ATV

Category: Lajme

  • Ministri Murati: Sipas ASK-së, kemi rënie të thekuar të inflacionit

    Ministri Murati: Sipas ASK-së, kemi rënie të thekuar të inflacionit

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në interpelancën e thirrur nga AAK për të raportuar, deklaroi se bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka rënie të theksuar të inflacionit.

    Ai, seancën e sotme, në të cilën po kërkohet rishikim i buxhetit dhe rritja e pagave në sektorin publik e konsideroi si të panevojshme.

    Murati tha se niveli i inflacionit për muajin maj është 5.5%, derisa në korrikun e vitit të kaluar niveli i inflacionit ka qenë 14%.

    “Sipas ASK, për muajin maj niveli i inflacionit është 5.5% kemi rënie të theksuar në raport kur në vitin e kaluar në muajin korrik kishte arritur niveli prej 14%. Çmimi i naftës sillet përafërsisht 1,25 cent, plus-minus varësisht se ku e blen çmimi i gruri ka rënë në 20-25 cent që është përgjysmim i nivelit që kishim para një viti kur filloi lufta në Ukraninë çmimi i vajit po ashtu litri mund të merret po ashtu me 1.20 cent. Gjitha këto komentet për të cilat thuhej se po ndikojnë në rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve të tjera tashmë i kemi në nivelin e parainflacionit. Por, çmimet tjera nuk kanë rënë dhe kjo na tregon nuk kemi të bëjmë me inflacion të importuar, por kemi të bëjmë kryekëput me lakmin e tregtarëve për të rritur marzhat e fitimit dhe për këtë e kemi sjell ligjin por që po pret në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ai.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve e nisi fjalimin e tij duke demantuar disa të dhëna të shpalosura nga iniciuesi i kësaj interpelance, AAK.

    “Në vitin 2019 para pandemisë total pagesat që kanë 2.1 miliardë euro. Në vitin 2022 total pagesa kanë qenë 2.6 miliardë euro pra janë 500 milionë euro më tepër dhe është e pavërtetë të thuhet se ka pas 500 milionë euro më pak. Nuk di kah po i merrni këto shifra e ku po bazoheni. Nëse thu nënekzekutimi tek kapitalet ajo ka ndodh çdo vit dhe ajo kryesisht tek projektet që janë me klauzolë të investimeve, të cilat janë mjete nga kredit. Mirëpo, tërësia e kontributit publik duhet të shihet sa ka shpenzim buxheti si tërësi”, theksoi ai.

    Sa i përket ligjit të Pagave, ministri e Financave, Hekuran Murati tha se vitin e ardhshëm koeficienti do të bëhet 110 dhe se po i qëndrojnë prapa premtimit të tyre.

    “Rritja e tërësishme e buxhetit për pagat e sektorit publik është 16% dhe tanimë nivelin e pagave në sektorin publik mesatare e kemi bruto 720 euro apo rreth 100 euro më tepër sesa ligjit të ri të pagave dhe koeficientit 105 euro. Për më tepër gjithnjë duke qëndruar përbrenda kornizës ligjore ne kemi thënë që për vitin e ardhshëm projektbuxheti i ri do të jetë 110 dhe kësaj i qëndrojmë prapa. E konsideroj të panevojshme dhe të painformuar madje një seancë të tillë që kërkon që tash të ndryshohet diçka për të cilën ne kemi shkuar në maksimum sa i përket vitit aktual. Rritja ekonomike këtë vit parashihet të jetë rreth 5% në tre mujorin e parë shifra ka dal 3.91% kemi trend pozitiv dhe trend gradual përderia bie shkalla e inflacionit normal që kemi rritje normale të ekonomisë”, theksoi ai.

    Tutje, ministri Murati tha se në Kosovë çmimi për energjinë elektrike është më i ulëti në rajon dhe se kanë subvencionuar 200 mijë familje.

  • Stoltenberg dhe Millatoviq kërkojnë uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

    Stoltenberg dhe Millatoviq kërkojnë uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kanë ftuar Kosovën dhe Serbinë që të ulin tensionet mes tyre dhe të përqendrohen në kalimin e kësaj situate përmes dialogut.

    Këto komente ata i bënë në Bruksel gjatë vizitës së parë të presidentit të ri të Malit të Zi Millatoviq në selinë e NATO-s, ku u takua me Stoltenbergun dhe biseduan edhe për situatën në Kosovë.

    Stoltenberg tha se pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka shtuar praninë e saj dhe përmes misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, angazhohet për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë.

    “I ftoj palët të ulin tensionet dhe të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është kyçe për qetësinë në Kosovë dhe për stabilitetin e gjithë rajonit”, tha shefi i NATO-s.

    Stoltenberg u shpreh se aleanca ushtarake perëndimore mirëpret përpjekjet e BE-së për të shtensionuar situatën në Kosovë.

    Me qëllim që të shtensionojë situatën, BE-ja më 22 qershor do të mbajë takime në Bruksel me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

    “Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme. Ne do të jemi besnikë ndaj mandatit që kemi sipas rezolutës së OKB-së dhe kemi rritur praninë tonë në Kosovë si përgjigje ndaj rritjes së sfidave të sigurisë. Prania jonë është për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarëve në Kosovë. Në këtë drejtim, ne mbështesim edhe dialogun [midis Kosovës dhe Serbisë] dhe ftojmë palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të përshkallëzojnë situatën”, tha ai.

    Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se për shtetin e tij stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë dhe angazhimi i përbashkët i NATO-s dhe BE-së e forcon sigurinë e tërë rajonit.

    Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

    Më 29 maj, serbët lokalë në Zveçan u përleshën me trupat e KFOR-it. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq./REL/

  • Gërvalla: Komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion për lirimin e policëve të rrëmbyer

    Gërvalla: Komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion për lirimin e policëve të rrëmbyer

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz deklaroi se rrëmbimi i policëve në detyrë brenda territorit të Kosovës është akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare.

    Ajo, siç informoi sot ministria, kërkoi që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë këtë akt dhe të bëjë presion për lirimin e policëve sa më shpejt dhe pa kushte.

    Këto deklarata Gërvalla i bëri gjatë takimit me ambasadorin turk në Kosovë, Tunç Angili, të cilit i uroi mirëseardhje. Ajo falënderoi ambasadorin dhe shtetin turk për ndihmën e dhënë Kosovës në shumë fusha, veçanërisht në fushën e trajnimeve ushtarake.

    Ministrja Gërvalla gjithashtu falënderoi ambasadorin Angili për mbështetjen e Turqisë në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, integrimin në strukturat atlantike dhe ndihmën e ofruar në sigurimin e njohjeve të reja.

    Gjatë takimit u diskutuan edhe tema të tjera të rëndësishme për Republikën e Kosovës, siç janë proceset aktuale të reformave që vendi po kalon, sfidat e ardhshme në rrugën e integrimeve euro-atlantike, si dhe thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe ekonomike me Republikën e Turqisë.

    Ndryshe, të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.

  • 50 euro për atë që adopton një qen endacak, Fushica tregon si erdhi deri te ky vendim i Komunës

    50 euro për atë që adopton një qen endacak, Fushica tregon si erdhi deri te ky vendim i Komunës

    Së fundmi, nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është kumtuar një vendim, i cili ka të bëjë për qentë endacakë. Një subvencionim për të gjithë qytetarët të cilët vendosin të adaptojnë një qen endacakë nga Prishtina, do të jetë së shpejti tashmë edhe i hapur për të gjithë qytetarët.

    Drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, në një prononcim për ATV-në, tha se vendimi për subvencionimin prej 50 Eurosh për qytetarët që adaptojnë një qen në kryeqytet ka ardhur e rrjedhojë angazhimit të komunës për të zgjedhur problemin me qentë endacakë në Komunën e Prishtinës.

    “Ky vendim vie si pasojë e analizës dhe projekteve që i kemi pasur edhe më herët, duke filluar nga viti i kaluar kur realisht jemi marrë seriozisht me këtë çështjen e qenve endacakë, nga dy këndvështrime, nga këndvështrimi i sigurisë publike dhe shëndetit publik, por edhe nga këndvështrimi i mbrojtjes dhe trajtimit human të qenve endacakë që sillen në rrugët e Prishtinës, dhe normal që nuk trajtohen në mënyrë të duhur dhe mënyrë humane. Popullacioni i qenve endacakë është rritur në mënyrë enorme në kryeqytet, realisht në dy vitet e fundit dhe kjo ka paraqitur problem dhe kemi pasur edhe ankesa edhe kërkesa edhe nga qytetarët, nga dy palët e interesit që ta trajtojmë këtë tematikë. Nga viti i kaluar kemi filluar intensivisht të merremi me këtë çështje duke i hapur 25 pika të ushqimit për qentë endacakë, duke filluar me programin e kapjes, sterilizimit, vaksinimit dhe lëshimit në bazë të udhëzimit administrativ, ndërsa ky vendimi i fundit vie vetëm si rrjedhojë i atij planit më të madh për trajtimin e qenve endacakë”, tha Fushica.

    Qëllimi kryesor i këtij vendimi, sipas tij, është që të subvencionohen dhe të rritet vetëdija e qytetarëve që të adoptojnë kafshë endacake, që kafshët endacake ta kenë një shtëpi dhe një trajtim human.

    “Jemi në fazën përfundimtare të miratimit të vendimit, që me këtë do të formatizohet çështja e adoptimit të qenve endacakë dhe motivimi dhe ngritja e vetëdijes qytetarë që qentë endacakë janë kafshë që duhet të trajtohen mirë, duhet që të kujdesemi për to, por në anën tjetër të sigurohet lëvizja e lirë e qytetarëve nëpër shehseht, nëpër rrugët e Prishtinës duke pasur parasysh numër të madh të sulmeve që kanë ardhë si rrjedhojë e saj. Nga viti i kaluar deri më tani, kemi pasur janë numër shumë të madh të ankesave nga qytetarët e kryeqytetit, për fat të keq kemi edhe padi ndaj komunës nga qytetarët, por vetëm një fakt i vogël që e ilustron krejt problematikën, vetëm stacioni i jug i Policisë së Kosovës që e mbulon vetëm një pjesë të kryeqytetit na ka raportuar që vetëm nga janari deri në qershor të këtij viti i kanë pasur 31 raste të sulmeve të qenve endacakë ndaj qytetarëve që i bie afër 6 sulme në muaj vetëm në një pjesë të qytetit. Është problematikë që të shikohet nga të dy këndet, jo vetëm nga këndi i adoptimit apo subvencionit. Subvencioni është vetëm një metodë apo mënyrë se si t’i motivojmë qytetarët dhe të zgjedhim këtë problematikë” u shpreh Fushica.

    Ai tha se ende nuk është vendosur numri përfundimtar deri në sa qen mund t’i adoptojë një familje, por për këtë janë në konsultime me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit dhe se shpejti do të merret një vendim.

    “Numri përfundimtar ende nuk është caktuar. Ne jemi në fazën përfundimtare të hartimit të rregullores dhe numri do të caktohet pas konsultimit me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të cilët janë specialistë, janë ekspertë të fushës, dhe me propozimin e tyre do të vendoset se cili do të jetë numri, do të jetë një, dy apo tre, varet se sa ata e përcaktojnë dhe se sa një familje mund të kujdeset në mënyrë të duhur dhe në mënyrë që të mos ketë keqtrajtime të kafshëve. Për çdo qen do të ndahet nga 50 euro në muaj dhe kryeqyteti do të lidh kontratë me qytetarët ku do të përcaktohen obligimet që do t’i ketë qytetari kundrejt kontratës, por edhe kryeqyteti”, tregoi Fushica.

    Ai tha se në rast të mos respektimit të kontratës siç mund të jenë keqtrajtimi apo lëshimi i qenit endacak nga adoptuesi, parashihen edhe gjoba të cilat sipas tij do të jenë të larta.

    “Në kontratë do të parashihen edhe gjoba në rast se qytetari keqtrajton apo e lëshon qenin endacakë, duhet të parashihen gjoba monetare që janë realisht gjoba të larta. Pra do të ketë edhe një obligim dhe një mekanizëm i sigurisë që të mos keqtrajtohen kafshët. Sa i përket monitorimit, duhet të bëhet nga Agjencia e Veterinës për arsye se ata i kanë inspektorët e veterinës dhe inspektorët sanitarë, për shkak se komuna nuk ka, por ne si drejtori do të kujdesemi në koordinim edhe me shoqatat e mbrojtës së kafshëve që të kemi një koordinim të mirë dhe monitorim të kësaj situate”, theksoi Fushica. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Organizohet diskutim publik për parandalimin e martesave të hershme në Kosovë

    Organizohet diskutim publik për parandalimin e martesave të hershme në Kosovë

    Gjendja e rëndë ekonomike, braktisja e shkollës dhe dhuna në familje janë disa nga arsyet për martesat e hershme në Kosovë, e që më së shumti i prek vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

    Për këtë temë sot në bibliotekën kombëtarë “Pjetër Bogdani” organizohet një diskutim publik me qëllim parandalimin e këtyre martesave.

    Zyrtarja për program në organizatën “Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve”, Amandë Toska, në emisionin ALARM në ATV, tregoi se në këtë diskutim publik do të ketë panelistë, po ashtu edhe pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipta, komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarët e Republikës që kanë dëshirë me qenë pjesë e këtij diskutimi publik, ku do të trajtohet tema për parandalimin e martesave të hershme.

    Ajo tha se edhe në vendin tonë ka një numër të martesave të përkohsme, disa prej të cilave janë trajtu nga Policia e Kosovës dhe organet kompetente, ndërsa synimi i këtij aktiviteti, por edhe aktiviteteve të tjera nga kjo organizatë ka për synim që të ulën martesat e përkohshme në Kosovë.

    “Prej informatave që i kemi marrë nga Policia e Kosovës ka raste që raportohen, ka raste që janë trajtuar. Munden me pasë edhe raste aktive realisht për të cilat ata nuk janë në dijeni. Por sa është numri i saktë i rasteve në tri vitet e fundit ose edhe gjatë një periudhe më të gjatë, nuk kemi diçka konkrete ose zyrtare që kishim mujt me e potencu. Edhe ne si organizatë nuk është se kemi diçka konkrete, por nga hulumtimet në terren ose të dhënat që ne i marrim prej pjesëtarëve nga komunitetet nga takimet që kemi konstant me ta, sepse ne e mbulojmë tërë regjionin e Kosovës me programet dhe aktivitetet që i realizojmë në kuadër të projekteve tona, thuhet që ka numër të martesave të hershme, të braktisjes së shkollimit dhe për këtë arsye ne si organizatë, synimi i jonë i kësaj kampanje është që të ulën rastet e mundshme të martesave të hershme”, tha Toska. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pandemia COVID-19 i kushtoi Zvicrës 8 miliardë franga

    Pandemia COVID-19 i kushtoi Zvicrës 8 miliardë franga

    Fatura përfundimtare për pandeminë COVID-19 në Zvicër është llogaritur në rreth 8 miliardë franga zvicerane.

    Rreth 5 miliardë franga u paguan nga fondet qendrore federale, ndërsa kantonet duhej të përballonin kostot nga 2.3 miliardë deri në 2.9 miliardë frang, raporton swi, përcjell Albinfo.ch.

    Deri në 958 milionë franga u përballuan nga siguruesit shëndetësorë për të trajtuar pacientët dhe 380 milionë franga të tjera për vaksinat midis 2020 dhe 2022.

    Shumica e kostove të pandemisë federale u konsumuan nga testimi (3 miliardë franga) dhe prokurimi i vaksinave dhe furnizimeve shëndetësore, si maskat (1.7 miliardë franga).

    Kostoja e vaksinave për kantonet ishte pak më pak se gjysmë miliardë franga.

    Vlerësimi i kostove të pandemisë Covid-19 për Zvicrën, të cilat u publikuan të mërkurën, u urdhërua nga një mocion parlamentar në vitin 2020.

  • Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, Haradinaj: Nëse ky mocion kalon atëherë Kosova përfiton

    Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, Haradinaj: Nëse ky mocion kalon atëherë Kosova përfiton

    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar përgjigje nga PDK-ja e LDK-ja lidhur me mocionin, për rrëzimin e Qeverisë.

    Ai tha se “veç Kosova përfiton” nëse mocioni kundër Qeverisë Kurti kalon.

    “Pse ju lutna ka hezitime për mocion? Ku e keni problemin ju që po hezitoni për mocion? A është e vërtetë që kanë filluar ndëshkime dhe a është e vërtetë që kemi filluar të dobësohemi. Pse nuk po deklaroheni? Ku e keni problemin kolegë opozitarë PDK dhe LDK që po mendoni hala se kush po përfiton prej mocionit. Veç një përfitues është: Kosova dhe interesi ynë. Unë nuk shoh më detyra të zakonshme në këtë parlament derisa ju nuk deklaroheni pse nuk e keni guximin”, tha Haradinaj.

    Sipas Haradinajt, ndëshkimet ndaj Kosovës tashmë kanë filluar.

    “A ka dikush në këtë sallë që nuk e di se kanë fillua ndëshkimet ndaj Kosovës. Ndëshkimet si në politikë, si në ekonomi, si në siguri”, shtoi tutje ai.

  • Deputeti i VV-së i falënderon gazetarët që raportuan në veri

    Deputeti i VV-së i falënderon gazetarët që raportuan në veri

    Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, të enjten e ka nisur pak më ndryshe fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës.

    Në seancën plenare, ai i pushtetit falënderoi të gjithë gazetarët dhe pjesëtarët e mediave, që kanë raportuar nga komunat veriore, pavarësisht sulmeve dhe rreziqeve që u kanë kanosur nga bandat kriminale.

    Ai duke përmendur punën e tyre heroike bashkë me Policinë e Kosovës, tha se Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medias së lirë.

    “Puna e tyre heroike dhe e policëve na garanton për triumfin e demokracisë së Kosovës. Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medias së lirë”, tha ai, teksa shtoi se sulmuesit e gazetarëve në veri janë mbrapa grilave.

    Për këtë, ai falënderoi Policinë e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rendit në veri të vendit.

    “Kjo është e pamundur pa punën shembullore të gazetarëve. E kam dënuar dhe e dënoj sulmet ndaj mediave”, shtoi ai.

  • 41 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    41 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 41 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 17 persona dhe janë paraqitur katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një  person dhe ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një personi.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit ka ndaluar tetë  persona, ka paraqitur një  kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, si dhe ka ngritur 25 aktakuza kundër 31 personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka parashtruar një kërkesë për caktim të paraburgimit kundër një personi. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur gjashtë aktakuza kundër shtatë personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit në dy raste të ndara ka ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit në dy raste të ndara ka ndaluar pesë persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ka ngritur një aktakuzë kundër një personi.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur një aktakuzë ndaj një personi.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një person dhe ka ngritur shtatë  aktakuza kundër shtatë  personave, për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka parashtruar një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një personi, si dhe ka ngritur një aktakuzë kundër dy personave.

  • “Vrasje në tentativë”, arrestohet një burrë në Prishtinë

    “Vrasje në tentativë”, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Një burrë është arrestuar dje në Prishtinë pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi.

    Të dyshuarit i është konfiskuar një pistoletë me pesë copë fishekë.

    “Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërkaq viktima nuk ka pësuar lëndime.”, ka informuar Policia.

    Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.