ATV

Category: Lajme

  • Aksident trafiku te “Qafa e Duhlës”, përfshihen tri automjete

    Aksident trafiku te “Qafa e Duhlës”, përfshihen tri automjete

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh te vendi i quajtur ” Qafa e Duhlës”.

    Sipas burimeve të ATV-së, në këtë aksident janë përfshirë dy vetura dhe një kamion, derisa përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

    Ndërkohë, sipas burimeve të ATV-së, dyshimet e para që e shkaktuan këtë aksident janë se rruga ishte me “vaj ose naftë”./atvlive.tv/

  • Orkestra Frymore e FSK-së performon për Ditën e Çlirimit

    Orkestra Frymore e FSK-së performon për Ditën e Çlirimit

    Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka parakaluar dhe performuar nëpër sheshet e Prishtinës me rastin e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Për ta përcjellë këtë performancë kanë dalë një numër i vogël i qytetarëve, për shkak të motit me shi që po mbretëron në vendin tonë, raporton KosovaPress.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca gjatë ditës kanë bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ish-veprimtarit, Adem Demaçi, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

    24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

    Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

  • Nxënësit në Gjenevë shkelin flamurin serb si protestë ndaj masakrave në shkollat e Beogradit

    Nxënësit në Gjenevë shkelin flamurin serb si protestë ndaj masakrave në shkollat e Beogradit

    Një grup nxënësish nga kombësitë e ndryshme në një shkollë në Gjenevë të Zvicrës, raportohet se kanë poshtëruar flamurin serb si një formë proteste pas masakrës së 18 nxënësve serbë në shkollat e Beogradit, raporton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Autoritetet e shkollës ende nuk kanë konfirmuar praninë e ndonjë nxënësi shqiptar në mes të të përfshirëve. Mësohet se motivi i kësaj proteste nuk ishte vetëm vrasja e nxënësve në shkollat e Beogradit, por edhe çështja e racizmit serb ndaj shqiptarëve etnikë në Serbi, veçanërisht në Lugina e Preshevës, si dhe komentet provokuese dhe urrejtëse të Novak Djokoviqit në lidhje me Kosovën dhe shqiptarët.

    Kjo nuk është hera e parë që flamuri serb është shkelur ose djegur në Gjenevë. Sipas gazetës zvicerane Le Canton27.ch, ngjarje të tilla kanë ndodhur herë pas here si përgjigje ndaj provokimeve serbe ose deklaratave të luftës kundër Kosovës, duke përfshirë edhe dhunën ndaj forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë. Një ngjarje e tillë ishte në fillim të këtij muaji që shkaktoi plagosjen e mbi 30 ushtarëve të KFOR-it, duke përfshirë edhe ushtarët nga misioni zviceran “Swisscoy”.

    Mësohet se, nxënësit në trotuare kanë shkelur qëllimisht flamurin serb të hedhur në tokë, shkruan gazeta zvicerane Le Canton27.ch, e cila ka hasur edhe në një video në rrjetet sociale. Ngjarja ka ndodhur në një shkollë afër Vernies (buzë lumit Rhone) në kantonin e Gjenevës.

    Për këtë rast është njoftuar edhe drejtori i shkollës. Ata shprehën tronditjen e tyre pasi panë videon dhe deklaruan se do ta trajtojnë menjëherë këtë çështje.

  • ​Avokati i Thaçit kundërshton pyetjen e prokurores: Janë spekulime

    ​Avokati i Thaçit kundërshton pyetjen e prokurores: Janë spekulime

    Pasi ka folur për një qendër që ai pretendon se janë ndaluar njerëzit në Bajgorë, dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, ka përmendur për një person që sipas tij është marrë në pyetje në brenda objektit.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se kishte dëgjuar se personit të koduar me numrin 1 i ishin bërë pyetje me zë të lartë.

    Dëshmitari: Personi me numrin 1 i janë bërë pyetje me zë të lartë

    “Ka pasur pyetje të parashtruara me zë më të lartë sesa që është normale që të parashtrohet një pyetje. Zëri ka qenë shumë I lartë, shumë detaje nuk kemi arrit me dëgju asnjëherë, me dëgju apo me kuptu nuk kam arrit. Fjala “pse” ka qenë shumë e shprehur”, ka thënë dëshmitari.

    Derisa prokurorja Silvia D’Ascoli e ka pyetur atë se çfarë mendon se kishte ndodhur në atë dhomë, kjo pyetje është kundërshtuar nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

    Prokurorja D’Ascoli: Në bazë të atyre që dëgjuat, si menduat ju, çfarë po ndodhte aty në atë dhomë?

    Avokati Kehoe: Këto janë spekulime, po kërkohet se çfarë mendonte kur në fakt mund të dëshmohet vetëm çfarë ka dëgjuar.

    Gjykatësi Smith Pranohet kundërshtimi.

    Prokurorja D’Ascoli: A mund të dëgjonit ju se cfarë po ndodhte brenda dhomës?

    Dëshmitari: Në bazë të kuptimit, që kam arrit me kuptu ka qenë intervistë, për arsye se është kërkuar llogari ndaj një personi të caktuar.

    Prokurorja D’Ascoli: Diçka tjetër që ju kujtohet lidhur me atë rast?

    Dëshmitari: Për momentin nuk mund t’i cek saktë.

    Prokurorja D’Ascoli: Çfarë ndodhi më pas?

    Dëshmitari: Pas 15 minuta ose gjysmë ore ku ka qëndruar personi 1, janë larguar nga objekti, janë larguar komplet, me makinë, dhe ne kemi vazhduar normal derisa e kemi pasur të caktuar.

    Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së seanca ka vazhduar e mbyllur për publikun.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • Pas Uashingtonit, delegacioni nga Presheva me vizitë zyrtare treditore në Bruksel dhe Strasburg

    Pas Uashingtonit, delegacioni nga Presheva me vizitë zyrtare treditore në Bruksel dhe Strasburg

    Pas ngritjes së problematikës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kongresin e Senatit Amerikan dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, takimet e radhës të delegacionit nga Presheva, gjatë kësaj jave do të jenë në Bruksel dhe Strasburg, njofton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch nga Strasburgu.

    “Nga sot, së bashku me anëtarët tjerë të delegacionit nga Lugina e Preshevës, për tri ditë rresht delegacioni prej tetë anëtaresh do jenë në Bruksel dhe në Strasburg për të ngritur problematikën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës”, ka thënë për gazetën zvicerane Le Canton27.ch, Ardita Sinani, këshilltare e Qeverisë së Kosovës për Luginën.

    Për tre ditë në Bruksel dhe Strasburg, delegacioni nga Kosova Lindore do të zhvillojë një seri takimesh me udhëheqësit më të lartë të BE-së, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.

    Delegacionit prej tetë anëtarësh i prinë znj. Ardita Sinani, këshilltare e Qeverisë së Kosovës për Luginën, e shoqëruar nga Dr.Nagip Arifi (kryetar i Bujanocit), Nevzad Lutfiu, kryetar i KKSH-së, Ragmi Mustafa dhe Ragmi Mustafi, Flora Ferati dhe dy përfaqësues nga Medvegja.

    Sipas Ardita Sinanit, temë diskutimi nga këto takime me personalitetet e larta të institucioneve evropiane do jetë diskrikmnimi dhe pozita e vështirë e pakicës shqiptare në Serbi, pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë, sidomos në Medvegjë, reciprociteti dhe inkuadrimi në procesin e dialogut në Bruksel.

    Në Parlamentin Evropian do diskutohet për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga regjimi serb i Vuçiqit, kurse të mërkurën në Strasburg do të jetë prezentë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do t’i drejtohet deputetëve të Parlamentit Evropian me një fjalim.

    Gazeta zvicerane Le Canton27.ch ju sjell agjendën treditore të delegacionit nga Presheva në Bruksel dhe Strasburg:

    Institucionet e larta evropiane ku do të pritet delegacioni nga Presheva:
    Takimet do të fillojnë në Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës dhe Komisionin Evropian ku do të diskutohet kundër racizmit dhe intolerancës.

    Autoritetet që do të takojnë, do jenë:
    Viola Von Cramon, raportuese për diagolun Kosovë-Serbi, Rainer Vieland, zv. Presidente e Parlamentit Europian, Michael Gaiheb, zëdhënës për politikë të jashtme dhe Roberta Metsola, këshilltare në presidencën e Parlamentit Evropian.

    Eurodeputetët që do t’i takojnë:
    Lukas Mand, This Reuten, Kelman Grose, Vaid Gheorphe dhe të tjerë.

  • Të mërkurën në Gjakovë mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri

    Të mërkurën në Gjakovë mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri

    Të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti bashkë me qeveritë që drejtojnë do të takohen në Gjakovë.

    Kështu është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit Kurti.

    “Të mërkurën, më 14.6.2023, në Gjakovë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”.

    Kujtojmë që të enjten Rama ka njoftuar se i ka propozuar presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft statut të asociacionit, për të cilin ende nuk është deklaruar Kurti.

  • Dëshmitari i ZPS-së pretendon se në Bajgorë ishte qendër ndalimi ku mbaheshin civilë

    Dëshmitari i ZPS-së pretendon se në Bajgorë ishte qendër ndalimi ku mbaheshin civilë

    Në Gjykatën Speciale ka filluar të dëgjohet dëshmitari i tetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka folur për një periudhë kur ai pretendon se në fshatin Bajgorë ka pasur një qendër ndalimi në të cilën sipas tij mbaheshin civilë.

    Në gjykatoren ku të pranishëm janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së e ka filluar dëshminë e tij duke folur për disa stërvitje të UÇK-së që sipas tij janë mbajtur në objektin e shkollës në fshatin Bajgorë.

    Ai është duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, dhe sipas tij në atë kohë shkolla ka qenë bazë që i takonte Zonës Operative të Llapit.

    Sipas dëshmitarit, aty ishte i vendosur edhe shtabi i kësaj zone.

    “Ne mëngjes kanë qenë stërvitjet fizike, kemi pasur vrapim, sforcim të turpit, deri në orën 10 të mëngjesit, tani ka qenë pauza një orë një orë e gjysme, kur e kemi bërë edhe kohën e mëngjesit, pas mëngjesit kemi kaluar në stërvitje specifike, në përdorim të armëve gjuajtje me armë, si të bëjmë pastrimin e një arme, si ta çmontojmë një armë, nga armët më të thjeshta deri të armët të cilat i kemi pasur më të avancuara. Pastaj ka pasur edhe shpjegime si të bëhet përgatitja e një bunkeri, përdorimi i minave, përdorimi i armëve të kalibrit më të rëndë, nuk kemi pasur rast ti përdorim sepse kemi pasur mungesë që të tyre pro vetëm si të bëhet montimi apo çmontimi i tyre”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

    Dëshmitari i tetë i cili mban kodin 4323 ka thënë se kishin trajnerë të ndryshëm, në varësi prej ushtrimeve.

    Ai nuk i ka kujtuar emrat e tyre por sipas tij komandat ishte personi i njohur si Remi.

    “Është prezantuar komandant Remi i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të Llapit. Në njërën prej këtyre rreshtimeve të mëngjesit është bërë prezantimi i tij… Pas kryerjes së obligimeve të mëngjesit, rutinën ditore të cilën e kemi pasur, çdo herë ka qenë një person i cili e ka pasur një proces të cilin është dashur ta ndjek, në njërën prej këtyre ka qenë edhe prezantimi i komandant Remit i cili është shpjeguar se do të vijë dhe do të prezantohet kush është, ka qenë një fjalim përafërsisht 4-5 minuta, ka qenë fjalim falënderues, për kurajën, ka qenë fjalim informues”, ka thënë dëshmitari.

    Dëshmitari ka thënë se ishte në dijeni për ekzistencën e Zonës Operative të Llapit, edhe para fillimit të stërvitjeve.

    Ai ka thënë se ka marrë pjesë në ato stërvitje që sipas tij do të duhej të zgjasnin dy javë por janë ndërprerë për pesë apo shtatë ditë.

    Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së, një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun ndërsa me hapjen e saj prokurorja Silvia D’Ascoli ka bërë të ditur se ishin duke folur për një qendër të ndalimit në Bajgorë.

    Prokurorja D’Ascoli: A kishit dijeni për ekzistencën e atij burgu që përpara se të merrnit pjesë në stërvitjen në Bajgorë?

    Dëshmitari: Isha në dijeni.

    Prokurorja D’Ascoli: Çfarë dinit për atë?

    Dëshmitari: Jo diçka mirë specifike, vetëm e kemi ditur që ekziston një qendër e ndalimit dhe kjo ka qenë e njohur për gjithë qytetarët.

    Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet afërsisht se kur morët vesh për ekzistencën e qendrës së ndalimit në Bajgorë?

    Dëshmitari: Duhet me qenë vera e vitit ’98.

    Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet si e morët vesh?

    Dëshmitari: Kryesisht në bazë të gojëdhënave.

    Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet se prej kujt apo me kënd, e keni diskutuar, apo prej kujt e keni marrë vesh?

    Dëshmitari: Temat të cilat neve na kanë preokupuar si sidomos në vitin ‘98. Një prej temave që është bërë diskutimi më i madh ka qenë se si të mbijetojmë, si të sigurojmë ushqim apo si të gjendemi në rrethana të ndryshme në situatën të cilën jemi kanë si popullatë, një prej temave ka qenë edhe kjo, se ekziston një qendër e ndalimit në Bajgorë.

    Sipas dëshmitarit, objekti në fjalë nuk ka qenë i fshehur për publikun.

    “Nuk ka qenë një objekt i fshehur për publikun, ka qenë një objekt i ditur për publikun, në rrugën ku ka qenë objekti, me sa e kujtoj ka qenë e qasshme prej rrugës kryesore, ka kalu andej gjithë popullata civile. Për ne si qytetarë ka qenë e njohur për disidentë, apo edhe për njerëzit të cilët kanë shfrytëzuar momente të vështira të qytetarëve, plaçkitje, apo vjedhje të ndryshme. Ka qenë kryesisht e njohur për njerëz që kanë bashkëpunuar me armikun, të njohur si kolaboracionistë apo zhanrit popullor spiunë”, ka thënë dëshmitari.

    Ndërsa i pyetur se kush konsiderohej kolaboracionist, dëshmitari ka thënë se bëhet fjalë për ata që kanë punuar për serbët.

    Prokurorja D’Ascoli: Sa i takon burgut, qendrës së ndalimit në Bajgorë, a dini gjë nëse në atë qendër ndalimi mbaheshin të mbyllur civil apo ushtarë?

    Dëshmitari: Po, ka pasur civilë.

    Pas kësaj, seanca është mbyllur për publikun.

    E në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues Charles Smith, ka bërë të ditur se kanë vendosur të ndryshojnë urdhrin e 23 marsit, përmes së cilit kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, tani duke e pranuar vetëm në pjesët përkatëse që do të përdorë mbrojtja e Veselit.

    Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe nuk ka pasur kundërshtime nga palët.

    Ndërsa një çështje tjetër që është trajtuar në fillim të seancës ka pasur të bëjë me kërkesën e ZPS-së për riklasifikim të disa dokumenteve.

    Ndërsa çështja e tretë ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit.

    Trupi gjykues ka vendosur që mbrojtja të përgjigjet për këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor.

    Gjithashtu, nëse ZPS ka kundër-përgjigje, duhet të bëjë parashtrime deri në fund të orarit të punës më 16 qershor.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020

  • Hapet ekspozita me fotografi të realizuara 33 vite më parë

    Hapet ekspozita me fotografi të realizuara 33 vite më parë

    Është hapur ekspozita personale e Hazir Rekës me fotografi të realizuara 33 vite më parë. Hazir Reka derisa foli rreth kësaj ekspozite, ai tha se kjo ekspozitë është hapur për nder të Ditës së Çlirimit të komunës së Prishtinës.

    Tutje, ai përmendi se si pjesë e kësaj ekspozite është edhe koha kur në vitin 1990, qindra njerëz me flamuj të Amerikës, kishin dalur që ta presin senatorin amerikan Bob Dole dhe zyrtarë tjerë në qendër të Prishtinës.

    Sipas rrëfimit të Rekës, kjo kishte qenë hera e parë që në Kosovë kishte ndodhur një vizitë aq e rëndësishme për shqiptarët.

    Reka thotë që Policia serbe ishte munduar t’i shpërndajë me dhunë demonstruesit që kur të vijnë kongresmenët ta gjejnë sheshin të zbrazët, por kishin hasur në rezistencën e shqiptarëve.

    “Është pritur shumë mirë edhe nga mysafirët që kanë qenë këtu, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Kjo është një ekspozitë që është realizuar para 33 vitesh, kur ka ardhur një delegacion amerikanë, të cilët janë takuar me liderët shqiptar. Ideja që e kam realizuar ekspozitën këtu është se pikërisht në këtë vend janë zhvilluar takimet e ndërsa jashtë këtij vendi janë bërë edhe demonstratat e ndodhur po atë ditë kur polica serbe, ideja e tyre ka qenë me pastrua sheshin që mos me pa asnjëri aty”, tha ai.

    Reka nën emocione përmendi edhe fotografinë e tij të shkrepur kur para hotelit “Grand” policia serbe kishte ndërhyrë brutalisht, duke shpërndarë turmën, por Faik Rexhepi nuk kishte luajtur vendi.

    “Shihet këtu edhe Faik Rexhepi që është ulë aty, këmbëkryq, i ka kapë për pantollonave njerëzit përreth dhe ka insistu me i ulë krejt në shesh. Si më duket e ka pas një ide që me u ulë krejt në shesh”, shtoi ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Të shtunën në ATV finalja e madhe e sezonit të tretë  të GOLDEN IDEA

    Të shtunën në ATV finalja e madhe e sezonit të tretë të GOLDEN IDEA

    Mbrëmja e 17 qershorit do të jetë e pushtuar nga emocionet për 3 finalistët e formatit televiziv “GOLDEN IDEA”.

    Të shtunën nga ora 22:00 në ekranin e ATV-së do të mund të ndiqni finale e madhe, nga ku 3 finalistë do të jenë në “luftë” për çmimin e madh prej 10.000 euro të cilat do t’i takojnë vetëm njërit prej garuesve.

    Ky format i ndërtuar mbi bazën e një kompeticioni nga ku ideja më e mirë në biznes do të vendoset në zbatim është realizuar ndërmjet një partneriteti mes ATV-së dhe Fondacionit Golden Eagle.

    Në natën finale, përpara panelit të jurisë do të garojnë në etapën e fundit 3 idetë e bizneseve që synojnë realizimin dhe zhvillimin e tyre nëpërmjet çmimit të madh prej 10.000 euro.

    Kush do ta rrëmbejë çmimin e madh?

    Ja cilët janë ata!

    Buna Perteshoni – Projekti “VESH DESH”
    Emin Hoxha – Projekti MATTIK
    JEHONA HYSENI – Projekti “MY COUNTRY VIBES”

    Për 4 javë, në ekranin e ATV-së, sipërmarrës të rinj patën rastin të përjetojnë emocionet e një spektakli dhe ethet e garës e konkurrencës për t’i bindur jurinë se ideja e tyre është më e duhura për t’u përkrahur. Nga faza e rekrutimit e deri në finale përballja e tyre ishte me jurinë në përbërje të: Shaqir Palushi – Drejtor i Frutex, Kaltrina Haziri – Udhëheqëse Kreative në ATV, Teuta Krasniqi – aktore dhe Arian Zeka – Drejtor ekzekutiv i Odës Amerikanë në Kosovë.

    GOLDEN IDEA është mundësia e gjithsecilit që ka një ide biznesi mirëpo i nevojitet mbështetje për ta realizuar atë. GOLDEN IDEA është gara e madhe për idenë më kreative për start-up, është mundësia e artë për ti jetësuar ëndrrat e ndalura në gjysmë.

    Të drejtë aplikimi kanë të gjithë ata që kanë ide biznesi pa marrë parasysh moshe apo gjinie.

    Forma e aplikimit është shumë e thjeshtë, shkruani idenë tuaj të biznesit në jo më shumë se 500 fjalë dhe dërgojeni atë në [email protected]

  • ​Partia joparlamentare Lëvizja Evropa Tanidel më e votuara në Mal të Zi

    ​Partia joparlamentare Lëvizja Evropa Tanidel më e votuara në Mal të Zi

    Në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Mal të Zi, më së shumti vota ka marrë Lëvizja Evropa Tani, e ndjekur nga aleanca “Së bashku” dhe koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”.

    Drejtues të partive politike atje, dolën në konferencë për media duke thënë se janë të kënaqur me rezultatet dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Lideri i listës së Lëvizjes Evropa Tani (PES), Millojko Spajiq, partia kjo e cila sipas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të djeshme në Mal të Zi, është fituese, deklaroi se presin që sa më shpejt të formohet qeveria.

    Duke u shprehur i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që ndajnë vlera të njëjta, Spajiq deklaroi se partia e tij prej një partie jo joparlamentare në më pak se një vit arriti të bëhen partia më të madhe në Mali të Zi.

    “Kjo është një fitore e madhe për Lëvizjen Evropa Tani dhe për listën tonë, nga statusi i partisë joparlamentare u bëmë partia më e madhe në Mal të Zi në më pak se një vit. Dhe këtë përkundër të gjitha presioneve të keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe gjithçkaje që keni parë këto ditë, ne jemi të kënaqur me rezultatin. Faleminderit të gjithëve që votuan sot Lëvizjen Evropa Tani dhe faleminderit të gjithëve që morën pjesë në zgjedhje sot. Siç thashë, kemi arritur një rezultat të mirë dhe presim që qeveria të formohet sa më shpejt, nuk do të na rrëmbejë kjo fitore dhe do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlerat tona”, theksoi ai.

    Ndërsa, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq deklaroi se tani pret nga Spajiq si më i votuari në këto zgjedhje të formojë qeverinë e Malit të Zi.

    Abazoviq i cili udhëheqë edhe Lëvizjen Qytetare Ura, theksoi se të harrojë dikush që duhet të vendos interesat personale para atyre kombëtare të Malit të Zi.

    “Ne kemi qeverinë, presim parlamentin dhe për zotin Spajiq, ai ka marrë më së shumti, le ta formoj.. Për sa na përket neve, të gjithë që janë për një Mali të Zi Evropian, qytetarë dhe ekologjik janë të mirëpritur, harroni se dikush duhet të vendosë interesat e tij personale para interesave kombëtare të Malit të Zi”, u shpreh Abazoviq.

    Ndërsa, Danijell Zhivkoviq nga koalicioni i udhëhequr nga DPS-ja, e cila si parti doli e dyta në zgjedhjet e djeshme parlamentare, u shpreh se pa një koalicion të përbashkët nuk ka qeveri të qëndrueshme reformuese e evropiane.

    “Ne këtë rezultat zgjedhor e arritëm së bashku në koalicion me Socialdemokratët, Partinë Liberale dhe Bashkimin Demokratik të Shqiptarëve. Të cilëve me këtë rast dua t’i falënderoj për raportin e përgjegjshëm të përkushtuar dhe marrëdhënien miqësore që kemi treguar në këtë fushatë. Prandaj, ky koalicion me fuqinë e saj e ka konfirmuar rëndësinë e saj politike dhe menjëherë t’u komunikojmë qytetareve dhe qytetarëve të Malit të Zi se pa një koalicion të përbashkët nuk ka qeveri të qëndrueshme reformuese dhe evropiane”, deklaroi Zhirkoviq.

    Në zgjedhjet parlamentare, lëvizja ”Evropa tani” fitoi 25,6 për qind të votave ose 23 mandate dhe koalicioni ”Së bashku”, i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve, 23,8 për qind ose 21 mandate, sipas rezultateve paraprake të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim, bazuar në 99 për qind të të të dhënave të përpunuara, sipas agjencisë malazeze të lajmeve, MINA.

    Koalicioni për Ardhmërinë e Malit të Zi fitoi 14,8 për qind të votave ose 13 mandate, koalicioni i Demokratëve dhe Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit fitoi 12,3 për qind ose 11 mandate dhe Partia Boshnjake, 6,9 për qind të votave ose gjashtë mandate./KosovaPress/