ATV

Category: Lajme

  • Hekurudhat e Kosovës në gjendje të mjerë, treni përsëri godet veturën në Fushë Kosovës

    Hekurudhat e Kosovës në gjendje të mjerë, treni përsëri godet veturën në Fushë Kosovës

    Numri i aksidenteve në hekurudhat e Kosovës është në rritje.

    Pak ditë pasi një i ri humbi jetën në Klinë, sot në Fushë Kosovë një rast i ngjashëm ishte afër të përsëritej.

    Treni ka goditur veturën por që për fatin e mirë pa pasoja në njerëz.

    Ky fenomen fatkeqësisht është bërë i natyrshëm dhe se hekurudhat e Kosovës po përgjaken, por masa s’po ndermirën.

  • Specialja rrëzon kërkesën e ZPS-së për pranimin e dëshmisë me shkrim në vend të dëshmisë së drejtpërdrejtë për një dëshmitar

    Specialja rrëzon kërkesën e ZPS-së për pranimin e dëshmisë me shkrim në vend të dëshmisë së drejtpërdrejtë për një dëshmitar

    Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerët, ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për pranimin e deklaratave të mëhershme të dëshmitarit 4647 sipas rregullit 154.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith në seancën e së hënës, duke paraqitur tri arsye, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Së pari, Prokuroria nuk ka paraqitur arsye të mjaftueshme që përbëjnë arsye të vlefshme për t’u pajtuar me afatin e 7 shkurtit, për të cilin kishte vendosur trupi gjykues në bazë të rregullës 154 sa u takon 12 dëshmitarëve të parë dhe kjo është në transkriptin e 18 janarit, në faqe 1902”, tha ai.

    Tutje, gjykatësi Smith tha se arsyeja e dytë është se trupi gjykues pajtohet me mbrojtjen se ndryshimi në mënyrën e prezantimit të provave të dëshmisë së 04647 do të cenonte në fakt të pandehurin.

    Kurse së treti, ai tha se në kuadër të rëndësisë së dëshmisë së propozuar, trupi gjykues ka vlerësuar se arsyet duhet të ishin paraqitur paraprakisht me shkrim dhe të tilla arsye nuk janë paraqitur.

    “Prandaj, trupi gjykues në këtë rast rrëzon kërkesën e Prokurorisë për të pranuar dëshminë e dëshmitarit 04647 në bazë të rregullës 154”, përfundoi ai urdhrin gojor.

    Ndërkaq, paraprakisht, dëshmitari i dymbëdhjetë me radhë (me kodin 04337) duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të specializuar James Pace, tha se asnjë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ia mundësoi që të kundërshtonte ndalimin e tij.

    ‘‘Asnjëherë’’, u përgjigj dëshmitari kur u pyet lidhur me këtë.

    Po ashtu, ai u përgjigj me “jo” në pyetjen nëse pas ose gjatë ndalimit të tij, ndonjë pjesëtar i UÇK-së i kishte dhënë ndonjë dokument që pretendohej se mbi bazën e tij ishte ndaluar i njëjti.

    Tutje, dëshmitari dha përgjigjen se ‘‘kurrkujt si kam pas borxh, asnjëherë’’, kur u pyet nga prokurori Pace nëse pas ose gjatë ndalimit të tij ndonjë pjesëtar i UÇK-së e kishte akuzuar për ndonjë krim konkret që pretendohej se ky dëshmitar e kishte kryer.

    Ndërsa, pjesa tjetër me pyetje të tilla ishte me përmbajtje të redaktuar, e që tani po vazhdon seanca ende me dëgjimin e këtij dëshmitari, duke u pyetur nga ana e Prokurorisë në sesion privat.

    Specialja rrëzon kërkesën e mbrojtjes së Selimit për mospranim të dy paragrafëve nga shënimi përgatitor i ZPS-së

    (Përditësuar, ora 12:55)- Trupi gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka vendosur për rrëzimin e parashtrimit të mbrojtjes së Rexhep Selimit, për paragrafët 58 dhe 64 të shënimit njoftues për dëshmitarin 04337, që pretendonte se përbëjnë informacion të ri.

    Dëshmitari 04337 është dëshmitari i dymbëdhjetë me radhë në këtë çështje gjyqësore, i cili është duke vazhduar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë seancës së të hënës, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se paragrafi 58 përbën sqarime të lidhura me informacione të mëhershme të dhëna nga dëshmitari.

    ‘‘Fakti që dëshmitari shton hollësi lidhur me dëshmi të dhëna më herët, nuk përbën arsye për të mos u përfshirë në deklaratën e tij dhe si rezultat paragrafi 58 mund të pranohet së bashku me pjesën tjetër të shënimit përgatitor sipas rregullit 154’’, tha ai.

    Kurse, lidhur me paragrafin 64 gjykatësi Smith tha se trupi gjykues pajtohet me parashtrimin e mbrojtjes që informacioni që përfshin paragrafi 64 është i ri.

    ‘‘Trupi gjykues gjithashtu pranon që incidenti i përshkruar në këtë paragraf nuk është i përmendur në aktakuzë, nuk është i përmendur as në dosje paraprake të ZPS-së dhe nuk është i përmendur më herët në deklaratat e dëshmitarit 04337’’, shtoi ai.

    I njëjti tha se mbi këtë bazë, trupi gjykues arrin në përfundimin se Selimi nuk është i akuzuar konkretisht lidhur me incidentin e përshkruar në paragrafin 64 dhe si rezultat, prova nuk do të pranohet për këto qëllime.

    Por ai tha se nga ana tjetër ky informacion përbën provë për faktin dhe vlefshmërinë që ngrihet në aktakuzë dhe asnjë prej individëve të përmendur në paragrafin 64 nuk pretendohet që të kenë kryer krime për të cilat mund të mbajë përgjegjësi penale i akuzuari.

    ‘‘Mund të përbëjë prova të cilat janë të qenësishme për të përcaktuar autoritetin de jure apo de facto të z. Selimi, për rrjedhojë trupi gjykues është i përgatitur të lejojë ZPS-në ta përdor këtë provë materiale për këtë qëllim të kufizuar’’, tha gjykatësi Smith.

    Sipas tij, në të njëjtën kohë kjo provë e propozuar është provë e re për të cilën mbrojta nuk ka pasur njoftim  të mëhershëm dhe si rezultat ky dokument duhet që të ishte pranuar mbi bazën e rregullit 154.

    ‘‘Në qoftë se ZPS-ja dëshiron që ta nxjerrë këtë informacion, këtë duhet me nxjerr në mënyrë gojore nga dëshmitari, në qoftë se mbrojta e z.Selimit merr informacion përkatës lidhur me këtë çështje, mund të kryeje hetime të mëtejshme dhe mund ta ri thërras këtë dëshmitar për ta marr në pyetje lidhur me këtë çështje konkrete’’, përfundoi ai urdhrin gojor.

    Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit 04337 në sesion privat.

    Diskutime mes ZPS-së dhe mbrojtjes për (mos)pranimin e deklaratave të një dëshmitari

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë duke u zhvilluar diskutime në mes të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtjes së të akuzuarve për (mos) pranim të dëshmisë së dëshmitarit 4647 sipas rregullit 154 të Rregullores së procedurës dhe provave.

    Rregulla 154 përmban “Pranimi i deklaratave dhe transkripteve me shkrim në vend të pyetjeve të drejtpërdrejta”, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Prokurori James Pace tha se kanë njoftuar palët më 7 korrik se ata synojnë që të bëhet pranimi i dëshmisë së dëshmitarit 4746 sipas rregullit 154 dhe se nevoja ka buruar vetëm nga pozicioni i qartë i dëshmitarit në seancën përgatitore më 6 korrik.

    Ai tha se në interes të drejtësisë do ishte më mirë dhe do të përdorej koha në mënyrë efikase nëse parashtrohet dëshmia e tij sipas rregullit 154.

    Tutje ai tha se nuk cenohet asnjë e drejtë e mbrojtës pasi që mbrojtja i ka pasur shumë më në kohë dëshminë e dëshmitarit dhe se i njëjti do jetë i pranishëm për pyetje nga mbrojta dhe trupi gjykues.

    Ai tha se kërkesa nuk është bërë në kohë të vonuar pasi kjo bëhet vetëm në mënyrë përjashtimore si dhe do të qojë në uljen e kohës.

    Mbrojtësi i Thaçit, avokati Luka Misetic tha se kjo kërkesë është bërë me 6 muaj vonesë dhe nuk përmbush rregullin 154 dhe se sias tij, fakti se dëshmitari nuk dëshiron të thotë diçka më shumë, kjo s’do të thotë që deklarata të pranohet sipas këtij rregulli.

    Po ashtu ai tha se ka shkelje pasi deklarata e tij është dhënë duke i thënë se është i dyshuar andaj nuk ka bazë as në ligj udhëzimet që i ka dhënë ZPS-ja.

    ‘‘Një i dyshuar mund të ketë motiv ta mbrojë veten andaj duhet të dëgjohet dëshmia e tij’’, tha ai.

    Misetic konsideroi se nuk duhet të ketë shkurtim të kohës gjyqësore në nivelin e këtij rangu të dëshmitarit pasi sipas tij, dëshmitarët e tillë duhet patjetër të japin dëshmi të drejtpërdrejtë.

    Ai tha se ZPS është duke kaluar barrën tek mbrojtja për sqarime dhe paqartësi të dëshmisë së dëshmitarit dhe për atë se çka ai ka dashur të thotë, andaj edhe e ka quajtur cenuese për mbrojtjen.

    Më tej, mbrojtësi i Veselit, avokati Andrew Strong  ka thënë se në materialin 300 faqesh, dëshmitari ballafaqohet me deklarata kontradiktore dhe jo të qarta dhe kjo është një punë që duhet bërë nga kundra-pyetjet, por duhet të mbështeten nga rrethanat e pyetjeve të ZPS-së.

    Ai tha se do kërkojnë kohë për riorganizim pasi që dëshmitari është intervistuar si i dyshuar.

    ‘‘Taktikat janë të tilla që shërbejnë për të quar në përfundime të ndryshme, ka aspekte që nuk duhet lejohet të qohet në pranim të dëshmisë të tij sipas këtij rregulli’’, tha ai.

    Kurse, mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts ka thënë se intervista me këtë dëshmitar është zhvilluar para 4 viteve dhe se ZPS është dashur ta bëjë këtë kërkesë para shumë kohës.

    Duke qenë se ZPS ka pritur vetëm 3-4 ditë përpara, ai tha se kjo nuk duket aksidentale por bën që të detyrojë trupin gjykues ta pranojë këtë dëshmi me kërkesë të tyre.

    Vet fakti se kërkesa duhet të paraqitet më herët rreth 5 muaj, avokati Roberts tha se duhet kohë e përshtatshme për shqyrtim dhe se kjo nuk është mënyra se si duhet të procedohet më tej.

    Ndërkaq, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Aidan Ellis tha se parashtrimi është bërë shumë me vonesë dhe se përderisa janë përgatitur me muaj që dëshmia e dëshmitarit të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, e gjitha puna e tyre ka shkuar dëm.

    Ai tha se kjo gjë e bërë në momentin e fundit është paragjykuese dhe cenuese dhe se tha se këto nuk janë dëshmi që pranohen sipas rregullit 154 për shkak të rëndësisë së tyre.

    ‘‘Dëshmitari është në nivel të komandantit të zonës dhe është ndër të paktët dëshmitar të këtij niveli, është përmendur mbi 30 herë në dosjen paraprake dhe dëshmitari është marr në pyetje si i dyshuar dhe natyra e intervistës në fjalë kërkon që të merret dëshmia e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë’’, tha tutje ai.

    Më tej edhe prokurori Pace kundërshtoi këto parashtrime duke thënë se dëshmitari vetëm ka konfirmuar saktësinë e deklarimeve të tij të mëparshme dhe se interesi i drejtësisë ka të bëjë me efikasitetin e procedurës, që të mos të përsëris në mënyrë identike informacionet që i ka dhënë më herët.

    Ai konsideroi se pranimi i 300 faqeve material është shumë më e lehtë për mbrojtjen dhe se për çdo gjë ata kanë të drejtë të bëjnë pyetje për sqarim të paqartësive.

    ‘‘Mbrojtja i ka pasur për vite këto materiale, dhe nëse bëhet shtyrja duhet të bëhet pasi të pranohet materiali si provë’’, tha ai.

    Lidhur me këtë, trupi gjykues tha se do të vendosim sa më shpejtë që të jetë e mundur.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër gojor lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për paraqitjen e informacioneve lidhur me paraqitjen e 4 dëshmitarëve rezervë për muajin korrik e që trupi gjykues ka thënë se mbrojtja e ka gjithë informacionin për 12 dëshmitarët, kurse për dëshmitarët rezervë nuk sheh se duhet të jepen informacione më të detajuara për ta.

    Ai po ashtu dha urdhrin tjetër gojor lidhur me dorëzimin e faqes së fundit të një dokumenti nga ana e mbrojtjes së Thaçit ku tha se dokumenti është dokument i pranuar si i tërë.

    Ndryshe, seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit 04337 të cilit iu paraqiten disa dokumente (jo për publikun), e që konfirmoi në disa raste nënshkrimet e tij e në disa raste se kishte dhënë dëshmi për çështje të caktuara gjyqësore.

    Si dhe, dëshmitari konfirmoi se kishte pasur takime me ZPS-në dhe se iu kishte dhënë mundësia për sqarime dhe korrigjime të dëshmive të mëparshme duke shtuar se ato pasqyrojnë informacione të sakta dhe të plota.

    Seanca është duke vazhduar në sesion privat për disa pyetje të ZPS-së për këtë dëshmitarë.

    Në një pjesë të seancës, dëshmitari është larguar nga salla pasi që mbrojtja e Selimit ka kundërshtuar dy paragrafë të shënimit njoftues të ZPS-së, duke thënë se janë informacione të reja që shkojnë përtej sqarimeve të deklaratave të mëparshme e të cilat akuzojnë të akuzuarin Selimi.

    Kjo është kundërshtuar nga prokurori Pace i cili tha tha se informacioni në paragrafin 58 rrjedh nga dy fragmente nga deklarata të mëparshme të pranuara kurse, informacioni në paragrafin 64 pavarësisht se nuk është diçka që është pjesë e dosjes paraprake dhe aktakuzës është informacion i vullnetshëm nga dëshmitari.

    Ndërkaq, avokati Roberts tha se është informacion i vonuar i cili është dashur të nxjerrët më herët nga dëshmitari si dhe sipas tij prokuroria po mundohet të shtojë informacione përmes njoftimeve përgatitore.

    Një gjë të tillë e kundërshtoi ZPS-ja kurse lidhur me këtë, trupi gjykues tha se do të vendos gjatë pushimit të kafes.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ATK: Nga janari deri në qershor, pagesat e tatimeve nga këngëtarët janë 1.2 milion euro

    ATK: Nga janari deri në qershor, pagesat e tatimeve nga këngëtarët janë 1.2 milion euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se qarkullimi i deklaruar për vitin 2021 ishte 10.7 milionë euro, kurse në vitin 2022 është 20.9 milionë euro, ndërsa sipas njoftimit, tatimet e paguara nga këngëtaret dhe grupet muzikore për vitin 2022 janë mbi 2 milionë euro.

    Në njoftimin e ATK-së thuhet se në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të deklarimit dhe pagesave mbi 100 për qind.

    Tutje, thuhet se në periudhën janar-qershor 2023, pagesat e tatimeve nga këngëtarët janë 1.2 milion euro.

    “Qarkullimi i deklaruar për vitin 2021 ishte 10.7 milionë euro, kurse në vitin 2022 është 20.9 milionë euro, ndërsa tatimet e paguara nga këngëtaret dhe grupet muzikore për vitin 2022 janë mbi 2 milionë euro, ku në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të deklarimit dhe pagesave mbi 100%. Përderisa vetëm në periudhën janar-qershor 2023, pagesat e tatimeve nga këngëtarët janë 1.2 milion euro”, thuhet tutje në njoftim.

  • Ëndrra e saj ishte mbrojtja e Japonisë, por në vend të kësaj u sulmua seksualisht nga kolegët ushtarë

    Ëndrra e saj ishte mbrojtja e Japonisë, por në vend të kësaj u sulmua seksualisht nga kolegët ushtarë

    Rina Gonoi është luftëtare; një ish ushtare, praktikuese e xhudos, dhe një grua e cila lufton në emër të të gjitha grave për të vënë para përgjegjësisë ata që abuzuan seksualisht me të.

    Kur Gonoi shërbeu në Forcën Vetëmbrojtëse të Japonisë (JSDF), ajo thotë se ka duruar abuzim seksual fizik dhe verbal në baza ditore për më shumë se një vit dhe u zotua kur u largua nga Forca Vetëmbrojtëse e Japonisë në qershor të vitit 2022, pas dy vitesh shërbimi, se do të sillte para drejtësisë torturuesit e saj, shkruan CNN.

    Në fillim, autoritetet dukej se nuk ishin të gatshme ta besonin atë. Kur ajo raportoi abuzimin e supozuar tek autoritetet ushtarake, u nisën dy hetime, por nuk vazhduan për shkak të mungesës së provave, përcjell KosovaPress.

    E pamposhtur, ajo u mundua të gjej ndihmë në stacione televizive. Kur ata e injoruan atë, ajo e çoi betejën e saj në mediat sociale – një veprim i rrallë në një vend ku të mbijetuarit e sulmeve seksuale mund të përballen me reagime për ngritjen e zërit.

    “Doja të ndihmoja njerëzit e tjerë që ishin ngacmuar seksualisht (në JSDF). Ndërsa nga autorët e krimit, doja një kërkim falje dhe që ata të pranonin atë që kishin bërë; Doja t’i parandaloja të tjerët të kalonin atë që kalova unë, prandaj fola”, tha ajo.

    Refuzimi i Gonoit për të heshtur përfundimisht shkaktoi një hetim të gjerë për ngacmimin seksual në të gjithë JSDF-në dhe prokurorët rihapën një hetim që zbuloi se ajo kishte duruar ngacmime seksuale fizike dhe verbale çdo ditë midis vjeshtës të vitit 2020 dhe gushtit të vitit 2021, sipas ekipit mbrojtës të Gonoit.

    Gjetjet rezultuan në një moment novator: një pranim të rrallë faji dhe një falje publike nga Ministria e Mbrojtjes së Japonisë, ndërsa shefi i shtabit të Forcave të Vetëmbrojtjes Tokësore, Yoshihide Yoshida, u përkul thellë, duke thënë: “Në emër të Forcave të Vetëmbrojtjes Tokësore, dëshiroj t’i shpreh faljen më të thellë zonjës Gonoi, e cila ka vuajtur prej kohësh. Mw vjen shumw keq.”

    Pesë ushtarë u pushuan gjithashtu dhe katër të tjerë u ndëshkuan dhjetorin e kaluar, sipas NHK – transmetues publik japonez. Gonoi tha gjithashtu se ajo mori falje personalisht nga disa oficerë.

    Por kjo sipas saj nuk mjafton dhe tani ajo është duke ndjekur çështje penale dhe civile në gjykata. Në fillim të vitit ajo ngriti padi kundër qeverisë dhe sulmuesve të saj të dyshuar – tre prej të cilëve u paditën në mars me akuzat për sulm seksual ndaj Gonoit. Në çështjen penale deri më sot nuk janë deklaruar as të pandehurit dhe as avokatët e tyre. Prokurorët publikë në Japoni nuk kanë dhënë informacion në lidhje me rastin dhe nuk iu përgjigjën kërkesës së CNN për koment. Në çështjen civile, katër nga pesë të akuzuarit mohuan akuzën, ndërsa i pesti e pranoi.

    Shteti është përgjigjur duke thënë se ngacmimi seksual “nuk mund të tolerohet”, por ende nuk ka komentuar mbi padinë e Gonoit.

    Pavarësisht nga rezultati i këtyre padive, Gonoi beson se ka një betejë më të madhe për të luftuar kundër asaj që ajo e sheh si një kulturë të ngacmimit seksual në ushtrinë e dominuar nga meshkujt.

  • Arifi: Deklaratat e Gërvallës për BE-në, horror i vërtetë

    Arifi: Deklaratat e Gërvallës për BE-në, horror i vërtetë

    Ish-ambasadori në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, i cili ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministres Donika Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut me moton “Manovrimi në riformësimin botëror”.

    Deklaratat e Gërvallës se “Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n është i paaftë që të garantojë siguri”, Arifi i quan ‘horror të vërtetë”.

    “Kosovë a je ti? Horror i vërtetë dhe thjeshtë qëndrim i gërditshëm fyerja që Ministrja e Jashtme e Kosovës i bëri sot BE-së në Dubrovnik. Nëse fjala e popullit se ‘dikënd e vret buka e vet’ është e vërtetë atëherë se Evropën po e vret buka që i ka dhanë dhe vazhdon të i jep popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ish-ambasadori Arifi ka thënë po ashtu se nuk do që të jetë i përfaqësuar nga dikush që e fyen Evropën dhe vlerat e saj.

    “Unë si qytetar i Kosovës as sot as kurrë s’do të jem i përfaqësuar nga dikush dhe kushdo që në këtë nivel fyen Evropën dhe vlerat Evropiane. BE është aspiratë e vetme e popullit të Kosovës. Asnjëherë në histori populli i Kosovës nuk ka pasur aspiratë më të shëndosh dhe më premtuese për mirëqenien e Kosovës sesa anëtarësimi në këtë familje që historikisht aty edhe e ka vendin”, ka përfunduar ai.

  • Osmani i kërkon përfaqësuesit të UNDP-së, mbështetje për fuqizimin ekonomik të grave dhe fëmijët me nevoja të veçanta

    Osmani i kërkon përfaqësuesit të UNDP-së, mbështetje për fuqizimin ekonomik të grave dhe fëmijët me nevoja të veçanta

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, Nuno Querios, të cilit i uroi mirëseardhje dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në projektet, të cilat do të zbatohen në Kosovë nga UNDP-ja.

    Gjatë takimit Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, me theks të veçantë tek ato për gratë, rininë, mjedisin dhe personat me nevoja të veçanta.

    Presidentja Osmani kërkoi mbështetje për projektet, të cilat janë ndër prioritetet e mandatit të saj, të cilat përfshinë fuqizimin ekonomik të grave, përkrahjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe agjendën e gjelbër.

    Ndërsa, përfaqësuesi i UNDP, u shpreh i hapur për të bashkëpunuar për t`i përkrahur këto prioritete duke marrë parasysh edhe projektet e ngjashme që po zhvillohen në rajon.

    Ndër të tjera, u diskutua edhe për Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga Presidentja Osmani. Presidentja falënderoi UNDP-në për partneritetin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe nga ky takim u riikonfirmua mbështetja edhe për këtë vit.

  • Publikimi i përgjimit me Simiqin, reagon Mimoza Kusari-Lila

    Publikimi i përgjimit me Simiqin, reagon Mimoza Kusari-Lila

    Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur ekskluzivisht për Ekonomia Online lidhur me përgjigjet e dala në media për një komunikim me Igor Simiqin e Listës Serbe.

    Kusari-Lila tha se kontakti me ish-deputetin ka qenë në suaza të normales dhe se është biseduar për votimin e tri projektligje; Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare dhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale.

    Ajo ka mohuar se ka pasur kontakt me dikë tjetër nga kjo Listë, përveç me Igor Simiq dhe Slavko Simiqin.

    “Ka 15 muaj që Lista serbe nuk është pjesë e Kuvendit, nëse atyre po ju mungon e dinë ku i kanë adresat, në kohën kur kanë qenë pjesë e Kuvendit, komunikimi ka qenë tërësisht në bazë të komunikimit brenda Kuvendit, brenda seancës për agjenda. Kanë qenë tri agjenda vazhdimisht që e kanë përcje3llë këtë komunikim; Ka qenë Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare dhe kërkesat që ata vazhdimisht i kanë parashtruar në raport me mjetet transportuese, qofshin mortore ose ambulante dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Pra krejt ka qenë nën këtë kuptim, përderisa për aludimin e komunikimit të personit në fjalë për mua kontakt në Kuvendin e Kosovës kanë qenë dy përfaqësues, shefi i deputetëve Igor Simiq dhe Slavko Simiq, që tash e kanë treguar që përkundër përpjekjeve për çfarëdo normaliteti në kuptimin e përfaqësimit të interesave, ata kanë komunikim dhe sjellje abnormale, edhe këto supozime të një portali në veçanti, e tregojnë përpjekjen e dëshpëruar të tyre për të treguar një pamje tjetër për asaj se çfarë po ndodh në terren”, u shpreh ajo.

    “Mos të harrojmë, sot në terren janë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, sot individë të lidhura me këto grupe kriminale po arrestohen, natyrisht sipas veprave të cilat i kanë bërë dhe gradualisht veriu po i kthehet normaliteti. Prandaj, krejt çka mund të them është një përpjekje e dëshpëruar për të njollosur së pari Qeverinë, e pastaj pozitën. Për mua është paksa edhe absurde mënyra dhe forma, por gjithsesi që jam këtu për secilin që ka pyetje me këtë”, u shpreh ajo.

    Kusari-Lila tha se nuk ka komunikuar asnjëherë me nënkryetarin e Listës serbe, Milan Radojçiqin, i cili ka urdhërarrest nga Policia e Kosovës. Për të njëjtin, tha se do të arrestohet në momentin që do të kapet nga Policia.

    “Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre, e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin që do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person”.

  • Publikimi i përgjimit të Kusari-Lilës, kërkohet të ndërpritet seanca e Kuvendit

    Publikimi i përgjimit të Kusari-Lilës, kërkohet të ndërpritet seanca e Kuvendit

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e ka sfiduar shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën për përfshirjen e saj në një audio-incizim me Sllavko Simiqin, deputetin e Listës Serbe.

    Musliu, në seancën i ka pyetur deputetët e shumicës qeverisëse: “Me koordinim, a po koordinim?”.

    Ajo ka thënë se seanca e jashtëzakonshme e së hënës duhet të ndërpritet pas publikimit të audio-inicizimit në të cilin Kusari-Lila e pranon se ka biseduar në telefon me Millan Radoiçiqin, politikanin e sanksionuar nga ShBA-ja.

    “Unë mendoj se duhet me ndërpre seancën sot. E sot, duhet me dhanë llogari ‘a me koordinim a po koordinim? Se sot po del që me shumë koordinim. LVV-ja koordinohet me Listën Serbe kundër shtetit të Kosovës. Me Radoiçoiqin. Mos e ulni more kryet sot? Mos e ulni. A me koordinim a po koordinim po ju pyes? Se këtu po del që me koordinim keni dal kundër të gjithë atyre që kanë bërë diçka për këtë vend”, tha Musliu.

  • Publikohen përgjimet ku Mimoza Kusari bisedon me Slavko Simiqin për Milan Radojiçiqin

    Publikohen përgjimet ku Mimoza Kusari bisedon me Slavko Simiqin për Milan Radojiçiqin

    Gazeta “Nacionale” ka publikuar pjesën e parë të përgjimit të bisedave të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

    Gazetari Berat Buzhala në hyrjen e përgjimeve të para ka zbuluar se këto incizime janë bërë në qershor të vitit të kaluar. Biseda ndërmjet Kusari-Lilës e Slavko Simiqit është bërë në zyrën e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

    Në përgjimet e tjera që do të publikohen ditëve në vazhdim Kusari-lila koordinohet me Listën Serbe për temën e veteranëve, i ofendon kolegët e vetë nga partitë në opozitë dhe një letër që Radojiçiqi ia ka përcjellë shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

    Slavko Simiq dëgjohet teksa i ka thënë Kusari-Lilës se ne që nga fillimi kemi pasur raport partnerësh. Këtë, shefja e deputetëve të LV-së nuk e mohon asnjëherë.

    PJESË NGA BISEDA:

    Slavko: Ti e din që unë të kam lidhë me Millanin, keni bisedu ka 30-40 minuta për me gjetë ndonjë zgjidhje.

    Mimoza: Dy-tre minuta.

    Slavko: Një herë keni bisedu gjatë, ku keni bisedu për energji në veri, a e mban mend.

    Slavko: Kemi provu me gjetë zgjedhje edhe me ndërtu një raporto partnerësh dhe çfarë ndodhi, njeri që marrim direkt instruksione, që e ka një diapazon të gjanë për secilin prej nesh, pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë… disa vendime që i marrim bashkë me të, nuk mundet me ndiku as Vuçiqi.

    Mimoza: E kush është kryesori, Rakiq apo?

    Slavko: Milani bre është kryesore, po çfarë Rakiqi, i cili është veç kryetar i Listës Serbe dhe anëtar i Qeverisë ama kur të vjen puna për me marrë vendime, për këtë sene nuk ka nevojë as me më pyet sepse t’i kam shpejgu kur kemi bisedu… Njeriu nuk e ka meritu aspak tretmanin që i është bërë, duke e futë në listën e ndalimit.

    Mimoza: Pse po më thua mua?

  • ​Kuvendi miraton Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes

    ​Kuvendi miraton Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes

    Kuvendi i Kosovës, ka miratuar Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në seancën e sotme plenare, transmeton KP.

    Deputetët zgjodhën edhe një anëtar në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë kosovare të Akreditimit.

    Pas kësaj, deputetët shkuan në pauzë deri në orën 16:00.