ATV

Category: Lajme

  • Situata në Kosovë diskutohet përsëri sot e nesër në Bruksel

    Situata në Kosovë diskutohet përsëri sot e nesër në Bruksel

    Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, situata e sigurisë në Kosovë dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jenë ndër temat që do t’i diskutojnë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së në një takim që do të zhvillohet sot dhe nesër në Bruksel.

    Pritet që në këtë takim, që përkon me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE. Por, njëkohësisht, pritet të shprehet edhe shqetësim për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

    Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, banorët lokalë protestojnë qysh në fund të majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

    Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

    Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

    Burimet diplomatike presin që udhëheqësit evropianë t’u bëjnë thirrje dy vendeve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive, pritet t’u tërhiqet vërejtja për pasojat.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje edhe në draftin e një dokumenti që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së.

    Sipas tij, Këshilli Evropian pritet të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dy vendet janë pajtuar gojarisht në muajin mars.

    “Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023”, thuhet në draft-dokument.

    Aty kujtohet thirrja e BE-së për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    “Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, thuhet në këtë tekst.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm brenda kornizave ligjore të shtetit.

    Në takimin e BE-së, më 29 dhe 30 qershor, pritet të përsëritet edhe përkushtimi i liderëve të vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit, që nënkupton edhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

    “Këshilli Evropian përsërit mbështetjen e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draft-dokument.

    Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi të dyja shtetet kanë hapur kapituj në negociatat për anëtarësim.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur vitin e kaluar negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, po ashtu vitin e kaluar.

    Kosova, ndërkaq, është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e vitit të kaluar, ajo ka aplikuar për anëtarësim në bllok. Deri më tani, shteti ka nënshkruar vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në tetor të vitit 2015.

  • Administrata amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin për tensionet në veri të Kosovës

    Administrata amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin për tensionet në veri të Kosovës

    Një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se administrata amerikane ka të njëjtat shqetësime sikurse edhe Kongresi për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

    “Zyrtarët e qeverisë amerikane duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, kanë punuar ngushtë me partnerët e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje diplomatike për ngjarjet e fundit. Ata janë angazhuar me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për të nxitur shtensionimin dhe përqendrimin e ripërtërirë në zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të nënshkruara në fillim të këtij viti”, tha zëdhënësi duke nënvizuar se ‘normalizimi i marrëdhënieve, pjesëmarrja në proceset demokratike dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë dhe sigurinë në veri të Kosovës’”, tha ky zëdhënës për Zërin e Amerikës.

    Ai i bëri këto komente duke u përgjigjur rreth një letre që një grup senatorësh demokratë dhe republikanë i drejtuan presidentit Joe Biden, duke kërkuar që ta trajtojë me përparësi përkeqësimin e situatës së sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Senatorja Jeanne Shaheen bashkë me senatorët Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Pete Ricketts, Thom Tillis, Peter Welch dhe Dick Durbin, shprehën në letër shqetësimin me situatën në veri “ku dhuna e fundit serbe kundër Forcave të NATO-s në Kosovë plagosi rreth 40 paqeruajtës të NATO-s. Që nga ato sulme, ne jemi të alarmuar nga vendimet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, të cilat vazhdojnë të përshkallëzojnë dhe jo ulin tensionet”.

    Në letër theksohet shqetësimi për sigurinë dhe mirëqenien e rreth 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

    “Ne vlerësojmë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të ulur tensionet, por këto përpjekje nuk kanë marrë përgjigje të ndërsjellë nga Kosova në veçanti. Si rrjedhojë ne jemi të përgatitur të shqyrtojmë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”, thuhet në letër.

    Senatorët kanë përmendur rolin e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës por edhe hapat për ndërtuar një marrëdhënie me Serbinë.

    Ata shprehen të “tronditur” nga veprimet e fundit të qeverive të Serbisë dhe Kosovës duke i cilësuar “vendime provokuese që kërcënojnë të dëmtojnë mundësitë e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe”.

    Kriza në veri të Kosovës pasoi vendimin e autoriteteve për zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

    Ne letrën e senatorëve shprehet mbështetja për propozimin e Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve që përfshin: tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës; pezullimi i operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale me përfundimin e njëkohshëm të protestave, shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës; dhe një kthim në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    Senatorët thanë se pa një përkushtim të vendosur për të ndërmarrë këto hapa, administrata amerikane duhet të shtyjë “çdo thellim të marrëdhënieve dypalëshe të në fushën e sigurisë me të dyja vendet”.

    Duke theksuar se marrëdhëniet duhet të ndërtohen mbi vullnetin e mirë, bashkëpunimin kuptimplotë dhe vlerat e përbashkëta, senatorët theksojnë se “nuk e shohim këtë episod të fundit tensionesh si një shmangie të përkohshme në marrëdhëniet dypalëshe, por si një moment përcaktues në trajektoren e marrëdhënieve tona me të dyja vendet”.

    Bashkimi Evropian paralajmëroi shpalljen e masave të reja ndëshkuese për Kosovën gjatë kësaj jave./VOA/

  • Scholz pret që situata në veri të shtensionohet, kërkon zgjedhje të parakohshme

    Scholz pret që situata në veri të shtensionohet, kërkon zgjedhje të parakohshme

    Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë të mërkurën në mbrëmje se pret që gjendja në veriun e Kosovës të shtensionohet, të mbahen zgjedhjet në komunat me shumicë serbe dhe të zbatohen marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kancelari Scholz i bëri komentet gjatë një konference për media me Kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski në Berlin, ku po ashtu inkurajoi faktorët politikë në Maqedoninë e Veriut që t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese për t’ia hapur rrugën vendit drejt integrimit më të shpejtë në BE, transmeton Zëri i Amerikës.

  • KFOR-i përshëndet festimin paqësor të Bajramit dhe Vidovdanit

    KFOR-i përshëndet festimin paqësor të Bajramit dhe Vidovdanit

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka përshëndetur festimin paqësorë të festës së Kurban Bajramit dhe Vidovdanit që kishin qëlluar në të njëjtën ditë.

    KFOR-i përmes një komunikate ka thënë që mënyrat se si janë festuar Vidovdani dhe Kurban Bajrami sot e shfaqin rëndësinë e besimeve fetare në bashkekzistencën mes komuniteteve.

    Madje, sipas KFOR-it, një gjë e tillë vetëm sa e shpërfaq se sa i rëndësishëm është dialogu që përmban tolerancë dhe respekt reciprok.

    “KFOR-i gjithmonë mirëpret dhe mbështet mesazhet që promovojnë paqen dhe dialogun”, thuhet në postimin e KFOR-it. Fetë luajnë rol kyç në bashkë ekzistencën midis komuniteteve”.

    “Ceremonitë paqësore të Vidovdanit dhe Kurban Bajramit sot e demonstrojnë rëndësinë e ndjekjes së dialogut përmes tolerancës dhe respektit të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Deputetja britanike i reagon BE-së, pasi pritet të marrë masa kundër Kosovës

    Deputetja britanike i reagon BE-së, pasi pritet të marrë masa kundër Kosovës

    Deputetja e parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka vazhduar me kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian, pasi kjo e fundit ka përgatitur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Në një shkrim në Twitter, të mërkurën, Kearns tha se diplomacia e BE-së ka dështuar në raport me Kosovën.

    Ajo ka shtuar se BE-a nuk po tregon produktivitet për deeskalimin e situatës në veri, dhe kështu po e inkurajon Beogradin për të vazhduar më tej.

    “Bashkimi Evropian është joproduktiv për de-përshkallëzimin e situatës në veri, duke inkuarjuar Beogradin i cili: -Ndërhyri në zgjedhjet, rrëmbeu ilegalisht tre policë të Kosovës, financon militantët. Megjithatë nuk ka pasoja. Kjo është e rrezikshme”, ka shkruar Kearns.

    Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman dje ka thënë se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës.

    Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.

  • Gazetarja e amerikane e habitur: KE-ja ndëshkon Kosovën edhe pse KFOR-i u plagos me armë serbe

    Gazetarja e amerikane e habitur: KE-ja ndëshkon Kosovën edhe pse KFOR-i u plagos me armë serbe

    Gazetarja e “New York Times”, korrespodente që mbulon Rusinë dhe Ukrainën, Valerie Hopkins ka komentuar masat e paralajmëruara ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

    Dje, KE-ja tha se do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës, të cilat do të komunikohen në këtë javë.

    Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

    Kështu ka thënë dje drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman gjatë takimit të ministrave të Bashkimit Evropian.

    E gazetarja Hopkins, këto masa i ka konsideruar të çuditshme, sidomos mes gjithë dramës në Rusi.

    Ajo thotë se këto masa po i vihen Kosovës, ndonëse lëndimet e ushtarëve të KFOR-it erdhën nga armë të prodhuara në Serbi.

    “Wow – mes gjithë dramës në Rusi, ia vlen t’i kushtohet vëmendje kësaj. BE-ja sapo e ka ndëshkuar Kosovën për paqëndrueshmërinë në veri të Kosovës – edhe pse trupat e NATO-s të plagosur gjatë trazirave të majit u plagosën nga armët e prodhuara në Serbi që asnjë vend i NATO-s nuk i prodhon”, ka shkruar Hopkins në Twitter.

    E Koopman theksoi dje se situata është brengosëse dhe kjo është gjëja më jo e duhur në momentin kur po ndodh edhe lufta në Ukrainë.

    Sipas tij, duhet të arrihet progres në krijimin e Asociacionit dhe fatkeqësisht deri tash nuk ka indikacione për deeskalim të situatës nga institucionet e Kosovës.

    “Autoritetet e Kosovës nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave, fatkeqësisht. Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës në kuptimin e organeve të Stabilizim-Asocim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu, do të pezullohen. Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjël të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë”, tha Koopman.

    Ai tha se është esenciale që të përdoren të gjitha mjetet që i kanë si BE për të shtensionuar situatën.

  • Zelensky: Trupat e Wagnerit të mbetur në Ukrainën lindore nuk përbëjnë asnjë kërcënim

    Zelensky: Trupat e Wagnerit të mbetur në Ukrainën lindore nuk përbëjnë asnjë kërcënim

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se një grup i vogël luftëtarësh Wagner të pranishëm në Ukrainën Lindore nuk janë kërcënim.

    “Luftëtarët janë të pranishëm në territorin e pushtuar të Ukrainës. Ata janë dhe ishin të pranishëm në rajonin e Luhanskut. Kjo është e vërteta”, tha Zelensky gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin polak dhe atë lituanez në Kiev të mërkurën, shkruan CNN.

    Zelensky beson se luftëtarët e Wagner që ndodhen në territorin e Bjellorusisë nuk paraqesin as kërcënim, sepse ai mendon se “trupat e tyre nuk do të ishin të shumta”.

    Ai shtoi se sipas raporteve nga komandantët e tij, situata në veri të Ukrainës “nuk ka ndryshuar dhe është nën kontroll, pavarësisht nga prania e Wagnerit në Bjellorusi”.

  • Festa e Bajramit, rriten edhe më shumë çmimet e artikujve ushqimorë

    Festa e Bajramit, rriten edhe më shumë çmimet e artikujve ushqimorë

    Me rritjen e çmimeve të sheqerit, miellit e artikujve të tjerë edhe një copëz bakllava, që kushtonte 50 centë, për festë u shit me 20 centë më shtrenjtë.

    Përderisa shitësit refuzojnë të flasin, qytetarët ankohen se me këto rritje çmimesh e kanë të vështirë t’i përballojnë shpenzimet për artikujt e nevojshëm për këtë festë.

    “Çmimet janë shumë të larta, edhe popullata s’ka mjete apo fonde, është krizë”, tha Safet Kodraliu, qytetar.

    “Në krahasim me paga, s’e di si po mund të mbijetojmë me këto çmime, nuk e di si kanë me i përballu qytetarët”, tha Vjollca Krasniqi, qytetare.

    Qytetarë të tjerë thonë se për shkak të situatës së krijuar, sidomos në veri të vendit, kontrolli i çmimeve në treg është lënë anash.

    “Kemi punën me Serbinë, e nuk janë duke u vërejtur këto gjërat, çmimet e rritura nuk po vërehen në krahasim me kë kemi punë”, tha Faton Zhushi, qytetar.
    “Më mirë mos me i marrë prej Serbisë…”, Skender Beqiri, qytetar.

    Edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu mendon se rritja e çmimeve më shumë po ndodh shkaku i mosinspektimeve.

    “Këtë po e paguan biznesi kosovar, qytetarët, kjo më tepër po lihet në duart e tregtarëve, sesa në inspektoratet e punës dhe të tregut”, tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor i çmimeve të konsumit ishte 0,1 % në muajin maj. Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin maj 2023, me muajin maj 2022, ishte 5,5 %. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurbanët theren dhe shiten në rrugë edhe në ditën e Kurban Bajramit

    Kurbanët theren dhe shiten në rrugë edhe në ditën e Kurban Bajramit

    Shitësit e kurbaneve edhe në Ditën e Kurban Bajramit dolën në treg.

    Ndonëse, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëri thirrje për ndalimin e therjes dhe shitjes së kurbaneve në rrugë, kjo gjë nuk po respektohet nga shitësit e kurbaneve.

    “Sivjet mirë kemi qenë me punë, ka pasë shitje, nuk jemi të zhgënjyer. Çmimi ka qenë i volitshëm për të gjithë dhe numri i të interesuarve ka qenë i lartë”, tha Xhavit Krasniqi, shitës i kurbaneve.

    Ndërkaq, ka edhe shitës që thonë se numri i të interesuarve për të blerë kurban nuk ka qenë i lartë.

    “Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit ka pasë punë më pak, përveç serbëve që blejnë dhe shesin, që kanë marrë nga Maqedonia, Serbia, sepse për vendasit këtu më pak punë ka pasë këtë vit”, tha Osman Vinovci, shitës i kurbaneve.

    Përveç Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, edhe Inspektorati në Komunën e Prishtinës ka ndaluar therjen dhe shitjen e kurbaneve në rrugë.

    “Drejtoria e Inspeksionit edhe sot gjatë festës vazhdon të jetë aktive në përmbushjen e detyrave të veta, prej dje kemi filluar inspektimin, kemi hasur në disa raste të shitjes po edhe të therjes së kafshëve. Kemi marrë masa të ndalimit të tyre, ku kemi bërë edhe vendosjen e shiritave. Do të duhet të kryhet në kushte higjienike, ne po vazhdojmë edhe sot inspektimin e tyre”, Florian Dushi nga drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.

    Ndërkaq, sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, janë mbi 50 thertore të licencuara ku mund të bëhet therja e kafshëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Bashkësinë Islame e vizituan sot krerë institucionalë e liderë opozitarë

    Bashkësinë Islame e vizituan sot krerë institucionalë e liderë opozitarë

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pas faljes së Bajramit, hapi dyert e Bashkësisë Islame për pritjen e mysafirëve që shkuan për urime të kësaj feste.

    I pari që shkoi për vizitë ishte kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me një pjesë të kabinetit qeverisës.

    Veç ekzekutivit, për urime shkoi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, edhe liderët e partive opozitare u pritën nga myftiu Tërnava.

    Urime për myslimanët erdhën edhe nga përfaqësues të kishës katolike.

    Në festën e Kurban Bajramit, nëpërmjet një postimi në Facebook, presidentja Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët duke bërë thirrje për unitet e harmoni. Ajo ka thënë se kjo festë është një mundësi e mirë për t’i çmuar lidhjet familjare e për ta zgjatur dorën e mirësisë.

    Ndërkohë, edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffry Hovenier, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit./atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: