ATV

Category: Lajme

  • Gruda i PDK-së: Është turp për një Ministre të Jashtme që flet me fjalë të rrugëve

    Gruda i PDK-së: Është turp për një Ministre të Jashtme që flet me fjalë të rrugëve

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar sërish ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

    Gruda, u shpreh se është turp për një kryediplomate që sipas tij flet me fjalë të rrugëve dhe se qëndrimi i tij ishte në emër të PDK-së.

    “Është turp për një Ministre të Jashtme që flet me fjalë të rrugëve: unë, kur kam folur dje në emër të PDK-së, nuk kam thënë atë që thotë Donika Gërvalla, e ka thënë bashkëpunëtori i saj, zv. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu”, ka shkruar ai.

  • ​Krasniqi kërkon dakordim politik për zgjedhje të reja

    ​Krasniqi kërkon dakordim politik për zgjedhje të reja

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar dakordim politik mes partive parlamentare në Kuvend për organizimin e zgjedhje të reja.

    Ai në seancën e sotme plenare, tha se kjo legjislaturë e Kuvendit duhet të shpërbëhet dhe mandati t’iu kthehet qytetarëve, transmeton KP.

    “Ky kuvend, mandatin e juaj që nuk i punojnë as pajisjet, realisht s’duhet me vazhdu punën. Unë jam duke iu ftuar publikisht edhe si deputet, por edhe si kryetar i PDK-së, të merremi vesh, të bëjmë një mocion dhe të shpërndajmë Kuvendin e Kosovës. Kjo legjislaturë nuk është në gjendje me kalu asgjë. Ju jeni thirrë në 50 përqindsh, shumicë parlamentare dhe nuk jeni në gjendje me kalu ligje, mos të flasim për marrëveshje ndërkombëtare. Është një bllokim total i punës së brendshme, mos të flasim edhe për izolimin e jashtëm që edhe me sanksione i keni sjell Kosovës….T’ia kthejmë mandatin e qytetarëve dhe le të vendosin ata a janë të interesuar Kosova me vazhdu këtë rrugë që e keni ju apo kanë mendim tjetër. Pasi kur iu kanë votuar nuk iu kanë votuar për këtë rrugë të konfrontimit dhe politikës së theqafës”, tha ai.

    Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sërish duke ironizuar tha se derisa të ndodh kjo, deputetët të votojnë ndonjë projektligj që është në rend të ditës sot.

    “Derisa të ndodh kjo, provojmë të votojnë ndonjë projektligj eventualisht”, tha ai.

  • ​Konjufca-opozitës: Mos më detyroni, mazhoranca voton me shku në zgjedhje

    ​Konjufca-opozitës: Mos më detyroni, mazhoranca voton me shku në zgjedhje

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ironizuar me deputetët opozitarë në seancën e sotme plenare.

    Pas dështimit të kalimit të një projektligji, deputetët e partive opozitarë kërkonin shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur atyre, Konjufca duke ironizuar iu është drejtuar atyre që mos ta detyrojnë ta bëjë një gjë të tillë, pasi edhe mazhoranca voton me shku në zgjedhje, transmeton KP.

    “Mos më detyroni. Kjo është arsyeja që sot jeni ardh 90 deputetë a ? Pasi me dy të tretat, mos i provokoni mazhorancës se këta votojnë me shku në zgjedhje. Nesër zgjedhjet nuk munden me ndodh ato e kanë afatin. A po ju kujtohet parvjet me një emision çka iu pata thanë”, tha ai.

    Pas krijimit të tensioneve në veri, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës për të organizuar zgjedhje të reja parlamentare, ndërkaq partia tjetër opozitare, AAK, ka nisur përpjekjet e saj për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.

  • ​PDK-ja kërkon shpërbërjen e Kuvendit, LVV thotë se kjo s’do të ndodh

    ​PDK-ja kërkon shpërbërjen e Kuvendit, LVV thotë se kjo s’do të ndodh

    Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje po akuzojnë opozitën për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, derisa përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, thanë se nuk ka kuptim të votohen marrëveshjet sepse vendi është i sanksionuar si pasojë e veprimeve të Qeverisë.

    Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës sërish ka dështuar në mungesë të koriumit, pasi aty nuk kanë marrë pjesë nënkryetarët e Kuvendit nga PDK dhe LDK, të cilët po bojkotojnë punën e Kuvendit.

    Ndërkohë, u tha se sot ose nesër presin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të caktojë seancë për ditën e enjte.

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se sot ose nesër presin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të caktojë seancë për ditën e enjte, derisa është pyetur se deri kur do të vazhdojnë me mungesë kuorumi dhe moskordinim me opozitën.

    “Besoj që kjo është pyetje për përfaqësuesit e opozitës, ne do të vazhdojmë me atë që na lejon rregullorja dhe Kushtetuta, që të sigurohemi që në veçanti disa ligje që janë tepër me rëndësi të miratohen gjatë kësaj periudhe kohore, edhe tri javë të mbetura që janë të sesionit pranveror. Jemi mobilizuara maksimalisht në mbajtje të korumit dhe votim të suksesshëm në seanca. Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, është fakt i ditur se pa qenë 80 deputetë, ato nuk mund të hedhen në votim, prandaj si të tilla mbesin në obligim dhe përgjegjësi të opozitës. Arsyet siç i keni parë nuk kanë qenë të artikuluara në formën që mund të ketë qartësi se kur mund të kryhet kjo. Fillimisht kanë mohuar zgjedhjet, pastaj kanë kërkuar zgjedhjet tjetri grup… ne i konsiderojmë totalisht të pa pranueshme, totalisht të paarsyeshme dhe natyrisht që ndoshta dëmi më i madh që i bëhet vendit“, tha ajo, derisa ka mohuar se mund të shpërbëhet kuvendi.

    “Jo absolutisht, Kuvendi për shpërbërje duhet t’i ketë dy të tretat. Ne nuk shohim që ka telashe në Kuvendit përveç që ato që po i krijon opozita të paqena por puna jonë me pozitën do të vazhdojë. Sesioni pranveror vazhdon punën deri në fund të korrikut dhe pastaj në gusht shkohet në pushim siç është paraparë”, tha ai.

    Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se ky Kuvendi nuk meriton asnjë ditë të vetme të shpenzojë taksat e qytetarëve kur është kaq jofunksional.

    “Duhet të shpërbëhet sa më parë. I kemi dhënë mundësi edhe kryeministrit nga java e kaluar ose ta shpërbëj Kuvendit ose të jap dorëheqje dhe koha është që vendi ynë të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Ju e shihni që çdo ditë e më shumë po thellohet kriza, ju e shihni edhe marrëzitë që i bëjnë qeveritarët tanë karshi partnerëve tanë, ju e shini që çdo ditë e më shumë vendi ynë po sanksionohet nga ShBA, BE dhe nga vendet e BE-së veç e veç, çdo ditë kemi lajme që vendet veç e veç siç ishte Gjermania para dy dite po marrin masa ndaj Republikës së Kosovës. Ne nuk të mbijetojmë të izoluar dhe as që e kemi ndërmend që ta ndihmojmë në izolimin e vendit…ne nuk do të votojmë. Tani e tutje nuk do t’i votojmë as marrëveshjet ndërkombëtare, as projektligjet dhe asgjë, me qëllimin e vetëm që sa më shpejt ta qojmë vendin në zgjedhje, që sa më shpejt ta largojmë një qeveri të paaftë, që tashmë ka krijuar një krizë jashtëzakonisht të madhe, një krizë që mundet me ardhë Republika jonë për të pas sanksione nga ShBA dhe BE“, tha ai, duke shtuar se njerëzit që fusin një vend në krizë, nuk janë më kredibil që ta nxjerr vendin nga kriza, prandaj, si në Kuvend, ashtu edhe jashtë do të angazhohen për zgjedhje të reja.

    Ai shtoi se do t’i përdorin të gjitha masat e mundshme, të nevojshme që t’ia pamundësojnë punën Kuvendit, duke mos dhënë detaje nëse kjo i bije edhe në pengimin e mbarëvajtjes së seancave.

    “Ne në ditët në vijim do t’ua bëjmë me dije për secilin hap që do të ndërmarrim. Tani për tani nuk do të votojmë asnjë projektligj, asnjë marrëveshje ndërkombëtare. Çfarë kuptimi ka kur jemi të sanksionuar të votojmë marrëveshje ndërkombëtare, edhe ashtu këto janë të fundit sepse kjo qeveri nuk mund të sjellë më marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka asnjë shtet, asnjë organizatë ndërkombëtare që nënshkruan marrëveshje me këtë qeveri të sanksionuar”, tha ai.

    Sipas tij, është detyrë e PDK-së për ta nxjerr vendin nga kjo krizë që ka shkaktuar pozita. /kp

  • ​Kuvendi përkujton Masakrën e Srebrenicës

    ​Kuvendi përkujton Masakrën e Srebrenicës

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përkujtuar viktimat e Masakrës së Srebrenicës që kishte ndodhur 28 vjet më parë në Bosnje dhe Hercegovinë. Të zgjedhurit e popullit mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre, derisa edhe vendosën disa shamia të gjelbra mbi vendet e tyre që simbolizojnë pafajësinë e viktimave.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk vjetërsohen kurrë, andaj kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar.

    “Gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit janë një krim që nuk vjetërsohen kurrë. Prandaj, shpresojmë gjithmonë që edhe kriminelët të marrin dënimin e merituar një ditë”, tha ai.

    Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit boshnjak, Bahrim Shababni, tha se autorët e këtij gjenocidi po i mohojnë krimet e tyre vit pas viti.

    “Autorët e këtij gjenocidi të tmerrshëm në zemër të Evropës mohojnë krimet e tyre vit pas viti. Prandaj boshnjakët kudo që janë duhet të kujtojnë dhe nuk duhet të harrojnë këtë krim”, tha ai.

    Derisa edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje tha se shpreson se një masakër e tillë nuk do të ndodh kurrë më.

    “Në këtë shami e shihni se kemi bërë si një shenj që të përkujtojmë atë krim. Kemi ngjyrën e bardhë që paraqet pafajësinë, ndërsa e gjelbra paraqet shpresën që nuk do të ndodh kurrë më një gjë e tillë”, shtoi ajo.

    Kuvendit po vazhdon punimet me pikat e tjera të rendit të ditës./KP/

  • I amputohet këmba ushtarit të KFOR-it hungarez që u plagos në Zveçan

    I amputohet këmba ushtarit të KFOR-it hungarez që u plagos në Zveçan

    Mediat hungareze kanë njoftuar se një ushtari të KFOR-it hungarez i është amputuar këmba pasi kishte marrë lëndime gjatë tensioneve në komunën e Zveçanit më 29 maj.

    Media hungareze, Telex, ka njoftuar se disa nga ushtarët hungarezë të plagosur u dërguan në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare menjëherë të nesërmen, ku pastaj ministri i Mbrojtjes Kombëtare Kristóf Szalay-Bobrovniczky raportoi për gjithsej 27 ushtarë të plagosur.

    Ministria ka thënë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

    “Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Në protestën e 29 majit në veri, në qytetin e Zveçanit serbët kishin sulmuar me gjësende të forta trupat e KFOR-it, derisa këta po qëndronin para objektit të komunës.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s kishte ndërhyrë pasi paraprakisht i pati paralajmëruar, por ata nuk ishin bindur. Gaz lotsjellës, zjarr dhe shtëllunga tymi patën përfshirë zonën, ndërkohë që janë dëgjuar edhe sirena dhe shpërthime.

  • Qeveria ‘zbut’ masën e sigurisë për mallrat serbe

    Qeveria ‘zbut’ masën e sigurisë për mallrat serbe

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.

    Oda Ekonomike e Kosovës ka konfirmuar për KosovaPress se qeveria këto ditë ka marrë vendim për heqjen e masës së sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.

    Kryetari i OEK-ut, Lulëzim Rafuna ka theksuar për KosovaPress se OEK-u është i njoftuar për heqjen e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.

    Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me ‘zbutjen’ e masës së sigurisë për mallrat serbe.

    Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

  • LDK-ja kërkon dorëheqjen e Gërvallës

    LDK-ja kërkon dorëheqjen e Gërvallës

    Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

    Lushaku-Sadriu, në një reagim publik të hënën, ka thënë se veprimet e Gërvalles janë duke i shkaktuar “dëme të pariparueshme Kosovës”.

    Ajo e ka cilësuar skandaloze deklaratën e ministres Gërvalla për Bashkimin Evropian, të cilin e ka quajtur “një tigër prej letre”.

    Sipas Lushaku-Sadriut, rruga e kryeministrit Albin Kurti dhe kryediplomates Gërvalla është rrugë drejt izolimit.

    Reagimi i plotë i Jehona Lushaku-Sadriut:

    Ministrja e Kurtit, Znj. Gërvalla-Schwarz, DORËHIQU!

    Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz paska vazhduar të mbrojë deklarimet e saja skandaloze, prap duke hedhur dyshimet e saj në rolin e BE-së për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

    Një ministreje hipokrite si Gërvalla-Schwarz duhet të ia kujtojmë se BE është strukturë supranacionale, që ka garantuar paqen e sigurinë e saj tash 78 vjet pikërisht duke ndërtuar projektin më grandioz të paqes e integrimit. Këtë e ka arritur pikërisht duke u koordinuar me SHBA-në dhe ndërtuar strukturat e saj të sigurisë. E gjithë përpjekja disa dekadëshe e shteteve të BE-së dhe BE-së në Ballkanin perëndimor është dëshmi e vendosmërisë për të krijuar rajon të sigurtë. Gjithmonë në koordinim me SHBA; dmth duke bërë pikërisht atë që ministrja dhe shefi i saj e paraqesin në Kosovë si të panevojshme.

    Për të qenë të saktë, Kosova ka zgjedhur të synojë të integrohet në BE si rrugën e vetme të saj duke e ankoruar atë në Kushtetutë! Deri tani si ministre e jashtme, kjo qeveri ka bërë veprime pikërisht kundër këtij vizioni tonë shtetëror kushtetues; ka përçmuar BE-në si organizatë politike në të cilën Kosova ka aspirata t’i bashkohet.

    Ministrja e Kurtit, Znj. Gërvalla-Schwarz, DORËHIQU! Dorëhiqu, ngase diskursi yt i paprecendent e veprimet e tua të pamençura janë duke i shkaktuar dëme të pariparueshme Kosovës!

    Përfundimisht, rruga e Kurtit dhe Gërvalla-Schwarz-it është rruga e izolimit dhe humbjes. Rruga që ofron LDK është një rrugë ku Kosova ecën bashkë me miq; është rrugë e fitores.

  • ​Dështon sërish mbledhja e kryesisë së Kuvendit

    ​Dështon sërish mbledhja e kryesisë së Kuvendit

    Mbudhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish në mungesë të koriumit.

    Aty nuk kanë marrë pjesë nënkryetarët e Kuvendit nga PDK dhe LDK, të cilët po bojkotojnë punën e Kuvendit.

    Ndërkohë, u tha se sot ose nesër presin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të caktojë seancë për ditën e enjte.

  • Aksident trafiku në Kishnicë, vdes një 49-vjeçar

    Aksident trafiku në Kishnicë, vdes një 49-vjeçar

    Një person ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, më saktësisht në fshatin Kishnicë.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci konfirmoi se në këtë aksident ka humbur jetën një 49-vjeçar.

    “Rreth orës 09:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, respektivisht në fshatin Kishnicë. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion dhe si pasojë një person, mashkull, 49 vjeç, ka humbur jetën”, tha ai.

    Borovci shtoi tutje se, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti./Telegrafi/