ATV

Category: Lajme

  • Zyrtarisht në Fushë Kosovë ka nisur punën Dega e Gjykatës Themelore të Prishtinës

    Zyrtarisht në Fushë Kosovë ka nisur punën Dega e Gjykatës Themelore të Prishtinës

    Qytetarët e Fushë-Kosovës dhe ata të Obiliqit tani e tutje më rrallë do të kenë punë në Pallatin e Drejtësisë.

    Lëndët e tyre gjyqësore do të trajtohen në Fushë-Kosovë, në degën e re të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Të pranishmit ishin kureshtarë për sallat në të cilat do të ndahet drejtësi.

    Kryetari i këshillit gjyqësor, degën e re e konsideron të rëndësisë së veçantë.

    “Dega në Fushë-Kosovë për Gjykatën Themelore ka një dimension strategjik për shkak se ndoshta do të jetë dega e fundit. Por, shpresoj që në hartën e re, kjo degë të shndërrohet në gjykatë themelore, meqenëse plotësohen të gjitha kushtet”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Me trupin e ri gjyqësor, rritet shpresa edhe për lëndët e reja.

    “Me inaugurimin e kësaj dege, për qytetarët e komunave të Obiliqit e Fushë-Kosovës, është bërë më i lehtë realizimi i të drejtave”, tha nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mentor Bajraktari.

    “Qëllimi ynë është që të zgjidhen këto lëndë më shpejt, qytetarët ta marrin më shpejt të drejtën e vet”, tha u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

    Kryetarët e Obiliqit e të Fushë-Kosovës, hapjen e degës e quajtën lajm të mirë për qytetarët e tyre.

    “Unë i besoj drejtësisë në Kosovë, andaj qytetarët e Fushë-Kosovës do t’i besojnë më shumë…”, tha kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha.

    “Qytetarët do të jenë më afër drejtësisë…”, tha kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi.

    Nisja e punës pikërisht më 4 korrik, ishte jo pa shkas.

    “Pas një dinamike të jashtëzakonshme arritëm që fiks më 4 korrik, që ka simbolikë të veçantë, meqë demokracia më e madhe feston. Prandaj donim që kjo simbolikë të demonstrohet me një simbolikë përpjekje për t’i shërbyer zhvillimit demokratik”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Në muajin maj rezultonin 66 mijë lëndë të pazgjidhura në Gjykatën Themelore të Prishtinës, efikasiteti i të cilës llogaritet të jetë rreth 73 për qind. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Bajrami – Qeverisë: U prishët me miq e aleatë, dështuat në secilën përpjekje në veri

    Bajrami – Qeverisë: U prishët me miq e aleatë, dështuat në secilën përpjekje në veri

    Hykmete Bajrami nga LDK ka kritikuar Qeverinë duke thënë se janë prishur me miq e aleatë dhe se dështuan në çdo përpjekje në veri të vendit.

    “Nuk realizuat asnjë premtim – asnjë të vetëm dhe sot delni e na thoni që jemi me Serbinë!? Kush? Ju që me veprimet e juaja e kthyen perëndimin kundër Kosovës, në përkrahës të Serbisë. Ju na thoni neve që jemi me Serbinë! Neve që kemi familjarë të vrarë, në vija të frontit! Neve që i takojmë partisë që e ndërkombëtarizoj çështjen e Kosovës, që bashkë me miq e aleatë e bëmë Kosovën shtet. Neve që pa kalkulua në vota kemi ecë përpara, sa herë e ka kërkua ky vend, që ju sot po e shkatërroni! Kujt po i thoni hajna Ju?”, ka shkruar Bajrami.

    Bajrami e ka cilësuar Qeverinë si “mbrojtëse” të Martin Berishajt e Nagip Krasniqit.

    “Ju jeni dështakë, praktikantë e të dëmshëm. Ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo ka shtuar se prej dy vitesh e gjysmë “asnjë e mirë për këtë vend përveç video propaganduese, skandale, korrupsion e tash izolim dhe sanksione”.

  • Përpjekjet për de-eskalim, Lajçak takon edhe Komandantin e KFOR-it

    Përpjekjet për de-eskalim, Lajçak takon edhe Komandantin e KFOR-it

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, është takuar sot me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si dhe Shefin e Zyrës së BE’së në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Sipas njoftimit të KFOR, ata kanë folur për zhvillimet e fundit dhe dialogun.

    “Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga #NATO, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua me Miroslav Lajčák, Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, dhe Shkëlqesinë e tij Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësues Special i BE-së.

    Ata diskutuan përditësimin e fundit për situatën e përgjithshme dhe përpjekjet e vazhdueshme të #KFOR-it në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    Ndryshe, Lajçak është takuar me Presidenten Vjosa Osmani, e më vonë do të takohet dhe me Kryeministrin Albin Kurti.

  • ​Auditori konfirmon se KEK-u bleu energji elektrike më të shtrenjtë se ankandet

    ​Auditori konfirmon se KEK-u bleu energji elektrike më të shtrenjtë se ankandet

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konfirmuar se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka pasur shkelje për tregtimin e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

    KEK-u gjatë vitit 2022 për sasinë e njëjtë të energjisë elektrike të blerë ka paguar kosto më të lartë financiare në krahasim me atë që do të paguhej nëse do të pranoheshin ofertat fillestare të shitjes së rrymës.

    Sipas raportit të fundit tw ZKA-së, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në kundërshtim me rekomandimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ka përsëritur ankandet për blerje të energjisë elektrike me çmime më të larta. Si rezultat kompania publike, në këtë rast KEK-u, për sasinë e njëjtë të energjisë së blerë ka paguar kosto më të lartë gjatë vitit 2022.

    Sipas të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), KEK-u me qëllim të arritjes së çmimeve më të favorshme kishte përsëritur ankandet edhe në rastet kur ofertat ishin të vlefshme edhe pse procedura e ZRrE-së në rastet e tilla kërkon që të mos përsëritet ankandi.

    “Si rezultat i përsëritjes së ankandeve, kemi identifikuar se në dy raste, kompania kishte kontraktuar çmime më të larta sesa çmimet në ankandet fillestare, po ashtu edhe në dy raste tjera kontraktimet ishin me çmime më të ulëta se sa çmimet nga ankandet fillestare. Kjo ka ndodhur për shkak se kompania kishte vlerësuar se çmimet e ankandeve fillestare nuk ishin të favorshme. Si rezultat kompania për sasinë e njëjtë të energjisë së blerë ka paguar kosto më të lartë në krahasim me atë që do paguhej nëse do pranoheshin ofertat fillestare”, thuhet në raportin e ZKA-së për KEK-un.

    Auditori rekomandon Bordin e Drejtoreve të KEK-ut të sigurojë procedura të brendshme efektive për të arritur rezultatin maksimal të kompanisë dhe eliminimin e kostove më të larta në të ardhmen.

    Në raportin e ZKA-së është evidentuar po ashtu ndërprerje e pa arsyeshme e kontratave kornizë me çmime të bursës dhe nënshkrim i kontratave të reja me çmime fikse.

    Sipas ZKA-së, KEK-u më 14 mars 2022, kishte ndërprerë me marrëveshje miqësore dy kontratat aktive për “Furnizimin me acid klorhidrik”, për nevojat e Termocentralit Kosova A-se dhe Termocentalit Kosova B, me arsyetimin që sipas furnizuesit ishin rritur çmimet e produktit dhe kostot e transportit dhe e kishte të pamundur realizimin e këtyre kontratave në vazhdim.

    “Duke pasur parasysh se lëvizja e çmimeve ishte e paraparë në kontratat kornize ne kemi kërkuar sqarime shtesë, mirëpo nuk kemi marre arsye bindëse për ndërprerje”, thuhet në raport.

    Procesi i ndërprerjes dhe lidhjes se kontratave të reja është sqaruar në vijim:

    “Kontrata e ndërprerë për TCA-në, në vlerë 179,025 për sasinë prej 1,200 ton (149/ton) ishte lidhur më 13 nëntor 2020 dhe kishte afat deri me 12 nëntor 2022. Në datën e ndërprerjes vlera financiare e realizuar e kontratës ishte 102,000 apo 57% e vlerës së kontraktuar ose 790 ton apo 66% e sasisë së kontraktuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Ndërsa, kontrata e ndërprerë për Termocentralin Kosova B, në vlerë prej 181,104 për sasinë 1,050 ton (172/ton) ishte lidhur më 02 qershor 2020 dhe kishte afat deri më 02 qershor 2023.

    Në datën e ndërprerjes vlera financiare e realizuar e kontratës ishte 98,772 ose 55% e vlerës së kontraktuar ose 764 ton apo 73% e sasisë së kontraktuar.

    “Pas ndërprerjes së kontratave, kompania kishte zhvilluar dy herë aktivitetin e hapur të prokurimit (prill dhe maj 2022) por procedurat kishin dështuar për shkak te mos pranimit të ofertave të përgjegjshme. Me tutje, kompania kishte zhvilluar dy herë aktivitetin e prokurimit duke e përdorur procedurën e negociuar (maj, dhe qershor 2022), por nuk kishte lidhur kontrate për shkak se çmimet ishin më të larta se sa vlera e parashikuar”, bënë të ditur ZKA.

    Megjithatë, KEK përmes procedurave të negociuara të prokurimit, në vazhdim kishte lidhur katër kontrata për furnizim me acid klorhidrik me çmime fikse (te pa indeksuara në berëz) si në vijim, kontrata e muajit qershor me 295/ton (29,500 për sasinë për 100 ton), kontrata e muajit korrik me 326/ton (32,686 për sasinë për 100 ton), kontrata e muajit shtator me 720/ton (71,980 për sasinë për 100 ton) dhe kontrata e muajit dhjetor me 566/ton (14,160 për 25 ton).

    Sipas ZKA-së kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti ishte pajtuar me kërkesën e Operatorit Ekonomik për ndërprerje të kontratave për shkak të rritjes së çmimeve edhepse rritja/zvogëlimi i çmimeve ishin të parapara në kontratat kornizë.

    “Ndërprerja e kontratave kornize për furnizim me acid klorhidrik kishte shkaktuar çrregullim në furnizim, emergjence dhe ka çuar në kontrata të negociuara, të cilat kanë siguruar më pak konkurrencë”, thuhet në raport.

    E gjetur tjetër në raportin e ZKA-së është evidentuar edhe nënshkrimi i kontratave pas kryerjes së punëve dhe shërbimeve.

    “Kompania (KEK) më 23 dhjetor 2021 kishte lidhur kontratë në vlerë prej 248,650€ me titull “Angazhimi i ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulët në njësinë B2-TCB”. Gjate ekzekutimit të kësaj kontrate, ekspertet e angazhuar kishin vlerësuar se duhet të kryhen punë shtesë dhe në dakordim me kompaninë këto punë ishin kryer gjate muajit janar 2022. Për këto pune shtesë kompania më 02 maj 2022 kishte pranuar faturën në vlerë 63,720€, ndërsa kontrata ishte nënshkruar më 30 qershor 2022, rreth 6 muaj pas përfundimit të punëve”, thuhet në raport. .

    Kjo kontratë ishte emërtuar si “Riparimi i lopatave të dëmtuara dhe matjet e vibrimeve dhe balancim në turbinën e shtypjes së ultë në njësinë B2.

    Po ashtu në një rast tjetër sipas ZKA-së, KEK-u kishte nënshkruar marrëveshje për marrjen e shërbimit të sigurimit fizik të objekteve 43 ditë pas marrjes së shërbimeve.

    Marrëveshja ishte nënshkruar me 15 shtator 2022 për marrjen e shërbimeve për periudhën prej 03 gusht deri me 02 shtator 2022. Vlen te theksohet se kompania për këtë shërbim kishte zhvilluar paraprakisht procedura të prokurimit të cilat kishin përfunduar me procese ankimore ne Organin Shqyrtues te Prokurimit (OShP).

    Raporti i ZKA-së për vitin 2022 ka rezultuar me 15 rekomandime të reja për KEK-un.

  • ​Qytetarët të ndarë në dysh për situatën në veri: Kurti të bashkëpunojë me Amerikën

    ​Qytetarët të ndarë në dysh për situatën në veri: Kurti të bashkëpunojë me Amerikën

    Qytetarët e Prishtinës janë ndarë në dysh sa i përket qasjes së kryeministrit Albin Kurti për situatën në veri të vendit. Derisa disa besojnë se kreu i ekzekutivit po vepron drejt, ka nga ata që thonë se bashkëpunimi me Amerikën është i domosdoshëm.

    Ata që i përkasin grupit të dytë, besojnë se për shkak të moskoordinimit me partnerët ndërkombëtarë, Kosova po humbë përkrahjen nga Amerika dhe shtetet e tjera mike.

    Se duhet koordinim me ndërkombëtarët thotë qytetari Mehdi Jashari.

    ”I dijshëm sa të duash, i pakorruptuar sa të duash por vetëm bashkëpunimin e ka të mangët e kjo çdokujt i duhet ndihma me u bërë bashkë ne, se na e dimë se çka kanë bërë qe 20 vjet. Problem e ka, jo vetëm ky, nuk mundet me zgjidhë brenda natës. Edhe ky mundet të gabojë, por duhet të ofrojë njerëzit të marrë ide dhe të bashkëpunojë me popullin, edhe shoqëria dhe populli përpara. Krejt i dimë këto edhe ai i dinë këto, i mençur është sa të duash vetëm bashkëpunim më të gjitha partitë… Ndoshta e ka gjetur vrimën e tunelit por pa bashkëpunim nuk ka”, shprehet Jashari për KosovaPress.

    Qytetari Shaip Hajrizi shprehet i bindur se për shkak të mungesës së bashkëpunimit të Kurtit me bashkësinë ndërkombëtare, Kosova është izoluar nga bota dhe nuk e gëzon përkrahjen që siç tha ai, e ka pasur më herët.

    “Më vjen keq që përgjigjen duhet me nis me ai që mendon që veprimet e Kurtit janë të mençura nuk mundet me qenë normal, si ka mundësi të duhura a po e shohim që për herë të pare Kosova është izoluar nga bota, këto janë hapi i parë që quhen sanksione por Kurti i thotë masa por rëndësia është e njëjte , në momentin që Amerika të jep sanksione si me qenë naiv qe nuk është në rregull dhe me u përmirësuar .Çdo veprim që Kurti e bënë duhet me u konsultuar me Amerikën. Mos më qenë Amerika ne nuk do të ishim këtu. Si ka mundësi qe Amerika që na mbron e na mos me e pyetur për veprime jo të duhura. Prandaj duhet të konsultohemi me Amerikën” u shpreh Hajrizi.

    Megjithatë, për qytetarin Ismet Çitaku, vendimet e Kurtit janë të drejta. Ai konsideron se Qeveria Kurti po i largon kriminelët nga Kosova.

    Ani pse thotë se për tema sikurse veriu nevojitet bahskëpunim me ndërkombëtarët, ai thekson se “në oborr të shtëpisë nuk ka të drejtë askush të përzihet”.

    “Po e mbron integritetin e vendit tonë, me i largu kriminelët ose me i burgosë, shumë mirë po shkon, bravo, ne e përkrahim atë dhe të gjithë e përkrahim në vendin tonë integritetin territorial, shumë drejt po shkon. Nuk kemi ku me ikë prej Mitrovicës, duhet me ikë edhe nga Prishtina. Duhet të bashkëpunojë në disa vende por në oborr të shtëpisë nuk ka të drejtë askus të përzihet, Amerika me ne janë por e lëvizin pak situatën” thotë Çitaku.

    Edhe Izet Zhuja thotë se Kurti po vepron sipas ligjit dhe nuk duhet të sanksionet nga askush. Sipas tij, Kurti po mundohet t’i përmirësojë gabimet e të tjerëve.

    “Kurti po thërret me ligj, nëse thërret me ligj dhe vepron sipas ligjit nuk duhet të sanksionet prej askujt. Tjetër qe të tjerët kanë bëre gabime por ky po mundohet t’i përmirësojë marrëveshjet ndërkombëtare. Duhet të dijë edhe bota që ne jemi më të vetëdijshëm tash dhe kemi subjektivitetin tonë. Veprimet e opozitës nuk janë të mira, sikur të ishin bashkë as bota nuk i kish shtuar sanksionet. Ata nuk kanë pranuar Kurtin edhe pse populli e ka dashur. Opozita duhet të mendohet dy herë, por nuk po veprojnë bashkë dhe jemi të fortë, nëse veprojmë të ndarë nuk jemi asgjë… 01:56 Duhet të luftohet për popullin, kombin, jo për vota, lufta për vota neve do të na shkatërrojë” thotë Zhuja.

    Kujtojmë se lidhur me situatën në veri komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ndërsa ditë më parë, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

    Situata në veri të Kosovës është tensionuar pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në zyrat e veta në objektet komunale, për çka serbët kanë protestuar. Si pasojë, grupet kriminale serbe kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mediat.

  • Deputetja britanike: Armët në Veri po kontrabandohen nëpër kishat ortodokse, KFOR është në dijeni

    Deputetja britanike: Armët në Veri po kontrabandohen nëpër kishat ortodokse, KFOR është në dijeni

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovës përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse. Ajo tha se për këtë KFOR-i britanik është në dijeni.

    “Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, ka njoftua ajo në twitter.

  • Lajçaku në Presidencë, takohet me Osmanin

    Lajçaku në Presidencë, takohet me Osmanin

    Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçak, është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmanit, raporton Ekonomia Online.

    Ai do të pritet në takim edhe nga kreu i Qeverisë, Albin Kurti.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se Lajçaku, me kërkesë të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të qëndrojë në Kosovë dhe në Serbi pas situatës në veri.

  • Presidenti i Këshillit Evropian takohet me kryeministren serbe, kërkon de-eskalim të situatës në veri

    Presidenti i Këshillit Evropian takohet me kryeministren serbe, kërkon de-eskalim të situatës në veri

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka njoftuar se është takuar me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

    Michel në një shkrim në Twitter, tha se në këtë takim u diskutua për nevojën e deeskalimit të situatës në veri.

    Veç kësaj, ai ka bërë thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq: mesazh i qartë i Këshillit Evropian për nevojën për deeskalim të menjëhershëm të situatës në veri dhe vazhdim të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vendimtare që Serbia t’i vazhdojë reformat për të avancuar në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar ai.

  • Statovci reagon pas deklaratës së Ruttes: Pse ka masa ndaj Kosovës, a e ka humbur BE pozicionin?

    Statovci reagon pas deklaratës së Ruttes: Pse ka masa ndaj Kosovës, a e ka humbur BE pozicionin?

    Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka reaguar pas konferencës së dy kryeministrave të Holandës dhe Luksemburgut, që u mbajt sot në Prishtinë, lidhur me pozicionin e Bashkimit Evropian karshi zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor.

    Statovci komentoi deklaratën e kryeministrit holandez, Mark Rutte, i cili tha se në momentin që BE fillon të gjejë fajtorin, “atëherë e humbim pozicionin tonë.”

    Sipas saj, nëse ka masa ndaj Kosovës, a do të thotë se Bashkimi Evropian e ka humbur tashmë pozicionin.

    Postimi i plotë:

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha “Keni bërë premtime të dyja palët, e di se ka çështje të ndjeshme Në momentin që BE fillon të gjejë fajtorin, atëherë e humbim pozicionin tonë. Dëshirojmë që gjithë Ballkani Perëndimor të jetë më i suksesshme”

    Pajtohem me Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, në idenë e tij për neutralitet nga BE në procesin e ndërmjetësimit të negociatave Kosovë-Serbi. KM Rutte tha se “në momentin që BE fillon të gjejë fajtorin, atëherë e humbin pozicionin tonë’’.

    Atëherë përse kemi masa ndaj Kosovës? Dhe, sipas këtij parimi, a do të thotë kjo se BE ka humbur pozicionin e saj?

  • BE-ja përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe entitetin e Republikës Sërpska nga grantet

    BE-ja përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe entitetin e Republikës Sërpska nga grantet

    Kosova, Mali i Zi dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

    Nga këto investime përfituan Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Federata boshnjako-kroate.

    Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Vlera e përgjithshme e kornizës është 2.1 miliardë euro.

    Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Brukselit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në mesin e masave ndëshkuese është edhe pezullimi i të gjitha programeve financiare të BE-së.

    Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte thënë se kishte aplikuar edhe për dy grante investuese dhe katër grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk kishte specifikuar më shumë në lidhje me to.

    Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri më 2021, kjo kornizë ka mbështetur 30 projekte në Kosovë në vlerë prej 1.8 miliard eurosh.

    Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

    Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.

    Mali i Zi me projekte “të papërshtatshme”

    As Mali i Zi nuk ka përfituar grantet e bllokut, pasi projektet e paraqitura nga Podgorica, nga Komisioni Evropian janë parë si “parakohshme dhe të papërshtatshme”.

    “Mali i Zi ka paraqitur projekte investimi në fushën e energjisë, mjedisit dhe transportit që janë vlerësuar nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor si të parakohshme për financim ose të papërshtatshme për financim”, konfirmoi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për mediat.

    Ajo shtoi se shpreson që Podgorica të vazhdojë me përgatitjen dhe maturimin e këtyre propozimeve për investime për paraqitjen e serishme të tyre në thirrjet e reja në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

    Pisonero konfirmoi gjithashtu se Mali i Zi përfiton nga tri projekte të asistencës teknike, në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, në kuadër të kësaj thirrjeje për përgatitjen e investimeve në sektorët e transportit dhe energjisë.

    Më 30 qershor, KE-ja kishte njoftuar për miratimin e 14 projekteve kryesore investuese në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzor dhe mbështetjes për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor.

    Entiteti serb s’përfiton asnjë grant

    Grante në vlerë prej 303 milionë eurosh janë miratuar edhe për projektet infrastrukturore në Bosnje e Hercegovinë. Por, të gjitha grantet do të përqendrohen në Federatën boshnjake-kroate dhe jo në entitetin e Republikës Sërpska.

    Grantet, pjesë e paketës së investimeve prej 2.1 miliardë dollarësh të BE-së për Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojnë disa projekte, përfshirë ndërtimin e dy seksioneve të autostradës panevropiane që lidh Budapestin me portin kroat të Plloçes.

    Projektet e tjera në Bosnje, që do të mbështeten nga këto grante, kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me ujë në Sarajevë dhe rehabilitimin e një pompe depozituese në një hidrocentral në jug të shtetit.

    Bashkimi Evropian e kishte paralajmëruar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, që të ndalë retorikën secensioniste dhe lëvizjet që minojnë shtetin e Bosnjës.

    Delegacioni i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pse nuk janë mbështetur projektet në Republikën Sërpska.

    Fondet e miratuara janë mbi gjysma e 528 milionë eurove që janë miratuar për rajonin në formë të granteve nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), së bashku me disa kontribute të shteteve të bllokut dhe Norvegjisë, por edhe kreditë nga institucionet ndërkombëtare financiare. /rel