ATV

Category: Lajme

  • Lirimi i policëve: Zëdhënësi i DASh-it nuk komenton rolin e ish-zyrtarëve amerikanë

    Lirimi i policëve: Zëdhënësi i DASh-it nuk komenton rolin e ish-zyrtarëve amerikanë

    Lajmi për lirimin e tre policë kosovarë të rrëmbyer nga shteti serb më 14 qershor u shoqërua me shumë reagime, spekulime dhe pretendime të ndryshme lidhur me ndikimin e disa zyratëve apo ish-zyrtarëve në këtë proces. Por çka tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit?

    Pas lirimit të tyre, kishe raportime – të pa konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Nacionale – se ish i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kontribuan në lirimin e policëve.

    Në këtë kontekst, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matt Miller, u pyet rreth rolit të ish-zyrtarëve amerikanë dhe ndikimit të tyre në këtë çështje gjatë konferencës së rregullt me gazetarë, e cila u mbajt sot.

    Megjithëse Miller shprehu gëzimin e tij për lirimin e tre policëve kosovarë, ai refuzoi të komentojë rreth kontributit të ish-zyrtarëve të administratës amerikane. “Nuk do ta vendos veten në atë pozicion për të folur për ish-zyrtarët e administratës,” tha ai.

    Miller po ashtu ka theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e policëve kosovarë, duke shtuar pak sarkazëm në përgjigjen e tij.

    “Do të flas për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ajo që bëmë është që kërkuam lirimin e tre oficerëve të policisë.” – pohoi ai

    “Siç ndodh shpesh, suksesi ka një mijë baballarë, dhe cilado qoftë arsyeja që autoritetet i liruan ata tre oficerë policie, ne jemi të lumtur që e pamë të ndodhë.” – deklaroi Miller.

  • Myslimanët nesër festojnë Kurban Bajramin, lutjet shkojnë për paqe e mirëkuptim

    Myslimanët nesër festojnë Kurban Bajramin, lutjet shkojnë për paqe e mirëkuptim

    Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Ternava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

    Lutja e myftiut Tërnava ishte që të ketë paqe mes njerëzve dhe jo trazira.

    “Sot po jetojmë në kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë. Në këtë ditë të madhe, në vigjilje të Kurban Bajramit, lutemi që mesazhi dhe porositë që i bart kjo festë, të kuptohen drejt nga të gjithë. Lutemi, po ashtu, që bota të ketë sa më pak konflikte e ngatërresa, luftëra e çrregullime. Festa e Kurban e Bajramit ka edhe domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit e mirëkuptimit. Duke iu uruar për festën e madhe të Kurban Bajramit, lus për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tona. Me fat e mbarësi festa e Kurban Bajramit!”, tha Tërnava.

    Kreu i BIK-ut kujtoi edhe obligimin për prerjen e kurbanit dhe shpërndarjen e me nevojtarët.

    “Prerja e Kurbanit në Ditën e Bajramit është një ibadet shtesë, ndërkaq argumenton shpirtin e bindjes për Zotin në të njëjtën kohë, ka për qëllim qoftë edhe për një kohë të caktuar, mbylljen e hendekut dhe ndasive mes shtresave të ndryshme shoqërore, duke rritur bashkëpunimin dhe duke afruar ndihmën dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit!”, tha Tërnava.

    Duke kujtuar haxhilerët kosovarë që janë duke kryer një nga obligimet e fesë myslimane, Tërnava tha se ata së bashku me miliona besimtarë të tjerë po shprehin përkushtimin dhe adhurimin ndaj Zotit, në formën më të mirë.

    Manifestimi qendror kushtuar kësaj feste do të mbahet nesër në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë. Namazi i sabahut falet në orën 4.23 min, ndërsa namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.38 min. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në javën e fundit të mësimit, rritet numri i mungesave të nxënësve

    Në javën e fundit të mësimit, rritet numri i mungesave të nxënësve

    Mungesat e nxënësve në javën e fundit të mësimit tashmë kanë filluar të shihen. Madje, edhe prania e të tjerëve po vlerësohet vetëm fizike, pasi interesimi për mësimnxënie është ulur dukshëm.

    Vazhdimi i mësimit edhe gjatë kësaj jave nuk po konsiderohet fare efektiv.

    “Kemi pasur mundësi ta përfundojmë edhe javën e kaluar. Prania e tyre është më shumë fizike, nuk ka interesim, po ndikojnë edhe temperaturat e larta”, tha drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Ndonëse, nuk është bërë asnjë zëvendësim në ditët e shtuna, shpjegimi i njësive mësimore në shumicën e lëndëve ka mbaruar javën e kaluar.

    “Përveç lëndës së matematikës, e cila është më voluminoze, lëndët e tjera pa asnjë problem i kemi përmbledhur, pa pasur nevojë të tejkalohet ndonjë mësim”, tha Naxhije Fejzullahu, mësimdhënëse në shkollën “Emin Duraku”.

    Se kjo javë ka të bëjë më shumë me çështje administrative, e thotë edhe drejtori i shkollës “Pavarësia”, duke shtuar se mësimi ka pasur mundësi të përfundojë edhe javën e kaluar.

    “Mund të ketë ndonjë njësi të mos realizohet, por nuk do të thotë që e ka pasur mundësinë të realizohet për këtë javë se nëse një lëndë mësimore e ka vetëm një orë në javë, ajo i bie të mërkurën, që i bie festë, d.m.th. s’kemi bërë asgjë me këtë punë”, tha drejtori i shkollës “Pavarësia”, Shefki Rusinovci.

    Për shkak të grevës 1-mujore që mbajtën mësimdhënësit vitin e kaluar, me kalendarin e ri shkollor përfundimi i procesit mësimor u shty.

    Klasat e 9-ta deri në të 11-tën mësimin e përfunduan të martën, derisa për nxënësit e klasave nga e para në të tetën, mësimi do të mbarojë të premten e 30 qershorit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama e Borrell kërkojnë deeskalim të situatës në veri të Kosovës

    Rama e Borrell kërkojnë deeskalim të situatës në veri të Kosovës

    Tensionet në veri të Kosovës ishin temë diskutimi në takimin mes kryeministrit shqiptar Edi Rama, e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

    De-eskalim i situatës në veri u kërkua edhe sot nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, për të cilën u tha se ka humbur durimi.

    “Gjithashtu, kemi diskutuar edhe për dialogun, për paqen në Prishtinë dhe të falënderoj ty Kryeministër, për përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe e kam bërë të qartë dje në Luksemburg, që palët duhet të gjejnë një mënyrë për ta evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që u është vënë në tavolinë. Kjo situatë kërkon që ne të marrim masa në mënyrë të shpejtë, urgjente dhe shtetet anëtare janë dakord me këtë urgjencë. Ato e kanë humbur durimin para kësaj situate që po përkeqësohet gjithmonë e më tepër dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, tha Borrell.

    Shtensionim të situatës në veri të Kosovës kërkoi edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është detyrim i të dyja vendeve ndaj vendeve të rajonit, e për këtë ai pati një propozim.

    “Unë shpresoj shumë që ideja e një konference të nivelit të lartë, që të sjellim liderët e dy shteteve, liderët e BE-së dhe Amerikës, dhe të mos i lëmë të dalin pa arritur një marrëveshje, ose të ballafaqohen me të gjitha pasojat që do të ishte shumë zhgënjyese për të gjithë”, tha Rama.

    Rama foli edhe për lirimin e tre policëve kosovarë, duke theksuar se tash është koha për vendosjen e qetësisë.

    “Më në fund kemi lirimin e tre policëve dhe tani është koha për de-eskalimin urgjentisht. Po bëhet shumë më shumë urgjent dhe jemi të angazhuar që të vazhdojmë punën bashkë me juve dhe miqtë e tjerë, që të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë keq në rajon. Kemi shumë punë për të bërë, Procesi i Berlinit, kemi bërë shumë progres”, tha Rama.

    Në ditën e dytë të vizitës në Bruksel, kryeministri Rama ka takuar edhe Komisionarin për Zgjerimin Evropian, Olivér VárhelyI, si dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, me të cilët foli për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Serbët mblidhen në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, Shpalosin “deklaratën e vidovdanit”

    Serbët mblidhen në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, Shpalosin “deklaratën e vidovdanit”

    Një ditë para festës së Shën Vidit apo Vidovdanit, Serbët e Kosovës u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku edhe nxorën një dokument të quajtur deklarata e Vidovdanit.

    Deklarata e cila përmbante pesë pika, fokus kishte gjendjen e serbëve pas situatës së fundit në veri dhe vendimet potenciale që do të mund të merren ditëve në vazhdim, karshi asaj që do të ngjajë për ta.

    Teksa shprehnin mllefin ndaj institucioneve të Kosovës për siç e quajtën ata, dhunën ndaj serbëve, nuk u la pa u përmendur edhe Asociacioni, që megjithatë do jetë temë ekstra nesër në kremten e ‘Vidovdanit’.

    “Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, tha ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisa Miloviç.

    Duke folur për ngjarët në veri të vendit, teksa institucionet e Kosovës i etiketonin si fashiste, ata kërkuan ndihmë nga ndërkombëtarët, në të kundërtën, siç thanë, do të marrin vetë masa.

    “Për më shumë se dy dekada, e sidomos muajt e fundit, ne serbët nga Kosova dhe Metohia, nga Shtërpca deri në Leposaviq, jemi përballur me dhunë të paparë, e cila, si për motivin ashtu edhe për mënyrën e kryerjes së saj, nuk mund të quhet ndryshe veçse fashiste. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa të vendosur për të qetësuar tensionet, sepse ne nuk mund ta tolerojmë më këtë mizori”, tha Miloviç.

    E njëjta deklaratë u shpalos edhe para qytetarëve në Graçanicë, me ç’rast u tha se rezistenca e tyre do të vazhdojë përderisa ka presion nga autoritetet e Kosovës.

    “Në prag të Vidovdanit, kur çdo gjë është e dukshme dhe kur çdo fjalë e dhënë bëhet premtim, ne serbët themi se nëse mizoria ndaj popullit tonë vazhdon, do të detyrohemi t’u përgjigjemi të gjithë atyre, të cilët na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes dhe ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë, për të qëndruar e mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, tha kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç.

    Përveç deklaratës për Vidovdanin, si në Mitrovicë të Veriut, ashtu edhe në Graçanicë, pati edhe fjalime të tjera, që kundërshtonin arrestimin e qytetarëve serbë, teksa u dha përkrahje edhe për liderin e tyre nga shteti amë, Aleksandër Vuqiq.

    Ndryshe, përgatitjet veçse janë bërë brenda Manastirit, ku nesër, do të mbahet ceremonia e Vidovdanit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shkarkohet Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë, rikthehen aksionarët e ndërmarrjeve publike

    Shkarkohet Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë, rikthehen aksionarët e ndërmarrjeve publike

    Edhe pse kishte dhënë dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e kuvendit komunal të 8 qershorit, kjo parti të martën ka shkarkuar Fehmi Kupinën edhe nga pozita e kryesuesit të kuvendit komunal të Prishtinës.

    Kupina në seancën e kaluar iu bashkua partive opozitare, Vetëvendosjes, AAK-së dhe AKR-së, në shkarkimin e aksionarëve të 20 ndërmarrjeve publike dhe emërimin e të rinjve nga po këto parti.

    Por LDK-ja dhe PDK-ja të cilat udhëheqin Prishtinës në koalicion, kthyen sërish pushtetin në këto ndërmarrje publike.

    “S’po doni me dëgju a? Mbani madje ndonjë ritëm më të mirë, qysh ja keni nisë ju me kërcye, luani Shotën, a najsen tjetër a… Unë po vazhdoj po bërtas. Prej datës 1, unë si kryetar i kryeqytetit, kam qenë këtu dhe do të jem për të mirën e kryeqytetit. Gëzim Sveçla ka ardhur dhe ka thënë se e kam shumicën dhe normalisht që i kam thënë atij e shumicën, bëje shumicën. Jemi në demokraci. Kush e ka shumicën sot këtu, po më vjen keq për anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes që bien pre dhe fore të Gëzim Sveçlës”, tha kryetar i Prishtinës, Përparim Rama.

    Megjithatë, para se të shkarkohej, kryesuesi Fehmi Kupina e shpalli të mbyllur seancën, duke thënë se nuk kishte kushte për punë.

    “Kryetar a ka mundësi ju lutemi, për arsye se nuk ka kushte për këtë mbledhje. E shpalli të mbyllur këtë seancë”, tha Kupina.

    Por, kryetari i Prishtinës Rama dhe asamblistët e partisë së tij vazhduan punën duke theksuar se ka kushte për punë.

    “Ka kushte për seancë, sepse ne jemi shumicë këtu”, tha Rama.

    Asamblisti nga LDK-ja, Sami Salihu, konstatoi shkarkimin e kryesuesit Kupina.

    “Në emër të Komisionit për Mbarëvajtjen e procesit të votimit për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina, konstatojmë se në votim kanë marrë pjesë 28 këshilltarë komunalë, prej tyre 27 janë për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. Dhe me këtë konstatojmë se miratohet propozimi për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina”, tha Salihu.

    Po ashtu, me 27 vota për është marrë vendim për caktimin e anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Prishtinës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sulmi ndaj komunës së Mitrovicës së veriut cilësohet terrorist

    Sulmi ndaj komunës së Mitrovicës së veriut cilësohet terrorist

    Pikërisht në këtë skaj të oborrit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, mbrëmë u hodh një granatë dore. Objekti, që ishte cak i sulmit, nuk u dëmtua, veturat e policisë po.

    Sipas policisë, rasti është iniciuar si “kryerje e veprës terroriste”.

    Si i tillë është dënuar edhe nga kryetari Erden Atiq dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë, për të eskaluar situatën në veri të vendit”, thuhet në reagimin e MPB-së.

    Të shtunën, ministri i Brendshëm deklaroi se dy organizatat që veprojnë në Veri, Brigadën e Veriut dhe Mbrojtjen Civile, do t’i shpallin organizata terroriste.

    Por, çka në fakt është terrorizmi, dhe kur një organizatë mund të shpallet si e tillë?

    “Veprat penale të terrorizmit janë të caktuara mirë në Kodin Penal. Quhen të tilla kur janë kundër rendit juridik kushtetues. Rasti i fundit, meqenëse ka qëllim të frikësimit dhe politik, mund të quhet vepër terroriste”, Fatmir Qollakaj, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Megjithatë, para se të shpallen organizata terroriste, njohës të fushës së drejtësisë, konsiderojnë se duhet të ndërmerren disa hapa.

    “Duhet të bëhet e qartë që shpallja terroriste e këtyre dy organizatave, duhet të bëhet në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Kur shpallet terroriste, çdo pjesëmarrës ndiqet sipas ligjeve në fuqi”, tha Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Përveç sulmeve të vazhdueshme me shok-bomba drejt stacioneve policore dhe patrullave të policisë në katër komunat veriore, të premten në Zveçan, u gjet dhe u konfiskua sasi e konsiderueshme e armatimit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në prag të Kurban Bajramit, Komuna e Lipjanit dhuron 10 banesa për familjet me asistencë sociale

    Në prag të Kurban Bajramit, Komuna e Lipjanit dhuron 10 banesa për familjet me asistencë sociale

    Komuna e Lipjanit sot i ka shpërndarë çelësat e banesave për 10 familje me gjendje të vështirë ekonomike.

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i ka uruar familjet përfituese t’i gëzojnë banesat “me shëndet për familjet e tyre”.

    “Për ne është e rëndësisë së veçantë zgjidhja e çështjes së banimit për familjet në nevojë e sidomos sot që në prag të festës së Kurban Bajramit ta bëjmë shpërndarjen e këtyre banesave”, ka shkruar Ahmeti.

  • Hyn në fuqi vendim i Komunës së Prishtinës: Të gjithë ata që adoptojnë qen do të marrin 50 euro

    Hyn në fuqi vendim i Komunës së Prishtinës: Të gjithë ata që adoptojnë qen do të marrin 50 euro

    Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se është miratuar propozim-vendimin për subvencionimin e të gjithë atyre që marrin në përkujdesje dhe mbajtje një apo më shumë qen.

    Sipas komunës, të gjithë personat që marrin në përkujdesje apo mbajtje një apo më shumë qenë do të përfitojnë subvencionim në shumë prej 50 euro.

    Në lidhje me këtë vendim, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se “adoptimi është mënyra më humane e trajtimit të qenve”.

    Ndërsa sipas drejtorit për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, qëllimi final i këtij vendimi është zvogëlimi i numrit të qenve endacakë në rrugët e Prishtinës.

    Zbatimi i këtij vendimi, sipas njoftimit, do të nisë pas kalimit të procedurave ligjore të nevojshme.

  • Vuçiq: Ndërkombëtarët do të na sjellin tekstin e Asociacionit, nuk do të na pyesin asgjë

    Vuçiq: Ndërkombëtarët do të na sjellin tekstin e Asociacionit, nuk do të na pyesin asgjë

    Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot në Beograd se ndërkombëtarët do ta çojnë tekstin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nuk do të na pyesin asgjë”.

    Vuçiq e ka komentuar shpërthimin e mbrëmshëm në pjesën veriore të Mitrovicës me një pyetje.

    “A është njësoj si me armët e gjetura përballë komunës së Zveçanit në afërsi të NATO-s dhe policisë së Kosovës, dhe ditë më parë kemi raportuar në shërbimet më të mëdha botërore se çfarë kanë planifikuar të bëjnë”, pyeti Vuçiq.

    Vuçiq ka thënë se të gjithë e din se kush po dëshiron ta tensionojë situatën.

    “Të gjithë në botë e dinë se kush po përpiqet të përshkallëzojë situatën, të gjithë në botë e dinë se kush po luan luftë…”, tha Vuçiq.

    “Ne bëmë të pamundurën për të ruajtur paqen, gjithmonë të gatshëm për kompromise – kjo është një fjalë e bukur dhe e mirë, jo një fjalë e keqe, ashtu siç biseda është një fjalë e mirë dhe jo një vepër keqardhjeje”, është shprehur Vuçiq sot gjatë një adresimi publik.