ATV

Category: Lajme

  • ​Atiq: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

    ​Atiq: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

    Kryetari i komunës në veri të Mitrovicës, Erden Atiq, ka deklaruar se do të vazhdojnë punën pavarësisht sulmeve dhe kërcënimeve. Ai ka reaguar pasi objekti komunal u sulmua mbrëmë me granatë dore.

    Atiq u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të trajtojnë me urgjencë këtë rast dhe kryesit të dalin para drejtësisë.

    “Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar ai.

    Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

    “Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me çrast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, ka deklaruar zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani./KP

  • ​Rama: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi detyrim ndaj krejt rajonit

    ​Rama: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi detyrim ndaj krejt rajonit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Bruksel, zhvilloi sot një takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ndau detaje nga takimi, teksa theksoi se, de-eskalimi i tensioneve në Kosovë është i domosdoshëm për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!”, bëri me dije Rama.

    “Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

    Pas letrës së dërguar ndaj presidentit francez dhe kancelarit gjerman për një shtysë të re nga BE për zbatimin e planit franko-gjerman si zgjidhje për tensionet Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama udhëtoi dje në Bruksel, për t’u takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

  • ​Vjedhje në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë

    ​Vjedhje në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë

    Në Qendrën e Regjistrimit Civil në Podujevë është kryer një vjedhje nga arka e postës, e cila gjendet brenda këtij objekti.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të hënën ndërsa nga arka dyshohet të jenë vjedhur para të gatshme, pulla postare dhe SIM kartela.

    Lidhur me këtë rast, deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar.

    Qendra e regjistrimit Civil ndodhet në rrugën “Salih Çitaku” në Podujevë ndërsa edhe më herët ka qenë cak i veprave të tilla.

    Një muaj më parë kishte ndodhur një vjedhje e rëndë në këtë qendër ku persona të panjohur kishin depërtuar me forcë dhe kishin vjedhur 5 mijë e 853 euro nga kasaforta e filialit./KP

  • ​Kaloi ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë, ndalohet nga Policia

    ​Kaloi ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë, ndalohet nga Policia

    Njësiti policor ka ndaluar veturën me targa të Serbisë të cilin kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull serb shtetas i Serbisë.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë në fshatin Koshuticë të Komunës së Leposaviqit, ku i dyshuari me veturën e tij në mënyrë të kundërligjshme nga territori i Serbisë përmes rrugëve alternative jashtë vendkalimit kufitar kishte hyrë në territorin e Kosovës.

    I dyshuari është sjellë në stacion policor dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

  • ​MPB pas sulmit në veri të Mitrovicës: Serbia po tenton të eskalojë situatën

    ​MPB pas sulmit në veri të Mitrovicës: Serbia po tenton të eskalojë situatën

    Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas sulmit që ka ndodhur mbrëmë në objektin e komunës në veri të Mitrovicës. Aty thuhet se sulme të tilla janë tentativa të njëpasnjëshme të Serbisë për të eskaluar situatën.

    Në reagimin e ministrisë theksohet se sulmet e vazhdueshme terroriste duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.

    “Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”.

    Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

  • ​Obiliq, arrestohet një person i dyshuar për dhunë në familje

    ​Obiliq, arrestohet një person i dyshuar për dhunë në familje

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet të ketë sulmuar fizikisht viktimën femër, më të cilën ishte duke bashkëjetuar. Ngjarja ka ndodhur të hënën ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    Sipas njoftimit të Policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor si dhe mundësia për strehim.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, i është ofruar mundësia për strehim, por e njëjta ka refuzuar dhe ka shkuar tek motra e saj. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

  • ​Policia e Kosovës parandaloi dy raste të kontrabandimit me mallra

    ​Policia e Kosovës parandaloi dy raste të kontrabandimit me mallra

    Në kuadër të planit operacional të Task Forcës, në zonën kufitare “Lindje”, Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka bërë parandalimin e kontrabandimit me mallra.

    Policia ka njoftuar se pas mesnate, në hyrje të fshatit Pasjan janë ndaluar dy vetura me targa të Serbisë në të cilat janë gjetur qindra shishe me pije alkoolike.

    “Me datën 27.06.2023 rreth orës 00:25 në hyrje të fshatit Pasjan është ndaluar vetura Mercedes me targa të Serbisë, e drejtuar nga i dyshuari M. S., si dhe vetura tjetër po ashtu Mercedes me targa të Serbisë e drejtuar nga i dyshuari Z. I. Gjatë kontrollit tek vetura e parë janë gjetur dhe janë konfiskuar 35 arka x 20 shishe pije alkoolike, kurse tek vetura e dytë gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë konfiskuar gjithashtu 29 arka x 20 shishe pije alkoolike”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Në konsultim me prokurorin kujdestar, malli i konfiskuar është përcjellë në terminalin doganor, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësiti kompetent.

  • Bie eksporti i Kosovës, thellohet deficiti tregtar për 20.5%

    Bie eksporti i Kosovës, thellohet deficiti tregtar për 20.5%

    Eksporti i mallrave në muajin maj 2023 kishte vlerën jo më shumë se 74.7 milionë euro, ndërsa importi 518.1 milion euro, dhe është një rënie prej 1.6% për eksport si dhe një rritje (16.7%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për 20.5% në muajin maj 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 443,3 milion euro krahasuar me deficitin 367,8 milion euro në vitin 2022.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti mbulon importin vetëm 14.4%.

    Në raportin e fundit të ASK-së thuhet se eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 33,1 milion euro, ose (44.3%) të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (6.9%).

    “Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Shqipëria (15.3%), Maqedonia (14.8%), Serbia (6.9%), Mali i zi (5.9%)”, thuhet në raport.

    Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin maj 2023, arritën në 96.8 milion euro, ose 18.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 16.9%.

    “Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.8%), Serbia (5.3%), Maqedonia (5.2%)”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • ​Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    ​Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

    Samiti do të mbahet në Podgoricë të Malit të Zi ndërsa Osmani ka udhëtuar atje për t’iu bashkuar krerëve të 13 shteteve në bisedimet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit.

    “Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, ka njoftuar Zyra e Presidentes.

  • Burg i përjetshëm për kosovaren në Gjermani: E përvëloi vajzën e saj dhe se dërgoi te mjeku, vdiq pas 12 ditësh

    Burg i përjetshëm për kosovaren në Gjermani: E përvëloi vajzën e saj dhe se dërgoi te mjeku, vdiq pas 12 ditësh

    Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar atë te mjeku. Kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet

    Pas vdekjes së vajzës së saj katërvjeçare, një 25-vjeçare është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me mosveprim, shkruan dpa.de. Gjykata e Landit në Verden (Saksonia e Ulët) e ka konstatuar të hënën si të provuar faktin se e akuzuara ka vepruar nga lakmia.

    Në gusht të vitit 2022, ajo kishte larëqëllimisht të bijën në apartamentin e saj në Grasberg afër Bremenit me ujë aq të nxehtë sa fëmija pësoi djegie me rrezik për jetën, transmeton albinfo.ch. Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar të bijën fare te mjeku.

    Kishte vepruar kështu pasi kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet.

    Kosovarja, e lindur në Gjermani, e ka trajtuar fëmijën “krejtësisht në mënyrë joadekuate”, duke e lyer me pomadë dhe fasha. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se katërvjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo “e kishte lënë atë në fatin e saj” dhe më në fund ka pranuar edhe mundësinë për vdekjen e saj.

    Vajza ka vdekur dymbëdhjetë ditë pas përvëlimit. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë, ka thënë kryetari i trupit gjykues. Fëmija ka vuajtur në mënyrë “të pabesueshme”.

    Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza, përcjell albinfo.ch. Gjykata nuk e beson këtë pretendim, sepse ashpërsia e plagëve duhet ta ketë bërë të qartë se çfarë mundimi ka pësuar fëmija.