ATV

Category: Lajme

  • ​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

    ​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, rregullon statusin juridik të bashkësive fetare.

    Sipas tij, i njëjti rregullon edhe mënyrën e regjistrimit të bashkësive të reja fetare e çështja të tjera në këtë aspekt.

    Shqyrtimi këtij projektligji ishte në rend dite në seancën e Kuvendit të Kosovës, por i njëjti është shtyrë për një tjetër seancë.

    Megjithatë, ministri Çeku, me autorizim të kryeministrit, Albin Kurti ka dhënë arsyetimin për këtë projektligj.

    Por, përveç këtij arsyetimi, projektligji në fjalë nuk u hodh në votim në mungesë të prezencës së deputetëve nga komuniteti serb.

    “Me këtë projektligj garantohet ushtrimi i lirisë së fesë sipas Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare përfshirë këtu Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Projektligji rregullon statusin juridik të bashkësive fetare mënyrën dhe kushtet e regjistrimit të bashkësive të reja fetare në Kosovës, çështjen e varrezave dhe riteve të varrimit, fondet dhe donacionet e bashkësive fetare si dhe raportimin e tyre financiar” , ka thënë ai.

    Më pas, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë do të bëhet kur të krijohen kushtet në Kuvend.

    “Ky projektligj e kërkon që votohet në Kuvend të Kosovës me 61 vota për, por gjysma e pakicave po ashtu 51% e pakicave të komuniteteve, deputetët që vijnë nga komunitetet duhet ta kemi votën e tyre për këtë projektligj që ky të kaloj. Kjo nënkupton se 11 vota duhet të jenë të komuniteteve. Kjo i bie që së paku të jetë edhe 1 votë nga Lista Serbe, ata nuk i kemi të pranishëm fare në Kuvend, kështu që ky projektligj mbetet të trajtohet njëherë tjetër kur t’i kemi kushtet e krijuara në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 70 vota, është krijuar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje është nënkryetar i këtij Komisioni, Alban Bajrami dhe anëtare janë Arjeta Fejza, Labinotë Demi-Murtezi, Yllza Hoti dhe Mirlinda Sadiku.

    Ndërsa, nga PDK anëtarë do të jenë Ariana Musliu-Shoshi dhe Florent Zejnullahu, kurse Duda Balje do të përfaqësoj grupin multietnik.

    E meqenëse nuk ishin në sallë deputetët e LDK-së dhe AAK-së, përfaqësimi në Komisionin Hetimor do të plotësohet në ndërkohë.

    Alban Bajrami deputeti i LVV-së ka treguar çështjet themelore që do t’i trajtojë Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

    “Do të përqendroj hetimin e tij për të zbardhur këto çështje themelore sa është numri i rasteve të dhunës seksuale dhe dhunës në familje për periudhën 5 vjeçare, cili është epilogu aktual i këtyre rasteve sa zgjat një trajtim i rasteve të dhunës seksuale dhe në familje, sa është numri i dënimeve të shqiptuara për këto raste, sa është prezente gjuha seksiste dhe paragjykues në këto aktgjykime, sa raste të tilla janë parashtruar”, tha ai.

    Në mungesë të deputetëve të AAK-së në sallën e Kuvendit është shtyrë votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, e cila është propozuar nga kjo parti.

    Me 61 vota, Kuvendi i Kosovës në parim e ka votuar projektligjin për organizimin e tregut për produktet bujqësore. Po ashtu, ligjvënësit kosovarë kanë votuar pro edhe për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim. /kp

  • ​Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum, nuk zgjidhet me trysni

    ​Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum, nuk zgjidhet me trysni

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deeskalimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash. Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri.

    Kurti, pasi mori pjesë në një aktivitet të xhudos në Mitrovicë, para mediave tha se u ka ofruar përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisarit të ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar mënyrën e sigurt se si të ketë një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës.

    Ai tha se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, por me kushtin që fillimisht të ketë sundim të ligjit në atje dhe pastaj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.

    “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm dhe të grupeve kriminale… Pika e parë është sundimi i ligjit, s’ka qëndrueshmëri institucionale pa sundim të ligjit, një prej pikave themelore të demokracisë është ligji mbi politikën… E dyta, që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme të kemi zvogëlim të pranisë në ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme, pasi jemi të vetëdijshëm se dalja ka qenë e ulët. Pra, po zgjedhje të reja, po zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit. Përgatitja e terrenit nënkupton se nuk mund të jenë zgjedhjet vetëm pa incidente zgjedhje tamam, por duhet të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike në njërën anë dhe anën tjetër një fushatë parazgjedhore që është e lirë dhe demokratike”, tha ai.

    Kurti insistoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e ShBA-së janë të shkëlqyera.

    Ai shtoi se kur vijnë për diskutime emisarët evropian dhe amerikan në Kosovë janë në cilësi të ndërmjetësuesit të dialogut dhe aty nuk është në pyetje BE-ja dhe ShBA-ja, por raporti i Kosovës me Serbinë.

    “Nuk mendoj se këto gjëra zgjidhen me trysni dhe me përmendje pasojash dhe ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur se do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët edhe evropian dhe amerikan, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe ShBA-në janë të shkëlqyeshme. Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, por është në pyetje raporti ynë me Serbinë, natyrisht kjo nuk është e njëjta gjë tani. Duhet të dalloni kërkesën që na bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, p.sh. për t’i pranuar refugjatët nga Afganistani, 1893 i kemi pranuar të gjithë, menjëherë të gatshëm, 410 prej tyre ende janë në Kosovë. Kur ShBA-ja në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale kërkon diçka prej neve ne nuk kemi dilema të themi po. Por kur emisari amerikan kërkon diçka në raportin tonë me Serbinë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm dhe kujdesshëm”, tha ai.

    Sipas Kurtit, në këtë situatë është vendi për shkak të braktisjes së Listës Serbe të institucioneve. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prill, ani pse i kishin premtuar atij pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit.

    “Në këtë situatë jemi meqenëse Lista Serbe i braktisi institucionet me 5 nëntor dhe jo vetëm kaq, bojkotoi procesin zgjedhor dhe bëri thirrje që të bojkotohet procesi zgjedhor. Jo vetëm kaq, në ditën e heshtjes zgjedhore shkuan në Bajtanicë në ushtrimet ushtarake në vendin ku janë eksponuar 742 kufoma shqiptare dhe ku s’ka as pllakë përkujtimore. Natyrisht ne jemi të zhgënjyer që faktorët ndërkombëtar nuk kanë arritur të garantojnë pjesëmarrjen e serbëve siç na kanë premtuar neve. Me datën 16 mars ka skaduar afati për regjistrimin e partive politike për 4 komunat në veri. Presidentja e Republikës Vjosa Osmani, afatin e 16 marsit e ka zgjeruar deri 21 mars, pra e ka shtyrë për pesë ditë për me i kriju kohë shtesë partive serbëve. Mua më thoshin se porsa të bëhet marrëveshja e Ohrit serbët marrin pjesë, e bëmë marrëveshjen e Ohrit me 18 mars, kaloi afati me 21 mars dhe përsëri ata bojkot dhe vetëm bojkot. Krejt çka kemi mundur kemi bërë. S’kemi pas qare pa i bërë betimet dhe hyrjen e kryetarëve tonë në ndërtesat e komunave, pasi 28 maji ka qenë afati i fundit ligjor. Nuk janë këto vendime taktike të Qeverisë, përkundrazi janë obligime tona ligjore që ne i kemi respektuar në përpikëri”, tha ai.

    Në anën tjetër, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ende s’ka asnjë draft të shkruar për statutin e Asociacionit, ani pse emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se ekzekutivi e ka të gatshëm draftin për Asociacionin por po e mban të fshehur.

    “Draft-statut të Asociacionit, Qeveria e Kosovës s’ka shkruar. Qeveria ka shprehur gatishmërinë për një draft-statut për thellimin e mëtutjeshëm të draft-vizionit qysh në Ohër më 18 mars kur u refuzua një gjë e tillë. Gjithashtu e kemi shprehur në vazhdimësi gatishmërinë tonë kur të pajtohemi për parimet. Pasi nuk ka kuptim një tekst gjerë e gjatë nëse parimet bazë nuk janë të dakoorduara. Me ShBA-në kemi pajtueshmëri të plot sa i përket parimeve bazë dhe këtë ambasadori amerikan, Hovenier e ka thënë. Kur unë kam deklaruar në Ohër se e shkruaj draft-statutin me shtyllat siç janë qëndrimi evropian, letra e Mogerinit, qëndrimi amerikan i shprehur në tekstin e Chollet dhe Escobar dhe po ashtu kushtetutshmëria e vendit tonë, përfshirë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ambasadori amerikan ka thënë gjithçka në rregull”, theksoi Kurti.

    Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndruan përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët paraqitën tri kërkesa për Kosovën, deeskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja në komunat veriore sa më shpejtë dhe rikthimi në dialog./KP/

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) me vendimin e 6 qershorit 2023, kanë vazhduar masën e paraburgimit për Pjetër Shalën.

    “Paneli urdhëron vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit”, thuhet në dispozitiv të vendimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave, nëse dëshirojnë që të paraqesin parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se 6 korrik 2023.

    Tutje, është urdhëruar mbrojtja që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se 13 korrik 2023 dhe ka përcaktuar që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se 18 korrik 2023.

    Në fillim të këtij vendimi paraqitet historiku procedural, ndër të tjera se ZPS ka dorëzuar parashtresën e saj për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, se mbrojtja iu është përgjigj parashtresës të ZPS-së duke kërkuar nga Paneli që të urdhërojë lirimin e përkohshëm të të akuzuarit ose vendosjen në arrest shtëpiak tek rezidenca e tij në Belgjikë, dhe së fundmi kundër-përgjigjen e ZPS-së.

    Në pjesën arsyetuese të vendimit thuhet se Paneli rikujton se, në vendimin konfirmues, gjyqtari i procedurës paraprake përcaktoi se ekzistonte një “dyshim i bazuar mirë”, në kuptim të nenit 39(2) të Ligjit, se i akuzuari ka kryer vepra penale brenda juridiksionit të DhSK-së .

    ‘‘Duke kujtuar se pragu i “dyshimit të bazuar mirë” është domosdoshmërisht më i lartë se “dyshimi i bazuar” i kërkuar për vazhdimin e paraburgimit, Paneli rithekson se, në bazë të vendimit për konfirmim, kërkesa e nenit 41(6)(a) të Ligjit është plotësuar’’, thuhet në vendim.

    Në lidhje me këtë, dhe përveç dëshmive të dëshmitarëve të dëgjuara deri më sot dhe materialeve tjera mbështetëse, Paneli konstatoi në këtë vendim se kërkesa sipas nenit 41(6)(a) të Ligjit nuk ka pushuar së ekzistuari dhe për këtë arsye vazhdon të përmbushet.

    Ndërkaq, thuhet se Paneli rikujton se më parë ka gjetur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes andaj edhe nuk është i bindur nga parashtresat e ZPS-së se vendimi i Apelit për deklaratat e mëparshme është në gjendje ta ndryshojë atë vlerësim.

    ‘‘Rrjedhimisht, Paneli mbetet i bindur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekzistonte, mund të zbutet në mënyrë adekuate me kushtet që do t’i vendosen në përputhje me nenin 41(12) të Ligjit dhe rregullin 56(5) të Rregullores’’, thuhet tutje.

    Kurse thuhet se Paneli edhe më parë ka vërtetuar se ekziston rreziku i pengimit të procedurës penale, sipas nenit 41 (6) (b) (ii) të Ligjit, për shkak të fillimit të gjykimit dhe dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së, zbulimin e identitetit të dëshmitarëve dhe provave shoqëruese, duke përfshirë informacione potencialisht inkriminuese. deklaratat kërcënuese të të akuzuarit [REDAKTUAR] dhe klima e përgjithshme, e themeluar dhe e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.

    Sipas kësaj gjykate, këta faktorë dhe rrethana vazhdojnë të ekzistojnë dhe nuk është paraqitur asnjë informacion apo zhvillim që i minon ata dhe përfundimin që ata mbështesin.

    ‘‘Përkundrazi, fakti që paraqitja e provave është në vazhdim e sipër dhe se dëshmitarë shtesë të ZPS-së kanë ofruar prova, duke përfshirë prova potencialisht inkriminuese, do të thotë se rreziku i pengimit të procedurës është ende shumë i pranishëm’’, thuhet tutje në arsyetim të vendimit.

    Gjithashtu, sipas këtij vendimi Paneli nuk është i bindur nga argumenti i mbrojtjes se deklaratat e të akuzuarit nuk duhet të mbështeten për qëllime të shqyrtimit të paraburgimit.

    ‘‘Kolegji i Gjykatës së Apelit e la në fuqi vendimin e Panelit për deklaratat e mëparshme dhe deklaratat janë dhe mbeten në dispozicion të Panelit derisa dhe nëse nuk vendoset ndryshe’’, thuhet më tej.

    Rrjedhimisht, Paneli ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuarit të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së.

    ‘‘Paneli rikujton se, përderisa ekzistenca e rrezikut të pengimit nuk përkthehet automatikisht në rrezik të kryerjes së krimeve të mëtejshme, faktorët që mbështesin të parën janë të rëndësishëm për vlerësimin e këtij të fundit në rastin aktual’’, thuhet në vendim.

    Sipas kësaj gjykate, i akuzuari tani ka njohuri të plotë për rastin kundër tij, duke përfshirë identitetin e dëshmitarëve të PSP-së, pasi masat mbrojtëse janë hequr ndaj të akuzuari, deri në vitin 2016 dhe 2019, i akuzuari bëri deklarata kërcënuese [REDAKTUAR] dhe paraqitja e provave nga ZPS është në proces.

    ‘‘Përveç kësaj, Paneli thekson se dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve të parë tani janë përfunduar dhe dëshmia e dëshmitarit të shtatë është në vazhdim e sipër. Prandaj z. Shala ka marrë më tej një pasqyrë specifike për rastin dhe prova kundër tij’’, thuhet më tutje në vendim.

    Andaj, Paneli ka konkluduar se, për qëllimet e rishikimit periodik të paraburgimit të të akuzuarit, në pajtim me nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores, koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim nuk është joproporcionale .

    Versionin e redaktuar publik të vendimit për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit të Pjetër Shalës mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

  • Kurti thotë se nuk ka marrë kurrfarë ultimatumi

    Kurti thotë se nuk ka marrë kurrfarë ultimatumi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka marrë asnjë lloj ultimatumi pas takimit me emisarët e ShBA-së dhe BE-së, duke shtuar se u ka ofruar atyre mënyrën për të dalë nga kriza.

    “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale…E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”.

  • Kryetarët Atiq dhe Peci bisedojnë për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit

    Kryetarët Atiq dhe Peci bisedojnë për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci kanë biseduar sot për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në komunat në veri të vendit.

    Ishte Atiq që njoftoi se ka pritur në një takim të parin e Zveçanit, Ilir Peci.

    “Z. Ilir Peci e urova për mandatin në krye të Zveçanit dhe i urova punë të mbarë. Së bashku diskutuam për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët e komunave tona dhe biseduam për zgjidhjet për ato probleme. Në këto komuna nuk është menduar asnjëherë për qytetarin dhe se janë lënë shumë mbrapa shërbimet publike”, ka shkruar ai.

    Atiq ka theksuar se komunat në veri të vendit, të cilat tashmë kanë kryetarë shqiptarë, do të bëhen të qytetarëve dhe do të jenë vende të banueshme ku normalisht do të zhvillohet jeta sikur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

  • Domatet nga Shqipëria dyshohen për përmbajtje të hormoneve, AUV pret rezultatin

    Domatet nga Shqipëria dyshohen për përmbajtje të hormoneve, AUV pret rezultatin

    Domatet e importuara nga Shqipëria dyshohet se përmbajnë sasi të larta të hormoneve, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

    Për të verifikuar nëse kjo është e vërtetë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dërguar disa mostra në laborator dhe është në pritje të rezultateve të testeve.

    Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi duke konfirmuar këtë për Kosovapress përmes një përgjigje me shkrim, ka theksuar se kjo agjenci ka marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria.

    “Si AUV kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. Përveç kontrollit të rregullt dhe analiza rutionre, në këtë rast janë marrë mostra /kampione përfaqësuese të regjioneve të caktuara prodhuese prej nga importohen këto produkte, të njëjtat janë dërguar në laboratorë jashtë vendit me qellim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve (Përcaktimi i nivelit maksimal të mbetjeve-MRL në produkt) . AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve të testeve analitike, varësisht nga gjetjet do të merren veprime/masa zyrtare”, theksoi ai.

    Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në nivel vendi në aspektin e përgjithshme të kontrollit të shëndetit bimor dhe sigurisë ushqimore, kryesisht bashkëpunon me laboratorë të autorizuar dhe kontraktuara në nivel shtetëror, siç janë: Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike-IKSHPK, Instituti Bujqësor i Kosovës- IBK, dhe Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë-LUV.

    “Mirëpo për teste specifike mostrat zyrtare për raste të veçanta dërgohen për testim me metoda konfirmative qoftë në vende të rajonit apo në ndonjë vend të BE-së”, ka theksuar Thaçi.

    Ai ka shtuar se të gjitha produktet që kanë qëllim final tregun e Kosovës duhet të jenë produkte të certifikuara, për çka përmes dokumentacionit adekuat shoqërues te lëshuar nga autoriteti kompetentë i vendit eksportues/prodhues marrim dëshmi/garanca që produktet janë në harmoni me kërkesat ligjore.

  • ​Granit Mavriqi zgjidhet anëtar i Bordit për Ankesa të Mediave

    ​Granit Mavriqi zgjidhet anëtar i Bordit për Ankesa të Mediave

    Granit Mavriqi është zgjedhur anëtar i Bordit për Ankesa të Mediave, me mandat 3 vjeçar. Në Kuvendin e Kosovës ai ka marrë 51 vota, ndërsa në votim gjithsej kanë marrë pjesë 84 deputetë.

    Ndërsa, kundër-kandidati i Mavriqit, Martin Komani, siguroi vetëm 30 vota, ndërsa 3 vota të deputetëve ishin të pavlefshme.

    Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme po shqyrton pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, ndër të tjera po shqyrton pikën për zgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë.

    Emrat e propozuar janë Admir Rama, Ardian Maksuti, Esmir Kasi, Maria Daduloviq, Senad Ibishi dhe Serdian Sentiq.

  • Abdixhiku takohet me Abbottin: Përplasja me miqtë është devijim strategjik e dështim diplomatik me pasoja afatgjata

    Abdixhiku takohet me Abbottin: Përplasja me miqtë është devijim strategjik e dështim diplomatik me pasoja afatgjata

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Në takim është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë gjendjen e tensionuar në veri të vendit.

    Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Abbott për qëndrimin e LDK-së për tensionet në veri si dhe nevojën që në momente të tensioneve e provokimeve nga Serbia, ecja e përbashkët me aleat për të përballuar një krizë është domosdoshmëri.

    Në këtë moment, Kosovës i duhen gjithë miqtë e saj; përplasja me ta është devijim strategjik e dështim diplomatik me pasoja afatgjata.

    Kryetari Abdixhiku ka falënderuar ambasadorin Abbott dhe Britaninë e Madhe si partner strategjik për rolin dhe kontributin e saj në forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

  • LDK-ja akuzon PDK-në për humbje milionëshe në Vushtrri, apelon prokurorinë t’i hetojë ato

    LDK-ja akuzon PDK-në për humbje milionëshe në Vushtrri, apelon prokurorinë t’i hetojë ato

    Lidhja Demokratike e Kosovës – dega në Vushtrri po akuzon Partinë Demokratike të Kosovës për keqmenaxhim me Komunën e Vushtrrisë, e cila udhëhiqet nga kryetari Ferit Idrizi. Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Xhafer Tahiri tha se të gjeturat e Raportit të Auditimit, nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Komunën e Vushtrrisë për vitin 2022 tregojnë për një qeverisje të paaftë dhe me shumë keqpërdorime nga pushteti i PDK-së, të cilat ftoi prokurorinë që t’i hetojë.

    Tahiri në një konferencë për media tha se nuk ka asnjë punë dhe asnjë projekt të ri nga qeverisja e PDK-së, përveç atyre që i ka lënë LDK-ja.

    Sipas tij, vetëm për një vit qeverisje nga PDK-ja, Komuna e Vushtrrisë ka humbur mbi 2 milionë e 691 mijë euro investime kapitale.

    “Ky vit në qytetin Vushtrrisë ka filluar me zero euro shpenzime për investime kapitale, që nënkupton se komuna nuk po bën asnjë punë, përveç atyre që i kemi lënë si projekte 2-vjeçare dhe 3-vjeçare. Buxheti final, në bazë të Raportit të auditimit për investime kapitale në qytetin e Vushtrrisë ishte 6 milionë e 47 mijë e 316 euro, prej tyre ishin shpenzuar vetëm 3 milionë e 356 mijë e 6 euro ose 55 përqind e buxhetit. Pra, janë humbur saktësisht 2 milionë e 691 mijë e 310 euro investime kapitale vetëm në vitin e parë të qeverisjes së PDK-së në Vushtrri. Pra, gjysma e punëve nuk janë kryer”, tha ai.

    Ndërsa shtoi se suficiti total i buxhetit komunal për vitin 2022 në Vushtrri është 4 milionë e 375 mijë e 687 euro.

    Tahiri, i cili kishte udhëhequr me këtë komunë për një mandat, akuzoi poashtu pushtetin aktual në Vushtrri për punësime të militantëve, me theks të veçantë avokatin e komunës.

    “Suficiti total i buxhetit komunal për vitin 2022 në Vushtrri është 4 milionë e 375 mijë e 687 euro. Pra, janë humbur 4 milionë e 375 mijë euro, nuk ëhstë investuar asnjë cent këtë vit, ndërkohë që Komuna e Vushtrrisë për udhëtime zyrtare deri në momentin që po flasim ka zotuar mbi 50 mijë euro. Nuk ka asnjë punë dhe asnjë projekt të ri nga qeverisja e PDK-së, përveç atyre që i ka lënë qeverisja e LDK-së. Kjo komunë, në bazë të raportit të auditorit, për vendime gjyqësore ka kryer pagesa në vlerë prej 198 mijë e 779 euro. Komuna e Vushtrrisë ka angazhuar për avokat të komunës një militant të PDK-së, të cilin e ka paguar 20 mijë euro për nje vit, dhe prapë i ka humbur në gjykatë 200 mijë euro. Ne si LDK ftojmë prokurorinë të hetojë pagesat për avokatin e komunës, i cili ëhstë angazhuar me tenderë për të shpjeguar një pyetje të thjeshtë, pse është paguar kaq shumë avokati i komunës e janë humbur kaq shumë mjete financiare të komunës së Vushtrrisë në procese gjyqësore”, tha ai.

    Duke u thirrur në raportin e auditimit për vitin 2022 për Komunën e Vushtrrisë, Tahiri tha se janë paguar afër 200 mijë euro për projekte që nuk janë kryer, për çka kërkoi që prokuroria të hetojë edhe këto pagesa.

    Ndërsa për mangësitë që sipas LDK-së, auditori ka gjetur në projekte, foli shefi i asamblistëve të LDK-së në Komunën e Vushtrrisë, Adnan Lahu.

    Lahu tha se në pesë projekte janë identifikuar disa mangësi.

    “Komuna e Vushtrrisë ka përzgjedhur operator ekonomik të papërgjegjshëm, vlera e kontratës 147,859€, mungesa e projekteve ekzekutuese për procedurat e prokurimit të investimeve kapitale, mos vazhdimi i sigurisë së ekzekutimit konform periudhës së zbatimit të kontratës, faturimet jo në pajtueshmëri me marrëveshjen, mangësi në regjistrin kontabël të pasurive, keqpërdorim në subvencione në bujqësi, ku thirrjet publike në bujqësi janë bërë jo në pajtim me rregulloren e brendshme për subvencionim, mangësi në raportim dhe monitorimin e projekteve të subvencionuara, Komuna e Vushtrrisë nuk ka përgatitur plan vjetor për mbeshtetje financiare të OJQ-ve, vonesa në pagesën e faturave në vlerë 93,929€, shpenzime të larta procedurale të pagesave të ekzekutuara sipas vendimeve gjyqësore… Vushtrria për fat të keq nuk ka kryetar, e për këtë arsye nuk ka as menaxhim e nuk ka as projekte. Kryetari Idrizi premtoi shumë, por premtimet e tij po dalin vetëm mashtrime”, tha ai.

    Projektet që sipas LDK-së janë gjetur mangësi në Komunën e Vushtrrisë nga auditori i Përgjithshëm janë:Kontrata “Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica në Vushtrri” në vlerë 1 milion e 49 mijë e 680 euro, Kontrata “Ndërtimi i trotuarit në fshatin Stanoc i Epërme Faza II” në vlerë 10 mijë e 869 euro, Kontrata “Ndërtimi dhe rregullimi i parqeve dhe shesheve në 6 fshatra” vlerë 89 mijë 236 euro, Kontrata “Furnizimi me aparaturë për kinema për funksionalizimin në qendrën e kulturës” vlerë 46 mijë e 757 euro si dhe Kontrata “Renovimi i Palestrës Jeton Terstena” Ritender e vitit 2022 në vlerë 114 mijë e 900 euro.

  • Hoti: Gjendja kritike në raportet me SHBA, sot ka më pak sovranitet në veri

    Hoti: Gjendja kritike në raportet me SHBA, sot ka më pak sovranitet në veri

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti II ka humbur sovraniteti në veri të Kosovës. Ai ka paralajmëruar se me këtë sjellje të kryeministrit, vendi mund të vijë në një situatë kur në veri, rendi dhe ligji të vendoset nga KFOR-i dhe EULEX-i, e jo nga Policia e Kosovës.

    Ai thotë se në 30 vite të përpjekjeve të shqiptareve për shtet të pavarur dhe 15 vite pas pavarësisë, kurrë nuk ka pas një komunikim të tillë mes Qeverisë Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-së, me ç’rast thekson se gjendja është kritike.

    Hoti u shpreh se veprimet sado të drejta të jenë duhet të bëhen në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

    “Vijnë emisarët amerikanë në Kosovë dhe thonë qartë që ata janë mbrojtës të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, dhe kërkesat që kanë karshi Kosovës për themelim të Asociacionit, e thonë qartë se nuk është kërkesë e tyre që duhet të bihet ndesh me kushtetutën e Kosovës. Janë edhe marrëveshjet paraprake, e vitit 2015 në veçanti, që krijon siguri Qeverisë së Kosovës për të lëvizur përpara në përputhje më këshillat e partnerëve, por kam përshtypjen se situata ka shkuar shumë larg. Veprimet e njëanshme, pavarësisht se janë të drejta, sepse ne kemi të drejtë legjitime si shtet sovran të vendosim ligjin dhe rendin në çdo pjesë të Kosovës, por këtë ne mund ta bëjmë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, të shohim çfarë humbim dhe çfarë fitojmë nga veprimet e njëanshme. E vërteta është që asnjëherë nuk ka pasur më pak sovranitet të shtrirë në veri të Kosovës sesa në këtë qeveri”, deklaroi Hoti për KosovaPress.

    Hoti thotë i druhet edhe një situate tjetër kur KFOR-i dhe EULEX-i të kujdesen për rendin dhe ligjin në veri të vendit. Sipas tij, kjo do të ishte e rëndë.

    Ai kërkon që të gjitha komunitetet të përfshihen brenda strukturave të Republikës së Kosovës përmes politikave të mençura dhe jo duke përdorur dhunë.

    “Unë i druhem edhe një situate tjetër, me këto veprime të pamatura të Qeverisë së Kosovës, kam frikë që mund të vijmë në situatën kur në atë pjesë të vendit rendi dhe ligji të vendoset nga KFOR-i dhe EULEX-i, ne nuk e duam atë. Kemi punuar shumë në pavarësinë e mbikëqyrur, në partneritet të ngushtë me miq tanë ndërkombëtarë duke shtrirë hap pas hapi sovranitetin tonë në atë pjesë të vendit. Të jetë NATO në Kosovë përmes KFOR-it, si mbrojtës i rendit, i sigurisë kombëtare, për gjitha çështjet t’i marrim përsipër, ta forcojmë policinë tonë, FSK-në dhe gradualisht t’i integrojmë të gjitha komunitetet brenda strukturave të rendit, të sigurisë, të ushtrisë së Kosovës, sepse ne jemi shumicë në këtë vend, shqiptarët janë shumicë, ne kemi përgjegjësi t’i integrojmë të gjitha komunitetet, jo me dhunë. Ne duhet të bëjmë politikë shumë më të mençur, të koordinohemi me partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që ta amortizojmë këtë ndikim, dhe gradualisht t’i përfshijmë komunitetin serb brenda institucioneve”, shton Hoti.

    Hoti u shpreh për KosovaPress se Kurti në dy vitet e fundit ka sjellë një komunikim të vështirë me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe gjendja është kritike.

    “Në dy vitet e qeverisjes ka pas momente të vështira të komunikimit të tyre me aleatin kryesor, me SHBA-të. Kemi pas rastin kur janë anuluar vizitat e ministrave, kemi pas situata kur kryeministri ka qëndruar tre javë atje dhe nuk e ka takuar askush, dhe situata të ndryshme të problemeve në bashkëpunim, për shkak të sjelljeve të Qeverisë së Kosovës, por që vjen deri në këtë pikë nuk e kam imagjinuar. Të vijnë deri në pikën që zyrtarë shumë të lartë amerikanë, nga Sekretari i shtetit (Blinken) e poshtë, hierarkia e Departamentit të Shtetit, ta thonë qartë se Kosova nuk po i ndjek këshillat e partnerit kryesor, është duke i cenuar marrëdhëniet mes dy vendeve, kjo situatë është e paimagjinueshme. Në 30 vite të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe 15 vite pas pavarësisë, kurrë nuk ka pas një komunikim të tillë mes Qeverisë Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve. Gjendja është kritike”, vijon Hoti.

    Pezullimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” për Hotin është një mesazh ogurzi për Republikën.

    “Më vjen keq që gjithë ata ushtarë të FSK-së e kanë pas ëndërr me qenë pjesë e ushtrimit ‘Defender 2023’, të përjashtohen nga ky ushtrim. Ka qenë ndër momentet më të mira të qeverisjes time, sa kam qenë kryeministër kur patëm marrë ftesën që shumë pak ushtarë të FSK-së t’i bashkohen ushtrisë amerikane në misionin paqeruajtëse dhe gjithë Kosova e ka festuar si një arritje të madhe. Ndërkaq, sot pas dy viteve të merret vendimi që Kosova të përjashtohet nga ushtrimi i NATO-s, ku Amerika është kryesore, është shenjë dhe mesazh ogurzi për shtetin e Kosovës”, përfundon Hoti për KosovaPress.

    Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës. Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar 6 policë dhe 30 pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.