ATV

Category: Lajme

  • Edhe sot serbët në Graçanicë protestojnë në mbështetje për të dyshuarin për krime lufte

    Edhe sot serbët në Graçanicë protestojnë në mbështetje për të dyshuarin për krime lufte

    Sot në mesditë në Graçanicë do të mbahet protesta e tretë me radhë, siç pretendohet “për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviqit nga Kishnica”, për të cilin dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Lipjan para luftës në Kosovë.

    Në të njëjtën kohë, qytetarët e Graçanicës dhe rrethinës së saj ofrojnë mbështetje për të gjithë serbët e veriut të Kosovës të cilët janë arrestuar për shkak të huliganizmit dhe sulmeve ndaj gazetarëve në Leposaviq.

    Gjykata në Prishtinë i ka caktuar Dragisha Millenkoviqit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Ai u arrestua të mërkurën rreth orës 10:00 nga Policia e Kosovës bë shtëpinë e tij familjare në Kishnicë është bërë bastisje dhe me atë rast është gjetur një sasi e caktuar armësh.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Për ditën e sotme në vendin tonë parashikohet të mbajë mot i kthjellët dhe me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 32 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë 33 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Facebook dhe Instagram kufizojnë lajmet në Kanada

    Facebook dhe Instagram kufizojnë lajmet në Kanada

    Kompania Meta, që ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, ka thënë se do të fillojë t’i kufizojë lajmet në platformat e saj për konsumatorët kanadezë pasi parlamenti i Kanadasë miratoi një projektligj kontrovers për lajmet në internet.

    Projektligji detyron platformat e mëdha teknologjike të kompensojnë botuesit e lajmeve për përmbajtjen e postuar në faqet e tyre.

    Meta dhe Google tashmë kanë testuar kufizimin e qasjes në lajme për disa kanadezë.

    Në vitin 2021, përdoruesve australianë u ishte bllokuar shpërndarja dhe leximi i lajmeve në Facebook, shkaku i një ligji të ngjashëm.

    Ligji për lajmet në internet i Kanadasë, i cili u miratua nga senatorët më 22 qershor, parashtron rregulla që u kërkojnë platformave si Meta dhe Google të negociojnë marrëveshje tregtare dhe të paguajnë mediumet për përmbajtjen e tyre.

    Meta e ka quajtur ligjin “legjislacion me të meta thelbësore, që injoron realitetin se si funksionojnë platformat tona”.

    Më 22 qershor, Meta tha se qasja në lajme do të bllokohet në Facebook dhe Instagram për të gjithë përdoruesit në Kanada para se ligji të hyjë në fuqi.

    “Një kuadër legjislativ që na detyron të paguajmë për linqet dhe përmbajtjet që ne nuk i postojmë dhe që nuk janë arsyeja pse shumica dërrmuese e njerëzve i përdorin platformat tona, nuk është as i qëndrueshëm dhe as i zbatueshëm”, tha një zëdhënës i Meta për agjencinë e lajmeve, Reuters.

    Kompania tha se ndryshimet nuk do të kenë ndikim në shërbimet e tjera të këtyre platformave për përdoruesit kanadezë.

    Google e quajti projektligjin “të papërshtatshëm” në formën e tij aktuale dhe tha se po tentonte të punonte me qeverinë për ta gjetur një “rrugë përpara”.

    Qeveria kanadeze thotë se ligji i lajmeve në internet është i nevojshëm “për ta rritur drejtësinë në tregun kanadez të lajmeve digjitale” dhe për t’i lejuar mediumet në vështirësi të “sigurojnë kompensim të drejtë” për lajmet dhe linqet e shpërndara në platforma.

    Një analizë e projektligjit, nga një mbikëqyrës i pavarur i buxhetit të parlamentit, vlerësoi se mediat mund të marrin rreth 230 milionë euro në vit nga platformat digjitale.

    Në fillim të këtij muaji, ministri kanadez i Trashëgimisë, Pablo Rodriguez, i tha Reuters se testet e kryera nga platformat e teknologjisë ishin “të papranueshme” dhe një “kërcënim”.

    Në Australi, Facebook rivendosi përmbajtjen e lajmeve për përdoruesit australianë pasi bisedimet me qeverinë çuan në disa ndryshime në ligj.

    Të enjten, zyra e Rodriguez tha se ai ishte takuar me liderë të Google dhe Facebook këtë javë dhe kishte planifikuar diskutime të mëtejshme, por shtoi se qeveria do të ecë përpara me zbatimin e projektligjit.

    “Nëse qeveria nuk mund të ngrihet për kanadezët kundër gjigantëve të teknologjisë, kush do ta bëjë?”, thuhet në deklaratën e publikuar.

    Grupet e industrisë së medias e përkrahën miratimin e projektligjit si një hap drejt drejtësisë në treg.

    “Gazetaria e vërtetë, e krijuar nga gazetarë të vërtetë, vazhdon të kërkohet nga kanadezët dhe është jetike për demokracinë tonë, por kushton”, tha Paul Deegan, president dhe shef ekzekutiv i News Media Canada.

    Ligji për lajmet në internet pritet të hyjë në fuqi në Kanada pas gjashtë muajsh. /REL

  • Policia jep detaje për sulmin ndaj dy personave në Mitrovicën e Veriut

    Policia jep detaje për sulmin ndaj dy personave në Mitrovicën e Veriut

    Policia ka dhënë detaje për sulmin që ka ndodhur mbrëmë ndaj dy personave në Mitrovicën e Veriut.

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se dy kosovarët ishin sulmuar fizikisht nga 15-20 persona të panjohur, ku në mesin e tyre disa kishin qenë me maska.

    Si pasojë e sulmit njëri prej viktimave ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor.

  • Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hedh poshtë akuzat nga Brukseli dhe Uashingtoni.

    Ai mendon se Serbia duhet të përgjigjet.

    Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë më të tensionuara se në vitet e mëparshme. Uashingtoni paralajmëron se kriza mund të përshkallëzojë në një konflikt rajonal, ndërsa Bashkimi Evropian po kërcënon Kosovën me sanksione. Kështu e përshkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung” gjendjen aktuale.

    Gazetari Tobias Tzick u shpjegon lexuesve gjermanë se “përpjekjet ndërmjetësuese të BE-së dhe SHBA-së kanë për qëllim të bindin Prishtinën që të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi duhet ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në muajin mars ka paraqitur një draft me kushtet kryesore: “Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, zoti Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të”.

    “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”

    “Kur e takoj zotin Vuçiq”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”.

    Vërejtjes së gazetarit gjerman se diplomatët perëndimorë e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet: “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.

    Më pas kryeministri shton se i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive “për të shmangur skenat triumfuese”. Por shton ai, “kryetarët e bashkisë duhet të shkojnë në zyrat e tyre – apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”

    “Perëndimi do të arrijë të kundërtën”

    Kryeministri i pyetur se si e vlerëson faktin se “Bashkimi Evropian e kërcënon Kosovën me sanksione, ndërsa është jashtëzakonisht i butë ndaj Beogradit”, Kurti përgjigjet: “Miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi”. Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë”.

    Gazetari gjerman thekson se, “sipas një interpretimi, BE-ja dhe SHBA-ja duan të përdorin politikën e tyre me qëllime të mira për të ndarë Vuçiqin nga lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe kështu ta lidhin atë më afër vetes”. Kryeministri i Kosovës vlerëson se “diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”. Prandaj, thotë ai, “duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta”.

    “Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet”

    “Nuk kemi arritur shumë”, thotë Albin Kurti për dialogun e deritanishëm: “Pas disa orë bisedimesh për marrëveshjen bazë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep) Borell më 18 mars deklaroi: “Ne kemi një marrëveshje.” Dhe më 24 prill, z. Vuçiq deklaroi në konferencën për shtyp se e pranon marrëveshjen vetëm si koncept dhe jo si përmbajtje. Më vonë ai ka njoftuar Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin se synon të zbatojë vetëm disa pjesë të marrëveshjes”, thotë Kurti.

    Dhe së fundi, në pyetjen se a është i mundur besimi i vërtetë mes tij dhe Beogradit, duke pasur parasysh se si lider studentor ka qenë në burg në Serbi për një kohë, Albin Kurti përgjigjet se “nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”. /DW

  • Për të tetën ditë me radhë vazhdojnë kërkimet për gruan që dyshohet se është hedhur nga ura e Fshajt

    Për të tetën ditë me radhë vazhdojnë kërkimet për gruan që dyshohet se është hedhur nga ura e Fshajt

    U bë një javë që po vazhdojnë kërkimet për gruan që është hedhur nga ura e Fshajt, në Gjakovë.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta për Telegrafin tregoi se ende nuk është gjetur trupi i gruas që ra nga ura e Fshajt.

    Ai tha se kërkimet ende po vazhdojnë.

    “Kërkimet ende po vazhdojnë. Deri më tani nuk ka ndonjë gjetje”, ka thënë Graishta.

    Ndryshe, tri ditë më parë Forca e Sigurisë së Kosovës, patën njoftuar se kërkimet janë duke vazhduar kërkimet për 59-vjeçaren e zhdukur.

    Po ashtu policia pati bërë të ditur se të premten e javës së kaluar një femër e moshës madhore ka rënë nga ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë dhe se të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe zjarrfikësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Njësia për Kërkim Shpëtim.

  • Sot i jepet lamtumira profesorit të artit, Shyqri Nimani

    Sot i jepet lamtumira profesorit të artit, Shyqri Nimani

    Të enjten (22/06/2023) në moshën 82-vjeçare ka ndërruar jetë artisti dhe profesori i artit, Shyqri Nimani.

    Për ta nderuar jetën dhe veprën e tij, sot bëhen homazhe dhe mbahet mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku më pas bëhet edhe varrimi te varrezat e kryeqytetit.

    Shyqri Nimani njihet si pionier dhe si njëri prej themeluesve të departamentit të dizajnit grafik në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ku edhe punoi si profesor deri në pensionimin e tij.

    Për shkak të profesionalizmit të tij dhe karrierës së gjatë, atij iu besua që ta shkruajë me kaligrafi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e cila u shpall më 17 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

    Ai ishte edhe muzikant, artist vizual dhe njohës shumë i mirë i historisë dhe trashëgimisë kulturore.

  • Tahiri për Ramën: Është i afërt me Serbinë, ia ka humbur Shqipërisë kredibilitetin në Kosovë

    Tahiri për Ramën: Është i afërt me Serbinë, ia ka humbur Shqipërisë kredibilitetin në Kosovë

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka komentuar propozimin e draft-statutit për Asociacionin të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

    Tahiri tha se në negociata, praktikohet që ndonjë palë e tretë dëshiron të japë shërbime të mira, por sipas saj, në ato raste, pala e tretë duhet të jetë e paanshme.

    “Në rastin e Ramës, mendoj se ka menduar në bazën e kësaj linje të ndihmojë procesin. Në këtë situatë, Rama është i anshëm, i afërt me Serbinë, me Vuçiqin”, është shprehur Tahiri për TopChannel.

    Tutje, ajo tha se në Kosovë, Rama s’ka kredibilitet, pasi siç tha, ka hyrë në “lojën e ndarjes së veriut me Vuçiqin”.

    “U bë pjesë e Ballkanit të Hapur. Pra Rama në Kosovë ia ka humbur Shqipërisë kredibilitetin, ka bërë dështime historike”, tha Tahiri.

  • Para mesnatës u dëgjuan dy shpërthime në veri – s’ka dëme

    Para mesnatës u dëgjuan dy shpërthime në veri – s’ka dëme

    Të enjten pak para mesnatës janë dëgjuar dy shpërthime në veri të Kosovës, mirëpo të dyja ato kanë kaluar pa shkaktuar dëme materiale.

    Lajmin e ka konfirmuar zyrtari për Informim i Policisë, Veton Elshani.

    Ai tregon se njëri rast ka ndodhur në rrethinë të Zveçanit, ndërsa tjetri në Mitrovicë të Veriut.

    “Kanë qenë dy detonime mbrëmë që kanë ndodhur, njëra në rrethinë të Zveçanit dhe tjetra në Mitrovicë të Veriut, por nuk ka dëme materiale ose të plagosur. Kanë mundur të jenë shokbomba ose mjete piroteknike”, ka sqaruar Elshani.

    Kujtojmë se gjendja në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar prej fundit të muajit maj, kur protestuesit serbë nuk i lejuan kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq që t’i ushtrojnë detyrat e tyre në objektet komunale.

  • Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

    Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka folur në konferencë për media pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell ka treguar se Kurti është pajtuar për zgjedhje të reja.

    Fillimisht, ai ka thënë se situata ka qenë e tensionuar dhe për këtë ka kërkuar që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel për takime.

    “Ju e dini mirë se gati për gati 4 javë, kemi qenë dëshmitar se situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar me aq sa kuptoj unë panevojshëm. Me protesta dhe përplasje të dhunshme. Trupat e KFOR-it, policët, gazetarët dhe shumë qytetarë janë lënduar dhe ne dëgjuam për incidente çdo ditë. Kjo është e papranueshme, e papërballueshme, kjo nuk mund të vazhdojë dhe kjo është pse kam kërkuar nga Vuçiq dhe Kurti të vijnë në Bruksel për një takim për menaxhimin e krizës. Sërish jemi në gjendje të menaxhimit të krizave”, tha Borrell.

    Më tutje, ai është shprehur se po punohet për deeskalimin e situatës dhe ka thënë që Kosova duhet t’i tërheqë policinë nga objektet komunale, kryetarët të punojnë jashtë objekteve komunale dhe Serbia t’i heqë protestuesit gjithashtu nga rruga.