ATV

Category: Lajme

  • Spanja regjistron “pranverën më të nxehtë në histori”

    Spanja regjistron “pranverën më të nxehtë në histori”

    Spanja ka përjetuar pranverën e saj më të nxehtë që kur ka nisur të regjistrojë temperaturat vitet ‘60, njoftoi të mërkurën (7 qershor) agjencia kombëtare e motit.

    Vendi pa gjithashtu pranverën e dytë më të thatë ndonjëherë, pas asaj të vitit 1995, tha agjencia AEMET.

    Spanja, e cila pati vitin e saj më të nxehtë në 2022, pritet të jetë një nga vendet e BE-së më të goditura për sa i përket ndryshimeve klimatike.

    Në mbarë Spanjën, temperaturat mes 1 marsit dhe 1 qershorit ishin mesatarisht 14.2 gradë Celsius, tha Ministria e Mjedisit. Këto temperatura ishin për 1.8 gradë më të larta sesa mesatarja e regjistruar mes vitit 1991-2020 dhe 0.3 gradë më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar më 1997.

    Në fund të prillit, Spanja pësoi një valë të madhe të nxehti me temperatura lokale deri në 20 gradë Celsius mbi mesataren, duke përkeqësuar thatësirën.

    Sipas agjencisë AEMET, Spanja ka “shumë gjasa” që edhe një herë të përballet me një verë më të nxehtë se zakonisht gjatë këtij viti, veçmas në pjesën lindore të shtetit dhe në ishujt spanjoll.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot i vranët dhe reshje shiu, derisa në disa zona pritet të ketë edhe vërshime .

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 22 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me mot të kthjellët dhe vranësira të herëpashershme. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 10 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 22 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me kthjellime dhe me temperatura stabile. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 11 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 27 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Kuvendi sot shqyrton Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë

    Kuvendi sot shqyrton Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë

    Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot do të bëj shqyrtimin e parë të Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

    Kuvendi po ashtu sot do të mbajë seancë plenare. Ku në rend ditë janë disa pika

    Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

    Pastaj do të jenë në rend ditë këto pika: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022”, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë mbi ekstradimin, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale, shqyrtimi i Projektligjit për aderimin në Marrëveshjen për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e zhdukur, shqyrtimi i Projekt Deklaratës për antisemitizmin.

    Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, për zgjatjen e mandatit, votimi për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kinomatografinë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027, propozimi i një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, emërimi i dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

  • Grenell: Përgatituni për pasoja të rënda nëse Kurti nuk u përmbahet angazhimeve që ka marrë

    Grenell: Përgatituni për pasoja të rënda nëse Kurti nuk u përmbahet angazhimeve që ka marrë

    Ish-emisari i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk po e kupton se çfarë po i ndodhë Kosovës.

    Grenell tha se komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë atij një afat deri të premten që t’i përmbahet angazhimeve që Kosova i ka marrë më parë.

    “Komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë atij një afat deri të premten për t’iu përmbajtur angazhimeve që vendi i tij ka marrë më parë.”, shkroi Grenell në Twitter.

    Tutje, ai tha se “miqtë e mi në Kosovë duhet të përgatiten për pasoja të rënda nëse Kurti nuk respekton.”

    “Unë i kam parë pasojat dhe nuk është e bukur.”, përfundoi ai.

  • Bërnabiq: Jam e gatshme të jap dorëheqje

    Bërnabiq: Jam e gatshme të jap dorëheqje

    Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha se është e gatshme të japë dorëheqjen.

    “Jam e gatshme dhe llogarisni se mund ta keni dorëheqjen time”, tha ajo gjatë një fjalimi publik së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Ajo tha se mendon se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare deri në fund të vitit është zgjidhje për krizën dhe shtoi se opozita nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për takim.

    Në muajt e fundit, në Serbi janë mbajtur disa protesta të thirrura nga një pjesë e opozitës që është e pakënaqur me përgjigjen e Qeverisë ndaj dy të shtënave masive në muajin maj, që lanë të vrarë 18 persona.

    Bërnabiq tha se ka kryer detyrat në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se rezultatet e ekzekutivit të saj janë të padiskutueshme.

    “Jo gjithçka ishte perfekte, por ne bëmë më të mirën dhe mendoj se kemi rezultate që çdo qytetar, nëse është i sinqertë, mund të krenohet me to”, tha ajo.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është e sigurt se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se pyetja e vetme është se kur do të mbahen ato.

    Vuçiq tha se nuk do të ketë qeveri tranzitore.

    Presidenti i Serbisë ftoi edhe një herë opozitën për të biseduar.

    “Besoj se do të gjejmë bashkëbisedues. Nëse kjo nuk ndodh, do të shkojmë në zgjedhje, por Qeveria nuk do të zgjidhet në rrugë dhe nuk do të ketë qeveri tranzitore”, tha Vuçiq.

    Ndryshe, Bërnabiq ka marrë mandatin për të udhëhequr Qeverinë e re serbe në mesin e vitit 2022.

    Atëbotë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kur njoftoi për mandatimin e saj në krye të ekzekutivit, tha se Bërnabiq nuk do të qëndronte në këtë post në mandat të plotë, por gjatë vitit 2024 do të kishte ndryshime. /REL

  • ​Senatorët amerikanë me deklaratë të përbashkët për Kosovën dhe Serbinë

    ​Senatorët amerikanë me deklaratë të përbashkët për Kosovën dhe Serbinë

    Senatorët amerikanë, nga demokratët dhe republikanët, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për qetësim të situatës në veri të vendit.

    Përmes një deklaratë të përbashkët, senatorja Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts, kanë deklaruar se tensionet në pjesën veriore të Kosovës mund të dobësojë marrëdhëniet e vendeve me ShBA-të.

    “Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne përsërisim se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin e SHBA për përpjekjet e Bashkimit Evropian, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara”, thuhet në deklaratë.

    Ata u kanë bërë thirrje vendeve që të punojnë me Bashkimin Evropian dhe ShBA-të për gjetjen e zgjidhjes pa vonesa.

    “Si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të deeskaluar situatën, për të rikthyer besimin popullor në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit duke krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ndërsa të dy udhëheqësit konsiderojnë hapat e tyre të ardhshëm, ne i nxisim ata të zgjedhin paqen, prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre përkatës. Dështimi për të de-përshkallëzuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në një rrugë përpara, dhe pa nevojë rrezikon të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet në deklaratë.

  • Përplasjet Kosovë – ShBA, Osmani: Mosmarrëveshjet ekzistojnë edhe në familje

    Përplasjet Kosovë – ShBA, Osmani: Mosmarrëveshjet ekzistojnë edhe në familje

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për medien e njohur “Reuters”, ku ka folur për situatën e fundit në veri të Kosovës.

    Në këtë intervistë, Osmani ishte e ashpër me homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq, të cilin e takoi javën e kaluar gjatë një samiti në Moldavi.

    Osmani u pyet për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Perëndimi po tenton ta kënaq Serbinë, duke thënë se edhe mes miqve nganjëherë ka mosmarrëveshje.

    “Mendoj që duke qenë se kam punuar në institucionet e Koosvës për një kohë, ka kohë kur ne kemi mosmarrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare mbi taktikën. Por, shiko, edhe në mes të miqve më të mirë, edhe mes familjes, ju nganjëherë keni mosmarrëveshje. Por, ne s’kemi mosmarrëveshje, sipas vlerësimit tim, me bashkësinë ndërkombëtare, është ku regjioni duhet të lëvizë përpara dhe ajo është integrimi euroatlantik. Ne s’kemi mosmarrëveshje se ku përket Kosova dhe ajo është në BE dhe NATO dhe në secilën organizatë tjetër që është në interesin tonë”, deklaroi Osmani.

    Shefja e shtetit deklaroi se mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve s’ka mosmarrëveshje rreth forcimit të sovranitetit të Kosovës.

    “Nuk besoj që kemi mosmarrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare në përpjekjen tonë të përbashkët për të forcuar sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, si dhe pavarësinë tonë. Në fakt, arsyeja pse Kosova ka qenë e suksesshme, përveç qëndrueshmërisë së popullit të saj, për shkak se kemi pasur aleat në anën tonë… Edhe pse nganjëherë mund të mos pajtohemi ose mund t’i shohim gjërat ndryshëm mbi atë se si po shihet Serbia, se si po trajtohet Serbia, unë mendoj që duhet të fokusohemi tek pozitivja, duhet të fokusohemi se çfarë na mban bashkë”, shtoi ajo.

  • Kurti për France 24: Zgjedhje po, por së pari ligji

    Kurti për France 24: Zgjedhje po, por së pari ligji

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se para se të mbahen zgjedhje të reja në katër komunat veriore, duhet të mbizotërojë ligji.

    “Zgjedhjet do të mbahen sipas rendit dhe ligjit. Duhet të ketë vendosje të rendit dhe ligjit. Pa lig nuk mund të ketë zgjedhje demokratike”, është shprehur Kurti për France 24.

    “Nuk dua dështim pas dështimit. Dua të angazhohem për konstruktivitet, rend, ligj dhe demokraci. Për këto nuk ka kompromis”.

    Kurti ka përsëritur se legjitimiteti i kryetarëve aktualë është i dobët, por që askush tjetër nuk është më legjitimë së ata për të pasur qasje në objektet komunale.

    “Sot në tri komunat veriore situata përgjithësisht ishte e qetë. Pse? Sepse nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beogradi”.

  • ​Mustafa: Çmimin e prishjes së raporteve me ShBA-të do ta paguajë Kosova, jo Kurti e Osmani

    ​Mustafa: Çmimin e prishjes së raporteve me ShBA-të do ta paguajë Kosova, jo Kurti e Osmani

    Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në vitin 2020 kjo parti e kishte prishur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje për të evituar konfrontimin e Kosovës me shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas tij, kjo i kishte kushtuar partisë me humbjen e votave.

    “LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-të. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vet në pushtet së bashku me analfabetët funksional”, ka thënë Mustafa.

    Ai ka thënë se çmimin e prishjes së relacioneve me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian nuk do ta paguajë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

    “Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në, nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin por do ta paguajë e gjithë Kosova. Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.

  • Gashi: Me këtë Albin që e njohim, Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk do të kalojë kurrë

    Gashi: Me këtë Albin që e njohim, Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk do të kalojë kurrë

    Avokati Tomë Gashi, në emisionin DIREKT në ATV, tha se me Albin Kurti, qoftë si në pushtet qoftë si në opozitë, një Asociacion çfarë po e kërkon Serbia, nuk do të ndodh kurrë.

    “Unë besoj që me Albin Kurtin, me Lëvizjen Vetëvendosje si në pushtet si në opozitë, një ‘Zajednicë’ e tillë, një Asociacion i tillë me kompetenca çfarë po i kërkon Serbia e që të tjerët po i sponsorizojnë, po i thonë faktikisht, po folin sikur me qenë zëdhënës të Vuçiqit, nuk do të ndodh kurrë. Është e pa lejueshme, është e pa imagjinueshme që të lejohet një gjë e tillë se do të ishte fillimi i lejimit të shkëputjes së një pjese të madhe të territorit tonë dhe atëherë po i bie që të tjerët mund edhe ta bëjnë për shkak se shumë më shumë e kanë dashur pushtetin se sa shtetin, por Albin Kurti, unë nuk besoj që qeky Albini q e njohim ne të gjithë, që do të nënshkruajë diçka, një Asociacion të tillë për të mbetur në pushtet”, tha Gashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: