ATV

Category: Lajme

  • Përfundon takimi QUINT-it me Kurtin, ambasadorët s’deklarohen për medie

    Përfundon takimi QUINT-it me Kurtin, ambasadorët s’deklarohen për medie

    Ka përfunduar takimi i Albin Kurtit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it por që të njëjtit nuk janë prononcuar për medie.

    Temë kryesore e takimit u raportuar se ishin zhvillimet në veri.

    Po ashtu në takim u diskutua mundësia për gjetjen e shpejtë të një zgjidhjeje bazuar në kërkesat dhe këshillat e ambasadorëve.

    Takimi ndodhi një ditë pasi ambasadorët e QUINT-it nuk shkuan në pritjen zyrtare të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani për të festuar 12 qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës.

    Kryeministri Kurti do të dalë në orën 11:00 në konferencë për medie. Me ç’rast mund të bëhen të ditura detaje për takimin e sotëm i cili raportohet se u zhvillua për situatën e krijuar në veri.

  • Presidentja ​Osmani do t’i adresohet këtë të mërkurë Parlamentit Evropian

    Presidentja ​Osmani do t’i adresohet këtë të mërkurë Parlamentit Evropian

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.

    Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.

    Sipas komunikatës së Presidencës, gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

    Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me vranësira të herëpashershme dhe gjatë pasdites priten edhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 22 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 23 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me temperatura stabile. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 10 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i tetë flet për qendrën e ndalimit në Bajgorë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i tetë flet për qendrën e ndalimit në Bajgorë

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ndryshe dje ka dëshmuar dëshmitari i tetë i ZPS-së, derisa është ndihmuar nga një mbrojtës kujdestar.

    Dëshmitari tha se në qendrën e ndalimit në Bajgorë, mbaheshin kolaboracionistë apo personat që bashkëpunonin me armikun.

    Po ashtu dëshmitari i tetë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, lidhur me stërvitjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Bajgorë.

  • Zelensky: Rusia po e vazhdon luftën kundër njerëzve të zakonshëm

    Zelensky: Rusia po e vazhdon luftën kundër njerëzve të zakonshëm

    Rusia ka goditur ndërtesat civile në Kryvyi Rih në Ukrainë, për çka presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se rusët po vazhdojnë luftën kundër njerëzve të zakonshëm.

    “Vrasësit rusë vazhdojnë luftën e tyre kundër ndërtesave të banimit, qyteteve të zakonshme dhe njerëzve”, ka shkruar ai në Telegram.

    Duke u shprehur ngushëllime të gjithë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre ai u shpreh se terroristët nuk do të falen kurrë.

    “Ata do të mbahen përgjegjës për çdo raketë që ata lëshojnë”, ka shkruar Zelensky.

  • Vuçiq kërkon largimin e kryetarëve veriorë dhe formimin e Asociacionit

    Vuçiq kërkon largimin e kryetarëve veriorë dhe formimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se situata në Kosovë po komplikohet dhe se është i “shqetësuar” për këtë.

    Ai shtoi se Serbia është e gatshme për kompromise, por se Kosova duhet të largojë kryetarët e rinj në veri dhe të fillojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    “Jemi gati për kompromise, vetëm ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat komunale, le të japin dorëheqje. Jemi gati për kompromise, por edhe të fillojmë formimin e AKS-së”, tha Vuçiq Tv Hepa.

    Ai ka raportuar se ka pasur diskutime të vështira për Kosovën.

    “Me Miroslav Lajçak (emisari i BE-së), me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së, mbrëmë vonë kam pasur një bisedë jo të lehtë. Situata po ndërlikohet dhe më shqetëson shumë”, ka theksuar Vuçiq.

    Ai raportoi se ushtria serbe ka kaluar nga niveli më i lartë në një nivel pak më të ulët të gatishmërisë luftarake. “Por ne kemi ende mjaft ushtarë për të ndihmuar popullin tonë”, nënvizoi ai.

    Ai tha se nuk përjashton mundësinë që dikush të dëshirojë konflikte, duke shtuar se kjo dëshirë ekziston në tre apo katër vende. “Unë nuk mendoj se duhet të them se cilat vende janë”, shtoi ai.

    Vuçiq theksoi se kishte biseda shumë të vështira në Kishinev të Moldavisë, veçanërisht me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

    “Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Unë thashë në një moment që nuk mendoj se është e drejtë dhe as për ta nuk ishte e lehtë. Ne kemi për t’i kuptuar ata, ata nuk duan luftë, konflikt. E jona është të mbrojmë paqen, interesat e popullit tonë, që populli ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të bisedosh as me serbët e Kosovës”, shpjegoi ai.

    Vuçiq tha se duhet të kujdeset për interesat e qytetarëve në mbarë Serbinë. Ai gjithashtu theksoi se të gjithë në botë janë duke pritur për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe se korriku dhe gushti do të jenë shumë të rëndësishëm për Serbinë, veçanërisht nëse vjen Jim O’Brien, duke thënë se ai është një njeri që i kupton gjërat dhe di të dëgjojë.

    “Nuk ka mashtrim me të dhe nuk është i informuar vetëm nga sektori i OJQ-ve, por ai sheh gjithçka dhe kupton gjithçka. Ai është jashtëzakonisht inteligjent, si Christopher Hill”, tha Vuçiq.

    Ai ka përsëritur se është “shumë i shqetësuar” për Kosovën, sepse nesër do të prezantohen raportet e kryediplomatit evropian Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajçak e të tjerë dhe se do të ketë propozime për masa të ndryshme.

  • ​Mbledhja e dy qeverive në Gjakovë, zbardhet agjenda

    ​Mbledhja e dy qeverive në Gjakovë, zbardhet agjenda

    E mërkura e 14 qershorit do të bëjë bashkë qeveritë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa ky do të jetë takimi i parë i kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama pas propozimit të këtij të fundit të një drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Sipas agjendës, takimet do të nisin në ora 11:00, kur edhe pritet të mbërrijë delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë në vend.

    Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë – Shqipëri do të bëhet në ora 11:30 në Bibliotekën e qytetit, në Gjakovë.

    Për në ora 12:40 është paraparë fotoja e përbashkët.

    Në ora 12:45 në Teatrin e qytetit “Hadi Shehu” do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve ndërqeveritare.

    Ndërsa konferenca e përbashkët për media e kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama do të mbahet në ora 13:15, po në këtë teatër.

    Në kuadër të agjendës përfshihen edhe homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës, në ora 13:45.

    Në ora 14:00 dreka zyrtare, tek restaurant “Hani i Haraçisë”, ndërsa në ora 16:00, takimi me kryetarët e komunave të zonave kufitare.

  • Konfirmohet: Belgjika do ta hapë ambasadën e saj në Kosovë

    Konfirmohet: Belgjika do ta hapë ambasadën e saj në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, ka takuar kolegen e saj kosovare Donika Gërvalla-Scharz, të cilën e ka njoftuar për vendimin e Belgjikës për hapjen e ambasadës në Prishtinë.

    Lahbib në profilin e saj në Facebook ka theksuar se ndër të tjera është folur për situatën në veri të Kosovës dhe ka theksuar se të gjitha palët duhet të marrin masa për uljen e tensioneve.

    “E njoftova kolegen time kosovare Donika Gërvalla për vendimin tonë për hapjen e ambasadës në Prishtinë. Diskutuam edhe për dhunën e fundit në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të marrin masa për uljen e tensioneve”, shkroi ajo.

  • Hoti lajmërohet nga Izraeli: Potenciali i bashkëpunimit është shumë i madh

    Hoti lajmërohet nga Izraeli: Potenciali i bashkëpunimit është shumë i madh

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se bashkë me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, gjendet në një vizitë zyrtare në Izrael.

    Ai tha se në ditën e parë të kësaj vizite, kanë takuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal dhe qendra hulumtuese të fushës së sigurisë.

    “Kosova ka shumë miq në Izrael. Bashkëpunimi jonë me Izraelin ka rëndësi strategjike”, shkroi Hoti në Facebook.

  • Sot mbahet takimi i parë i grupit punues të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të Kosovës

    Sot mbahet takimi i parë i grupit punues të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të Kosovës

    Në Qeverinë e Kosovës sot do të mbahet takimi i përbashkët i Grupit Punues ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Këshillit të Evropës.

    Takimi është planifikuar të mbahet në ora 13:00 në ndërtesën e Qeverisë, njoftoi MPJD-ja.

    “Të martën në Qeverinë e Kosovës do të mbahet takimi i përbashkët i Grupit Punues ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.

    Takimin do ta hapin zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe Claus Neukirch, nga Këshilli i Evropës.