ATV

Category: Lajme

  • Shabani: Mimoza Kusari-Lila dhe LV, po gjykohen sipas standardeve të cilat i kanë vendosë vet

    Shabani: Mimoza Kusari-Lila dhe LV, po gjykohen sipas standardeve të cilat i kanë vendosë vet

    Gazetari dhe analisti Zekirja Shabani, në emisionin DIREKT në ATV, tha se Mimoza Kusari-Lila edhe komplet Vetëvendosja po gjykohen me standardet të cilat i kanë vendosur vetë.

    “Vetëvendosja ka vënë një standard që nuk diskutohet me kriminelë, ka vënë një standard që nuk duhet të bashkëpunohet me ta, kriminelët duhet të luftohen, duhet të jenë në burg, madje është kërkesa e Kurtit në pesë pikat e tij për shtensionim të situatës në veri, ku thotë që bandat kriminale, të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë, ata që i kanë organizuar, duhet të vijnë para drejtësisë, të arrestohen të gjykohen fer edhe drejt”, tha Shabani.

    Ai tha se edhe Milan Radojçiqi është njëri prej atyre, të cilët janë vënë në këto standarde.

    “Madje, Radojçiqi është njëri prej atyre organizatorëve të këtyre bandave kriminale, i sanksionuar prej SHBA-ve dhe me Radojçiqin, njëjtë sikur se SHBA-të që kanë një politikë se “me terroristë ne nuk negociojmë”. Edhe institucionet tona do duhet të kishin një politikë të ngjashme që nuk diskutohet me kriminelë të cilët e destabilizojnë dhe trazojnë veriun kudo që janë”, tha Shabani. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të gazetarit Zekirja Shabani, në emisionin DIREKT në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Komunat paralele serbe në veri punojnë nga lokacione alternative

    Komunat paralele serbe në veri punojnë nga lokacione alternative

    Që nga shpërthimi i krizës, në fund të majit në veri të Kosovës, autoritetet e përkohshme komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që punojnë sipas sistemit të Serbisë dhe konsiderohen paralele nga autoritetet e Kosovës – janë duke punuar nga lokacione “alternative”.

    Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga burime të ndryshme.

    Se këto komuna janë duke funksionuar, mund të shihet gjithashtu edhe në faqet e tyre të internetit apo llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Gjithashtu, gjatë gjithë kohës këto autoritetet të përkohshme japin tenderë për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore, të cilat mund të shihen në portalin e prokurimit publik në Serbi.

    Këto organe, të cilat janë të paligjshme për autoritetet e Kosovës, deri më tani kanë funksionuar paralelisht në objektet e njëjta me komunat e sistemit të Kosovës. Ato objekte janë të paqasshme për qytetarët, që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë hynë në zyra me asistencën e policisë, gjë që u kundërshtua ashpër nga popullata lokale serbe.

    Kryetarët shqiptarë të komunave që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës, janë vazhdimisht në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata në Zubin Potok dhe Zveçan punojnë nga lokacione alternative, në fshatrat e afërta, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullatës.

    Nga ana tjetër, departamente të ndryshme të strukturave komunale serbe, funksionojnë në objektet ku institucionet punojnë sipas sistemit të Serbisë. Për shembull, në objektin komunal “Mitrovica e Kosovës” në Mitrovicë të Veriut, ofrohen shërbime të caktuara për qytetarët e Zveçanit.

    Komunat serbe nënshkruajnë kontrata dhe shpërndajnë ndihma financiare

    Po ashtu, më 5 korrik, autoriteti i përkohshëm komunal në Leposaviq, i cili financohet nga buxheti i Serbisë, shpalli thirrje për ndihmë financiare për fëmijët.

    Siç thuhet në ftesë, ndihmat ndahen nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por qytetarët janë të ftuar që “për shkak të situatës aktuale” t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme në Qendrën për Punë Sociale në Leposaviq.

    Kjo qendër, gjithashtu, funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.

    Në ndërkohë, kryetari i Autoritetit të përkohshëm komunal të Zubin Potokut, Sërgjan Vulloviq, me ministrin e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Martinoviq, nënshkruan marrëveshjen për ndarjen e mjeteve për projektin e rregullimit të një pjese të aksit rrugor Ujman – fshati Kovaçi.

    Kjo kontratë kap vlerën rreth 8 milionë dinarë, që është afër 70.000 euro.

    Dhënia e tenderit gjatë krizës në veri

    Organet e përkohshme komunale apo kompanitë që funksionojnë në kuadër të vetëqeverisjeve lokale sipas sistemit serb në veri të Kosovës, nuk kanë ndalur dhënien e tenderëve për realizimin e projekteve të ndryshme.

    Një prej tyre është “Realizimi i projektit për përmirësimin dhe rehabilitimit të deponisë komunale”.

    Pas këtij projekti, me vlerë rreth 5 milionë dinarë ose rreth 50 mijë euro, qëndron Autoriteti i përkohshëm i Leposaviq, ndërsa tenderi i është dhënë kompanisë “RAD 028” nga Zveçani.

    Pronar i kësaj kompanie është Radulle Steviq, i cila është në listën e zezë të SHBA-së.

    E njëjta kompani, në fillim të qershorit, ka marrë tender nga Autoriteti i përkohshëm komunal në Zubin Potok, për ndërtimin e një shtëpie për një familje në fshatin Jasenovik i Epërm dhe për “prokurimin e transformatorëve për furnizimin me energji të njësive të banimit”.

    Si funksionojnë komunat e Kosovës në veri?

    Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, qëndrojnë çdo ditë në objektet komunale, prej nga kryejnë detyrat e tyre.

    Megjithatë, për dallim nga Leposaviqi, në Mitrovicë të Veriut nuk ka protesta para objektit komunal, për shkak se ndërtesa është e ndarë fizikisht nga Autoriteti i përkohshëm komunal serb.

    Nga ana tjetër, kryetarët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, punojnë nga zyrat komunale që gjenden në fshatrat e banuara me shqiptarë.

    Janë emëruar anëtarë të kabineteve të tyre dhe drejtorë të departamenteve të ndryshme, por nuk mund t’u ofrohen shërbime qytetarëve në vetë objektet komunale – përveç në Mitrovicë të Veriut – për shkak se popullata lokale serbe po proteston çdo ditë para objekteve.

    Gjithashtu, para objekteve komunale gjenden edhe pjesëtarët e KFOR-it.

    Nenad Radosavleviq, i cili më 5 korrik është emëruar në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për sport, rini dhe kulturë në komunën e Leposaviqit, sipas sistemit të Kosovës, vlerëson se më së shumti vuajnë “qytetarët e zakonshëm” nga fakti se vetëqeverisjet lokale nuk janë funksionale.

    Ai shton se ka pranuar të marrë pjesë në punë, në mënyrë që të shfrytëzohet buxhet i planifikuar, derisa kriza në veri po vazhdon.

    Në një prononcim, ai thekson se “është e tmerrshme që të gjithë i harrojnë njerëzit e thjeshtë, të cilët kanë nevojë për shërbimet e vetëqeverisjes lokale”.

    Ndonëse, siç thotë ai, që nga emërimi i tij nuk ka pasur asnjë takim me kryetarin Hetemi dhe as nuk janë ndërmarrë hapa në funksionalizimin e dikasterit të tij, ai beson se në Prishtinë ka “vullnet të mirë” për t’iu përgjigjur kërkesave të tij.

    “Mandati im është i kufizuar dhe i qartë, është deri në fund të vitit para zgjedhjeve të reja dhe ka të bëjë me normalizimin dhe hapjen e fondeve për përfituesit që kanë nevojë”, thotë ai. /REL

  • Amerika sanksionon Vulinin, reagon presidentja Osmani

    Amerika sanksionon Vulinin, reagon presidentja Osmani

    Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur mirë vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta futur në listë të zezë Drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin.

    “Vulini me bashkëpunëtorë e kanë dëmtuar demokracinë dhe e kanë kërcënuar paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    “Ai u shërbeu interesave dashakeqe ruse dhe krimit të organizuar transnacional, duke minuar kësisoj stabilitetin rajonal”.

    “U duartrokas Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendimin për ta sanksionuar atë”.

    “Bashkë me aleatët tanë do ta luftojmë ndikimin e akterëve të tillë kaq të këqij”.

  • ​Musliu: I radhës në listën e sanksioneve amerikane do të jetë Vuçiq

    ​Musliu: I radhës në listën e sanksioneve amerikane do të jetë Vuçiq

    Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka reaguar pas vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit i cili ka futur në listën e sanksioneve amerikane, Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës Serbe – BIA.

    Ai ka shkruar në Twitter se i radhës do të jetë presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq.

  • Aleksandar Vulin, kukulla e Rusisë që është bërë sinonim i korrupsionit

    Aleksandar Vulin, kukulla e Rusisë që është bërë sinonim i korrupsionit

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon ka reaguar pas vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit i cili ka futur në listën e sanksioneve amerikane, Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës Serbe – BIA, duke shkruar se më në fund Vulin është bërë sinonim i korrupsionit, kukullës së Rusisë dhe trafikut të narkotikëve.

    Ajo ka shkruar në Twitter se ky është një vendim shumë i rëndësishëm i thesarit amerikan për të sanksionuar ata që mundësojnë dërgimin e paligjshëm të armëve, promovojnë Putinin dhe nacionalizmin.

    “BE duhet ta ndjekë atë”, ka shkruar ajo.

  • ​Deputeti britanik: Vuçiq na kërcënoi, ta thërrasim ambasadorin serb për të shpjeguar

    ​Deputeti britanik: Vuçiq na kërcënoi, ta thërrasim ambasadorin serb për të shpjeguar

    Parlamenti i Britanisë së Madhe ka reaguar ndaj kërcënimeve që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka bërë deputetes së këtij parlamenti, Alicia Kearns, duke thënë se kërcënimet që kanë për qëllim frikësimin e deputetëve janë të papranueshme. Ai madje ka kërkuar që të thirret ambasadori serb për të shpjeguar qëllimin e asaj deklarate.

    Deputeti britanik Anthony Mangnall gjatë një debati në Parlamentin e Britanisë së Madhe, lexoi deklaratën e presidentit serb, Vuçiq, duke thënë se jo është deklaratë e papranueshme e një kreu të shtetit.

    “U alarmova thellësisht kur pashë se e nderuara deputete për Rutland-in, Kryetarja e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme, u kërcënua nga presidenti i Serbisë, i cili në përgjigje të fjalimit të saj, tha se tashmë po bëjmë një hetim kundër jush për të parë se çfarë po bëni, për të parë kush ju paguan dhe për të parë pse po e vendosni Republikën e Serbisë në një pozitë të tillë. Nëse qeveria e Britanisë së Madhe nuk është e gatshme të reagojë, nuk është problem. Ne do të detyrohemi të reagojmë. Kjo është një deklaratë e papranueshme e një kreu shteti. Dhe nuk është thjesht një kërcënim për deputeten e Rutland-it, por një taktikë frikësuese për të gjithë deputetët. A mund të më qetësojë kryetari, ju lutem, se asnjë presion i ushtruar jashtë këtij vendi, veçanërisht nga qeveritë e huaja, nuk do të rrezikojë kurrë sigurinë ose privatësinë e deputetëve dhe se fuqia e plotë e Parlamentit, do të përdoret për të parandaluar taktikat e bullizmit dhe për të siguruar që deputetët mund të thonë të vërtetën. A nuk mendon edhe kryetari se ky është një moment në të cilin duhet thirrur ambasadori serb për të shpjeguar këtë qëndrim dhe deklaratë”, tha ai.

    Ati iu ka përgjigjur kryetari i dhomës në parlamentin britanik, Lindsay Hoyle, duke thënë se është parim themelor kushtetues që deputetët të mund të flasin lirshëm në seancat e kësaj Dhoma.

    “Kërcënimet ndaj deputetëve që kryejnë punën e tyre janë krejtësisht të papranueshme, kushdo që i bën ato. Dhe përtej kësaj, i kujtoj deputetit të nderuar se çështjet e sigurisë operacionale nuk i diskutojmë publikisht dhe nuk duam që ato të shkojnë më tej. Ajo që unë do të thosha është sigurisht që ne e marrim seriozisht, dhe sigurisht që kushdo qoftë, çfarëdo pozite, qoftë ai një mbështetës, qoftë Komiteti i Përzgjedhur Gjerman, duhet të jetë në gjendje të flasë hapur dhe lirshëm pa frikë dhe rikujtoj shtetet e huaja se ata nuk kanë të drejtë të kërcënojnë askënd nga kjo Dhomë dhe jam i sigurte se kërkesa për të thirrur ambasadorin është dëgjuar, kjo nuk më përket mua siç e di, por unë sigurisht që kam ngritur zërin që kjo të ndodhë”, tha ai.

  • Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Në samitin e sivjetmë të NATO-s që po mbahet në Vilnus të Lituanisë, një ndër temat kryesore do të jetë lufta në Ukrainë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanez ku po mbahet ky samit.

    “Në një kohë të kritike për sigurinë, ende po zhvillohet lufta nga agresioni rus në Ukrainë, presidenti Volodimir Zelenski, do të jetë pjesë e këtij samiti dhe pritet të inaugurojë këshillin NATO-Ukrainë. Ky këshill ka një rëndësi të madhe për Ukrainën, duke i dhënë mundësi të organizojë takime dhe të ngritë çështje të ndryshme, megjithëse nuk është anëtare e NATO-s. Një kërkesë tjetër e Ukrainës është të bëhet anëtare e NATO-s sa më shpejtë. Shtetet anëtare të NATO-s po e marrin parasysh këtë kërkesë, por nuk ka ende një marrëveshje në lidhje me këtë çështje. Sot, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u pajtua me deklaratat e Jens Stoltenberg-ut, në të cilën thuhet se do të mundohen të bëjnë më të mirën për të mbështetur Ukrainën, por duhet të presin deri në një moment të qetësohet situata”, njoftoi Vitaku.

    Vitaku tregoi se në këtë samit, është diskutuar edhe mbrojtja e Ukrainës nga çdo lloj agresioni që mund të vijë.

    “Shtetet e tjera në nivel botëror po ndihmojnë Ukrainën, duke ofruar ndihmë financiare përveç investimeve të tyre të larta. Në këtë samit është diskutuar për të mbrojtur Ukrainën nga çdo lloj agresioni që mund të vijë”, tha Vitaku.

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • Ministria e Financave: Kemi filluar hapjen e zyrave të pensioneve në lokalitete të ndryshme

    Ministria e Financave: Kemi filluar hapjen e zyrave të pensioneve në lokalitete të ndryshme

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ka filluar hapjen e Zyrave të Pensioneve me lokalitete të ndryshme, me qëllim të ofrimit të shërbimeve për pensionistët në qendrat më të vogla të banimit.

    Sipas njoftimit, këto zyre synojnë shmangien e udhëtimit të pensionistëve nga këto lokalitetet në qytetet e mëdha dhe marrjen e shërbimeve afër vendbanimit të tyre.

    “Sot është hapur zyra e parë e tillë në Mamushë, në bashkëpunim me Komunën e Mamushës, komuna e cila ka siguruar hapësirën e nevojshme për këtë zyre”, thuhet në komunikatën e MF-së dërguar mediave.

    “Kjo zyre fillimisht do të jetë e hapur së paku 2 ditë në muaj me orar të plotë dhe do të ofrojë shërbime për mbi 300 pensionistë që gjinden në këtë Komunë si dhe në fshatrat përreth kësaj komune siç Medveci, Napëërbishti dhe fshatrat tjera”, thuhet tutje.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të vazhdojë hapjen e zyrave të tilla edhe në komunat tjera të Republikës së Kosovës, për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve për të gjithë pensionistët”.

  • Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Në samitin e këtij viti të NATO-s, që po mbahet në Vilnius të Lituanisë, Kosova nuk do të jetë në agjendë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një transmetim të drejtpërdrejtë në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanian ku po zhvillohet ky samit.

    Ajo tha se, edhe pse pritej që Kosova të ishte pjesë e agjendës, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit dhe rritjes së numrit të trupave të KFOR-it, Kosova nuk do të trajtohet në agjendë, përveç nëse dikush nga anëtarët e ngrit si çështje.

    Vitaku tregon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një takim me kryetarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ky i fundit, edhe pse u pyet nga gazetarët, nuk foli për këtë çështje.

    “NATO është aty për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës. Ne po zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. Kemi shtuar praninë tonë për shkak të ndotjes së situatës, dhunës dhe tensioneve që kemi vërejtur në disa javët e fundit”, iu tha gazetarëve nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg. /atvlive.tv

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • Amerika e sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulinin

    Amerika e sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulinin

    Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja , ka sanksionuar Aleksandër Vulinin, që momentalisht mban pozitën e Shefit të Inteligjencës serbe.

    Sipas njoftimit të dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sanksionimi i Vulinit nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur përgjegjës ata që janë të angazhuar në afera korruptive që çojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    “Veprimi i sotëm mban përgjegjës Aleksander Vulin për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese që kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. /atvlive.tv