ATV

Category: Lajme

  • Murati flet për mungesën e punëtorëve, ka një sqarim pse po ndodh kjo

    Murati flet për mungesën e punëtorëve, ka një sqarim pse po ndodh kjo

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka folur për mungesën e punëtorëve në vend, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, ka mospërputhje ndërmjet aftësive që kërkojnë bizneset dhe aftësive që i posedojnë të rinjtë; dhe se bizneset s’po krijojnë kushte të mira për punëtorët.

    Murati tha se po marrin masa dhe tha “në vazhdimësi kemi shtim të masave” për ta zgjidhur këtë problem. Murati tha se Qeveria ka mbështetur trajnime apo kurse të IT-së dhe “trajnime të tjera për sa i përket fushave të tjera”.

    Madje sipas tij, se bizneset e kanë rritur profitin së fundmi, andaj tha se “duhet të rriten edhe pagat e punëtorëve”.

    “Ka një mospërputhje mes të aftësitë që kërkohen nga tregu i punës dhe të atyre që shumica e të rinjve tanë i kanë. Pra, ka vende pune për programer, mirëpo duhet kohë që të trajnohen dhe të shkollohen programer të rinj me paga të larta. Kemi edhe problemin e mosofrimit të kushteve nga bizneset”.

  • “Armët në kishat ortodokse përmes autoambulancave”, Kurti takohet me komandantin e KFOR-it

    “Armët në kishat ortodokse përmes autoambulancave”, Kurti takohet me komandantin e KFOR-it

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se do të takohet me përfaqësues të NATO-s dhe me komandantin e KFOR-it, raporton EO.

    Kurti tha se ka informacione se veturat e ambulancës në veri të Kosovës janë përdorur për të bartur armatim.

    Ai është shprehur se do të takohet edhe me organet e sigurisë dhe të jepet fjala përfundimtare për këtë. Ai gjithashtu ka folur edhe për diskutimet e tij për deeskalimin e situatës në veri ku ka konfirmuar se është pajtuar për zgjedhje të parakohshme.

    “Për ta larguar kryetarin nga ndërtesa në Leposaviq, kjo kryhet me zgjedhje. Pika e parë e kryen edhe të dytën, sa i përket pikës së tretë, policia jonë është në ndërtesë sepse ju e dini çfarë gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë ose tash kemi këto informacionet se veturat e ambulancës janë përdorur për të bartur armatim dhe unë sot do ta kem një takim edhe me përfaqësues të NATO-s për këtë gjë, do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it gjeneral majorin Risstuccio dhe pas këtyre takimeve edhe me organet tona të sigurisë do të mund ta japim fjalën përfundimtare, jemi duke grumbulluar të dhëna, informacion dhe nuk është mirë të jap informacion për informacionin e padetajuar. Sot kam një takim ku do të shtrohet edhe kjo temë dhe në këtë mënyrë unë besoj që kemi treguar gatishmërinë dhe interesimin tonë për deeskalim”.

    Përderisa KFOR-i tha se bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2022, derisa tha se nuk kanë gjetur dëshmi. Po ashtu, KFOR tha se përgjegjësia për kontrabandë i takon “organizatave të Sigurisë së Kosovës”.

    “Ngjarja e përmendur nga deputetja britanike i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u dërgua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it. Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për konfirmuar këtë, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar. Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për një informim të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës”.

  • KRU Prishtina: Shpenzoni racionalisht ujin e pijshëm

    KRU Prishtina: Shpenzoni racionalisht ujin e pijshëm

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën thirrje që të kihet kujdes me shfrytëzimin e ujit të pijes dhe të mos përdoret në mënyrë të pakontrolluar.

    Me anë të një komunikate për media, luten konsumatorët që jetojnë në pika të ulëta të mos e keqpërdorin ujin, në mënyrë që ai të arrijë edhe në pikat e larta.

    “Nga ju kërkojmë shpenzim racional të ujit, ndërsa ne jemi duke inspektuar terrenin për kyçje ilegale dhe keqpërdorime të ujit me theks të veçantë nëpër fshatra”, thuhet në kumtesë të KRU Prishtina, duke theksuar se ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji dhe se e ardhmja varet nga disa veprime që ne i marrim sot!

  • Abdixhiku i mbledh opinionistët e gazetarët, diskutojnë për gjendjen politike e relacionet me aleatët

    Abdixhiku i mbledh opinionistët e gazetarët, diskutojnë për gjendjen politike e relacionet me aleatët

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka ftuar në takim opinionistë e gazetarë për të diskutuar për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatë, raporton Ekonomia Online.

    Kësaj ftesë i janë përgjigjur gazetarë e analistë të njohur, mirëpo ky takim ka qenë i mbyllur për medie.

    Ky takim ka ardhur pas paralajmërimeve të Abdixhikut se nga e mërkura do të nisë takimet e para me profesionistë të ndryshëm për të nxjerrë propozimet për dalje nga kriza e tanishme izoluese dhe tensionuese e Kosovës.

    Sipas tij, nga e mërkura, do të organizojë katër takimet e para me opinionistë, gazetarë, organizata të shoqërisë civile, profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe biznese nga sektori privat në vend.

    “Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euroatlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithë shoqëror”, kishte paralajmëruar Abdixhiku.

  • ​Kurti kushtëzon takimin me Ramën me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive

    ​Kurti kushtëzon takimin me Ramën me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive

    Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk do të takohet me homologun nga Shqipëria, Edi Rama, këtë javë në Prishtinë nëse nuk mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të dy vendeve. Rama nis një tur ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit dhe ka paralajmëruar një vizitë edhe në Prishtinë.

    Mirëpo, Kurti tha se i ka kërkuar Ramës që të mbajnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte anuluar nga ana e kryeministrit të Shqipërisë e që ishte paraparë të mbahej më 14 qershor në Gjakovë e që për Kurtin nuk kishte arsye për një vendim të tillë.

    “Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama se meqë do të vijë e do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm, ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor në Gjakovë. Të gjitha përgatitjet i patëm bërë, 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen të cilat tash kanë ngelur në sirtar. Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtar sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët, dhe çdo ditë e humbur e pa i nënshkruar këto marrëveshje, është dëm për qytetarët, unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen në këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona, t’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar dhe në këtë mënyrë t’i operacionalizojmë, t’i funksionalizojmë, t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”, tha Kurti.

    Kurti tha se Procesi i Berlini është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider politik e institucional sikurse ai që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë proces.

    Mirëpo, sipas tij, samiti i radhës i Procesit të Berlinit është në mes të muajit tetor ndërsa nuk dëshiron të vonohet më shume me zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.

    “Për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive, nëse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjeve të dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi që ia kam thënë se për takime të ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejt, ne takohemi shumë shpesh nëse shikoni gjatë këtyre më shumë se dy viteve që jemi në qeverisje i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama, nuk lëgon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan, pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm, andaj konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive por jo takimet të tjera”, tha Kurti.

    Për të hequr të gjitha dilemat se nuk do të ndodhë një takim mes tij dhe Ramës pa mbledhje të dy qeverive, Kurti u kujdes që ta mbyllë konferencën e tij duke e përsëritur qëndrimin.

    “Pra, edhe njëherë unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje”, tha Kurti.

    Kryeministri Edi Rama kishte anuluar njëanshëm mbledhjen e dy qeverive natën e 13 qershorit me arsyetimin se nuk mund të mabhet një mbledhje e tij në kohën e ngritjes së tensioneve në veri dhe raporteve të acaruara të shtetit të Kosovës me bashkësinë eurotaltinike.

    Ai kishte kërkuar një tjetër format me pjesëmarrjen e dy kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm e të Mbrotjes.

    “E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, për të diskutuar pikërisht për këtë situatë e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, pati deklaruar Rama më 13 qershor./KP/

  • Shqyrtohet projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje

    Shqyrtohet projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka shqyrtuar sot projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

    Eksperti ligjor, Hilmi Jashari ka thënë se ky ligj ka për qëllim të sjellë pajtueshmërinë, ligji për mbrotjen nga dhuna në familje, me obligime që rrjedhin nga konventa.

    “Risia kryesore që sjell konventa është obligimi përpos kordinim ndërinstitucional dhe promovim për mbrotje nga dhuna në familje, dhuna në baza gjinore dhe ndaj grave”, ka thënë Jashari.

    Ndërsa, deputetja e VV-së, Arjeta Fejza ka propozuar që paratë e imta t’i ketë Policia e Kosovës, në mënyrë që kur të raportohet rasti i gruas dhe potencialisht të ketë fëmijë me vete, asaj t’i sigurohet qumështi për fëmijë.

    Për këtë, është pajtuar edhe kryetarja e Komisionit, Duda Balje, e cila ka thënë se nuk është e logjikshme që Policia të paguajë për viktimat.

    Ndërsa, sa i përket kohës për këtë ligj, është vendosur për gjashtë muaj, porse për këtë deputetja nga PDK, Eliza Hoxha, e cila ka thënë se nuk mund të vlerësohet si e saktë kjo kohë.

    “Që ndodh pushimi, ndërrohet qeveria, nuk mund të realizohet për tre muaj”, ka thënë Hoxhaj.

    Ndërsa, Balje këtë ligj e ka vlerësuar si kompetent dhe të nevojshëm.

    “Një prej ligjeve që kemi mbuluar shumë adresa, i cili ka qenë kompetent për të ndihmuar që të dalim me një ligj sa më të mirë, pa marr parasysh votimin e fundit kemi bashkëpunuar shumë mirë. Pas votimit të dytë kemi një punë të madhe për implemtentimin e ligjit, edhe këtu duhet të jepim energji”, ka thënë Balje.

    Projektligji në fjalë ka marrë përkrhaje të shkojë në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

    Ndërkohë, në komision ka hyrë për të raportuar një grua e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërkohë komisioni po vazhdon me dyer të mbyllura./KosovaPress

  • ​Qeveria miraton projektligjin e ri për pensione

    ​Qeveria miraton projektligjin e ri për pensione

    Kabineti qeveritar ka mbajtur mbledhjen me vetëm dy pika të rendit të ditës. Qeveria ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, i cili parasheh heqjen e diskriminimit si kusht për 15 vjet stazh pune deri më 1999. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se me këtë vendim do të përfitojnë rreth 70 mijë persona. Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe projekt-kodi doganor dhe i akcizave, ku u tha se është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ka përfunduar draftimi i projekt-kodit doganor dhe i akcizave në përputhje me direktivat relevante të BE-së.

    “Në raport me Kodin Doganor që është në fuqi është pothuajse gjashtëfish më shumë dhe kodi aktual që është në fuqi, është i miratuar qysh në vitin 2008. Ka tash 15 vjet që nuk ka ndryshuar dhe është koha që të përshtatet me direktivat e fundit të BE-së. Ky projekt-kod doganor i akcizave siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore dhe përshtatet me zhvillimet e fundit në fushën e tregtisë dhe përdor mjetet moderne të komunikimit, duke siguruar një sistem plotësisht të automatizuar. Ka gjashtë libra gjithsej, pjesë e këtij drafti të kodit janë Ligji i Doganës, Ligji i Akcizës, Ligji për Kundërvajtje Doganore, Ligji për Administratën Doganare, Ligji i Lirimeve si dhe Libri për dispozitat kalimtare”, theksoi Murati.

    Në këtë draft, Murati shtoi se përcaktohet se kush janë obliguesit akcizor, si paguhet dhe raportimi në përputhje me direktivat e BE-së.

    Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për plotësimin e ndryshimit të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti.

    Kurti theksoi se ky projektligj është në linjë me premtimin e bërë, për trajtimin e barabartë për të gjithë dhe rritje të mirëqenies sociale.

    “Në përputhje me zotimin tonë e siç kemi paralajmëruar në fillim të këtij viti, po e bëjmë reformën pensionale. Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem pensional solidar dhe të barabartë që garanton pensione stabile dhe kujdeset për pensionistët. Kjo skemë e zhduk dallimin dhe margjinalizimin, e u garanton qasje të mira sociale të gjithëve. Këtë duhet ta bëjë Republika dhe këtë po e bëjmë së bashku”, ka thënë ai.

    Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dha detaje për ndryshimet që parashihen në këtë projektligj. Ai njoftoi se ka pasur diskriminim në pragun e vendosur si kusht për 15 vjet stazh pune.

    “Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu si kusht 15 vjet stazh pune, mirëpo nuk janë marrë parasysh rrethanat e largimit të dhunshëm nga puna të atyre që kanë qenë duke punuar që nga viti 1989 dhe më pastaj me hyrjen në fuqi të masave të dhunshme. Dhe si rezultat i largimit të dhunshëm, kanë mbetur shumë persona, shumë punëtor të cilët kanë kontribuar me 14 vite e 11 muaj, por për shkak të largimit të dhunshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë kushtin prej 15 vitesh. E me këtë rast, me këtë ndryshim-plotësim të këtij ligji ne po e zhbëjmë atë diskriminim. Sepse do t’u mundësohet që për periudhën që nga koha kur janë larguar nga puna e deri më 1 janar 1999, tu llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, ndërsa lartësia e pensionit pastaj do të caktohet bazuar në vitet që kanë kontribuar në Fondin Pensional. Hiqet ky diskriminimi i prerjes, ku dikush ndoshta për një muaj s’ka arritur ta plotësojë kushtin, ne me këtë po e heqim këtë diskriminim duke ua mundësuar që ta llogarisin edhe periudhën prej kur janë larguar nga puna”, ka thënë Murati.

    Murati shtoi se nga ky plotësim-ndryshim i ligjit parashihet që të përfitojnë mbi 100 mijë persona. Sipas tij, këto ndryshime në ligj për një vit të plot do të kushtojnë rreth 60 milionë euro.

    “Parashihet që të përfitojnë rreth 104 mijë persona, që do të plotësonin kushtin. Pra, për të përfituar nga ky ndryshim-plotësim i këtij ligji. Megjithatë duhet të përllogaritet ose duhet të marrim parasysh që disa mund edhe të kenë ndërruar jetë, ose disa mund të mos kenë arritur ende moshën e pensionimit. Vlerësimet tona janë që përafërsisht, aktualisht në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70 mijë persona që marrin nga pensioni bazik, por që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensinonin parcial kontribut pagues të moshës”, shtoi ai. /kp

  • KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, për sundim të ligjit përgjegjëse është Kosova

    KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, për sundim të ligjit përgjegjëse është Kosova

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas deklaratave të deputetes britanike, Alicia Kearns, ku ka ngritur alarmin për kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.

    Sipas KFOR-it, deklaratat e deputetes britanike i referohen vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës në misionin e KFOR-it, dhe se nga hetimet “nuk ka dalë asnjë dëshmi nga ajo që është raportuar”.

    Nga ky mision theksohet se “ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësin e organizatave të sigurisë së Kosovës”.

    “Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por pas hetimeve shtesë në mënyrë që të konfirmohet kjo, asnjë dëshmi nga ajo që u raportua nuk doli. Nuk ka asnjë dëshmi as për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për informata të plota, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e organizatave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

    Ndryshe, deputetja Kearns në Parlamentin britanik ka thënë se “Serbia kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë”.

  • Kisha ortodokse serbe reagon ndaj akuzave të deputetes britanike për kontrabandim me armë

    Kisha ortodokse serbe reagon ndaj akuzave të deputetes britanike për kontrabandim me armë

    Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë se e ka pranuar me shqetësim të thellë deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kerns, të bërë në Parlamentin Britanik.

    Gjatë fjalimit të saj, deputetja Kearns akuzoi drejtpërdrejt Kishën Ortodokse Serbe, se është përfshirë në kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë.

    “…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”.

    Sipas Dioqezës Rashkë-Prizren, kjo deklaratë e deputetes britanike “paraqet një akuzë tejet të rrezikshme që kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe dhe tashmë po shfrytëzohet nga disa media kosovare me qëllim të nxitjes së urrejtjes fetare dhe etnike”.

    “Këto akuza përbëjnë gjithashtu një kërcënim të drejtpërdrejtë për klerin, manastiret dhe vendet fetare”, thuhet në këtë reagim.

    Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë më tej se “ka kundërshtuar qartë çdo formë të dhunës përmes veprimeve dhe deklaratave të saj gjatë tridhjetë viteve të fundit, si para dhe pas” luftës në Kosovë.

    Dhuna, thuhet më tej në deklaratë, “është në kundërshtim me parimet themelore të Ungjillit dhe me misionin e Kishës. Prandaj, dëshirojmë ta trajtojmë këtë çështje me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë”.

    Tutje, thuhet se akuzat e deputetes Kearns duhet të verifikohen urgjentisht.

    “Prandaj, ne kërkojmë publikisht, përmes kësaj deklarate, që misioni i KFOR-it, në të cilin ishte vendosur njësia e lartpërmendur britanike (Royal Fusiliers), t’i bëjë të ditur publikut nëse mund të konfirmojnë pretendimet e deputetit të MB-së. Është e pamundur që ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në KFOR ta kenë këtë informacion dhe të mos ua komunikojnë eprorëve të tyre në komandën e KFOR-it. Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, çdo zyrtar(ët) i kishës që zbulohet se është i përfshirë në keqpërdorimin e supozuar të ambienteve të KOS-it dhe shërbimit kishtar për transportin ose ruajtjen e armëve do të përballet me dënimet më të rënda të kishës dhe nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë shërbimin e tyre publik. Mirëpo, nëse KFOR-i nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e këtyre pretendimeve, Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë një falje publike nga deputetja e lartpërmendur përmes ambasadës britanike në Prishtinë, për shkak të pretendimeve të saj nxitëse dhe të pasakta që kanë pasoja të rënda”, thuhet në deklaratën e Dioqezës Rashkë-Prizren.

  • Eurodeputeti slloven: Vuçiq po e mashtron ShBA-në dhe BE-në për Kosovën

    Eurodeputeti slloven: Vuçiq po e mashtron ShBA-në dhe BE-në për Kosovën

    Anëtari i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj tha në një intervistë për “Balkan Talks” në Euronews Albania se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po mashtron Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në lidhje me Kosovën.

    Eurodeputeti ishte i mendimit se Serbia është një vend ku parimet themelore të demokracisë nuk funksionojnë.

    “Është shumë e thjeshtë, sepse Serbia shihet si një nga lojtarët kryesorë në Ballkanin Perëndimor. Pra, të gjithë presin që të sigurojmë që Serbia të jetë lojtari pozitiv në Ballkan. Por mendoj se duhet të diferencojmë midis asaj se cila është qeveria e Vuçiçit në Serbi dhe cilat janë aspiratat e popullit serb. Besoj akoma, jam shume i bindur, se populli serb do të jetë pjesë e familjes dhe komunitetit në Bashkimin Europian. Ndërsa Vuçiçi dhe elita politike në Serbi po luan një lojë tjetër, duke përdorur këtë aspiratë të popullit serb vetëm për të ndenjur në pushtet. Sepse kur procesi i vërtetë i pranimit do të fillojë, kur të zbatohen këto reforma, është shumë e dukshme që mbretërimi i Vuçiçit në Serbi do të fillojë të zvogëlohet. Do të ketë një sërë mundësish për pikëpamje të ndryshme në Serbi. Këtë po mbron tani Vuçiçi tani.

    Fatkeqësisht, mendoj se shumica e komunitetit ndërkombëtar po përqendrohet më shumë te zgjidhja e këtij problemi. Të bëjmë diçka për të ndaluar tensionet që janë të pranishme tani, pastaj do të përpiqemi t’i zgjidhim më vonë problemet e tjera. Kjo është vërtetuar se s’ka qenë kurrë e suksesshme dhe nëse shikoni ç’ndodhi në Bosnje pas marrëveshjes se paqes ne Dejton, këto janë mësimet që duhet të kujtojmë të gjithë. Duhet të kemi zgjidhje gjithëpërfshirëse, jo të përkohshme,” – u shpreh Groshelj.