ATV

Category: Lajme

  • Trafikoi 250 milionë euro, arrestohet bosi shqiptar i pastrimit të parave të drogës në Greqi

    Trafikoi 250 milionë euro, arrestohet bosi shqiptar i pastrimit të parave të drogës në Greqi

    Një 52 vjeçar shqiptar është arrestuar në Greqi, pasi njihet si një ndër personat që ka pastruar miliona para të pista nga tregtia e drogës në Evropë.  Sipas Europol ai është një ndër bosët më të mëdhenjt të pastrimit të parave, i cili dyshohet se ka trafikuar rreth 250.000.000 euro brenda një periudhe 10 mujore.

    Ndalimi i tij është bërë nga Prokuroria e Narkotikëve të SDOE në Glyfada, pas bashkëpunimit të shkëlqyer me shërbimet kompetente të autoriteteve holandeze. .

    Mediat greke shkruajnë se 52-vjeçari, kishte një urdhër-arresti evropian të lëshuar kundër tij përmes aplikacioneve dhe fondeve të mesazheve të koduara, dyshohet se i zhvendosi “paratë e pista” atje ku qarqet i duheshin.

    Numërimi mbrapsht për arrestimin e shqiptarit filloi 6 muaj më parë, kur autoritetet holandeze të zbatimit të ligjit arrestuan persona të lidhur me një rrjet të trafikut të drogës. Pasi kërkuan pajisjet e tyre elektronike, ata gjetën një kontakt me tre shkronja. Kur e kanë identifikuar, kanë konstatuar se është një person real që jeton në Greqi, përcjell Abcneës.al, transmeton Klankosova.t.

    Në atë kohë u njoftua ambasada greke dhe nisën hetimet nga prokuroria e narkotikëve pranë SDOE-së për kapjen e 52-vjeçarit, i lindur në Sarandë dhe banues në Greqi. U zbulua shpejt se ai kishte themeluar dhe zotëronte një kompani të pasurive të paluajtshme në Glyfada.

    Ai u ndoq menjëherë dhe u arrestua më 31 maj. Atë ditë, autoritetet kishin arritur të gjenin udhëzimet që ai u jepte, korrierëve të parave për tregtim përmes kripto-aplikacioneve.

    Domethënë, ai fliste me kontaktet në Holandë dhe u jepte udhëzime se si të lëviznin paratë, duke i dërguar ato nga një vend në tjetrin në shuma të mëdha. Korrierët e informonin çdo natë, në fund të ditës, për shumat që trajtonin dhe ku shkonin.

    Pas arrestimit i është sekuestruar e gjithë pasuria, përfshirë edhe apartamentet që i kishte transferuar kompanisë.Ai ka mbajtur një profil të ulët dhe pretendon se është i pafajshëm për atë që akuzohet.

  • Stoltenberg: Dhuna po e kthen prapa Kosovën, duhet të ndërmerren hapa për deeskalim

    Stoltenberg: Dhuna po e kthen prapa Kosovën, duhet të ndërmerren hapa për deeskalim

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, derisa ka kërkuar edhe deeskalim të situatës në veri të vendit.

    “Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”, tha ai për gazetën malazeze “Pobjeda”, transmeton Express.

    Ai tha se NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, në të cilat u plagosën pothuajse 40 paqeruajtës.

    “Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, tha ai.

    Stoltenberg ka përmendur edhe “aktorë të huaj” në rajon që punojnë për minim të paqes.

    “Rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, por ne kemi parë tensione të përsëritura, duke përfshirë ato në Kosovë si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe aktorë të huaj që punojnë për të minuar progresin. NATO ka një histori të gjatë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Koncepti ynë i ri strategjik, i miratuar në Samitin e Madridit vitin e kaluar, ripohon rëndësinë strategjike të rajonit për Aleancën. Ne pajtohemi për rëndësinë e pranisë sonë në rajon, duke përfshirë misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe zyrat tona në Sarajevë dhe Beograd”.

    Sekretari i NATO-s foli edhe për rritjen e prezencës në Kosovë pas shpërthimit të tensioneve në veri.

    “Po dërgojmë në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë të tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë rezervë, që edhe ata të dislokohen sipas nevojës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij”.

    Ai tha se misioni i KFOR-it do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

    “NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

  • Tri autoblinda të Policisë vendosen prapa ndërtesës komunale në Zveçan

    Tri autoblinda të Policisë vendosen prapa ndërtesës komunale në Zveçan

    Tri autoblinda të Policisë së Kosovës në Zveçan kanë lëvizur sot rreth orës 12:00 për disa metra, duke u vendosur prapa ndërtesës së komunës.

    Ato po vazhdojnë të qëndrojnë ende në këtë lokacion, ndërsa nuk dihet nëse do të vazhdojnë rrugën në drejtim të Mitrovicës ose jo.

    Protestuesit në Zveçan po qëndrojnë si rëndom nëpër tendat e improvizuara afër ndërtesës së komunës.

    Disa prej tyre kanë luajtur basketboll deri në këto momente kur po raportojmë dhe tani kanë ndërprerë lojën për shkak të reshjeve të shiut.

    Ushtarët e KFOR-it, të cilët janë në numër simbolik po vazhdojnë të qëndrojnë para objektit komunal.

    Një numër i tyre është pozicionuar edhe në hyrje-daljet kryesore të kësaj komune, kurse situata aktualisht është e qetë.

    Situata në komunat në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

  • Haradinaj: Kemi votat e mjaftueshme për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti

    Haradinaj: Kemi votat e mjaftueshme për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi se e kanë numrin e nevojshëm të deputetëve për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

    Ish-kryeministri Haradinaj para gazetarëve tha se është i papranueshëm eskalimi i fjalorit të kryeministrit ndaj aleatëve.

    Sipas tij, një gjë e tillë e bën të vështirë rrugën përpara, për çka kanë filluar pasojat. Kreu i AAK-së, shtoi se mocioni i mosbesimit është zgjidhja e duhur.

    “Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të inicuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë”, deklaroi ai.

    Ai thekson se Kosova ka pranuar tri kërkesat e ShBA-ve dhe BE-së për deeskalimin e situatës.

    “Tri kërkesat që janë paraqitur, në një mënyrë janë pranuar prej Kosovës. Siç edhe e dimë, veç është paralajmëruar edhe nga presidentja edhe nga kryeministri për mbajtjen e zgjedhjeve më veri. Ashtu siç është pranuar edhe mundësia e heqjes së njësive speciale nga objektet e komunës ku duhet të qëndrojnë në veri. Njëkohësisht edhe pranimi nga Qeveria e Kosovës për pranimin e krejt marrëveshjeve të mëhershme, si në marrëveshjen e Ohrit, paraprakisht edhe në marrëveshjen e Brukselit. Mendoj se këto tria janë çështje të dakorduara, veprimet e mëtejme të Qeverisë duhet të ndodhin tash, në kohë. Besoj se është me rëndësi të merret seriozisht kërkesa në kohë. Nuk janë ultimatum, nuk janë kërkesë e re, por pritje prej Kosovës me fillua për të vepruar”, deklaroi Haradinaj.

    Tutje, ai shtoi se institucionet e Kosovës kanë bërë tri gabime, të cilat tash po i vuan vendi.

    “Institucionet e Kosovës i kanë bërë tri gabime, për të cilat po i vuajmë pasojat. Gabimi i parë se nuk u dakorduan me propozimin amerikan për tabelat dhe pastaj me mbet në kujdestari veriu gjatë gjitjë procesit të dialogut, në kujdestari të amerikanëve. Gabimi i dytë ishte insistimi apo nxitimi për të mbajtur zgjedhje, duke mos e pasur pjesëmarrjen e garantiar të gjithëve. I treti, ishte gabim sikurse e dimë, kryetarët që kanë marrë aq pak vota nuk kualifikohen mirëfilli si kandidate të mirëfilltë. Edhe zgjidhja me i kryer funksionet e veta në objekte alternative për një kohë ishte e mençur. Gaboi kryetari i qeverisë kur insistoi t’i vendos ata me forcë policore në objekte. Të tri këto gabime u shfrytëzuan shumë mirë prej Serbisë, prej Vuçiqit, prej bandave atje të kriminelëve më veri. Është koha e fundit që ta kthejmë faqen, ta fillojmë një plan serioz me bashkësinë ndërkombëtare, mos t’i rrejmë më”, shtoi ai.

  • Escobar: Asociacioni do të ndodhë me këtë ose me qeverinë e ardhshme

    Escobar: Asociacioni do të ndodhë me këtë ose me qeverinë e ardhshme

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi nga Beogradi se nuk i ka dhënë afate Kosovës, siç është raportuar një ditë më parë, në lidhje me 3 kërkesat e tyre. Ai paralajmëroi se Asociacioni do të formohet me qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti ose me ndonjë qeveri të ardhshme.

    Një ditë më parë u raportua se Escobar i ka dhënë dy ditë kohë Kurtit që të tregojë nëse pajtohet me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, siç janë deeskalimi i situatës në terren, shpallja e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe rikthimi në tryezën e dialogut, por kjo u mohua nga zyrtari amerikan.

    “Nuk kam dhënë një afat. Ajo që më pyetën në Prishtinë ishte se cilët ishin hapat e mëtejshëm dhe nga unë dhe z. Lajcak pas kësaj vizite do të kërkohet një përditësim të premten, Shtëpia e Bardhë do të kërkojë nga unë të jap një përditësim se çfarë po ndodh dhe unë duhet të raportojë nëse kemi progres apo jo. Z. Lajcak duhet të shkojë dhe të raportojë te zoti Borrell për të dhënë të njëjtin vlerësim. Pra, nuk është një afat, por ky është hapi tjetër për mua, dhe në bazë të raportit tim, ne do të marrim disa vendime për të ecur përpara, por nuk është një afat për askënd”, deklaroi Escobar.

    Escobar deklaroi se nuk e di nëse ka pasur përgjigje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me kërkesat e tyre, por u shpreh se diskutimet do të vijojnë me Bashkimin Evropian edhe pas këtyre vizitave.

    “Mendoj se diskutimet mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit special të BE-së do të vazhdojnë edhe pas largimit të tij sot nga Beogradi. Pra, nuk e di nëse ka pasur ende një përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës, shpresoj që Qeveria e Kosovës e pranon se ajo që po përpiqemi të arrijmë është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet”, vijoi Escobar.

    Escobar deklaroi se t’i kthesh shpinën këtij propozimi është t’ia kthesh shpinën Evropës, Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuara dhe të gjithë miqve të tjerë, njëjtë tha se mund të cilësohet edhe nëse refuzohet dialogu mes dy vendeve.

    “Për sa i përket pasojave, unë e kam nënvizuar njërën që është ajo që tha Bashkimi Evropian, t’i kthesh shpinën një propozimi evropian do të thotë t’i kthesh shpinën Evropës, por më duhet të theksoj se ky nuk është vetëm Bashkimi Evropian, por edhe Mbretëria dhe Shtetet e Bashkuara, dhe si miq të Kosovës ne po i inkurajojmë ata të bashkëpunojnë, të koordinohen dhe të rreshtohen me përpjekjet tona për të prodhuar stabilitet rajonal. Tani ai partneritet është i hapur për Kosovën sa herë që ajo dëshiron, por në të njëjtën kohë, nëse nuk e bëjnë, ata po ndërmarrin një veprim të njëanshëm, duke u larguar nga partneriteti i tyre me komunitetin transatlantik. Tani kjo në vetvete është gjithashtu një pasojë”, tha ai.

    Escobar deklaroi se sfida e Serbisë është që të bind serbët të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është të bindë serbët në Kosovë që të kthehen në institucione. Tani këtu mendoj se jemi në të njëjtën anë me Serbinë. Duhet të sigurohemi që ata që marrin pjesë në zgjedhje”, u shpreh Escobar.

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor deklaroi se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka premtuar se do të përdorë ndikimin e tij për të bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

    “Njëra është që duhet të deeskalojmë situatën menjëherë. Pra, kjo do të thotë se ne shpresojmë që kryetarët e komunave të mos i përdorin ato ndërtesa, që policia e Kosovës të tërhiqet nga rrethinat e ndërtesave, por gjithashtu duam të sigurohemi që edhe protestuesit të largohen nga zona. Përveç kësaj, nëse do të ketë zgjedhje të reja, dhe ne shpresojmë se do të ketë zgjedhje të reja, ne duam që serbët të marrin pjesë pa parakushte dhe presidenti Vuçiq tha se ai do të përdorte ndikimin e tij në përpjekje për t’u rikthyer në zgjedhje”, deklaroi Escobar.

    Duke u ndalur tek themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Escobar u shpreh se kjo do të ndodhë, vetëm mbetet për t’u parë nëse me qeverinë e Albin Kurtit apo të dikujt tjetër.

    “Unë thjesht po them një fakt, asociacioni është një kërkesë ligjore për qeverinë e Kosovës, është në Marrëveshjen e Brukselit, është në Bashkimin Evropian, në konkluzionet e Këshillit Evropian, është në marrëveshjen e Ohrit, pra nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por është marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara në integrimin e saj euroatlantik, do të duhet të formojë Asociacionin. Pra, Asociacioni do të ndodhë, pyetja është a do të ndodhë me këtë qeveri apo një qeveri të ardhshme?”, tha Escobar.

    Escobar u shpreh se shumë gjëra mund të arrihen këtë vit nëse Kosova dhe Serbia fokusohen të zbatimi i marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të dakorduar në Ohër më 18 mars.

    Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e rëndësishme për normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ajo përcakton një sërë kushtesh që do të krijonin një marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme midis dy vendeve dhe përshkruan përgjegjësitë që secili ka, në mënyrë që të jetë e vlefshme. Përmbushja e asaj që duhet të realizohet mund të bëhet shumë shpejt, duke përfshirë një marrëveshje për Asociacionin, kështu që ne ende duam t’i shohim të dy palët të bashkohen dhe të fokusohen në planin e zbatimit dhe më pas të fokusohemi në ecjen përpara me Asociacionin. Unë ende mendoj se ne mund t’i kemi të gjitha elementet, shumicën e elementeve, të përmbushura këtë vit kalendarik”, tha Escobar.

    Situata në tri komunat veriore të Republikës së Kosovës u tensionuar më 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill u penguan të hyjnë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale dhe hynë vetëm me asistimin e Policisë së Kosovës. Serbët kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur, madje këtë e bënë dhe në mënyrë të dhunshme më 29 maj kur plagosën 30 ushtarë të KFOR-it.

  • Shkatërrimi i digës në Ukrainë, OKB-ja paralajmëron pasoja të rënda

    Shkatërrimi i digës në Ukrainë, OKB-ja paralajmëron pasoja të rënda

    Rreth 42 mijë vetë rrezikohen nga përmbytjet në zonat e kontrolluara nga Rusia përgjatë lumit Dnipro në Ukrainë, pas shkatërrimit të një dige në Nova Kakovka. Shefi i Ndihmave në OKB, Martin Griffiths paralajmëroi gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit për pasoja të rënda dhe me shtrirje të gjerë.

    “Shkatërrimi i digës së centralit hidro-elektrik të Kakhovka është një prej dëmëve më të mëdha në infrastrukturën civile që prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022. Magnituda e katastrofës do të kuptohet plotësisht gjatë ditëve në vijim, por që tani është e qartë se do të ketë pasoja të rënda për mijëra njerëz në jug të Ukrainës”, tha Griffiths.

    Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës që shkaktoi vërshime masive uji përgjatë një zone të madhe lufte, e detyroi evakuimin e mijëra personave. Kievi pretendon se forcat ruse ndërmorën një akt të qëllimshëm lufte, duke hedhur digën në erë

    “Vetëm çlirimi i plotë i tokave ukrainase nga pushtuesit rus do të garantojë ndaljen e sulmeve të tilla terroriste. Rusia përdor çdo gjë për të shkaktuar terror. Shteti terrorist duhet të humbasë”, tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Por, Moska fajëson Kievin dhe gjatë një seance të Këshillit të Sigurisë, foli për akt të qëllimshëm sabotazhi: “Sabotazhi i ndërmarrë nga Kievi kishte dy qëllime kryesore; së pari të tërhiqte vëmendjen maksimale për të krijuar mundësitë e favorshme për kundërofensivën e paralajmëruar; dhe së dyti, të shkaktonte dëmin maksimal humanitar ndaj popullsisë”.

    SHBA-ja tha se nuk ishte e sigurt se kë të fajësonte për shkatërrimin e digës, por se nuk do të kishte kuptim që Ukraina t’ia kishte bërë këtë popullsisë së vet. Ndërsa ende nuk ka raportime për viktima, media shtetërore në Rusi foli për disa persona të zhdukur.

    Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në zonën e pushtuar të Nova Kakhovka në rajonin e Kherson.

  • Ministri Çeku: Kurti do ta ketë shumë shpejt përgjigjen për ndërkombëtarët

    Ministri Çeku: Kurti do ta ketë shumë shpejt përgjigjen për ndërkombëtarët

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se kryeministri Albin Kurti shumë shpejt do ta ketë përgjigjen për faktorin ndërkombëtar, mediat dhe qytetarët për kërkesat e fundit pas tensioneve në veri.

    Çeku ka thënë se mbajnë takime të rregullta të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kanë diskutuar shumë çështje, përfshirë edhe tensionet e fundit në komunat veriore.

    “Kryesia e VV-së mban takime të rregullta. Në të gjitha këto takime diskutohen të gjitha, përfshirë edhe çështjet e fundit. Këtu është ndërtesa e Qeverisë”.

    “Nuk do të doja të flisnim për çështje që lidhen me partinë. Kryeministri Kurti shumë shpejt do të ketë përgjigje edhe për faktorin ndërkombëtar, edhe për mediat, edhe për qytetarët”.

  • Qeveria miraton projektligjin që mundëson zhbllokimin e të hyrave vetjake të komunave

    Qeveria miraton projektligjin që mundëson zhbllokimin e të hyrave vetjake të komunave

    Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin, ku do zhbllokohen të hyrat vetjake të komunave të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u miratua edhe themelimi i muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    Në konferencën për medie, pas mbledhjes së ekzekutivit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se pas miratimit në dy leximet në Kuvend do t’i hapet rruga edhe ngërçit në Kuvend.

  • Sanksionet amerikane ndaj Qeverisë, ministri Murati: Nuk jam në dijeni

    Sanksionet amerikane ndaj Qeverisë, ministri Murati: Nuk jam në dijeni

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se se nuk është në dijeni për ndonjë listë të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Qeverisë, kur u pyet për raportimet se ShBA dhe BE janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Tutje, ai ka shtuar se ligjshmëria duhet të mbizotëroj në gjithë vendin.

    “Nuk jam në dijeni për ndonjë listë të tillë dhe nuk mund të përgjigjem për këtë çështje, pikat që duhet të pajtohemi të gjithë është që ligjshmëria të mbizotëroj në të gjithë vendin”, tha Murati.

    Faza e parë e sanksioneve do të parashihte ngrirje të fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e pranimit në Këshill të Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të perëndimorëve.

    Faza e dytë do të parashihte që aleatët e Kosovës të ndërmarrin qasje pasive ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje, si dhe riorganizim të pranisë ushtarake ndërkombëtare e reduktim serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtim të Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

    Po ashtu është paralajmëruar se mund të ketë sanksione ndaj Kurtit e Sveçlës. Të dy mund të shpallen “non-grata me arsyetimin se janë kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

    Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një qendër krize prapa linjave të kontaktit me Rusinë… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, si një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”

    Aty thuhet po ashtu se “askush nuk priste që Qeveria e Kosovës do të ishte ajo, që me veprimet e veta, do të promovonte pasiguri e do të nxiste krizë dhe konflikte”.

    Sipas tekstit, komuniteti perëndimor ka humbur durimin dhe kërkon “përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës, nëse është apo jo partnere e bashkësisë transatlantike”.

    Aty thuhet se të qenit partner nënkupton përmbushje e pakusht e të gjitha obligimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”.

    Dokumenti ka kritikuar Qeverinë dhe opozitën. “Kanë dështuar të kuptojnë thellësisht seriozitetin e situatës dhe rrezikun real për Kosovën”, thuhet në të, sipas “Euronews Albania”. Për opozitën është kërkuar qëndrim i qartë dhe deklarativ nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. “Fakti që opozita nuk e bën këtë nxit mosbesim dhe oportunizëm”, thuhet në dokument.

    Në fund të tekstit thuhet se “nëse Kosova dështon t’i përmbushë obligimet, e rrezikon të ardhmen e vet”.

    Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se “nuk komentojnë rrjedhjet e tilla e në veçanti ato që thuhet se janë dokumente të supozuara të një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së”.

  • Mbrojtja kërkon që Pjetër Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Mbrojtja kërkon që Pjetër Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Mbrojtja e Pjetër Shalës përmes një parashtrese lidhur me shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, ka kërkuar nga Paneli i Dhomave së Specializuara të Kosovës (DhSK) që Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

    “Mbrojtja me respekt kërkon nga Paneli që t’i japë fund ndalimit të vazhdueshëm të të akuzuarit dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm ose vendosjen e tij në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë, duke iu nënshtruar çdo kushti që konsiderohet i përshtatshëm”, thuhet në parashtresë.

    Aty thuhet se mbrojtja mban qëndrimin e saj se ekzistojnë masa të përshtatshme alternative ndaj paraburgimit dhe që duhet të merren parasysh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Për shembull, kërkesa që i akuzuari të qëndrojë në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë mund të zbusë mjaftueshëm çdo rrezik të mundshëm që vjen nga lirimi i përkohshëm i të akuzuarit”, thuhet tutje.

    Po ashtu, sipas mbrojtjes, i akuzuari përsërit gatishmërinë e tij për t’u angazhuar dhe për të dhënë çdo garanci që konsiderohet e përshtatshme për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të mos ndryshuar vendbanimin e tij, për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, për të raportuar çdo ditë në policinë belge ose autoritete të tjera të rëndësishme, t’i nënshtrohet monitorimit të ngushtë nga autoritetet, të paraqitet dhe të kthehet në gjykatë sa herë që urdhërohet për ta bërë këtë, dhe/ose t’i nënshtrohen çdo kushti tjetër që konsiderohet i përshtatshëm dhe i urdhëruar nga Paneli.

    Po ashtu, thuhet se mbrojtja i mbështet plotësisht parashtresat e saj të mëparshme mbi paligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit.

    Sipas mbrojtjes, siç është përsëritur së fundi nga Paneli, prezumimi i pafajësisë së të akuzuarit është pika fillestare për vlerësimin e vazhdimit të paraburgimit dhe barra për të vërtetuar se vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm i takon vetëm Prokurorisë.

    Ata theksojnë se e drejta për liri duhet të jetë rregull dhe paraburgimi duhet të jetë përjashtim, i cili lejohet vetëm kur tregohet se është rreptësishtë e nevojshme dhe proporcionale në atë që asnjë masë alternative nuk mund të zbusë një rrezik të paraqitur nga lirimi i përkohshëm.

    Mbrojtja rithekson se siç konstatoi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, arsyet e përmendura për urdhërimin dhe zgjatjen e paraburgimit nuk duhet të jenë as të përgjithshme dhe as abstrakte dhe se për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit, kërkohen fakte specifike.

    Sipas mendimit të mbrojtjes, thirrja e vazhdueshme e Prokurorisë në “stimujt dhe mjetet” e të akuzuarit pa ndonjë justifikim të mëtejshëm, si dhe “klima e përgjithshme e lartpërmendur e frikësimit […] dhe ndërhyrjes” nuk arrin të përmbushë testin e rreptë dhe të individualizuar për t’u aplikuar kjo masë.

    Mbrojtja thekson se nuk ka pasur asnjë provë apo material tjetër me kusht që të tregojë se i akuzuari ka ndërhyrë ose mund të ndërhyjë me ndonjë dëshmitar në procedurë.

    Versionin e redaktuar publik të kësaj parashtrese mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

    Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, kurse e përfundoi më 6 qershor.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi