ATV

Category: Lajme

  • Blinken: Një kundërsulm i suksesshëm ukrainas do ta detyrojë Putinin të negociojë

    Blinken: Një kundërsulm i suksesshëm ukrainas do ta detyrojë Putinin të negociojë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se shpreson që një ofensivë e suksesshme nga Ukraina do ta detyrojë presidentin rus, Vladimir Putin, të pajtohej për bisedime për përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës.

    Duke folur gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij italian, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “të bindura se ata do të vazhdojnë të kenë sukses” pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, la të kuptohet se kundërofensiva ukrainase po zhvillohet.

    “Suksesi në kundërofensivë do të bënte dy gjëra: do të forconte pozicionin e saj [Ukrainës] në çdo tavolinë negociuese që do të mund të organizohej dhe mund të ketë efektin që në fakt të detyrojë Putinin që më në fund të përqendrohet në negociata për t’i dhënë fund luftës që ai nisi”, tha Blinken.

    “Në këtë kuptim, mund ta sjellë më afër paqen, jo ta largojë arritjen e saj”, tha Blinken gjatë konferencës për media me kryediplomatin italian, Antonio Tajani.

    Blinken tha se ofensiva ka treguar nevojën për të “maksimizuar mbështetjen tonë për Ukrainën tani, në mënyrë që ajo të mund të ketë sukses në fushëbetejë”.

    Rusia publikisht ka mbështetur organizimin e negociatave, me Kinën si ndërmjetësuese.

    Shtetet e Bashkuara janë shprehur skeptike për përpjekje të tilla, duke thënë se Rusia nuk është serioze për negociata dhe vetëm i intereson vetëm të shfajësojë veten për pushtimin.

    Paqja duhet të jetë “e drejtë dhe e qëndrueshme”, tha Blinken.

    Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Ukraina pretendoi se pas nisjes së kundërofensivës, më 12 qershor kishte arritur të çlironte katër vendbanime në rajonin lindor të Donjeckut./REL

  • Në fshatin Shkabaj, asnjë vendkalim për këmbësor

    Në fshatin Shkabaj, asnjë vendkalim për këmbësor

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI 

    Banorët e fshatit Shkabaj, të komunës së Obiliqit, nuk kanë vendkalime. Për të kaluar në anën tjetër të rrugës duhet të kalojnë mbi barrierat e vendosura në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë. Ndonëse, policia ka shqiptuar gjoba për tejkalim të shpejtësisë në këtë pjesë, një gjë e tillë nuk ka ndikuar në vetëdijesimin e shoferëve.

    Vetëm në 5-mujorin e parë të këtij viti, në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 1 mijë gjoba për mosrespektim të shpejtësisë.

    Sa u përket gjobave të shqiptuara, në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në periudhën kohore Janar-Maj 2023, janë shqiptuar gjithsej 1107 gjoba, shumica nga këto gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë.

    Por as këto gjoba nuk ndikuan që ngasësit e veturave të ngasin në bazë të shenjave të vendosura në këtë rrugë nacionale.

    Efekt.. shpejtësia

    Kurse, mespërmes veturave që kalojnë shpejtësinë maksimale të lejuar, banorët e fshatit Shkabaj detyrohen ta kalojnë rrugën, sepse aty nuk ka asnjë vendkalim për këmbësorë.

    Banorët e fshatit Shkabaj, të komunës së Obiliqit, në mungesë të vendkalimeve për këmbësorë, kanë filluar që në rrugën nacionale, në mes të barrierave, të vendosin paleta për të kaluar më lehtë në anën tjetër të rrugës.

    Mungesa e vendkalimeve, sipas njohësve të komunikacionit lidhet me mosplanifikimin e duhur nga ana e institucioneve kompetente.

    Kemi shumë pak, një numër tepër simbolik, që nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve dhe si pasojë e kësaj, kemi pasur edhe jetë të humbura të qytetarëve. Ka pasur anomali që nga fillimi kur kanë mendu prej dy korsive me i bë katër. Tash nuk po e dimë a janë parapa, apo nuk janë parapa fare ato.

    Pikërisht në vendin e njëjtë, vitin e kaluar, si pasojë e aksidenteve kanë humbur jetën dy këmbësorë.

    Për mungesën e vendkalimeve për këmbësorë nëpër këtë rrugë nacionale, ATV-ja ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës, por askush nga kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

     

  • Nuk u kompensuan për dëmet nga përmbytjet, shqiptarë, serbë e boshnjakë protestojnë në Mitrovicë të Veriut

    Nuk u kompensuan për dëmet nga përmbytjet, shqiptarë, serbë e boshnjakë protestojnë në Mitrovicë të Veriut

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Dhjetëra protestues shqiptarë, serbë e boshnjakë protestuan sot para objektit të komunës në Mitrovicë të Veriut, për shkak se nuk u kompensuan për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, që ndodhën në janar të këtij viti. Ata u pritën në komunë, por u tha se faji nuk qëndron në Komunë, por te niveli qendror. Kështu protestën thonë se do ta vazhdojnë nesër, dhe derisa të kompensohen për dëmet.

    Një hall i vetëm, i bëri bashkë qytetarët e tri etnive, shqiptar, serb e boshnjak, të cilët të organizuar ia zunë derën komunës së Mitrovicës së veriut.

    Ata po kërkojnë kompensim për dëmet që iu shkaktuan nga përmbytjet në janar të këtij viti.

    Deri tash thonë se nuk kanë marrë asnjë cent, përkundër se dëmet thonë se i kishin të mëdha.

    “Nuk kemi as ku të rrimë, as kur të flemë. As Qeveria e as këta në komunë nuk na kanë marrë parasysh. Neve qitu na ka ardhë shpirti, edhe sot e kemi nijet me dal në protestë paqësore, në qoftë se nuk ndërmarrin diçka, ka me qenë krejt tjetër protestë, kemi me blloku rrugën”.

    “Kemi dalë me protestu, sepse nga janari ne nuk kemi ku te qëndrojmë e as ku të flemë. Shtëpitë na janë dëmtuar”.

    “Prej që na ka marrë uji flemë në qebe e patos, kjo është marre”.

    Përreth një orë, këta dhjetëra protestues qëndruan para komunës pa dalë kush të flasë me ta, derisa dikur u ftuan brenda që të bisedojnë.

    Por nga aty dolën edhe më të nervozuar.

    Kryetari i ri, Erden Atiq, nuk u pa fare jashtë komunës, por një përgjigje lidhur kompensimin e dëmeve nga përmbytjet e dha zëvendëskryesuesi i asamblesë komunale në këtë komunë, Skender Sadiku.

    “Ne si asamble i kemi nda diku 300 mijë euro. Është votuar, ka ardhur edhe ekzekutivi dhe besoj që shumë shpejt do të finalizohen dhe besoj që edhe ky do të jetë një presion kushtimisht pozitiv i banorëve, sepse vërtet këta janë në telashe.

    Ani pse faji thonë se rëndon mbi qeverinë, protesta do të vazhdojë edhe nesër në të njëjtin vend.

  • Shkollat në pushim për ditën e çlirimit të Kosovës

    Shkollat në pushim për ditën e çlirimit të Kosovës

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    E hëna ishte ditë pushimi për nxënësit dhe mësimdhënësit në gjithë vendin. Ndonëse 12 qershori nuk figuron në kalendarin e festave zyrtare, kjo rregullohet për sistemin arsimor përmes kalendarit shkollor.

    Ashtu sikurse shkolla e mesme “Xhevdet Doda”, edhe të gjitha shkollat e tjera të vendit të hënën e kishin pushim.

    “Për Ditën e Çlirimit të Kosovës, sipas kalendarit shkollor të Ministrisë së Arsimit, është paraparë që në të gjitha shkollat e vendit të jetë pushim”.

    Por për dallim nga nxënësit dhe mësimdhënësit, pushim nuk patën zyrtarët në  institucionet e tjera shtetërore, pasi një gjë të tillë nuk e parasheh kalendari i festave zyrtare.

    Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, thotë se 12 qershori është ditë pushimi me vendim të Ministrisë së Arsimit.

    “Nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës për çdo vit më 12 qershor kanë pushim. Kjo ditë është në kalendarin e festave, është urdhër dhe duhet të respektohet gjithmonë kjo ditë, sepse na obligon vetë Ministria e Arsimit”.

    Megjithatë, ai thotë se festat zyrtare nuk ndikojnë negativisht në plan-programin mësimor.

    “Kjo është e paraparë edhe për përgatitjet e plan-programeve mësimore, që janë dhe parashihet të jetë festë dhe nuk parashihet që të punohet”.

    Ndryshe, janë 13 festa që bëjnë pjesë në kalendarin shkollor të Ministrisë së Arsimit.

     

     

  • “Padëgjueshmëria” dhe miliardat e SHBA-së e të BE-së për Kosovën!

    “Padëgjueshmëria” dhe miliardat e SHBA-së e të BE-së për Kosovën!

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, nuk është i lumtur me rezultatet nga misioni për shtensionim në Prishtinë dhe Beograd, ndonëse pa disa sinjale pozitive. Në kohën kur përmenden, pasoja të tjera eventuale për Kosovën, në rast të pa-dëgjueshmërisë, partnerët përmendin se ato mund të jenë financiare. Krahas miliardave ndër vite, Kosova ka në proces investime e projekte qindra-milionëshe me SHBA-në e BE-në.

    “Tensionet mbeten ende të larta”, shkroi përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, teksa njoftoi se përkundër disa sinjaleve pozitive, priste më shumë rezultat nga vizitat në Prishtinë dhe në Beograd.

    Krahas raportimit te vendet anëtare të BE-së për vizitën e përbashkët me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan, Gabriel Escobar, emisari Miroslav Lajcak theksoi se po vazhdojnë përpjekjet për mundësimin e një zgjidhjeje politike për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

    Në rast dështimi për shtensionim dhe për të lëvizur përpara në zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës, as BE-ja e as SHBA-ja nuk kanë përjashtuar pasoja të reja për Kosovën.

    Referuar ndëshkimeve eventuale, pa dhënë detaje dhe pa përmendur projekte, të martën, Escobar theksoi se pasojat mund të jenë kryesisht financiare.

    BE-ja dhe SHBA-ja janë donatorët kryesorë të projekteve, në sektorë të ndryshëm në Kosovë.

    Sipas të dhënave të BE-së, në periudhën 2007-2020, ata kanë investuar më shumë se 1.5 miliard euro në Kosovë – në projekte të ndryshme në rindërtim, reformë të administratës publike, sundim të ligjit, ekonomi, arsim, bujqësi etj.

    Para tre javësh, në lansimin e një projekti për rritjen e kapaciteteve të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar, Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tregoi se vlera e investimeve nga viti 2021 dhe e mjeteve të mobilizuara nga BE-ja për Kosovën është afër 1 miliardë euro.

    “Që nga viti 2021, veçse kemi ndarë 312 milionë euro grante këtij vendi dhe kemi mobilizuar 635 milionë euro për investime, përmes mjeteve tona, përmes planit ekonomik-investiv në Kosovë”.

    Në mesin e këtyre mjeteve përfshihen më shumë se 62 milionë euro në kuadër të programit IPA III, të miratuara vitin e kaluar – për mjedis, energji të gjelbër, politika të përafrimit, të drejtat e njeriut, zhvillim socio-ekonomik etj.

    Përtej fondeve IPA, dimrin që shkoi BE-ja i dha Kosovës donacion në vlerë 75 milionë euro për përballimin e krizës energjetike dhe për efiçiencë të energjisë.

    Projekti më i madh me amerikanët, i nënshkruar vitin e kaluar, është ai me MCC-në në kuadër të programit “Compact”, prej nga Kosova përfiton donacionin në vlerë 202 milionë dollarë, për investime në akumulimin e energjisë elektrike.

    Projekt tjetër i rëndësishëm është ai në vlerë 75 milionë euro, për parkun solar, bashkëpunim i Qeverisë dhe agjencisë amerikane USAID.

    Pos këtyre, BE-ja dhe SHBA-ja janë të përfshirë edhe në projekte të nivelit lokal.

     

  • 4200 trupa të KFOR-it në Kosovë

    4200 trupa të KFOR-it në Kosovë

    PËRGATITI: ARMAND HOTI 

    Misionin e tij për ruajtjen e paqes në Kosovë e filloi në vitin 1999. Atë kohë, KFOR-i dislokoi 50.000 mijë trupa në Kosovë, ndërsa tani numëron mbi 4.200. Ndërkaq, vendet e vetme me mision paqeruajtës në Ballkanin Perëndimor janë Kosova dhe Bosnja. Sipas diplomatëve amerikanë, kjo ndodh pasi këto dy vende janë sfiduese në aspektin e pajtimeve etnike.

    Me mandat të qartë që buron nga Rezoluta 1244, e cila mes tjerash e obligon KFOR-in për ruajtjen e paqes dhe rendit, në vitin 1999 në tokën kosovare dislokuan 50.000 trupa të KFOR-it.

    Megjithatë, ndër vite numri i lartcekur pësoi rënie.

    Referuar të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të NATO-s, pas ardhjes së ushtarëve nga Turqia, si rezultat i tensioneve në veri, KFOR-i tani numëron mbi 4200 trupa në Kosovë.

    Forcat e KFOR-it, me mision paqeruajtës, janë të vendosura në dy shtete në Ballkanin Perëndimor: Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    Zëvendës-ndihmës-sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, jep sqarimin se pse këto dy shtete vazhdojnë të kenë misione paqeruajtëse.

    Trupat paqeruajtëse ndodhen si këtu, ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë, dy vende që janë më sfidueset sa u përket pajtimeve etnike.

    Ndërkaq, zona ku KFOR-i ka qenë më aktiv së fundmi, është veriu i Kosovës.

    Gjatë protestave të fundit në tri komunat veriore të banuara me shumicë serbe, rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan pas përleshjeve që patën me protestues në Zveçan.

     

  • Takimi i përbashkët i Grupit punues në mes të Kosovës dhe Këshillit të Evropës zhvillohet të martën

    Takimi i përbashkët i Grupit punues në mes të Kosovës dhe Këshillit të Evropës zhvillohet të martën

    Të martën e 13 qershorit do të mbahet takimi i përbashkët i Grupit punues në mes të përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve nga Këshilli i Evropës.

    Takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, mëngjesin e së martës.

    Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, ministria e Punëve të Jashtme.

    “Në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nesër mbahet takimi i përbashkët i Grupit Punues në mes të përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve nga Këshilli i Evropës”.

    Takimi do të hapet nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe Claus Neukrich nga Këshilli i Evropës.

  • Qetë në Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq

    Qetë në Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq

    Protesta e të hënës ka vazhduar e qetë në tri komunat veriore ku po protestohet tash e dy javë.

    Teve1 raporton se në komunat Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, protestuesit të hënën kanë qenë në numër të vogël, derisa shtoi se edhe trupat e KFOR-it janë reduktuar krahasuar me ditët e para të protestës.

    Protestuesit po qëndrojnë nëpër rrugët e tri komunave, ku kanë vendosur edhe tenda të ndryshme, mirëpo që nuk kanë bërë ndonjë veprim fizik.

    Protesta ka filluar më 26 maj 2023, kur për herë të parë dolën në punë tre kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat me shumicë serbe.

    Qytetarët e këtyre komunave e kundërshtuan udhëheqjen e komunave nga kryetarët shqiptarë, duke i sulmuar dhe përleshur disa ditë me radhë me pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në tentim për të hyrë në objektet komunale.

  • Kurti në Pediatri s’flet për politikë, përuron rezonancën – zotohet për investime të reja

    Kurti në Pediatri s’flet për politikë, përuron rezonancën – zotohet për investime të reja

    Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë përuruar rezonancën në Spitalin e Pediatrisë në QKUK, raporton Ekonomia Online.

    Kurti me këtë rast tha se kjo rezonancë është në vlerë mbi 1 milion euro dhe së është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Edhe pse gazetarët insistuan që të marrin një qëndrim prej tij për zhvillimet politike në vend ai nuk u përgjigje e vetëm shtoi se në vjeshtë edhe spitali i Prizrenit do të bëhet me rezonancë magnetike.

    “Pas funksionalizmit të rezonancës magnetike më spitalin e Pejës, po e bëjmë këtë edhe në spitalin Pediatrik këtu në QKUK. Ndërkaq në vjeshtë do ta kemi edhe rezonancën magnetike në spitalin e Prizrenit. Në njërën anë ne dëshirojmë që të kemi sa më shumë decentralizim të shërbimeve gjithnjë e më cilësore të ketë diagnostikim sa më të mirë për të gjithë pacientë e të ketë gjithashtu edhe lista sa më të shkurtra për pacientet”.

    “Me qenë se shërimi dhe terapia varen shumë prej diagostifikimit sa më cilësor sa më të thellë kjo në njërën anë varet nga kuadri mjekësore ndërkaq në anën tjetër edhe nga teknologjia moderne që është kjo rezonancë magnetite. Vlera e së cilës është mbi 1 milion euro dhe që është sërish donacion për çfarë ne edhe falënderoj Emiratet e Bashkuara Arabe. Ta gëzojnë edhe mjekët edhe pacientët”, tha ai.

  • ​MPB: Raportimet e qytetarëve çelësi i luftimit të krimit në veri dhe tërë Kosovën

    ​MPB: Raportimet e qytetarëve çelësi i luftimit të krimit në veri dhe tërë Kosovën

    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se qytetarët tanë në komunat veriore po vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.

    MPB thekson se raportimet nga ana e qytetarëve janë padyshim çelësi i luftimit të përbashkët të krimit dhe çdo lloj vepre penale.

    “Deri në muajin maj të këtij viti, Stacionet Policore të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë pranuar dhe trajtuar 126 raste ndërsa bashkë me Hetimet Rajonale, 184 raste në total. I falënderojmë qytetarët për besimin në raportim si dhe i inkurajojmë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.