ATV

Category: Lajme

  • Rritet numri i përfituesve me asistencë sociale dhe i atyre të veteranëve në muajin maj

    Rritet numri i përfituesve me asistencë sociale dhe i atyre të veteranëve në muajin maj

    Rritet numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale në muajin maj 2023 krahasuar më muajin paraprak prill të këtij viti.

    Gjatë muajit maj nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 312 familje apo 185 sosh më shumë krahasuar me muajin prill të këtij viti sa ishin 21 mijë e 127 familje.

    Po ashtu edhe numri i anëtarëve të familjeve të cilët kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale është rritur për 438 anëtarë në muajin maj krahasuar me muajin prill të këtij viti.

    Numri i përgjithshëm I anëtarëve të familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale në maj ka arrit 84 mijë 249 anëtarë, ndërsa në muajin prill kanë qenë 83 mijë e 811.

    Ndërsa, komuna e Mitrovicës vazhdon të jetë komuna me numrin më të madh të familjeve nën asistencë sociale me 2 mijë e 59 familje.

    Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka shënuar edhe skema e pensioneve për veteranët e luftës në muajin maj.

    Gjatë muajit maj kanë përfituar nga kjo skemë 36 mijë e 821 veteranë luftës së fundit ose 41 më shumë se në muajin prill të këtij viti.

    Numri i përgjithshëm i atyre që kanë përfituar nga skema e pensioneve për veteranët e luftës në maj është 36 mijë e 821 veteranë, kurse gjatë muajt prill numri ka qenë 36 mijë e 780 sosh.

    Ndërkaq, komuna e Deçanit vazhdon ta ketë numrin më të madh të përfituesve nga kategoria e veteranëve, me 4 mijë 47 përfitues gjatë muajit maj 2023.

  • Mediat serbe: Shefi i ushtrisë serbe në ora 16:00 mban konferencë të jashtëzakonshme për ngjarjet në Kosovë

    Mediat serbe: Shefi i ushtrisë serbe në ora 16:00 mban konferencë të jashtëzakonshme për ngjarjet në Kosovë

    Mediat dhe tabloide te afërta me qeverinë serbe si “Novosti”, “B92”, shkruajnë me “burime” të tyre se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe, Milan Mojsilloviq, “do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme në lidhje me ngjarjet në Kosovë në ora 16:00”

    Novosti, Informer e të tjerë, në faqen e parë të medias e kanë një shkrimin me titull “Kurti dëshiron luftë me çdo kusht” teksa shkruan për arrestimin e sotëm në Mitrovicë të Veriut të serbit të dyshuar për sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

    Megjithatë, përveç këtyre shkrimeve nuk njoftohet për ndonjë gjë konkrete në adresimin e Mojsilloviq, veçse e quajnë “adresim urgjent”.

  • Diplomatët presin shtensionim pas takimeve në Bruksel

    Diplomatët presin shtensionim pas takimeve në Bruksel

    Një ditë pas takimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, me bartësit e dialogut nga Kosova dhe Serbia, diplomatët në Bruksel shpresojnë që këto takime të arrijnë uljen e tensioneve dhe që palët të kthehen në procesin e normalizimit të raporteve.

    Disa diplomatë nga vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, me të cilët ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, u shprehën se mbështesin kërkesat që Borrell u ka parashtruar të enjten kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Takimi i 22 qershorit në Bruksel ishte takim urgjent për menaxhimin e krizave, pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kërkesat që Borrell u ka parashtruar liderëve kanë të bëjnë me tërheqjen e menjëhershme të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Kërkesa tjetër ka të bëjë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në to.

    “Nëse këto hapa bëhen, atëherë do të arrihet ulja e tensioneve dhe të krijohet një atmosferë në të cilën gradualisht do të adresohen çështjet tjera nga dialogu, e këtu gjithsesi është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes”, tha një diplomat evropian.

    Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

    Që atëherë serbët vazhdimisht kanë protestuar. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Nga përleshjet, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.

    Tensionet u përkeqësuan edhe më shumë më 14 qershor, kur forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës. Serbia thotë se arrestimi u krye “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.

    Kosova dhe faktori ndërkombëtar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve.

    Diplomatët thanë se e kanë të qartë se palët e kanë kuptuar seriozitetin e situatës, por kanë përshtypjen se secila palë po pret që pala tjetër të ndërmarrë hapa. Edhe Borrell pas takimit të enjten mbrëma u shpreh se “nuk po diskutohet më se çfarë duhet bërë, por kur dhe si”.

    Gjithsesi, diplomatët me të cilët bisedoi REL-i, pranuan se mbajtja në paraburgim në Serbi e tre policëve të Kosovës po rëndon shumë raportet, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të tyre.

    Disa diplomatë thanë se “nuk duhet shikuar doemos si dështim fakti që Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar”, duke shtuar se “nganjëherë është më mirë të mos ketë takime [dypalëshe] sesa që të ketë takime në të cilat, për shkak të tensioneve, ndodhin më shumë mospajtime se pajtime”.

    Javën e ardhshme, krahas vazhdimit të kontakteve të zyrtarëve të bllokut evropian me Kosovën dhe Serbisë, raportet mes këtyre dy shteteve do të jenë temë e disa diskutimeve në Bruksel.

    Së pari për këtë çështje do të diskutojnë ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare gjatë takimit të tyre në Luksemburg më 26 qershor. Për situatën aktuale, kryediplomatët evropianë do të informohen nga Borrell.

    Në këtë takim pritet të diskutohet edhe për hapat e radhës që duhet të ndërmerren nga BE-ja nëse palët vazhdojnë të mos përfillin kërkesat për uljen e tensioneve.

    Më pas, më 27 qershor, i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe drejtori i përgjithshëm në Komisionin Evropian për zgjerim, Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim të Parlamentit Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky diskutim do të mbahet në Komisionin e politikës së jashtme dhe pritet të flitet për takimet e fundit me Kurtin dhe Vuçiqin, por edhe për masat që KE-ja veçse ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si sanksione për shkak të rritjes së tensioneve në pjesën veriore të shtetit.

    Në BE kanë paralajmëruar për masa të reja, nëse situata nuk ndryshon.

    Në samitin e liderëve të BE-së, përkatësisht në takimin e Këshillit Evropian, po ashtu tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë debati. Trajtimi i kësaj çështjeje, sipas diplomatëve, tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin në nivelin më të lartë të BE-së dhe shteteve anëtare për situatën në Kosovë.

    Në këto takime, sipas burimeve diplomatike, pritet që Kosovës dhe Serbisë t’u bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe rikthim në dialog. Po ashtu, dy shteteve pritet t’u tërhiqet vërejtja edhe për pasojat me të cilat mund të përballen nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në tekstin e draftit i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së. Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt si dhe Aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin mars.

    “Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian”, thuhet në tekst.

    “Si hap i radhës, vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe zbatimi i shpejt i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe zbatimi i aneksit janë të domosdoshme. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksohet në draft.

    Sipas këtij drafti, BE-ja pret veprime të shpejta dhe të menjëhershme nga palët, gjë që sipas tyre do të çonte deri te ulja e tensioneve dhe kthimi i një normaliteti në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011.

  • Pamje nga momenti i arrestimit të të dyshuarit për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

    Pamje nga momenti i arrestimit të të dyshuarit për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

    Një person, i dyshuar për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

    I dyshuari për sulm në Zveçan, është Nenad Orloviq i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.

    Sipas një videoje të shpërndarë në ‘Telegram’, shihet momenti i arrestimit të të dyshuarit në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicën e Veriut.

  • Osmani mirënjohëse që mori pjesë në ndejën për nder të ditëlindjes së Mbretit Charles

    Osmani mirënjohëse që mori pjesë në ndejën për nder të ditëlindjes së Mbretit Charles

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është e lumtur pasi dje ka marrë pjesë në ndejën e organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, për nder të ditëlindjes së Mbretit Charles III.

    Ajo u shpreh falënderuese ndaj Britaninë e Madhe për miqësinë dhe mbështetjen.

    “Një rast vërtet i rëndësishëm për të festuar lidhjen e fortë midis vendeve dhe popujve tanë”.“Mirënjohës për mbështetjen dhe miqësinë e gjatë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Osmani.

  • KMDLNj: Ndërtimtaria rrezikuesi më i madh i jetës së punëtorëve

    KMDLNj: Ndërtimtaria rrezikuesi më i madh i jetës së punëtorëve

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kanë reaguar në lidhje me rrezikshmërinë e punëtorëve në ndërtimtari, pasi sipas tyre “Ndërtimtaria në vend është rrezikuesi më i madh i jetës së punëtorëve”.

    Sipas një reagimi për media thuhet se Kosova në përgjithësi kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe, madje punohet edhe gjatë natës.

    Tutje përmes reagimit të tyre thonë se numri i lartë i vdekjeve dhe rasteve që kanë pësuar lëndime në vendin e punës, dhe dy rastet e kësaj jave (në Prizren dhe në Gjilan) janë dëshmi që gjendja në këtë sektor nuk është përmirësuar fare.

    Lexoni të plotë reagimin e KMLDNj-së:

    Në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Në 99 % të rasteve e pësojnë punëtorët në 1 % të rasteve dënohen simbolikisht punëdhënësit për të vazhduar “vallen e vdekjes“ të atyre që për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës.

    Kosova në përgjithësi kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe, madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve. Trafiku është shndërruar në kaos ku kamionët e shumtë me dhe dhe materiale inerte, cisternat me betone dhe mekanizmi ndërtues i rëndë, qarkullojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, pa një orar të caktuar dhe pa kufizime drejtimesh kah mund të lëvizin. Jo rrallë kemi raste kur nga kamionët derdhet dheu apo materiali inert apo kur nga gypi i betonjerkës rrjedhë betoni që, përveç se e ndotin rrugën, në shumë raste edhe e dëmtojnë! Për KMDLNj-në është brengosëse humbja e jetës të punëtorëve, e në disa raste në mesin e të cilëve ka persona të mitur. Inspektorati i Punës së Kosovës nuk ka kapacitet t’i mbulojë të gjitha vend punimet për shkak se numri i inspektorëve është në shpërputhje të madhe me kërkesat për inspektim. KMDLNj, gjithashtu shpreh mospajtim të madh për dënimet e shqiptuara e të cilat janë tejet simbolike. KMDLNj ka kërkuar dhe e përsërit se duhet t’u heqjet licenca e punës për punëdhënësit që nuk sigurojnë kushte për punë me ç’rast rrezikohet jeta e të punësuarve. Gjithashtu, KMDLNj ka kërkuar që dënimet në të holla të jenë shumë më të larta dhe nga ato mjete të grumbulluara të krijohet një Fond për ata që e pësojnë dhe familjet e tyre. Për një punëdhënës që qarkullon dhjetëra milionë euro në fushën e ndërtimtarisë, dënimi prej 5 apo 10,000 euro është dënim për kafe prandaj edhe ka përsëritje të rasteve. Është e pabesueshme që edhe pas të gjitha jetëve të humbura për shkak të kushteve të punës, askush të mos ketë përgjegjësi para ligjit. Shteti duhet të gjejë një mënyrë që familjet që e humbin anëtarin e familjes duhet të kompensohen dhe ta kenë një pension, jo më të vogël se paga e një të punësuari në ndërtimtari. Ose duhet të ashpërsojë gjobat në rast të humbjes së jetëve apo lëndimeve, ose duhet të rrisë taksat për leje ndërtimi e që një pjesë do të derdheshin në Fondin e viktimave të ndërtimtarisë por edhe në vendet e tjera të punës e ku përgjegjësia është e punëdhënësit. Edhe planifikuesit më amatorë e kanë të qartë se Prishtina nuk ka nevojë për aq shumë ndërtime të banesave me ç’rast po rrënohen lagje të tëra, disa e japin tokën apo shtëpinë me vet dëshirë kurse disa të tjerë janë të kushtëzuar për faktin se këto ndërtime ua bëjnë jetën të pajetueshme duke ua ngushtuar hapësirën jetësore. Ka shumë dyshime se përmes këtyre ndërtimeve kaotike po bëhet pastrimi i parave dhe, deri më tani nuk është bërë asnjë hetim për këtë dhe se kush janë realisht pronarë të tokave. Prandaj, edhe po lejohen të gjitha këto raste që po përfundojnë me dhjetëra e dhjetëra punëtorë, kryesisht raste sociale, që e humbin jetën dhe shumë të tjerë lëndohen në vendin e punës.

    Numri i lartë i vdekjeve dhe rasteve që kanë pësuar lëndime në vendin e punës, dhe dy rastet e kësaj jave (në Prizren dhe në Gjilan) janë dëshmi që gjendja në këtë sektor nuk është përmirësuar fare dhe është alarmi i fundit për veprim dhe masa konkrete. KMDLNj vlerëson se, nëse nuk ndërmerren masat parandaluese për sigurimin e kushteve të mira për punë, humbja e jetëve do të vazhdojë kurse, të gjithë ne që e kemi një përgjegjësi, do të merremi me reagime gjykuese dhe me pasoja, që do të jenë shumë më të rënda nëse kemi parasysh që kantieret e ndërtimit kanë metastazuar dhe janë shtrirë pothuajse në çdo pjesë të Kosovës.

  • ​Oborri i qeverisë bëhet skenë e rasteve ku humbin jetën punëtorët e ndërtimtarisë

    ​Oborri i qeverisë bëhet skenë e rasteve ku humbin jetën punëtorët e ndërtimtarisë

    Aktivistë të Partisë Socialdemokrate nëpërmjet një aksioni simbolik në oborrin e Qeverisë së Kosovës, kanë vizatuar skenën ku humbin jetën punëtorët e ndërtimtarisë.

    Donjeta Demolli nga PSD-ja tha se vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti, 12 punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në Kosovë, njëri prej tyre madje duke punuar në një projekt të qeverisë, i cili ishin në një objekt publik.

    Ajo tha se punëtorët punojnë pa masa të sigurisë, pa masa mbrojtëse, pa sigurim shëndetësor e me pagë shumë të ulët, por punojnë edhe të shtunave dhe pas orarit të punës.

    “Qeveria e Kosovës nuk ka lëviz asnjë centimetër për ta ndryshuar këtë gjendje të vështirë, këtë gjendje të mjerueshme të kushteve të punës të punëtorëve të Kosovës. Sa ishin në opozitë, Albin Kurti me partinë e tij premtonin shumë për punëtorët, gojën e kishin solidaritet, drejtësi e barazi për punëtorët e sot, praktikat e shfrytëzimit nisin që nga zyra e kryeministrit. Sot rregulloret e punës e të sigurisë anashkalohen, shfrytëzimi është i shfrenuar e rrugëdalja e vetme që punëtorët e sektorit privat janë duke e gjet është migrimi jashtë Kosovës. Vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti, kemi 12 punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në Kosovë, njëri prej tyre madje ka humbur jetën duke punuar në një projekt të qeverisë i cili ishin në një objekt publik”, tha ajo.

    Ajo shtoi se me këtë aksion duan t’i bëjnë thirrje Qeverisë që ta njoh kontributin e punëtorit të Kosovës dhe t’i korrigjojë padrejtësitë sistematike me të cilët përballën ata.

    “Ne kërkojmë që Qeveria të adresoj me urgjencë pajisjen dhe masat e sigurisë të rrepta për punëtorët dhe t’i obligojë kompanitë që të aplikojnë rregulloret e punës dhe mbrojtjes së punëtorëve dhe të garantoj pagë të dinjitetshme për secilin punëtorë të Kosovës”, tha ajo.

    Lidhur me rrezikshmërinë ndaj punëtorëve ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ku thuhet se është brengosëse humbja e jetës të punëtorëve, e në disa raste në mesin e të cilëve ka persona të mitur.

  • Ministrja Rizvanolli flet për Kosovën para qindra pjesëmarrësve të Kongresit Botëror të Odave Ekonomike dhe Dhomave të Tregtisë

    Ministrja Rizvanolli flet për Kosovën para qindra pjesëmarrësve të Kongresit Botëror të Odave Ekonomike dhe Dhomave të Tregtisë

    Gjeneve, 23 qershor -Ashtu siç kemi njoftuar në Gjenevë po qëndron ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ku po merr pjesë në Kongresin Botëror të Odave Ekonomike dhe Dhomave të Tregtisë, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch

    Në këtë konference botërore po merr pjesë edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila do te flas te premten e ardhshme para 1500 pjesëmarrësve.

    Ministra kosovare sot ne orët e paradites ka folur para pjesëmarrësve te kongresit me temën “Udhëzuesi i biznesit për tranzicionin e energjisë “.

    Kurse në orët e pasdite ministrja Rizvanolli do te jete serish pjese e panelit me temën: Gra që udhëheqin, gra që frymëzojnë , njofton gazeta zvicerane nga Gjeneva Le Canton27.ch
    Gjatë qëndrimit ne Gjeneve ministrja e Qeverisë së Kosovës, Artane Rizvanolli po zhvillon një sërë takimesh me personalitete zvicerane dhe ndërkombëtare, pjesëmarrës te kongresit.

    Kongresi treditor (21- 23 qershor) në Palexpi te Gjenevës organizuar nga CCIG, Dhomat Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) dhe Federatën e saj Botërore të Dhomave (WFC), edicionin e 13-të të Kongresit Botëror të Dhomave. I organizuar çdo dy vjet në një kontinent tjetër, kjo është hera e parë që Kongresi Botëror do të mbahet në Gjenevë.
    Më shumë se 80 folës dhe rreth 40 sesione, seminare ose konferenca do të trajtojnë tendencat dhe sfidat globale aktuale dhe të ardhshme që përcaktojnë aktivitetet e dhomave të tregtisë dhe kompanive. Një pjesë e sesioneve do të mbahen në gjuhën frënge.

    I përqendruar në temën “multilateralizmi në shërbim të paqes dhe prosperitetit”, ky Kongres synon të nxjerrë në pah rolin e biznesit si një nga hallkat e multilateralizmit, në mënyrë që të parashikojmë së bashku një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë.

    Ai do të nxjerrë në pah gjithashtu rolin jetik të Dhomave të Tregtisë, të cilat punojnë për t’i shërbyer ekonomisë dhe bizneseve.

  • Petkoviq pas arrestimin të “Rusit”: Njoftuam menjëherë bashkësinë ndërkombëtare, Kurti do konflikt

    Petkoviq pas arrestimin të “Rusit”: Njoftuam menjëherë bashkësinë ndërkombëtare, Kurti do konflikt

    Pas arrestimit të Nenad Orloviq nga Policia e Kosovës, i dyshuar për sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ka reaguar edhe e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë, duke pretenduar se “kjo nuk është rastësishme” që ndodhi menjëherë pas takimit të djeshëm në Bruksel “dhe pavarësisht thirrjeve të Josep Borrell për të ndaluar arrestimet e pabaza dhe arbitrare”.

    Kjo e ashtuquajtur Zyrë për Kosovën mes tjerash thotë se kanë njoftuar “menjëherë” përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare për arrestimin e Orliq.

    “Nenad është serbi i tetë që është arrestuar që nga shpërthimi i krizës në veri të Kosovës…është e qartë se Albin Kurti nuk dëshiron dialog dhe as paqe, por dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të shkaktojë konflikte dhe të vë zjarrë jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin”, ka shkruar kjo e ashtuquajtur Zyrë.

  • PSD-ja me aksion para Qeverisë, kërkon përgjegjësi për vdekjet në vendin e punës

    PSD-ja me aksion para Qeverisë, kërkon përgjegjësi për vdekjet në vendin e punës

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

    Ata kanë kërkuar përgjegjësi për vdekjet në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.