ATV

Category: Lajme

  • Ministri Sveçla thotë se Rama kontribuoi që tre policët të lirohen

    Ministri Sveçla thotë se Rama kontribuoi që tre policët të lirohen

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se për lirimin e tre policëve kosovarë të kidnapuar nga forcat serbe ka dhënë kontribut Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Më tej ai theksoi se faktori evropian dhe rajonal nuk duhet të mjaftohen vetëm me lirimin e policëve pasi sipas tij presioni ndaj Serbisë duhet të shtohet

    “Të gjithë nga pak, presioni për Serbinë ishte shumë i madh. Ne bllokuam të gjitha pikat kufitare për mallrat e Serbisë. Ishin shtetet aleate që u angazhuan që lirimi i policëve të ndodhë sa më shpejt. Ishte dhe Rama që reagoi ashpër për këtë rast. Rama kontribuoi që tre policët të lirohen. Unë besoj se angazhimi i faktorit, qoftë rajonal, qoftë evropian nuk duhet të mjaftohet me kaq”, ka thënë Sveçla për Euronews Albania.

    “Do të duhet që ndaj Serbisë të shtohet presioni, pasi Serbia vazhdon të jetë faktor destabiliteti. Ne mbrëmë kishim një sulm terrorist në oborrin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, prodhim i Serbisë”.

  • Del një audio-inicizim i rrejshëm i Kurtit me Hovenierin, reagon Qeveria

    Del një audio-inicizim i rrejshëm i Kurtit me Hovenierin, reagon Qeveria

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka demantuar audio-incizimin i cili është publikuar në rrjetin rus Telegram, ku pretendohet për një bisedë që është zhvilluar ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Kryeziu ka thënë se incizimi në fjalë është “deepfake” (zë i montuar) dhe sipas tij ka për qëllim të mashtrojë publikun.

    “Një audio shqetësuese deepfake po qarkullon aktualisht në kanale dhe media të ndryshme sociale, duke përfshirë Twitter-in, me qëllim për të mashtruar publikun. Edhe një herë rikujtojmë rreziqet që përmbajtja e rreme dhe e manipuluar paraqet për të vërtetën, demokracinë dhe në fund të fundit paqen”, ka shkruar ai në Twitter.

    Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë thirrje që të mos besohet gjithçka që publikohet në mediet sociale ose në aplikacionet tjera.

  • Rama: Kurti e Vuçiq në konferencë ku s’lejohet të dalin pa marrëveshje

    Rama: Kurti e Vuçiq në konferencë ku s’lejohet të dalin pa marrëveshje

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur sot një konferencë për media bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell.

    Rama ka falënderuar Borellin për punën që po e bën lidhur me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Rama ka thënë se rajoni në asnjë mënyrë s’mund të bëj hapa mbrapa.

    “Në të njëjtën kohë ishte ndihmuese që të ndajmë opinionet tona për diçka që është shumë shqetësuese e për të cilën ju po punoni shumë fort, e që ka të bëj me gjithë stabilitetin e rajonit dhe me gjithë progresin rajonal. Ne jemi pjesë e rajonit që ka vuajtur shumë, dhe që s’mundet assesi të bëj kthim mbrapa, e ku ngjarjet s’janë të shkëputura nga njëra-tjetra, e që ne s’mund të shikojmë thjesht për shtëpinë tonë, pa u shqetësuar për atë që po ndodh përreth”, ka thënë Rama.

    Tutje kryeministri i Shqipërisë ka thënë se Borell ka ofruar argumente të qarta se shtetet anëtare po e humbin durimin, dhe këtu shton se shpreson që ideja për konferencë të liderëve ku s’do të lejohet të dalin pa marrëveshje, të merret parasysh.

    Ndryshe thotë se palët duhet të përballen me pasojat, gjë që do të jetë e dhimbshme për të gjithë.

    “Faleminderit që keni ndarë me ne gjithmonë e më shumë prova për humbjen e durimit nga shtetet anëtare dhe rritjen e shqetësimit. Dhe shpresoj shumë që ideja e konferencës së nivelit të lartë do të marr vëmendje e ku do të marrin pjesë liderët e dy palëve dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe të mos lejohen ata të dalin pa arritur një marrëveshje, ndryshe pastaj për t’u përballur me pasojat e asaj, që do të jetë shumë e dhimbshme për të gjithë”, ka thënë Rama.

  • ​Haxhiu mblodhi grupin ndërministror kundër dhunës në familje, diskutohet rasti i 11 vjecares

    ​Haxhiu mblodhi grupin ndërministror kundër dhunës në familje, diskutohet rasti i 11 vjecares

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësim për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në trajtimin e rastit të vajzës 11 vjecares që ishte dhunuar. Lidhur me këtë është diskutuar në një takim të grupit ndërministror kundër dhunës në familje, të thirrur nga Haxhiu.

    Në këtë takim është diskutuar mbi përgjigjen institucionale dhe mos përgjigjen e disa prej institucioneve përgjegjëse të përmendura në rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit për rastin e 11 vjecares.

    “Gjatë takimit të sotëm, ndër të tjera u diskutua për përgjigjet e institucioneve si dhe mos përgjigjet e disa prej tyre. Ministrja Haxhiu ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje rreth rastit në fjalë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për rastin e viktimave të dhunimeve seksuale fëmijë. Për trajtimin e rastit të vajzës 11 vjeçare, Ministrja ka shprehur shqetësimin e saj për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në këtë drejtim. Andaj, Grupi Koordinues u dakordua për një takim urgjent të personave përgjegjës që të adresohet saktësisht dhe detajisht secili veprim dhe mosveprim i tyre”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.

    Gjithashtu është theksuar se nga pranimi i planeve të veprimit dhe dokumenteve të tjera relevante për rastin në fjalë, Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësimin e saj për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen.

    Në këtë takim është njoftuar se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.

  • Kërkohet paraburgim ndaj një personi që dëmtoi një kompani mbi 20 mijë euro

    Kërkohet paraburgim ndaj një personi që dëmtoi një kompani mbi 20 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit L.V., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i besimit’’.

    Sipas kërkesës, i pandehuri L.V., në Qendrën Tregtare ‘’Viva Fresh Store”, në njësinë nr. 2 në Gjilan, në cilësinë e menaxherit, ka keqpërdorur autorizimet e tij që dalin nga kontrata e lidhur me këtë ndërmarrje, duke dëmtuar të njëjtën në vlerë financiare mbi 20,871.24 €, ashtu që artikujt e blerë nga konsumatorët fillimisht i ka regjistruar, por nuk i ka pajisur me kuponë fiskal, ndërsa më pas ka përdorur kartelën ‘’0’’, për të fshirë artikujt e regjistruar.

    Sipas njw komunikate, me këto veprime, dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale.

  • ​Serbët protestojnë edhe në veri

    ​Serbët protestojnë edhe në veri

    Me tone të forta kundër kryeministrit të vendit, Albin Kurti e muzikë kushtuar Serbisë, serbët e komunave veriore, kanë marrë pjesë sot në siç e quajtën ata, “Tubim i madh i vidovdanit” që u mbajt në sheshin “Vëllezërit Miliq”, në veri të Mitrovicës, raporton KP.

    Dragisha Milloviq, ish kryetar i komunës së Zveçanit, duke lexuar deklaratën pesë pikëshe të vidovdanit, dhe për të cilën u tha se është deklaratë e përbashkët e popullit serb të Kosovës, ka përmendur formimin e Asociacionit, luftën për mbijetesë të serbëve në këto troje, si dhe orientimin drejt paqes, duke potencuar këtu edhe bashkëjetesën me shqiptarë, si kërkesa të përbashkëta të popullit serb të këtushëm.

    Ai ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë ndikimin e saj dhe të lirojë të gjithë serbët që u arrestuan kohët e fundit.

    Ndryshe, “Vidovdani”, është festë fetare e serbëve e cila përmes gënjeshtrës dhe miteve, Beogradi zyrtar tenton ta mbaj gjallë nervin nacionalist për Kosovën.

  • Trupi gjykues nuk e shtynë datën për mbylljen e çështjes së ZPS-së në rastin kundër Shalës

    Trupi gjykues nuk e shtynë datën për mbylljen e çështjes së ZPS-së në rastin kundër Shalës

    Trupi gjykues në çështjen kundër Pjetër Shalës, nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ana e ZPS, që është planifikuar të ndodh më 6 korrik. Urdhri është marrë në seancën ku ka dëshmuar për të dytën ditë me radhë dëshmitari i prokurorisë, Marek Gasior.

    Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se nuk kanë vlerësuar asnjë arsye për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS përtej 6 korrikut 2023.

    “Trupi gjykues nuk shikon asnjë arsye për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS dhe konstaton se kjo nuk është në interes të zhvillimit efektiv të procedurave. Kjo nuk cenon vendimmarrjen e turpit gjykues për kërkesën e ardhshme për leje për apelim nëse kjo do të miratohet dhe nëse Gjykata e Apelit do të tjetërsojë vendimin atëherë do të vendosim se si do të vijomë më tej. Për rrjedhojë kërkesa e mbrojtjes kundërshtohet”, ka thënë kryegjykatësja.

    Megjithatë, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Shalës, për të shtyrë kundërpyetjet për dëshmitarin 4823, duke marrë vendim që ato të fillojnë të hënën e 3 korrikut.

    Mbrojtja kishte kërkuar këtë në mënyrë që të mund të përgatisin pyetjet për këtë dëshmitar.

    “Pasi ka marrë parasysh parashtrimet e palëve dhe duke marrë parasysh faktin që salla e gjyqit nuk është e disponueshme të enjten dhe të premten, trupi gjykues vendos të shtyjë kundërpyetjet për dëshmitarin 04826 deri javën që vjen, ne kemi marrë konfirmim se kemi përkthyes të disponueshëm për 3 korrik dhe kjo do të thotë që do të vazhdojmë me marrjën në pyetje të dëshmitarit, nga mbrojtja, të hënën. Gjithashtu për të siguruar kryerjen e efikase dhe të shpejtë të procesit gjyqësor, trupi gjykues i bën thirrje mbrojtjes që të sigurojë një pozitë të tillë që të ketë të disponueshëm ekspertët e vet gjatë gjithë javës që vjen dhe të ketë të disponueshëm dy dëshmitaret ekspertë”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

    Pas këtyre urdhrave, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të ZPS-së, Marek Gasior, në cilësinë e ekspertit mjekoligjor nga Polonia.

    Ai është intervistuar nga prokuroria dhe nga mbrojtësi i viktimave.

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës do të vazhdojë të hënën me 3 korrik.

    Edhe këtë seancë, Pjetër Shala e ka ndjekur nga qendra e paraburgimit, ku ndodhet prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./KosovaPress

  • ​Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët të dihet ndikimi i revoltës së Wagnerit në Rusi

    ​Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët të dihet ndikimi i revoltës së Wagnerit në Rusi

    Shtëpia e Bardhë tha të hënën se është “shumë shpejt për të ditur” se çfarë ndikimi do të ketë në rajon revolta e Wagner-it e fundjavës së kaluar në Rusi.

    “Presidenti është i fokusuar në mbështetjen e Ukrainës. Ne nuk po mbajmë anë në këtë çështje të brendshme,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, gjatë një konference të përditshme për shtyp.

    Por ai shtoi: “Historia e këtij konflikti ka treguar se ushtria ruse nuk është aq e lavdëruar sa ndoshta ata donin të karakterizoheshin”.

    Duke e kthyer fokusin përsëri te lufta 16-mujore e Ukrainës, ai tha: “Dhe përsëri, të mos tingëllojë si një rekord i thyer, por ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sigurohemi që ukrainasit të kenë gjithçka që u nevojitet për të qenë të suksesshëm në atë luftë”.

    Kirby gjithashtu nuk pranoi të komentojë nëse qeveria amerikane i konsideron ngjarjet që ndodhën me Grupin Wagner një “kryengritje, një grusht shteti, një tentativë për grusht shteti ose një rebelim të armatosur”.

  • Borrell pas takimit me Ramën: Vendeve të BE-së po u humb durimi nga tensionet Kosovë-Serbi

    Borrell pas takimit me Ramën: Vendeve të BE-së po u humb durimi nga tensionet Kosovë-Serbi

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për përpjekjet që po bën për të gjetur zgjidhje, pas rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se, palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje, sipas planit të BE-së, që u është prezantuar atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet janë duke humbur durimin, andaj kërkojnë veprime të shpejta”, ka thënë Borrell në një konferencë për media me Ramën në Bruksel.

    Kryeministri Rama, në anën tjetër, ka thënë se është i shqetësuar për tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Jam i përkushtuar dhe Shqipëria është e përkushtuar për të punuar që të mos lejojë që kjo situatë të ndikojë keq në rajon”.

    Ai ka thënë se lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë përbën lajm të mirë, dhe tani është koha për shtensonim urgjent.

    Tre policët janë liruar nga paraburgimi më 26 qershor do të mbrohen në liri.

    Ata janë arrestuar më 14 qershor.

    Ndaj tyre rëndon vepra penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

    Kosova pretendon se ata janë rrëmbyer nga territori i Kosovës, por Serbia deklaron se i ka arrestuar në territorin e saj.

    Arrestimi i tyre përbën vetëm një prej arsyeve të rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Atmosfera është përkeqësuar prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

    Çështja e tensioneve në Kosovë do të jetë temë diskutimi edhe në takimet e shefave të shteteve të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel. /REL

  • Instagram lanson përditësimin e madh për të mos e përdorur gjatë natës

    Instagram lanson përditësimin e madh për të mos e përdorur gjatë natës

    Kur të rinjtë po hasin në telashe për të fjetur, “shpëtimin” po e gjejnë te telefoni dhe rrjetet sociale. Bëhet fjalë kryesisht për Instagramin. Por ditët kur i zë mëngjesi duke shikuar ende në Instagram, mund ta kenë përjetuar fundin me përditësimin e ri të Instagramit.

    Meta, që është pronare e Instagramit dhe Facebookut, ka lansuar dy vegëza për t’i paralajmëruar të rinjtë që të menaxhojnë kohën e tyre nëpër aplikacione.

    “Këto përditësime janë menduar t’u ndihmojnë të rinjve të ndihen më në kontroll të përjetimeve të tyre online dhe t’u ndihmojë prindërve t’i përkrahin adoleshentët e tyre”, ka thënë Meta.

    Veçoria e parë është njoftimi i adoleshentëve se kanë kaluar “kohë të gjatë në Facebook”.

    “Adoleshentët do të njoftohen kur t’i kalojnë 20 minuta në Facebook, duke u rekomanduar të largohen nga aplikacioni e të caktojnë kufizime ditore të kalimit të kohës në to”, ka shpjeguar kompania.

    Ndërsa në Instagram, atyre “do t’u dridhet ekrani” nëse aplikacioni vëren se po rrinë shumë gjatë natës.

    Veçoria vjen pak kohë pas lansimit të “Quiet Mode” në Instagram – veçori që inkurajon përdoruesit të caktojnë kufizime me miqtë dhe ndjekësit e tyre. Ky modalitet hesht njoftimet dhe dërgon auto-përgjigje në mesazhe.

    Veçoritë pritet të jenë gati në gjithë botën së shpejti.