ATV

Category: Lajme

  • ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Kievit një paketë të re ushtarake, me vlerë prej 500 milionë dollarësh, njoftoi Pentagoni.

    Paketa përmban automjete tokësore, përfshirë automjete luftarake Bradley dhe transportues të blinduar të personelit Stryker.

    Qëllimi është të mbështetet Ukraina në kundërofensivën e saj dhe të forcohet mbrojtja e saj ajrore, tha Pentagoni.

    Në deklaratën e tij thuhet, mes tjerash, se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e tyre për t’i ofruar Ukrainës kapacitete, për të përmbushur nevojat e saj të menjëhershme në fushëbetejë”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi në Twitter se është “sinqerisht mirënjohës”.

    Ai tha se automjetet Bradley dhe Stryker “do ta rrisin edhe më shumë fuqinë” e ushtrisë së tij.

    Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

    Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

    Shtetet e Bashkuara janë deri më tash kontribuueset më të mëdha në këtë drejtim, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. Dërgesat, deri më tash, kanë përfshirë: tanke, obusë, sisteme raketore, dronë e të tjera./REL/

  • Presidenti Begaj takohet me homologun bullgar dhe me Ministrin e Jashtëm të Turqisë

    Presidenti Begaj takohet me homologun bullgar dhe me Ministrin e Jashtëm të Turqisë

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi takime dypalëshe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe Ministrin e Jashtëm të Turqisë, zotin Hakan Fidan, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.

    Në takimin me Presidentin e Bullgarisë Radev, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi më të mirë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse rajonale, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë te Korridori 8-të.

    Lidhur me këtë të fundit, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Bullgarisë si vend anëtar i BE-së në mbështetje të projektit.

    Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për nevojën e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për ndikimin e pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

    Presidenti Begaj u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, zotin Hakan Fidan, me kërkesë të këtij të fundit.

    Pasi e uroi për marrjen e detyrës së Ministrit të Jashtëm të një vendi mik, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

    Në një kohë kur në nëntor të këtij viti Turqia pritet të marrë komandën e KFOR-it në Kosovë, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe te zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Begaj vlerësoi rolin personal të Presidentit Erdogan në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë rajon.

    Në mënyrë të veçantë u shkëmbyen mendime edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për nevojën e vijimit të këtij dialogu, në shërbim jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit në tërësi.

  • Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

    Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

    Protesta dhe trazira shpërthyen në rajonin e Parisit, pasi policia qëlloi për vdekje një 17-vjeçar, i cili, siç u tha, nuk ndaloi kur u urdhërua nga policia rrugore.

    Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset.

    Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha se videoja e shpërndarë në mediat sociale, është “jashtëzakonisht tronditëse”.

    Adoleshenti, i identifikuar si Nael M., vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës.

    Oficeri që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje.

    Nael M. është personi i dytë që vritet këtë vit në Francë nga të shtënat e policisë në trafik. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në këtë mënyrë.

    Vrasja e Nael M. nxiti një seri protestash mbrëmjen e së martës në Nantere – zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti.

    Disa makina dhe kosha plehrash u dogjën, ndërsa stacione të autobusëve u shkatërruan.

    Së paku 24 persona u arrestuan pas trazirave./REL/

  • Krasniqi nga BIK-u ua uron Kurban Bajramin ish-krerëve të UÇK-së

    Krasniqi nga BIK-u ua uron Kurban Bajramin ish-krerëve të UÇK-së

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të mërkurën ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Krasniqi nuk la pa përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjenden në Hagë. Aty, Krasniqi u uroi festën e Kurban Bajramit.

    “Në emër te PDK-se uroj myftiun dhe përmes tij të gjithë anëtarët dhe besimtarët. Kjo është një festë që na e simbolizon solidaritetin dhe sakrificën. Në mënyrë të veçantë kujtojmë miqtë tanë që ndodhen në Hagë. Ua urojmë atyre prej këtu festën”, tha Krasniqi.

  • Abdixhiku viziton BIK-un, uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajram

    Abdixhiku viziton BIK-un, uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajram

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkësinë Islame të Kosovës, e vizitoi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

    Abdixhiku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, me ç’rast vlerësoi lartë punën e gazetarëve.

    “Sot me bashkëpunëtorë të LDK-së vizituam BIK-un dhe myftiun Tërnava dhe nëpërmes tij ju uruam festën të gjithë besimtarëve. Më lejoni të ju uroj juve gazetarëve në veçanti, kjo është festë edhe për familjet tuaja e ju sot jeni në punë”, u shpreh Abdixhiku.

  • Bidenit i kërkohet ta bëjë prioritet situatën në Kosovë

    Bidenit i kërkohet ta bëjë prioritet situatën në Kosovë

    Një grup i senatorëve amerikanë kërkoi nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që “t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë”.

    Letra që përmban nënshkrimet e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, inkurajon presidentin që të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen për propozimin e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.

    Situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

    Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.

    Derisa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën.

    Bashkimi Evropian është duke kërkuar prej saj që të mbajë zgjedhje të reja lokale në veri, si dhe ta tërheqë policinë speciale nga ajo zonë. Nga Serbia, në anën tjetër, kërkon që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen vetëm brenda kornizave ligjore të shtetit.

    Letra e tetë senatorëve amerikanë i bën thirrje Bidenit që “të ushtrojë presion diplomatik, për t’i dhënë fund krizës aktuale”.

    Letra përmend edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

  • Eurodeputeti gjerman e gozhdon Lajçakun: Jeni në anën e agresorit, Kosova kërkon ndërmjetës të ndershëm

    Eurodeputeti gjerman e gozhdon Lajçakun: Jeni në anën e agresorit, Kosova kërkon ndërmjetës të ndershëm

    Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler ka pasur kritika të forta ndaj emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.

    Në një diskutim në Bruksel, Gahler i tha Lajçakut se po anon më shumë kah agresori sesa kah viktima, raporton Gazeta Express.

    “Duke parë aktivitetet tuaja që kur e keni marrë funksionin tuaj, ju shoh më tepër në anën e agresorit, jo të viktimës në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Apo e ndjeni besimin e serbëve dhe kosovarëve?”, ka pyetur ai.

    Gahler i ka përmendur veprimet destruktive të Serbisë dhe koordinimin e politikës së saj të jashtme me Rusinë, duke theksuar se këto dihen.

    “Ajo që nuk e di, zoti Lajçak, është reagimi juaj ndaj presidentit serb dhe qeverisë së tij. A nuk duhej ta kritikonit publikisht edhe Vuçiqin? A nuk duhej që BE-ja të ndalonte apo të kërcënonte se do ta pakësonte fluksin e parave në Serbi? A nuk duhet t’i drejtoheni nacionalizmit serb që është shkaku kryesor i pasigurisë dhe frikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor? Cilat janë fjalët tuajs dhe të Borrell për qytetarët e Serbisë që protestojnë në numër të madh kundër qeverisë së tyre?”, ka pyetur ai.

    “Mendoj se Kosova është vendi më properëndimor në rajon me arritje politike që tregojnë në drejtimin tonë, arritje kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë stabile, rritje ekonomike, një qeveri me mbështetje të lartë publike dhe në linjë 100% me deklaratat e politikës sonë të jashtme”, tha Gahler.

    Eurodeputeti gjerman tha se Kosova “po kërkon ndërmjetës të ndershëm”.

    “Dhe Kosova është e hapur për një zgjidhje të balancuar me Serbinë, por po kërkon ndërmjetës të ndershëm që nuk e qetësojnë presidentin serb”, tha ai.

    Gahler e pyeti Lajçakun se kur do të kthehet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nga konfrontimi në bashkëpunim, nga nacionalizmi në njohje dhe ta bëjë “një ndryshim politik që do të meritonte vërtet mbështetjen e BE-së”.

    “Dhe nuk do të hyja në detaje të mëtejshme në atë që kemi parë me siguri se kush ishte i përgatitur të nënshkruante diçka ose kujt iu kërkua të kishte ndonjë nënshkrim në një letër të bardhë”, tha në fund Gahler.

  • Mijëra besimtarë e falën Bajramin në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

    Mijëra besimtarë e falën Bajramin në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

    Mijëra besimtarët myslimanë në Tiranë kanë falur namazin e Bajramit të Kurbanit.

    E cilësuar si një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit islam, edhe këtë herë falja e Bajramit është kryer në sheshin Skënderbej, i cili u mbush nga mijëra qytetarë.

    Ceremonisë së faljes i parapriu me fjalën e tij Kreu i Komunitetit Mysliman, Spahiu i cili përcolli mesazhin për më shumë paqe, mirësi ,respekt e dashuri ndaj njeri-tjetrit dhe sidomos për më tepër besim, duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të krijuar nga Zoti.

    Sipas tij kjo është festa e të gjithëve, për të kaluar më shumë kohë me familjen, fëmijët, të afërmit e fqinjët, për të përcjellë tek gjithsecilin mirësitë që jep Allahu i Madhërishëm.

  • Haradinaj në BIK: Do vazhdojmë të qëndrojmë bashkë si shqiptarë

    Haradinaj në BIK: Do vazhdojmë të qëndrojmë bashkë si shqiptarë

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

    Nga aty, Haradinaj ka uruar gjithë qytetarët për festën e Bajramit, me ç’rast tha se do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku si shqiptarë.

    “Sot personalisht por edhe me kolegë të Aleancës e kemi nderin të shprehim urimet për festën e Kurban Bajramit. Neve na ka përcjellë sakrifica e edhe porosia e Kurban Bajramit është sakrifica. Ne do vazhdojmë të qëndrojmë bashkë si shqiptarë dhe do festojmë bashkë”, tha Haradinaj.

  • Don Lush Gjergji viziton BIK-un për Kurban Bajram: Flijimi, vuajtja dhe mësimi janë kapitali ynë

    Don Lush Gjergji viziton BIK-un për Kurban Bajram: Flijimi, vuajtja dhe mësimi janë kapitali ynë

    Në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) për të uruar Kurban Bajramin, erdhi kryeipeshki i Peshkvisë së Kosovës, Imzot Don Lush Gjergji, raporton Ekonomia Online.

    Ai është pritur nga kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava.

    “Jemi këtu për t’i shprehur myftiut urimet më të përzemërta për këtë festë, të Kurban Bajramit. Flijimi, vuajtja, dhe mësimi janë kapitali ynë. Ne kemi vuajtur, pësuar, mësuar ndër vite. Ne besojmë në Zot, prandaj besojmë edhe në njëri-tjetrin”, u shpreh ai.