Me gjashtë vota për, Projektligji për Fondin Sovran, kaloi në komisionin parlamentar për ekonomi, industri dhe ndërmarrësi.
Gjatë prezantimit të saj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmendi Ndërmarrjet Publike që parashihet të kalojnë në menaxhim të Fondit Sovran.
“Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale, si Trepça, KEK-u, Posta, Telekomi, Trainkos dhe Infrakosin, gjithashtu”, tha Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli para anëtarëve të komisionit, shpalosi kushtet të cilat i konsideroi të qarta, për bartjen e ndërmarrjeve publike dhe aseteve të Agjencisë së Privatizimit në Fondin Sovran.
“Ndërmarrja ose aseti duhet të jetë i komercializuar, dhe të premtojë fitim brenda një periudhe të arsyeshme, ndërmarrja që bartet duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë, asetet e AKP-së duhet t’i barten fondit pa detyrime”, tha ajo.
Mirëpo, ky projektligj për Pal Lekajn nga AAK-ja ka paqartësi.
“Nëse mendoni që mund të bartni prej AKP-së diçka që veç ia ndërroni emrin është e pakuptimtë. Jeni duke hyrë në një ligj që nuk do të jetë i implementueshëm asnjëherë. Ky ligj do të përfundojë në Kushtetuese”, tha Lekaj.
Kritika të shumta në raport me konceptin e Fondin Sovran, pati edhe kryetari i komisionit, njëherësh edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Çështja sociale është problem, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve kanë mijëra punëtorë. Kush i zgjidh problemet sociale që afektohen nga ky ligj, nga këto asete. Termin ‘bartje’ juridikisht nuk e kam të qartë a është privatizim, shitje, shpronësim? Çka do të thotë bartja?”, tha Shala.
Mirëpo, ekipi i ministres Rizvanolli beson fuqishëm se vendi do t’ia shohë hairin këtij fondi.
“Rritjen e vlerës së pasurisë, ky është synimi i Fondit Sovran”, tha zëvendësministri, Getoar Mjeku.
Më shtatë qershor të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës e miratoi Projektligjin për Fondin Sovran, i cili do të ketë kapital fillestar prej 20 milionë eurove. Derisa me themelimin e tij Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet, Fondi Sovran do të jetë shoqëri aksionare dhe Republika e Kosovës do të jetë pronare e vetme me 100 për qind të aksioneve. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

Leave a Reply