ATV

Category: Lajme

  • 42 aktakuza kundër 45 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    42 aktakuza kundër 45 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur dyzetedy (42) aktakuza kundër dyzetepesë (45) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar shtatë (7) persona dhe janë paraqitur nëntë (9) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dymbëdhjetë (12) personave.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit ka ndaluar katër (4) persona, ka paraqitur pesë (5) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë (5) personave, si dhe ka ngritur dymbëdhjetë (12) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër shtatë (7) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit në dy raste të ndara ka ndaluar tre (3) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë (5) personave dhe ka ngritur katër (4) aktakuza kundër katër (4) personave.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur shtatëmbëdhjetë (17) aktakuza kundër tetëmbëdhjetë (18) personave.

  • Zhvillime në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, refuzohen disa persona që pretendojnë se janë viktima

    Zhvillime në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, refuzohen disa persona që pretendojnë se janë viktima

    Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e parashtruara nga dy grupe individësh, kundër vendimit të Trupit Gjykues me të cilin u refuzuan kërkesat e tyre për të marrë pjesë si viktima në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

    Trupi gjykues ka konstatuar se krimet që personat pretendojnë se i kanë vuajtur, nuk përfshihen në kuadrin gjeografik apo material të aktakuzës.

    Gjithashtu, Paneli i Apelit ka konstatuar se mbrojtësi i viktimave të refuzuara nuk e ka vërtetuar se trupi gjykues kishte bërë konstatim të gabuar kur nuk e kishte pranuar kërkesën, andaj edhe e ka rrëzuar mocionin.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të vazhdojë të hënën e 10 korrikut me dëgjimin e dëshmitarit të prokurorisë.

    Më 20 qershor, në gjykatoren e Speciales ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të njëmbëdhjetë, seancë kjo e cila u pasua nga një konferencë mbi ecurinë e çështjes.

    Aty, trupi gjykues ka theksuar edhe njëherë shqetësimin lidhur me ritmin e këtij procesi gjyqësor. Kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar seanca sa më shumë publike.

    Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Spanja goditet nga thatësira, përballet edhe me mungesë uji

    Spanja goditet nga thatësira, përballet edhe me mungesë uji

    Rezervuari i madh i Spanjës “Rialb” pasqyron pamjen aktuale të krizës së ujit në këtë vend pasi niveli i tij ka rënë në pikën më të ulët në më shumë se tri dekada.

    Aktualisht me vetëm 8 për qind të kapacitetit të tij, rezervuari ‘Rialb’ në provincën katalanase Lleida është një burim i rëndësishëm uji në rajon, duke kontribuuar në bujqësi dhe në prodhimin e energjisë së rinovueshme, raporton Anadolu.

    Ndërsa Spanja po lufton kundër efekteve të kombinuara të ndryshimit të klimës dhe menaxhimit të dobët të ujit, çështja urgjente e mungesës së ujit zë qendrën e vëmendjes, duke kërkuar veprime urgjente dhe zgjidhje të shpejta dhe të duhura për të zbutur vështirësitë me të cilat përballen komunitetet që janë goditur nga efektet e thatësirës.

  • Valë “masive” e sulmeve ruse, Ukraina thotë se ka zmbrapsur një sulm në aeroport

    Valë “masive” e sulmeve ruse, Ukraina thotë se ka zmbrapsur një sulm në aeroport

    Ushtria e Ukrainës ka thënë se e ka zmbrapsur një tentativë për sulm ajror nga forcat ruse në një aeroport ukrainas më 23 qershor. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha se kjo ishte pjesë e një tjetër vale “masive” të sulmeve ruse në mbarë Ukrainën gjatë natës.

    Rusia ka shtuar në mënyrë drastike frekuencën dhe intensitetin e sulmeve ajrore drejt infrastrukturës dhe qyteteve të Ukrainës, veçanërisht drejt Kievit, që nga fillimi i muajit të kaluar. Këto sulme kanë sjellë viktima të shumta civile dhe dëme të mëdha materiale.

    Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se ajo rrëzoi 13 raketat lundruese të lëshuara nga Rusia në një sulm gjatë natës në një aeroport ushtarak në rajonin qendror të Khmelnitskiy. Në deklaratën e publikuar më 23 qershor, ushtria shtoi se sulmi u krye rreth mesnatës nga avionë strategjikë që vinin nga drejtimi i Detit Kaspik.

    “Përveç kësaj, mbrojtja ajrore e shkatërroi një dron të një lloji të panjohur”, thuhet në deklaratën e publikuar.

    Ndërkohë, një tjetër alarm për sulme ajrore u dëgjua për disa orë gjatë natës në mbarë Ukrainën pasi forcat ruse sulmuan me një numër të madh raketash dhe dronësh, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se pasojat e sulmeve “masive” ishin ende të paqarta.

    Në valën e mëparshme të sulmeve, më 22 qershor, Rusia kishte përdorur tre raketa hipersonike Kinzhal, tha Shtabi i Përgjithshëm.

    Në fushëbetejë, forcat ruse vazhduan përpjekjet për t’i sulmuar pozicionet ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm. Luftime të ashpra u raportuan në Lyman, Bahmut, Avdijivka dhe Maryinka, ku janë zhvilluar më shumë se 30 beteja gjaë 24 orëve të fundit.

    Vala e fundit e sulmeve të Rusisë erdhi një ditë pasi një urë kyçe që lidh Krimenë e aneksuar nga Rusia me pjesën e pushtuar të rajonit jugor të Ukrainës, Herson, u dëmtua pasi u godit nga ato që Moska tha se ishin raketa Storm Shadow të dhuruara nga Britania e Madhe.

    Sulmi u krye në urën e njohur si “porta e Krimesë”, rrugën më të shkurtër nga Gadishulli i Krimesë në vijën e frontit në Ukrainën jugore. Kjo cilësohej si një lidhje kyçe për linjën e furnizimit të Rusisë.

    Zyrtarët e emëruar në këtë rajon nga Rusia thanë se rruga në urë ishte dëmtuar, por nuk pati të lënduar, ndërsa shtuan se ishin hapur rrugë alternative të transportit.

    Rusia e aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014. Ukraina është zotuar se do ta rimarrë atë.

    Që nga fillimi i kundërofensivës të saj të shumëpritur, ushtria ukrainase ka arritur të rimarrë disa fshatra në Ukrainën jugore të pushtuar nga Rusia.

    Më 22 qershor, kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, parashikoi se kundërofensiva do të sillte rezultate, por u citua nga Ukrinform të ketë thënë se “Ukraina e vlerëson jetën e ushtarëve të saj, kështu që nuk planifikon t’i çojë drejt zjarrit pa menduar fare”.

    “Ne punojmë sipas standardeve të NATO-s”, tha Shmyhal, duke folur në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Londër.

    “Ne mbrojmë secilin prej ushtarëve tanë dhe ecim përpara. Do të duhet kohë, por ne synojmë të ecim përpara dhe po ecim përpara me një kundërofensivë. Të gjithë duhet të jemi të durueshëm dhe t’i shohim rezultatet”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka pranuar se përparimi i kundërofensivës ishte më i ngadalshëm se që dëshirohej, por tha se Kievit nuk do t’i bëhet presion për ta përshpejtuar atë.

    “Disa njerëz besojnë se ky është një film i Hollivudit dhe presin rezultate menjëherë. Nuk është ashtu”, i tha ai BBC-së në një intervistë në fillim të kësaj jave. “Ajo që është në rrezik janë jetët e njerëzve”./REL/

  • Qindra emigrantë shpëtohen në Ishujt Kanarie

    Qindra emigrantë shpëtohen në Ishujt Kanarie

    Zyrtarët spanjollë kanë bërë të ditur se të paktën 227 emigrantë u shpëtuan pranë ishujve Kanarie të Spanjës, një ditë pasi u raportua për vdekjen e më shumë se 30 emigrantëve në këtë zonë.

    Shërbimet e urgjencës thanë se emigrantët po udhëtonin me gomone pranë ishujve Lanzarote dhe Gran Kanaria në Atlantik.

    Një numër prej tyre u dërguan në spital për t’u trajtuar për lëndime joserioze.

    Më 22 qershor, dy organizata bamirëse thanë se më shumë se 30 emigrantë mund të jenë mbytur pasi gomonia e tyre u fundos në Gran Kanaria.

    Autoritetet spanjolle thanë se ekipet e shpëtimit i gjetën trupat e një të mituri dhe një burri, si dhe shpëtuan edhe 24 persona të tjerë.

    Megjithatë, organizatat bamirëse, Walking Borders dhe Alarm Phone, thanë se rreth 60 njerëz kishin qenë në gomonet e fundosura.

    Helena Maleno Garzon, nga Walking Borders, tha se 39 persona ishin fundosur, përfshirë katër gra dhe një foshnje. Ndërsa, Alarm Phone tha se 35 persona ishin të zhdukur.

    Të dy këto organizata monitorojnë barkat me të cilat udhëtojnë emigrantët dhe komunikojnë me pasagjerët e tyre apo të afërmit e tyre.

    Një anije shpëtimi spanjolle, Gardamar Caliope, ishte vetëm rreth një orë larg nga gomonia kur ajo u fundos më 20 qershor, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve Efe.

    Por, anija nuk e ndihmoi gomonen sepse operacioni ishte marrë përsipër nga zyrtarët marokenë, të cilët dërguan një barkë patrullimi që mbërriti të mërkurën në mëngjes, dhjetë orë pasi ishte gomonia ishte vërejtur nga një aeroplan shpëtues spanjoll, sipas Reuters.

    Ministria e Brendshme e Marokut nuk u është përgjigjur pyetjeve të transmetuesit publik britanik BBC lidhur me këtë temë.

    Angel Victor Torres, udhëheqësi i rajonit të Ishujve Kanarie, e përshkroi incidentin si një “tragjedi” dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të krijojë një politikë migracioni që “ofron reagim të koordinuar” për çështjen e migrimit.

    Edhe pse pranë bregut perëndimor të Afrikës, Ishujt Kanarie janë pjesë e Spanjës dhe shumë emigrantë udhëtojnë nga Afrika në këtë arkipelag me shpresën për të shkuar në Evropën kontinentale.

    Rruga e migrimit Afrikë Perëndimore-Atlantik konsiderohet si një nga më vdekjeprurësit në botë. Të paktën 543 migrantë vdiqën ose u zhdukën gjatë udhëtimit në këtë zonë në vitin 2022, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) të OKB-së.

    IOM-ja kishte thënë se 45 anije ishin fundosur atë vit, por kishte shtuar se shifra reale mund të jetë më e madhe sepse të dhënat janë të pakta dhe të paplota.

    Shumica e emigrantëve janë nga Maroku, Mali, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe pjesë të tjera të Afrikës Sub-Sahariane, sipas IOM-së.

    Javën e kaluar, një barkë me qindra emigrantë u fundos në brigjet greke, me të paktën 78 të vdekur. Dyshohet se numri i viktimave është edhe më i madh, pasi që zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se rreth 500 persona janë ende të zhdukur./REL/

  • Policia e Kosovës arreston të dyshuarin për sulm ndaj KFOR-it

    Policia e Kosovës arreston të dyshuarin për sulm ndaj KFOR-it

    Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it, në protestën e 29 majit në Zveçan.

    Sipas policisë i arrestuari është N.O., me vendbanim në Mitrovicën e Veriut, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.

    “Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Njoftimi i plotë:

    Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it.

    Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

    Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.

  • Të hënën Borrell i’u raporton ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

    Të hënën Borrell i’u raporton ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, ndërkaq në agjendë do të jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi.

    Sipas njoftimit Ministrat e Jashtëm do të zhvillojnë një debat për diplomacinë digjitale dhe pritet të miratojë konkluzionet për këtë çështje.

    “Së fundi, sipas çështjeve aktuale, Këshilli mund të informohet për Tunizinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin, si dhe për dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

  • 58-vjeçarja u gjet pa shenja jete në zonën e liqenit akumulues të lumit Ibër, Policia jep detaje

    58-vjeçarja u gjet pa shenja jete në zonën e liqenit akumulues të lumit Ibër, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me trupin e 58-vjeçares që u gjet dje pa shenja jete në lumin Ibër në Mitrovicë.

    Në raportin e policisë thuhet se viktima dyshohet se ka rënë aksidentalisht.

    “Mitrovicë 22.06.2023 – 07:26. Është raportuar se viktima femër kosovare dyshohet se aksidentalisht ka rënë në lumin Ibër. Ekipi i zjarrfikësve viktimën e ka nxjerrë nga lumi pa shenja jete, nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes është konstatuar vdekja e saj”, thuhet në raport.

    Tutje thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    Gjendet e vdekur një 56-vjeçare në zonën e liqenit akumules të lumit Ibër

  • Vushtrri: Lëndohet një person në vendin e punës

    Vushtrri: Lëndohet një person në vendin e punës

    Një person është lënduar dje në vendin e punës. Sipas policisë, ai është lënduar derisa ishte duke punuar në një çati.

    I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar nga policia.

    “Vushtrri 22.06.2023 – 10:25. Viktima mashkull kosovar derisa ishte duke punuar në një çati, është rrezuar dhe ka pësuar lëndime trupore. I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori dhe inspektorët e punës. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Begaj: Roli i SHBA-së vendimtar për paqen në Kosovë

    Begaj: Roli i SHBA-së vendimtar për paqen në Kosovë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se shteti shqiptar e njeh rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për paqen në Ballkanin Perendimor, e veçanërisht për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

    Këto komente shefi i shtetit shqiptar, Bajram Begaj i bëri në pritjen me rastin e 247 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

    Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria është pranë SHBA-ve, si partner strategjik i tyre.

    “Më lejoni të nënvizoj se ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan, e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë dhe nuk harrojmë. Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë”, u shpreh presidenti Begaj.

    Në këtë pritje të organizuar me rastin e 247 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, të mbajtur në kryeqytetin shqiptar, Begaj theksoi se angazhimi amerikan për integrimi euro-atlantik të Shqipërisë është vendimtar.

    Ndërsa, si shefi i shtetit ka ripërsëritur gatishmërinë për thellim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim. Shteti i së drejtës dhe demokracia janë të domosdoshme për mirëqenien në vend për aq sa edhe në rajon.. Dua të ripërsërisë gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm dhe intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat e posaçërisht atyre ekonomike në përballjen e sfidave që janë sa kombëtare dhe rajonale aq edhe globale”, theksoi Begaj.