ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse për shefin e EULEX-it, Wigermark

    Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse për shefin e EULEX-it, Wigermark

    “Mënyra më e përshtatshme që një qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme. Dhe gjithashtu, komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Wigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”,kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë në pritjen lamtumirëse për nder të shefit të EULEX-it, z. Lars Gunnar Wigermark, në përfundim të mandatit të tij.

    Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën e tij në krye të kësaj organizate, kryeministri tha se qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë. Përkundrazi, është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre.

    Sipas kryeministrit Kurti, sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit.

    Megjithatë, kryeministri Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht. Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi.

    Kryeministri përmbylli fjalën e tij duke ngritur një dolli për ambasadorin Wigemark për gjithçka që ai ka bërë për vendin tonë dhe popullin tonë, duke shpresuar që Ambasadori Lars, të vijë e ta vizitojë Kosovën sa më shpejtë dhe aq shpesh sa e lejojnë angazhimet e tij të ardhshme.

  • Dënohet me 11 vjet burgim njëri i akuzuar për vrasjen e rëndë në Lipjan, tjetri lirohet nga akuza

    Dënohet me 11 vjet burgim njëri i akuzuar për vrasjen e rëndë në Lipjan, tjetri lirohet nga akuza

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, duke e dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim lidhur me akuzën se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit, ka privuar nga jeta tani të ndjerin U.D. Kurse, të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata e liroi nga akuza.

    Aktgjykimin ndaj dy të akuzuarve u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Besnik Bedrolli shpallet fajtor dhe nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor dhe vërejtjet në dy vendimet paraprake të Gjykatës së Apelit, ka nxjerrë përfundimin se për veprën penale nga dispozitivi 1, dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh. Kurse, për veprën penale nga dispozitivi 2 të armëmbajtjes pa leje, dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 4 muaj.

    Ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, gjykata shpalli dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    Të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 15 shkurti 2015.

    Po ashtu, gjykata konfiskon armën (pistoletën), me të cilën është kryer vepra penale.

    I akuzuari Besnik, obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës, të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 200 eurove, ndërsa për kompensimin e viktimave të krimit, shumën 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Sa i përket të akuzuarit Bajram Bedrolli, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe vërejtjet dhe konkludimet e Gjykatës së Apelit, gjykata nuk ka vërtetuar se i njëjti dhënë kontribut në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerit. Andaj, të njëjtin përkitazi me këto veprime e liron nga akuza.

    Po ashtu, gjykata nuk ka arritur të vërtetojë me asnjë provë se i akuzuari ka kryer veprën penale të “Mbajtjes në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Kurse, sa i përket veprimeve të tani të akuzuarve Bajram dhe Bedri Bedrolli, në drejtim të lëndimeve të lehta trupore të shkaktuara ndaj të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi, gjykata konstaton se tani këto veprime inkriminuese janë parashkruar.

    Të dëmtuarit lidhur me kërkesën pasurore-juridike, udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Ndryshe, për këtë rast është vendosur dy herë, herën e parë Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.

    Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.

    Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 të akuzuarin Besnik Bedrolli për veprën penale “Vrasje e rëndë” e kishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Të njëjtit, gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.

    Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.

    “Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360, gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, kishte thënë gjykatësja Krasniqi- Jashanica.

    Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj. Pas ankesës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 11 marsit 2021, e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

    Këtë vendim, Apeli e ka marrë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, i njëjti nuk është i përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 370, par. 7 të KPPK-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin U. D.

    Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tani të ndjerin D. dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të D. katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

    Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit me veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal.

  • Nis seanca ku pritet të shqyrtohet Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme

    Nis seanca ku pritet të shqyrtohet Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme

    Pas 30 minuta vonesë, në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca plenare në të cilën pritet të shqyrtohet vetëm Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

    Pas kësaj seance, do të vazhdojë seanca e radhës e cila në rend dite ka gjithsej 22 pika, ndër to edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.

    Po ashtu, në seancën e dytë të Kuvendit të Kosovës do të shqyrtohen edhe projekt Deklarata për antisemitizmin, shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, për zgjatjen e mandatit, votimi për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-192 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-176 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative.

    Kuvendi i Kosovës edhe gjatë ditës së djeshme ka mbajtur seancë plenare në të cilën janë shqyrtuar pikat e papërfunduara nga seancat e muajit shkurt, mars, prill e maj.

  • Szunyog takon Komisionin për Integrim Evropian, ripërsërit thirrjen për kthim në dialog

    Szunyog takon Komisionin për Integrim Evropian, ripërsërit thirrjen për kthim në dialog

    Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës të ketë prioritet reformat në lidhje me BE-në.

    “Diskutuan me Komisionin për Integrim në BE për progresin e Kosovës drejt BE-së dhe i bëmë thirrje Kuvendit që të ketë prioritet reformat në lidhje me BE-në”, ka shkruar ai në Twitter.

    Po ashtu diplomati i BE-së, njoftoi se kanë diskutuar edhe për situatën në veri dhe kam ripërsëritur thirrjen për kthim në dialog.

  • Rusia sulmon Hersonin, vazhdojnë operacionet e shpëtimit në zonat e vërshuara të Ukrainës

    Rusia sulmon Hersonin, vazhdojnë operacionet e shpëtimit në zonat e vërshuara të Ukrainës

    Ekipet ukrainase të shpëtimit janë duke vazhduar tentimet e tyre për t’i shpëtuar mijëra njerëzit e bllokuar nga vërshimet e shkaktuara pas shkatërrimit të një dige të madhe në lumin Dnjepër në pjesën jugore të Ukrainës.

    Rreziqet janë shtuar shkaku i bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse nga ana tjetër e lumit dhe nga minat e zhvendosura shkaku i vërshimeve.

    Oleksandr Prokudin, kryetar i rajonit të Hersonit, tha më 8 qershor se niveli i ujit është pothuajse gjashtë metra dhe një hapësirë prej 600 kilometrash katrorë është nën ujë – pjesa më e madhe e kësaj hapësire ndodhet në bregun e majtë të lumit Dnjepër, në hapësirën e pushtuar nga Rusia.

    “Këtë mëngjes, niveli mesatar i ujit është 5.61 metra. Rreth 600 kilometra katrorë është nën ujë, prej yre 32 për qind në bregun e djathtë

    dhe 68 për qind në bregun e majtë [të kontrolluar nga Rusia]”, tha Prokudin në një video-mesazh.

    Ai tha se deri në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale, pothuajse 2.000 njerëz janë shpëtuar nga zonat e rrezikuara, shumica prej tyre nga zona Korabel e Hersonit.

    Forcat ruse kanë vazhduar ta sulmojnë Hersonin dhe zonat përreth lumit Dnjepër, përkundër vërshimeve masive të shkaktuara nga shkatërrimi i digës Nova Kahovka, tha Natalya Humenyuk, kreu i Qendrës së Bashkuar për Koordinimin e Shtypit të Forcat Jugore të Mbrojtjes, më 8 qershor.

    “Për shkak të rritjes së vazhdueshme të nivelit të ujit, armiku u detyrua të tërhiqet 5 -15 kilometra prapa nga pozitat e tyre paraprake dhe bombardimet nuk janë aq intensive tani. Por, rajoni Beryslavskiy (në lindje të Hersonit) vazhdon të jetë cak i bombardimeve”, tha Humenyuk për televizionin ukrainas.

    Humenyuk gjithashtu tha se forcat ruse prishën linjat e komunikimit në zonën gjatë kohës së shpërthimit të supozuar me qëllimin për ta fshehur atë dhe se disa trupa të saj mund të jenë lënë të mbyten ose izolohen në kulme të ndërtesave. Pretendimet e saj nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

    Gjatë intervistave të dhëna për media amerikane dhe gjermane, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ai ishte i shokuar nga ajo që e quajti dështim të Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq për të ofruar ndihmë emergjente. Por, ai shtoi se ushtarët rusë ishin duke gjuajtur nga distanca, përderisa tentimet për shpëtim po vazhdonin.

    Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi prishjen e digës, por Zelensky përsëriti qëndrimin e tij se shkatërrimi u bë nga forcat ruse qëllimshëm. Në anën tjetër, Rusia e ka fajësuar Kievin zyrtar për sulmin ndaj digës.

    “Situata në pjesët e pushtuara të rajonit të Hersonit është absolutisht katastrofike”, tha ai në Twitter. “Pushtuesit thjesht i braktisën njerëzit në ato kushte të tmerrshme – pa shpëtim, pa ujë, thjesht në kulmet e ndërtesave në komunitetet e përmbytura”.

    Qindra mijëra njerëz janë lënë pa qasje normale në ujë pijshëm, tha ai, duke shtuar se këtu përfshihen edhe shërbimet ukrainase, që mund të ndihmojnë vetëm në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi më 7 qershor Ukrainën për shkatërrimin e digës, duke sugjeruar se Perëndimi e ndihmoi atë, përkundër që diga ishte nën kontrollin e Rusisë kur u shkatërrua.

    Në pjesën e pushtuar nga Rusia, rreth 14.000 shtëpi janë përmbytur dhe 4.300 njerëz janë evakuuar, thanë shërbimet e sigurisë të Rusisë më 8 qershor, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.

    Kryqi i Kuq paralajmëroi se vërshimet mund të kenë efekte të tmerrshme në tentimet për gjetjen e minave që mund të jenë vendosur në këtë zonë.

    “Ne e dinim se ku ishte rreziku”, tha Eric Tollefsen, kreu i Njësisë për Kontaminimin e Armëve në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. “Tani ne nuk e dimë. E gjitha që dimë është se janë diku në rrjedhën e ujit”.

    Minat e zhvendosura të transportuara nga uji mund të rrezikojnë seriozisht banorët lokalë dhe ekipet e shpëtimit, tha Tollefsen.

    Diga Nova Kahovka, që është 30 metra e gjatë dhe 3.2 kilometra e gjatë, është rrugë kyçe për transport dhe ujitje, si dhe për furnizimin me ujë të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe centralit bërthamor në Zaporizhja.

    Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) tha se përderisa niveli i ujit kishte rënë në pellgjet kyçe për ftohjen e reaktorëve bërthamorë të centralit, “opsionet rezervë janë në dispozicion” dhe se “nuk ka rreziqe afat-shkurtër për sigurinë bërthamore”.

    Por, drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, u shpreh i shqetësuar për situatën në javët e ardhshme në një intervistë për Sky News, ku tha se “në rastin më të keq pa ftohje” ka rrezik për një aksident me pasoja tragjike për ambientin.

    Situata është serioze, tha ai, sepse një central bërthamor ka nevojë për garanci kur vjen puna te uji për ftohjen e reaktorëve.

    Shkatërrimi i digës erdhi në një kohë kur Ukraina po përgatitjet për një kundërofensivë të shumëpritur për t’i rimarrë rajonet e pushtuara nga Rusia që nga pushtimi që nisi në shkurt të vitit të kaluar.

    Zëvendësministri i Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha më 7 qershor se forcat ukrainase kanë nisur ofensivën në Bahmut, epiqendrën e sulmeve disamujore, duke avancuar për rreth 1.1 kilometra – avancimin e parë të trupave ukrainase në këtë zonë, pas një periudhe të gjatë në mbrojtje.

    Më 8 qershor, Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se forcat e Kievit i kanë zmbrapsur disa tentime të Rusisë për të rimarrë territoret e humbura përreth Bahmutit.

    Trupat ruse gjithashtu tentuan pa sukses të avancojnë në drejtim të qyteteve Marijinka dhe Avdijivka të Donjeckut, 150 kilometra në jug të Bahmutit, thuhet në raportin e Stafit të Përgjithshëm.

  • Oda Amerikane: Qeveria e Kosovës të demonstrojë përkushtimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë

    Oda Amerikane: Qeveria e Kosovës të demonstrojë përkushtimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë

    Zgjidhja e tensioneve dhe nxitja e një mjedisi paqësor dhe stabil janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të favorshëm afarist që mund të tërheqë investime dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë.

    Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj për zhvillimet e fundit dhe mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në.

    Oda Amerikane dëshiron të përsërisë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një mbështetëse e palëkundur e pavarësisë së Kosovës dhe kanë luajtur një rol kyç në krijimin e saj si shtet sovran. Përmes përpjekjeve diplomatike, SHBA-ja ka avokuar vazhdimisht për njohjen e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, duke promovuar integrimin e saj në institucionet globale dhe duke nxitur zhvillimin e saj ekonomik dhe politik.

    Po ashtu, SHBA-ja ka qenë një partner jetik në avancimin e aspiratave të Kosovës për integrim evropian, duke avokuar për liberalizimin e vizave dhe duke mbështetur përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. SHBA është tregu numër një në botë për produktet e Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, shumë kompani amerikane kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit në sektorë si ndërtimi dhe patundshmëria, energjia, shëndetësia dhe teknologjia informative. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të ofrojë mbështetje direkte financiare për Kosovën përmes Agjencisë së saj për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

    Në mënyrë të ngjashme, Bashkimi Evropian luan një rol vendimtar në mbështetjen e zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës, duke ofruar ndihmë financiare, ekspertizë teknike dhe udhëzime për reforma në sektorë të ndryshëm. Qasja në fondet dhe programet e BE-së lehtëson zhvillimin e infrastrukturës, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

    Prandaj, duke marrë parasysh ndikimin që ka situata aktuale në zhvillimet socio-ekonomike në përgjithësi, dhe në sektorin privat dhe përpjekjet për tërheqjen e investimeve në veçanti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë t’i marrë parasysh thirrjet nga SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

  • Serbët vazhdojnë protestat para objekteve komunale në veri

    Serbët vazhdojnë protestat para objekteve komunale në veri

    Protestuesit serbë edhe sot kanë vazhduar tubimet e tyre para objekteve komunale në tre komunat veriore të vendit.

    Autoblindat e Policisë së Kosovës në Zveçan dhe Leposaviq, për dallim nga ditët e mëhershme, kanë lëvizur dhe janë vendosur prapa ndërtesave të këtyre komunave.

    Nuk dihet arsyeja e ndërrimit të lokacionit të këtyre autoblindave dhe nëse ato sot do të lëvizin në drejtim të Mitrovicës.

    Ushtarët e KFOR-it po vazhdojnë të qëndrojnë para objekteve komunale, ndërkohë që situata aktuale konsiderohet të jetë e qetë.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

  • Lansohet fushata “Një robot për çdo fëmijë”

    Lansohet fushata “Një robot për çdo fëmijë”

    Para pak ditëve ka filluar kampanja “Një robot për çdo fëmijë”, e cila për qëllim ka grumbullimin e mjeteve të nevojshme, për furnizim me robot edukativ nëpër shkolla.

    Elza Krelani nga Kosova Makers League e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur rreth kësaj fushate, e cila filloi para një jave.

    Ajo tha se në rreth 25 për qind të shkollave publike në Kosovë janë shpërndarë robota edukativ.

    “Kampanja ka filluar tash e një javë dhe do të vazhdojë deri më 15 korrik. Kjo kampanjë është hapur për arsye se Kosova Makers League garën më të madhe robotike në Kosovë, ku deri tash kemi shpërndarë dy mijë e 100 robota edukativ në shkollat publike të Kosovës dhe kemi arritur me i përfshi 25 për qind të totalit të shkollave publike të vendit tonë. Duke qenë se funksion Kosova Makers League me donacion dhe janë të pakta dhe nuk arrijnë që me I përfshi shkollat e tjera publike, për këtë arsye kemi hapur kampanjën në mënyrë që të mblidhen fonde për të siguruar 908 robot, të cilët do të shpërndahet në 207 shkolla, që të përmbushet edhe pjesa tjetër 25 përqindjes, që të arrihet pra, 50 për qind e shkollave publike, të jenë të furnizuara me këta robot”, tha ajo.

    Tutje ajo përmendi edhe qëllimin që e ka kjo fushatë.

    “Digjitalizimi është shumë i rëndësishëm nëpër shkolla dhe ky është qëllimi i Kosova Makers League. Ne kemi shkolla të cilat funksionojnë shumë larg digjitalizimit dhe ne kemi synim përdorimi i pajisjeve për zhvillimin e shkathtësive të fëmijëve”, shtoi ajo./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • I dyshuari në gjendje të dehur e sulmon me thikë një person në Rahovec

    I dyshuari në gjendje të dehur e sulmon me thikë një person në Rahovec

    Është arrestuar një person në fshatin Sarosh të Rahovecit pasi dyshohet se në gjendje të dehur e ka sulmuar me thikë një person tjetër.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR- Sarosh, Rahovec 07.06.2023 – 00:47. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur ka sulmuar me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

  • Theret një person në Ferizaj

    Theret një person në Ferizaj

    Të mërkurën në orën 15:15, një burrë është therur me thikë nga një person i panjohur në Ferizaj.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, njofton Klan Kosova.

    “Viktima mashkull kosovar ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ishte i therur me një mjet të mprehtë nga një person i panjohur. Viktima është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.