ATV

Category: Lajme

  • Gërvalla: Takimi Kurti-Borrell ka prodhuar rezultate të reja pozitive për Kosovën

    Gërvalla: Takimi Kurti-Borrell ka prodhuar rezultate të reja pozitive për Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se deklarata e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell pas takimit me Kurtin, është diçka pozitive për Kosovën.

    “Ky takim i sotëm, të paktën në bazë të asaj çfarë dëgjuam nga Borrelli, ka prodhuar rezultate të reja, sepse unë po vij nga një takim tjetër dhe nuk kam pasur mundësi t’i ndjekë në detaje, por deklarata e fundit e Borrellit është e para pak minutash, ku ai kërkon qartë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer në Kosovë. Kjo është diçka e re, nuk është diçka që është përsëritur në vazhdimësi gjatë këtyre ditëve, dhe aq më tepër që Borrell po mundohet me një gjuhë më të balancuar se sa gjatë 10 ditëshit të kaluar, të gjejë një mënyrë për de-eskalimin e situatës”, tha Gërvalla.

    Ajo thotë se Kosova nuk ka kontribuar në eskalimin e situatës, pasi që sipas saj, vënia e ligjit dhe rendit nuk është esklaim.

    “Vënia e ligjit dhe rendit, nuk është eskalim i situatës. Eskalimi i situatës është të dërgosh nga shteti fqinjë njerëz të cilët sulmojnë me një dhunë të llahtarshme, jo vetëm gazetarët dhe policët e Kosovës, por sulmojnë edhe ushtarët e KFOR-it, të cilët në fund të fundit këtu janë për të mbrojtur sigurinë, jo vetëm për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë. Edhe de-eskalimi sigurisht që duhet të vijë nga ata që e kanë eskaluar situatën”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • 7 kandidatë për guvernator të BQK-së

    7 kandidatë për guvernator të BQK-së

    Edhe pse herën e parë u përjashtua nga gara për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili përfundoi një mandat pesëvjeçar në këtë pozitë, ka konkurruar sërish.

    Siç merr vesh televizioni për pozitë të guvernatorit kanë konkurruar edhe katër kandidatët, të cilët ishin në listën e ngushtë për këtë pozitë në konkursin e parë.

    Bëhet fjalë për Nexhat Kryeziun, i cili kishe qenë edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ahmet Ismailin i cili kishe qenë drejtor i Thesarit të Shtetit në kohën kur kishte ndodhur zhdukja e 2 milionë eurove, Lulzim Ismajlin dhe Shkendije Himajn të cilët kishin qenë pjesë e BQK-së me pozita të ndryshme.

    Por, pavarësisht kësaj, sërish ka skepticizëm nëse në krye të BQK-së do të përzgjidhet i duhuri.

    “Që nga fillimi ka pasur dyshime që Qeveria po përgatitet që ta vendosë në krye të këtij institucioni personin e parapëlqyer dhe dyshoj që edhe ky konkurs do të jetë i manipuluar ashtu siç ka qenë edhe i pari”, tha gazetari dhe analisti, Zekrija Shabani.

    Për dallim nga konkursi i kaluar ku kishin aplikuar 17 kandidatë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, në konkursin e dytë kanë aplikuar vetëm 7.

    Ndërkaq, lista do të kualifikohet nga ana e panelit për përzgjedhjen e kandidatëve, e më pas ajo do t’i dërgohet Kuvendit, ku edhe do të votohet vetëm për një individ. Miratimi dhe emërimi përfundimtar i guvernatorit bëhet nga presidentja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mbahet seanca ndaj grupit të dytë për përdhunimin e 11 vjeçares

    Mbahet seanca ndaj grupit të dytë për përdhunimin e 11 vjeçares

    Ka dalë para trupit gjykues grupi i dytë i personave që akuzohen për përdhunim dhe trafikim seksual të 11-vjeçares.

    Seanca që zgjati afro tri orë, u mbajt me dyer të mbyllura për media.

    Megjithatë, ATV-ja ka siguruar aktakuzën në të cilën shpjegohet se si ndodhi që tetë persona, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë për shkak të moshës, dyshohet se e përdhunuan dhe e trafikuan viktimën.

    Në deklaratën dhënë në prokurori, të cilën e publikojmë pjesërisht dhe në version të redaktuar, e mitura tregon se gjithçka nisi kur ende i kishte 10 vjet.

    “Takimet që i kam ba, i kam gjetur në Instagram. Një person që më ka thënë se e ka emrin **** më ka kontaktu për herë të parë… Ai e ka ditë për moshën time të re dhe kur kam filluar herën e parë me dalë me të, unë i kam pasë 10 vjet dhe ky ka qenë personi i parë që unë kam pas marrëdhënie seksuale dhe nuk më ka dhënë asnjëherë para”, thuhet në dëshminë e të miturës.

    Pas, këtij rasti, sipas aktakuzës edhe persona të tjerë të cilët njihen mes vete duke qenë shokë e kushërinjtë, kanë shfrytëzuar moshën e saj të re dhe papjekurinë, për të kryer marrëdhënie seksuale dhe për ta trafikuar, kryesisht mes 21 dhe 22 qershorit të 2022-tës.

    “Po atë ditë, **** më ka njoftu me një shok të tij, me emrin ****. Me datë 21.06.2022, kam dalë nga shtëpia rreth orës 07:30, dhe kemi kryer marrëdhënie seksuale. Pastaj rreth orës 15:00, një person që e ka emrin **** kemi shkuar në një motel kah Orlloviqi dhe kemi kryer marrëdhënie seksuale. Ai e ka ditur moshën time. Më vonë, D*** e ka thirrë në telefon një person dhe i ka thënë hej a po vjen me marrë një cikë-një zemër e kam qitu në kerr. Ai djali ka ardhë pas 4 minutave me veturën e tij dhe kemi shkuar në një motel dhe kemi kryer marrëdhënie seksuale. Kur ai djali më ka lanë te New Born, u nisa për në shtëpi, duke ecur në qytet, një djalë me një veturë ku ishin tre-katër persona, diku kah ora 1 e natës, më është afruar dhe më ka thënë se po i pëlqen shokut tem. Ai i ka lëshuar diku shokun tjetër dhe bashkë me të dhe 19-vjeçarin, kemi kryer marrëdhënie seksuale. Nuk më ka dhënë të holla, por veç një sok”, thuhet në dëshminë e të miturës.

    Po atë natë, e mitura u ndal nga policia kur edhe përfundoi keqtrajtimi për të.

    Ndërkohë, për përdhunimin e të njëjtës vajzë, gjatë gushtit të vitit 2022, muaj më parë Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 40 vjet burg katër të akuzuar të tjerë, tre prej të cilëve të mitur. Por gjykata nuk ka gjetur që e dëmtuara ka qenë viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz. Ky rast momentalisht është në shqyrtim në gjykatën e apelit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vuçiq pas takimit me Borrellin: Çdo gjë ka shkuar shumë larg

    Vuçiq pas takimit me Borrellin: Çdo gjë ka shkuar shumë larg

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

    Këto komente ai i bëri pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.

    “Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di… kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

    Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.

    “Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, tha tutje Vuçiq, transmeton REL.

    Ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë zhvilluar të enjten takime të ndara bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Borell dhe Lajçak janë takuar sërish me kryeministrin e Kosovës, Kurtin.

    Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit.

    Vuçiq gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin sepse nuk “sheh arsye për këtë”.

    Më herët, Borell kishte shkruar në Twitter se “idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës”.

    “Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, pas përfundimit të takimit me shefin e ekzekutivit kosovar, dhe në nisje të takimit me udhëheqësin serb.

  • Borrell për takimin me Kurtin: Synojmë të gjejmë zgjidhje për de-eskalim të menjëhershëm

    Borrell për takimin me Kurtin: Synojmë të gjejmë zgjidhje për de-eskalim të menjëhershëm

    Përfaqësuesi i lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell informoi për fillimin e takimit me kryeministrin Albin Kurtin, me ç’rast u shpreh se synojnë të gjejnë zgjidhje për de-përshkallëzimin e situatës.

    “Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe për rrugën përpara. Takimi me kryeministrin Albin Kurti ka filluar.”, shkroi Borrell në Twitter.

    Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai është shprehur se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia, transmeton KP.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar po të mërkurën se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, Stano ka shtuar se nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

    Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

    Para ndërtesave komunale janë duke qëndruar protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

    Protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

    Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.

    Ndërsa, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët janë duke u mbajtur në Serbi.

  • Edhe Abdixhiku refuzon ftesën e Osmanit

    Edhe Abdixhiku refuzon ftesën e Osmanit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka refuzuar sot ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim me krerët politikë të partive parlamentare.

    Abdixhiku ka potencuar se kanë përcjellur me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, siç është shprehur ai, qasjen e papërgjegjshme të kryeministrit Kurti në raport me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.

    Abdixhiku ka thënë se LDK nuk mund të pranojë as të tolerojë përplasje të Kosovës me aleatët e saj.

    Ftesën e presidentes e ka refuzuar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai ka bërë të ditur se ka refuzuar një ftesë për takim nga Osmani, derisa ka thënë se pranon një të tillë vetëm në rast se ka pajtueshmëri për caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

    Përgjigje për ftesën e presidentes Vjosa Osmani ende nuk ka dhënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

  • ​Sërish pezullohet licenca e biznesit për Klan Kosovën

    ​Sërish pezullohet licenca e biznesit për Klan Kosovën

    Klan Kosova ka njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka anuluar vendimin e një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion.

    Sipas Klan Kosovës, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së punon për Klan Kosova, por që televizioni ka thënë se ky fakt nuk qëndron.

    Prestreshi është raportuar se është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.

    Vendimi ka edhe këshillën juridike, në të cilën thuhet se “pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqytimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”.

    Klan Kosova ka shprehur habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta kthejë ligjshmërinë në këtë çështje.

    “Klan Kosova vazhdon të besojë se veprimet e ditëve të fundit, si dhe ky i sotmi, janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë. Klan Kosova, si dhe deri më tash, edhe për këtë hap do t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe institucionet e medias dhe gazetarëve në vend dhe në botë, përfaqësitë diplomatike dhe misionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë”, thuhte tnë njoftim.

  • Osmani: Nimani ishte intelektual i jashtëzakonshëm, frymëzoi studentë të panumërt

    Osmani: Nimani ishte intelektual i jashtëzakonshëm, frymëzoi studentë të panumërt

    Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.

    Sipas Osmanit, ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.

    “Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të”, ka thënë Osmani.

    “Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave”, ka shtuar ajo.

    Tutje, ajo ka thënë se veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës.

  • Befasi në qeverinë zvicerane: Presidenti Alain Berset njofton “dorëheqjen”

    Befasi në qeverinë zvicerane: Presidenti Alain Berset njofton “dorëheqjen”

    Presidenti zviceran Alain Berset, 51-vjeçar, tha sot se do të dalë në pension në fund të vitit dhe do të largohet nga qeveria shumëpartiake pas 11 vitesh. Berset, si president dhe ministër i shëndetësisë ka raporte të mira me komunitetin shqiptare në Zvicër si dhe bashkëpunim të mirë me Prishtinën dhe Tiranën. “Shqiptarët në Zvicër janë shembull suksesi dhe integrimi”, ka thëne presidenti zviceran Berset në bisedën e fundit për gazetën zvicerane në shqip le Canton27.ch.

    Vitin e kaluar në samitin botëror në Davos, ai takoi kryeministrin Albin Kurtin, të cilit i tha se “Zvicra mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në KE dhe integrimet evropiane”. Të njëtin vit, ai kishte vizitur edhe Shqipërinë.

    Alain Berset: Jo dorëheqje, por njoftim se do të largohem nga qeveria në fund të vitit

    Presidenti i konfederatës z.Berset, gjatë një konference shtypi në Bernë njoftoi se nuk do të kandidojë më në zgjehdjet e përgjithshme që do të mbahen në tetor.

    “Nëse do të qëndronit më shumë se 12 vjet, kjo do të ishte shumë e gjatë, atëherë do ta konsideronit veten të pazëvendësueshëm”, tha Berset, i cili aktualisht është anëtari më jetëgjatë i kabinetit.

    Presidenti zviceran njoftoi largimin e tij nga qeveria të mërkurën. Në krye të Departamentit Federal të Brendshëm që nga viti 2012, ish-ministri socialist do të largohet në fund të vitit, pas tre legjislaturave.

  • Krasniqi refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim

    Krasniqi refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se dje ka pranuar nga presidentja Vjosa Osmani një letër me të cilën e ka ftuar në takim, pas një propozimi nga kryetari i AAK-së.

    Krasniqi ka thënë se për shkak të indiferencës së Osmanit në raport me zhvillimet e fundit dhe për shkak të neglizhimit të obligimit të saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët, ka refuzuar ftesën e saj.

    “Dje kam pranuar nga Presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët. Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, ka shkruar Krasniqi.