ATV

Mbyllet “Ballkani i Hapur”!

Written by

in

Ishte njëri nga përkrahësit më të mëdhenj. Por, kryeministri shqiptar e shpalli të mbyllur “Ballkanin e Hapur”.

Tërheqja e Edi Ramës nga kjo iniciativë rajonale po vlerësohet e drejtë.

“Është mirë që Ballkani i hapur ka marrë fund, sepse vazhdimisht është përballur me sfida me kundërshtime, njëra anë ka qenë pozitive, sepse Edi Rama e ka pasur një si lloj roli udhëheqës, por negative ka qenë fakti se edhe Vuçiqka qenë ka pasur një rol aty”, tha Fitim Mulolli nga organizata “Polcon”.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, sy e vesh tash duhet të jenë kah “Procesi i Berlinit”. Megjithatë, Republika Sërpska ditë më parë, stopoi miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshje kjo në kuadër të “Procesit të Berlinit”, duke e ndaluar heqjen e vizave për Kosovën.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një karakter siç është Dodik, që kundërshton çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën dhe e trajton në mënyrë reciproke, pra Bosnjën me Kosovën, por mendoj që ajo mund të këtë zvarritje por të gjithë e dinë rolin destruktiv që Dodiku ka pasur dhe nuk çuditen me një hap të tillë”, tha Mulolli.

“Mendoj se kjo edhe njëherë është dëshmi, që shkaktar i vërtetë i destabilitetit në Ballkan është nacionalizmi serb dhe ideja për një Serbi te madhe dhe kjo duhet të marrë një përgjigje të fortë nga Bashkimi Evropian”, tha profesori, Seb Bytyçi.

Për opinionistë nga Sarajeva, fajin kryesor për mosratifikimin e marrëveshjes e cila do të sillte edhe përfitime ekonomike, e ka politika.

“Kur flitet për ratifikimin e tyre, e vërteta është që Republika Srpska në krye me Milorad Dodik konsideron se në këtë moment, duke marrë parasysh raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe dialogun, nuk do t’i ratifikojë. Mendoj se në Banja Llukë, përveç pjesës politike janë të vetëdijshëm që heqja e vizave ka rëndësi edhe ekonomike. Sepse eksporti i Bosnjës në Kosovë para vendosjes së vizave në vitin 2014 ishte shumë më i lartë. Shkurtimisht edhe në Republikën Srpska ka disponim që të ratifikohet marrëveshja e të hiqen vizat, por Qeveria luan me politikë”, tha analisti i Lartë në Iniciativën Evropiane për Stabilitet, Adnan Cerimagic.

Nisma “Ballkani i hapur”, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-kryeministri Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe parashihte lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve. Në kuadër të këtyre koncepteve janë arritur disa marrëveshje.

Ndryshe, kjo iniciativë nuk është përkrahur nga kryeministri Albin Kurti. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *