL raporton se gjatë një adresimi në Beograd, Vuçiq falënderoi serbët në Kosovë që, sipas tij “në mënyrë paqësore, po luftojnë për të drejtat e tyre”.
Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.
Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, nga e hëna kanë zhvilluar vizitat në Kosovë dhe Serbi, në tentim për të gjetur një zgjidhje për shtensionimin e situatës në veri.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtensionojë menjëherë situatën në veri, duke ia paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë zonë si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më herët gjatë 7 qershorit, tha se në takimin me presidentin serb, ky i fundit e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale./REL
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se, më 29 maj, grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në 3 komunat veriore të Kosovës kanë përdorur granata dore dhe shok bomba të prodhuara në Serbi dhe sjellur po nga vend.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se me të njëjtat janë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policia e Kosovës dhe gazetarët që po raportonin për tensionet në veri.
“Grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në 3 komunat veriore më 29 maj përdorën granata dore SRB (Slavko Rudojić Bugojno) M75 dhe shok bomba RŠB (Ručna Šok Bomba) P98, të dyja të prodhuara dhe të sjella nga Serbia, duke plagosur dhjetëra ushtarë të NATO-s, policët e Kosovës dhe gazetarë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar pjesëtarët e Policisë së Kosovës në Kampin Belvedere në Mitrovicë. Ai ka deklaruar se aty është njoftuar për aksionet e Policisë dhe ka shtuar se sukseset e tyre për kushtetueshmëri në katër komunat veriore, janë mahnitëse.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se mbështetja e Qeverisë për Policinë e Kosovës është e garantuar.
“Pasditen e kalova sot në Mitrovicë. Nga palestra “Minatori” e demonstrimit të vajzës sonë të artë në xhudo, Majlinda Kelmendi, te oficerët tanë të çeliktë në Kampin e Policisë në Belvedere. U njoftova për aksionet e operacionet, aktivitetet e të arriturat e Policisë së Kosovës. Sukseset e tyre për rend, ligj dhe kushtetutshmëri në katër komunat tona në veri të vendit janë mahnitëse. Motivimi e morali i tyre janë të lartë kurse profesionalizmi dhe disiplina e pashoq. Mbështetja e jonë për ta është e garantuar”, ka shkruar kryeministri Kurti./KP
Analisti Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konsistencë në qëndrimet dhe linjën e tij pro Amerikës.
Ai madje tha se Rama, fillimisht e shikon çka thotë Blinkeni, e më pas e kritikon Kurtin.
“Sa i përket politikës së jashtme të Edi Ramës, ka bërë diçka që liderët dhe elitat politike në Shqipëri dhe në Kosovë, edhe besa në Maqedoni të Veriut e kanë bërë në vazhdimësi, përjashto këtu kryeministrin tonë Albin Kurti, që Edi Rama ka konsistencë në qëndrimet e tij në linjën e tij pro Amerikës. Rama e shikon fillimisht çka thotë Blinkeni, më pas e kritikon Kurtin, asnjëherë nuk e kritikon para se Blinkeni ta kritikojë atë”, tha Behrami.
Ndërsa sa i përket politikës së jashtme në fushën e Ekonomisë, Behrami thotë së Edi Rama ka ndjekur një politikë të Titos.
“Unë qëndroj pas asaj që kam thënë. Edi Rama e ka ndjekur një politikë të Titos në politikën e jashtme, sepse ai është një lider që ka arritë me sjellë investime nga shtete të cilat nganjëherë munden me u konsiderua si armike të SHBA-vë. Pra, e ka bërë këtë balancën ekonomik, i ka dhënë diçka Francës, diçka SHBA-së, diçka Gjermanisë, diçka shteteve të tjera. Unë besoj se që ka bërë mirë sepse ka arritë me shfrytëzua çdo potencial ndërkombëtarë për me e sjellë në Shqipëri. Pra, ai i ka shiku interesat e Shqipërisë në rend të parë”, tha Behrami. /atvlive.tv
Ish-deputetja, Shqipe Pantina, në emisionin CONTEXT në ATV, tha sa raportet mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë Edi Rama janë të ftohura dhe se kjo sipas saj, nuk përbën ndonjë lajm.
“Mendoj që me Shqipërinë raportet janë ndryshe dhe nuk mund t’i konsiderojmë si me çdo shtet tjetër dhe në çfarëdo rrethane, Kosova nuk mund ta humbë Shqipërinë. Tani a janë raportet e ftohura mes dy kryeministrave, kjo tashmë nuk besoj se përbën lajm apo don ndonjë analizë të thellë, sepse e kemi parë në vazhdimësi”, tha Pantina.
Ajo tha se përkundër këtyre ftohjeve të raporteve mes dy kryeministrave, projektet e përbashkëta duhet të vazhdojnë.
“Unë, përkundër kësaj ftohje mendoj se projektet e përbashkëta të dy qeverive duhet të vazhdohen dhe lajm i mirë se disa prej tyre po vazhdojnë. Nëse ato kanë ngecur, nuk kanë ngecur për faktin se ka mospajtime politike, por për shkak të neglizhencës, sepse edhe këtu te ne projektet brenda Kosovës, Qeveria jonë nuk është duke i realizuar, sidomos ato të investimeve kapitale. Kështu që, mund të jetë kjo arsyeja pse disa prej projekteve të përbashkëta nuk janë duke u zbatuar ashtu siç është dashur”, tha Pantina.
Ndonëse këtë ftohje të raporteve ajo nuk e sheh si shqetësim, sa e sheh shqetësuese raportin e Qeverisë me shtetet tjera mike.
“Por, unë nuk shoh ndonjë shqetësim në raport me Shqipërinë, siç është për shembull shumë shqetësuese raportet e këtyre javëve të fundit që Qeveria jonë i ka me shtetet tjera mike, e kur them Qeveria jonë, natyrisht Qeveri nuk mundesh me e shkëput prej shtetit në përgjithësi, ndonëse në shoqërinë tonë ka zëra dhe duhet të ketë dhe ka në secilën shoqëri, por ka zëra që ë bukur lart e ngrisin zërin kundër këtyre ftohjeve të raporteve, por në fund të ditës, Kosovën e përfaqëson Qeveria dhe kjo është shqetësim i cili besoj se na preokupon secilin i cili ka një vetëdije politike të paktën”, tha Pantina. /atvlive.tv
Policia e Kosovës ka arrestuar një 38 vjeçar në Mitrovicë, nën dyshimin për kanosje.
Rasti është raportuar në Stacionin Policor Jugu dhe është inicuar me elemente të veprës penale “Sulm në tentativë”.
“Bazuar në hetimet fillestare dhe sipas deklaratës së ankuesit M/K/Sh, bëhet e ditur se pas një mosmarrëveshje ishte kanosur nga personi i dyshuar. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime të nevojshme hetimore me ç’ rast është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari S. A, 38 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Ndaj personit të dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor ndërsa veprimet hetimore i janë paraqitur prokurorit të rastit. /KP
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se të qenurit një komb me Shqipërinë, është ajo pjesa emocionale dhe romantike, por në kuptimin e shtetit, thotë ai, duhet të pranojmë se nga viti 2008, jemi dy shtete fqinje.
“Në këto marrëdhënie ka shumë probleme, por kini parasysh, ne vërtetë jemi një komb, kemi një gjuhë, kemi një histori, por kjo është ajo pjesa më se emocionale dhe romantike. Në kuptimin e shtetit, të administratave, ne duhet ta pranojmë, nga 2008 jemi shtete fqinje dhe këtu ka procedura dhe nuk ecim në kuptimin me dëshirat, me dinamikat që dëshirojmë. Shpesh herë, iniciativat private, mediat, intelektualët ose nismat e individëve të caktuar, ecim përpara”, tha Ukshini.
Ai tha se që nga mbledhja e përbashkët në janar të vitit 2014, ka pasur progres në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, por sipas tij, duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.
“Nëse e marrim dinamikën e raporteve ose mbledhjen e parë me 11 janar të vitit 2014, mendoj se ka pasur progres. A duhet të bëhet më shumë, pa diskutim duhet të kritikojmë edhe më fuqishëm, sepse i japin shtytje. Unë kam qenë pjesë e atij mekanizmi dhe shpeshherë kritikat kur janë bërë, kemi thënë ‘ndalu se kjo pikë është e dobët, duhet të korrigjohet, duhet të kërkohet, duhet të ecët”, tha Ukshini.
Aspekti ekonomike, sipas tij, do duhej të ishte fusha me prioritetin më të lartë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që këto dy shtete të mund të
bëhen konkurrues në rajon.
“Unë mendoj se ka shumë gjëra, dhe një nga letrat kur e kam bërë në fund në përshëndetje të misionit tim, kam thënë ‘ne duhet të kemi në kuptimin e fushës ekonomike prioritete të larta në kuptimin me produkte strategjike’. Çfarë nënkupton, ajo çfarë prodhon Kosova, Shqipëria të mos investojë por të krijojë treg. Atë që e prodhon Shqipëria, të krijojë treg Kosova. Kështu do të bëhemi konkurrues në rajon”, vlerësoi Ukshini. /atvlive.tv
Që nga pjesëmarrja e parë në zgjedhjet lokale para një dekade, njëherë si iniciativë qytetare e më pas si parti politike, Lista Serbe ka qenë vazhdimisht në pushtet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Me dorëheqje të kryetarëve, në Nëntor 2018 dhe Nëntor 2022, ajo shkaktoi dy herë zgjedhje të jashtëzakonshme në këto katër komuna, si dhe së fundi bojkotoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit.
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur shqetësim, për siç ka thënë, mungesë të pluralizmit politik brenda komunitetit serb – duke fajësuar Listën Serbe.
Teksa kërkon angazhim nga kryeministri Kurti për të mundësuar opsione të tjera politike për komunitetin serb, gazetari Branislav Krstiç thotë se derisa Aleksandar Vuçiq të jetë në pushtet në Serbi, zgjedhjet lokale do t’i fitojë vetëm Lista Serbe.
“Kur flasim për pluralizmin në veriun e shtetit të Kosovës ne kemi jo veç dorën e diktatorit nga Beogradi, por edhe dora nga Prishtina zyrtare. Z. Kurti nuk ka bërë asgjë për t’i mbështetur, për t’i përforcuar lëvizjet opozitare, aktivistët opozitarë, partitë opozitare, të cilat me vite janë kundër politikës tepër të gabuar të Listës Serbe dhe politikës së Beogradit”, tha Krstiç.
Për zgjedhjet e reja eventuale, Krstiç ka brengë mbikëqyrjen e rregullsisë së tyre.
“Me siguri do të kemi edhe do parti opozitare. Gjëja kryesore është kush do t’i kontrollojë vendvotimet? Çfarë do t’i kemi njerëzit nëpër komisionet e vendvotimeve? Nëse i kemi zgjedhjet e rregullta, nëse i heqim listës serbe mundësinë m’i vjedhë votat në mënyrë industriale”, tha Krstiç
Teksa mohon mungesën e opsioneve politike, Milica Andriç nga Nisma e Re Sociale pret që tensionet të zgjasin edhe disa javë – deri në tërheqjen e njësive speciale të Policisë dhe nisjen e punës për themelimin e Asociacionit.
“Kjo është e ekzagjeruar në publikun kosovar dhe, gjithashtu, nuk është e vërtetë. Mund shihnim gjatë protestave të hënën dhe para incidenteve me KFOR-in, se kishte shumë opsione politike që po provonin të negocionin në emër të popullit. Po, potenciali demokratik i komuniteti serb në Kosovë ka qenë i ngufatur për vite, për një dekadë tashmë, por nuk është e vërtetë se nuk ka pluralizëm. Sa për sigurinë, pyetja primare është nëse policia speciale tërhiqet ose jo? Nëse tërhiqet, atëherë mund të flasim për ambient disi të relaksuar për zgjedhje”, tha Milica Andriç nga Nisma e Re Sociale.
Sladjana Pantoviç, e emëruar së fundmi nënkryetare për komunitete në Zveçan, ishte kandidatja e vetme serbe që garoi për kryetare në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit.
Ndonëse emri i tij ishte shtypur në fletëvotim, Aleksandar Jablanoviç ishte tërhequr nga gara për kryetar të Leposaviqit dy ditë para zgjedhjeve.
Sladjana Pantoviç, Nenad Rasiç e as Rada Trajkoviç nuk treguan nëse ata ose partitë e tyre do të garojnë nëse këtë verë do të ketë sërish zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: