ATV

Category: Lajme

  • Klan Kosova dorëzon ankesën në ARBK

    Klan Kosova dorëzon ankesën në ARBK

    Televizioni Klan Kosova, ka dorëzuar ankesë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

    Me të synohet të anulohet vendimi i datës 21 qershor për suspendimin e certifikatës së Biznesit të televizionit më të madh në vend.

    Kjo për shkak se vendimi që bazohet në vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, përbën shkelje esenciale të dispozitave të ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe të atij për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

    Andaj, si dëshmi në ankesë, Klan Kosova ka ofruar historinë faktike si edhe bazën juridike të biznesit.

    Në fakt, ky vendimi i 21 qershorit ishte vetëm rifuqizim i atij të datës 14 qershor, pasi i njëjti ishte anuluar nga ish-ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi.

    Kjo e fundit u shkarkua, dhe në vend të saj erdhi Lebibe Haliti, e cila e rifuqizoi vendimin.

    Klan Kosova, që në ndërkohë, ka kryer të gjitha korrigjimet në dokumentacionin e regjistrimit të biznesit, ka dorëzuar ankesën për heqjen e suspendimit të certifikatës.

    Afati për shqyrtimin e ankesës është 15 ditor.

    Suspendimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës kishte nxitur një reagim të madh vendor e ndërkombëtar, ndërsa ishte kërkuar kujdes nga institucionet në trajtimin e rastit. /Klan Kosova

  • “Pisi, nale kamerën, kush je ti?” Smajl Latifi “shpërthen” ndaj asamblistit të VV-së në Rahovec

    “Pisi, nale kamerën, kush je ti?” Smajl Latifi “shpërthen” ndaj asamblistit të VV-së në Rahovec

    Një video e publikuar nga asamblisti i Vetëvendosjes në Rahovec, Ilir Pallqa, ka nxjerrë në pah sjelljen e pahijshme të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, gjatë një seance të Kuvendit Komunal. Në videon e publikuar në Facebook, Latifi dëgjohet duke u munduar të bllokojë kamerën dhe duke përdorur fjalë ofenduese.

    Asamblisti Pallqa akuzoi kryetarin Latifi se insistoi t’ia ndalte fjalën tek sa fliste për gjendjen e mbeturinave.

    “Fjala ime për gjendjen e mbeturinave ne Komune. Insistimi me ëdo kusht i kryetarit që t’më kufizohet e drejta për replike, presioni drejtuar Kryesuesit te Kuvendit për mbylljen e seancës dhe presioni drejtuar kamermanit per ndalimin e xhirimit” – shkroi asambleisti në Facebook.


    (Pamje të KosovaPress)

    “Nale aty kamerën. Nale kamerën. Ai pisi, ai pisi, a pe sheh ai pisi çka bën”, dëgjohet duke thënë Latifi mes tjerash.

  • Abrashi pyet nëse ka rënë Macroni nën ndikimin e Kurtit: Po arreston protestuesit pa u konsultuar me aleatët

    Abrashi pyet nëse ka rënë Macroni nën ndikimin e Kurtit: Po arreston protestuesit pa u konsultuar me aleatët

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, përmes një postimi në facebook, ka bërë një krahasim me protestuesit e arrestuar në Kosovë dhe ata që po arrestohen në Francë.

    Ai tha se Franca në krye me presidentin Macron po arreston demonstruesit e rebeluar duke zbatuar ligjin për rend dhe qetësi, pa u konsultuar me Kosovën, ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në.

    “Madje, protestuesit atje nuk kanë as granata dore e as zola! Mos ka rënë Presidenti Macroni nën ndikimin e Kryeministrit Kurti apo ndoshta kështu është puna me Shtetin e së Drejtës dhe Sundimin e Ligjit?”, ka shkruar Abrashi.

    Postimi i tij:

  • Shtatë të lënduar në një sulm në Tel Aviv

    Shtatë të lënduar në një sulm në Tel Aviv

    Shtatë persona janë lënduar, tre prej tyre rëndë, pasi një i ri palestinez u fut me veturë drejt një turme njerëzish, në Tel Aviv të Izraelit. Policia izraelite tha se një palestinez 20 vjeç u fut me veturë në mes të njerëzve, të cilët po prisnin jashtë një qendre tregtare.

    Ai u qëllua për vdekje kur doli jashtë veturës dhe tentoi që të therte me thikë njerëzit përreth tij, tha një zyrtar i policisë. Ky sulm palestinez u bë në kohën e përshkallëzimit të tensioneve në Bregun Perëndimor të okupuar, pas operacioneve të forcave izraelite.

    Ministri i Sigurisë i Izraelit tha se një qytetar i guximshëm e qëlloi sulmuesin e dyshuar, ndërkaq, grupi militant palestinez, “Hamas”, tha se ky sulm heroik në Tel Aviv ishte një reagim i natyrshëm ndaj operacioneve të Izraelit në Bregun Perëndimor.

    Mijëra palestinezë kanë braktisur kampin e refugjatëve në Jenin, që nga nisja e bastisjeve nga forcat e Izraelit. Forcat Izraelite të Mbrojtjes thanë se kanë arrestuar 120 të dyshuar gjatë bastisjeve dhe se kanë 10 caqe të tjera, në qendër të kampit të refugjatëve në Jenin.

    Zyrtarët palestinezë thanë se si pasojë e këtyre operacioneve që u kryen të hënën, 10 palestinezë janë vrarë dhe 100 të tjerë janë plagosur, dhe se të vrarët ishin të moshave 16 deri në 23 vjeçare. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Bojkoti i opozitës mund ta paralizojë punën e Kuvendit

    Bojkoti i opozitës mund ta paralizojë punën e Kuvendit

    Partitë opozitare janë duke kërkuar mënyra për t’iu kundërvënë Qeverisë, nën kritikat se po e izolon Kosovën.

    Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vendosën ta bojkotojnë punën në Kuvend. Ndërkaq, partia e tretë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tash e një kohë bën thirrje për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë, por nuk ka marrë mbështetje deri tash.

    Veprimet e opozitës ndodhin në kohën kur Qeveria tashmë po ballafaqohet me presionin e bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri.
    Edhe pse të vonshme, veprimet e opozitës megjithatë janë të arsyeshme, sipas njohësve.

    “Janë të duhur për arsye se Kosova po sanksionohet nga ndërkombëtarët. Është vendim i vonuar, por sigurisht që do të ketë ndikim e saj sidomos në Kuvend, pasi që roli kryesor është në parlament”, tha gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Bekim Kabashi.

    Meqë pushteti aktualisht ka 56 deputetë, çfarëdo hapi që do të bëjë opozita, duhet ta bëjë bashkë, thotë Arton Demhasaj nga Organizata Çohu.

    “Nëse PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja nuk marrin pjesë as në mbledhje të kryesisë dhe as në seancë e as në votime, kjo i bën njëfarë bllokimi Kuvendit të Kosovës e ky bllokim nënkupton që legjislacioni që është duke u shqyrtuar bllokohet dhe në njëfarë mënyre mund të konsiderohet që pushteti legjislativ mund të paralizohet”, tha Demhasaj.

    Si përgjigje ndaj veprimeve të opozitës, partia në pushtet, Vetëvendosje, e ka sfiduar opozitën me zgjedhje të reja parlamentare nëpërmes një videoje.

    Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2021, Vetëvendosja doli e para duke marrë mbi 50% të votave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Holanda dhe Luksemburgu shpresojnë te udhërrëfyesi i BE së për deeskalim

    Holanda dhe Luksemburgu shpresojnë te udhërrëfyesi i BE së për deeskalim

    Veprime nga Kosova dhe Serbia në përputhje me udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri, kërkuan kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel.

    Në vizitën në Prishtinë, pas asaj në Beograd, liderët e NELUX-it thanë se vizitat, që ishin planifikuar para përshkallëzimit të situatës në veri, ishin për t’i dëgjuar palët dhe për t’i ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje.

    Pasi tha se Qeveria është e interesuar për zgjidhje evropiane për tensionet në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti i ndërlidhi ato me moszbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Të mos heqim dorë nga marrëveshja… Sidoqoftë, vështirësia që kemi është nga mungesa e zbatimit dhe besoj se ajo filloi duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky është një gabim i madh, sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes ka hapur derën për shkeljen dhe moszbatimin e saj. Çfarë duhet është zbatim i shpejtë i të gjitha pikave, pa parakushte apo vonesa”, tha Kurti.

    Teksa si platformë për zgjidhjen e problemit e përmendi dialogun e Brukselit, kryeministri holandez refuzoi ta komentojë qasjen e BE-së ndaj Serbisë dhe masat ndaj Kosovës, duke thënë se drejtimi i gishtave nuk e ndihmon situatën.

    “Çfarë më pëlqen te udhërrëfyesi është se i ka të qartë hapat që duhet të ndërmerren nga të dyja palët dhe që deeskalimi duhet të bëhet nga të dyja palët, dhe pastaj, sigurisht, t’u prijë zgjedhjeve. Shpresoj në këtë. Jam optimist që mendjet e ftohta do të triumfojnë”, tha kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

    Duke shprehur shqetësimin për mundësinë e zgjerimit të tensioneve, kryeministri i Luksemburgut tha se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të veprojnë menjëherë.

    “Të gjithë e shikojnë tjetrin, cili do të bëjë lëvizjen e parë, që më pas tjetri të bëjë lëvizjen. Kemi një udhërrëfyes. Duhet t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe në vend se të flasim, duhet të veprojmë nga të dyja anët. Kështu do të bëjmë gjykimin tonë dhe do të shohim dëshirën për të përparuar dhe deeskalimin e situatës, duke ndjekur këtë udhërrëfyes dhe jo duke pritur”, tha kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.

    Tre kryeministrat thanë se në takim kanë biseduar për proceset integruese të Kosovës, me theks Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe.

    Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe veçmas atij në sektorin e IT-së, ishin po ashtu në mesin e temave të diskutimit.

    Kryeministrat Rutte dhe Bettel u takuan edhe me presidenten Vjosa Osmani. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në Komisionin parlamentar për Ekonomi, u votua pro Projektligjit për Fondin Sovran

    Në Komisionin parlamentar për Ekonomi, u votua pro Projektligjit për Fondin Sovran

    Me gjashtë vota për, Projektligji për Fondin Sovran, kaloi në komisionin parlamentar për ekonomi, industri dhe ndërmarrësi.

    Gjatë prezantimit të saj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmendi Ndërmarrjet Publike që parashihet të kalojnë në menaxhim të Fondit Sovran.

    “Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale, si Trepça, KEK-u, Posta, Telekomi, Trainkos dhe Infrakosin, gjithashtu”, tha Rizvanolli.

    Ministrja Rizvanolli para anëtarëve të komisionit, shpalosi kushtet të cilat i konsideroi të qarta, për bartjen e ndërmarrjeve publike dhe aseteve të Agjencisë së Privatizimit në Fondin Sovran.

    “Ndërmarrja ose aseti duhet të jetë i komercializuar, dhe të premtojë fitim brenda një periudhe të arsyeshme, ndërmarrja që bartet duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë, asetet e AKP-së duhet t’i barten fondit pa detyrime”, tha ajo.

    Mirëpo, ky projektligj për Pal Lekajn nga AAK-ja ka paqartësi.

    “Nëse mendoni që mund të bartni prej AKP-së diçka që veç ia ndërroni emrin është e pakuptimtë. Jeni duke hyrë në një ligj që nuk do të jetë i implementueshëm asnjëherë. Ky ligj do të përfundojë në Kushtetuese”, tha Lekaj.

    Kritika të shumta në raport me konceptin e Fondin Sovran, pati edhe kryetari i komisionit, njëherësh edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Çështja sociale është problem, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve kanë mijëra punëtorë. Kush i zgjidh problemet sociale që afektohen nga ky ligj, nga këto asete. Termin ‘bartje’ juridikisht nuk e kam të qartë a është privatizim, shitje, shpronësim? Çka do të thotë bartja?”, tha Shala.

    Mirëpo, ekipi i ministres Rizvanolli beson fuqishëm se vendi do t’ia shohë hairin këtij fondi.

    “Rritjen e vlerës së pasurisë, ky është synimi i Fondit Sovran”, tha zëvendësministri, Getoar Mjeku.

    Më shtatë qershor të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës e miratoi Projektligjin për Fondin Sovran, i cili do të ketë kapital fillestar prej 20 milionë eurove. Derisa me themelimin e tij Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet, Fondi Sovran do të jetë shoqëri aksionare dhe Republika e Kosovës do të jetë pronare e vetme me 100 për qind të aksioneve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pa kaluar as 3 minuta testi i Arritshmërisë u shpërnda në rrjetet sociale

    Pa kaluar as 3 minuta testi i Arritshmërisë u shpërnda në rrjetet sociale

    Pa kaluar as 3 minuta prej fillimit të testimit, testi i Arritshmërisë edhe këtë vit u përcoll në shpërndarje testesh e përgjigjesh në grupet e krijuara në rrjetet sociale.

    Një grup i tillë në rrjetin social në Facebook në kohën sa mbahej testi, numëronte afro 4000 anëtarë, ndërkaq tjetri në Viber afro 2900.

    Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, tha se do të ndërmerren masa për nxënësit dhe administruesit që kanë shkelur rregullat e testimit.

    “Në testin e Arritshmërisë është kompetencë edhe e komunave, ata i caktojnë administruesit, ndërkaq ne si ministri kemi nga një administrues në secilën qendër të testimit. Po presim raportin dhe do të marrim masa, ku kemi dënuar në rastet kur janë identifikuar shkeljet edhe për administruesit edhe për nxënësit”, tha Nagavci.

    Në shkollën “Xhevdet Doda” në kryeqytet, nxënësit thanë se mbikëqyrja këtë vit ka qenë më e rreptë.

    “Testi nuk ka qenë i vështirë, kanë qenë pyetjet e përpiluara mirë dhe kemi kaluar shumë mirë në test”, tha Aris Gara, nxënës.

    “Testi ka qenë i lehtë në përgjithësi, arsimtarët kanë qenë më të rreptë, ne ia kemi dalë me informatat që i kemi marrë nga shkolla në testet e përgjithshme, kemi arritë me sukses ta plotësojmë testin dhe shpresojmë që të arrijmë suksese të larta në test”, tha Aron Zhubi, nxënës.

    Ndërkaq, drejtori i kësaj shkolle, Azem Jaha, tha se gjithçka shkoi sipas rregullave të Ministrisë së Arsimit.

    “Gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve, me kohë ka filluar hyrja e nxënësve në sallat e testeve. Në shkollën tonë nuk kemi regjistruar asnjë incident, këtu jemi prezent e monitorojmë situatën, për çdo rast kanë qenë edhe organet e sigurisë, kështu që nuk kemi pasë nevojë për ndonjë intervenim”, tha Jaha.

    Rreth 23.000 nxënës të klasave të nënta këtë të martë iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, që u mbajt në 176 qendra testimi.

    Në testin e parë, nxënësit iu nënshtruan testit në lëndët Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Histori dhe Gjeografi. Ndërkaq, më 11 korrik do të mbahet pjesa e dytë e testit në lëndët Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi dhe Biologji. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Situata në veri, ZKA ja nuk arrin t’i auditojë katër komunat veriore

    Situata në veri, ZKA ja nuk arrin t’i auditojë katër komunat veriore

    Situata e tensionuar në veri të Kosovës, e ka penguar edhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Rrjedhimisht, ZKA-ja nuk ka arritur të zhvillojë auditimin në katër komuna të banuara me shumicë serbe.

    “Nga 101 entitete publike janë mbuluar 97 prej tyre. Ju njoftoj se për katër komunat veriore, komunën e Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, ne edhe pse kemi iniciuar auditimin, për shkak të rrethanave të krijuara nuk kemi mundur të zhvillojmë auditimin”, Vlora Spanca nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

    Andaj krahasuar me një vit më parë, Spanca shprehet e kënaqur me uljen e numrit të humbjeve të Ndërmarrjeve Publike.

    “Vërehet se nga 12 organizata të analizuara, 5 prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë mbi 10 milionë euro, ndërsa 7 tjerat kanë realizuar fitim mbi 110 milionë euro, sidoqoftë krahasuar me vitin paraprak vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës, i cili nuk ka treguar elemente të rritjes së materialit”, tha Spanca.

    Megjithatë, Spanca tha se ende ka punë për rregullimin thelbësor të menaxhimit financiar.

    “Rezultatet tona kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar të kontrollit. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa prej atyre që janë kyçe. Në fushën e prokurimit publik, në auditimet e vitit 2022 janë identifikuar gjithsej 198 gjetje që përfshijnë kryesisht investimet kapitale dhe mallra e shërbime, si dhe janë evidente kryesisht te ministritë dhe komunat”, tha Spanca.

    Sipas auditores së përgjithshme, prej 97 auditimeve, 51 iu takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale e 12 ndërmarrjeve publike, përfshirë edhe Radio Televizionin e Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mbyllet “Ballkani i Hapur”!

    Mbyllet “Ballkani i Hapur”!

    Ishte njëri nga përkrahësit më të mëdhenj. Por, kryeministri shqiptar e shpalli të mbyllur “Ballkanin e Hapur”.

    Tërheqja e Edi Ramës nga kjo iniciativë rajonale po vlerësohet e drejtë.

    “Është mirë që Ballkani i hapur ka marrë fund, sepse vazhdimisht është përballur me sfida me kundërshtime, njëra anë ka qenë pozitive, sepse Edi Rama e ka pasur një si lloj roli udhëheqës, por negative ka qenë fakti se edhe Vuçiqka qenë ka pasur një rol aty”, tha Fitim Mulolli nga organizata “Polcon”.

    Sipas kryeministrit të Shqipërisë, sy e vesh tash duhet të jenë kah “Procesi i Berlinit”. Megjithatë, Republika Sërpska ditë më parë, stopoi miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshje kjo në kuadër të “Procesit të Berlinit”, duke e ndaluar heqjen e vizave për Kosovën.

    “Në këtë rast kemi të bëjmë me një karakter siç është Dodik, që kundërshton çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën dhe e trajton në mënyrë reciproke, pra Bosnjën me Kosovën, por mendoj që ajo mund të këtë zvarritje por të gjithë e dinë rolin destruktiv që Dodiku ka pasur dhe nuk çuditen me një hap të tillë”, tha Mulolli.

    “Mendoj se kjo edhe njëherë është dëshmi, që shkaktar i vërtetë i destabilitetit në Ballkan është nacionalizmi serb dhe ideja për një Serbi te madhe dhe kjo duhet të marrë një përgjigje të fortë nga Bashkimi Evropian”, tha profesori, Seb Bytyçi.

    Për opinionistë nga Sarajeva, fajin kryesor për mosratifikimin e marrëveshjes e cila do të sillte edhe përfitime ekonomike, e ka politika.

    “Kur flitet për ratifikimin e tyre, e vërteta është që Republika Srpska në krye me Milorad Dodik konsideron se në këtë moment, duke marrë parasysh raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe dialogun, nuk do t’i ratifikojë. Mendoj se në Banja Llukë, përveç pjesës politike janë të vetëdijshëm që heqja e vizave ka rëndësi edhe ekonomike. Sepse eksporti i Bosnjës në Kosovë para vendosjes së vizave në vitin 2014 ishte shumë më i lartë. Shkurtimisht edhe në Republikën Srpska ka disponim që të ratifikohet marrëveshja e të hiqen vizat, por Qeveria luan me politikë”, tha analisti i Lartë në Iniciativën Evropiane për Stabilitet, Adnan Cerimagic.

    Nisma “Ballkani i hapur”, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-kryeministri Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

    Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe parashihte lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve. Në kuadër të këtyre koncepteve janë arritur disa marrëveshje.

    Ndryshe, kjo iniciativë nuk është përkrahur nga kryeministri Albin Kurti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: