ATV

Category: Lajme

  • Aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”, dy persona dërgohen për trajtim mjekësor në QKUK

    Aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”, dy persona dërgohen për trajtim mjekësor në QKUK

    Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në autostradën “Ibrahim Rugova”, në fshatin Mazgit.

    Siç njoftoi Policia në këtë aksident janë përfshirë tri automjete, derisa si pasojë e aksidentit dy persona janë lënduar.

    “Autostrada Ibrahim Rugova, Mazgit 11.07.2023 – 05:55. Ka ndodhur një aksident trafiku në të cilën kanë qenë të përfshira tri automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, në raport thuhet se rasti është duke u hetuar.

  • Prishtinë: Gjendet i vdekur një person

    Prishtinë: Gjendet i vdekur një person

    Një person është gjetur i vdekur në kryeqytet.

    Sipas policisë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    “Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • ​Amerikanët vërshojnë drejt Evropës, CNN rendit edhe Shqipërinë

    ​Amerikanët vërshojnë drejt Evropës, CNN rendit edhe Shqipërinë

    Amerikanët po vërshojnë në pikat më të nxehta turistike të Evropës.

    Mes shume vendeve të tjera evropiane të njohura, agjentët dhe ekspertët e udhëtimeve kanë renditur edhe Shqipërinë, si një nga destinacionet më të mira për t’u vizituar në verën e 2023.

    Nëse fluksi i turistëve amerikanë verën e kaluar në pikat e preferuara turistike të Evropës, nga riviera franceze në ishujt grekë, mori përmasa epike, atëherë këtë vit, kontinenti duhet të presë një cunami gjithëpërfshirës.

    “Numri i turistëve amerikanë në Evropë, këtë verë pritet t’i tejkalojë shifrat e verës së kaluar me 55%”, sipas analizës se kompanisë më të madhe në botë të sigurimeve dhe udhëtimeve “Allianz Partners”.

    “Ky vit është edhe më i rezervuar. Nuk mund ta besoj se sa e mbipopulluar do të jetë Evropa. Çdo qytet i njohur e ka tejkaluar numrin e rezervimeve tani”, tha Tania Swasbrook, bashkëthemeluese e konsulencës së udhëtimeve luksoze “Vgari Lifestyle”.

    Swasbrook tha se ajo po i këshillon klientët të marrin në konsideratë vizitën në “vendet paralele” dhe destinacionet në Evropë me oferta dhe bukuri të ngjashme, që nuk janë vende me emra të mëdhenj.

    Shqipëria

    Shumë më pak i frekuentuar nga turistët sesa Greqia fqinje në jug apo Italia përtej Adriatikut. Vendi i Gadishullit Ballkanik, Shqipëria është ende një atraksion sekret, i ruajtur mes udhëtarëve të zgjuar, por nuk ka gjasa të qëndrojë një destinacion i fshehtë për një kohë të gjatë, shkruan në një artikull Terry Ward për median amerikane CNN, përcjell atsh.

    “Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar”, tha Alan Mandic i agjencisë kroate të udhëtimeve “Secret Dalmatia”.

    “Është një vend i mrekullueshëm dhe është tepër lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet, gjithçka është këtu”, shtoi ai.

    Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet ‘Riviera Shqiptare’ janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, Himara dhe Dhërmiu më në veri të vendit, ku mund të ushqeheni me çmime të lira, si karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët të kapur direkt nga deti Jon, ndërsa vështroni pamjen e tyre vezulluese.

  • Shkarkohet ministri serb që kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

    Shkarkohet ministri serb që kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

    Asambleja serbe ka votuar për shkarkimin e ministrit të Ekonomisë, Radeta Basta, gjatë seancës të mbajtur më 11 korrik.

    Si ministër në qeverinë serbe, Basta ka avokuar për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke deklaruar se Serbia po paguan çmim të lartë duke mos vendosur sanksione ndaj Moskës, shkruan REL.

    Serbia është një nga shtetet e pakta në Evropë që ende nuk ka sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës, përcjell KosovaPress.

    Në fund të qershorit, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i propozoi Parlamentit që të shkarkojë ministrin.

    Basta u zgjodh ministër i Ekonomisë si pjesëtar i koalicionit të Partisë Socialiste të Serbisë, lideri i të cilës është ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq. Në këtë koalicion bën pjesë edhe partia Serbia e Bashkuar.

    Më 20 qershor, Basta njoftoi se kishte regjistruar lëvizjen Rruga Evropiane (PEP) dhe tha se shumë shpejt kjo lëvizje do të shndërrohet në parti dhe do të garojë në zgjedhjet në të gjitha nivelet.

    Po të njëjtën ditë, lideri i Serbisë së Bashkuar, Dragan Markoviq Palma tha se Bastës i është dhënë një afat që të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake. Ai tha se kërkesa për shkarkimin e Bastës po ashtu është dërguar në qeveri.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 15 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 35 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë 36 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 38 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot në Gjykatën Speciale në Hagë do  të vazhdojë gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët.

    Seanca pritet të nisë nga ora 09:00, ndërsa me dëshminë e tij do të vazhdojë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.

    Kujtojmë se Remi, dëshminë e tij e ka nisur dje dhe pritet që kjo të zgjasë mbi 30 orë.

  • Mblidhet sot qeveria

    Mblidhet sot qeveria

    Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës.

    Sipas njoftimit, mbledhja do të fillojë nga ora 10:00.

    Deri më tani nuk dihen pikat e rendit të ditës.

  • Bislimi dhe Lajçak dakordohen që zgjedhjet në veri të mbahen në vjeshtë

    Bislimi dhe Lajçak dakordohen që zgjedhjet në veri të mbahen në vjeshtë

    Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar se në takimin e djeshëm me përfaqësuesin e lartё tё Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, janë dakorduar për karët pika, ku përfshihet edhe deklarata publike e Qeverisë së Kosovёs që mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs.

    Bislimi po ashtu ka njoftuar se janë dakorduar që Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

    Komenti i plotë i Bislimit në Facebook:

    Takimi i ditës së djeshme në Bratisllavë me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak, në fokus ka patur krijimin e parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё, të drejtë dhe tё pakushtëzuar tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Ne e kemi një marrëveshje e cila duhet të gjejë zbatim. Nё kёtё kontekst jemi dakorduar sa vijon:

    • Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

    • Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

    • Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

    • BE-ja do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

    Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.

    Vullneti i jonë dhe konstruktiviteti si palë në këtë proces, asnjëherë nuk ka munguar. E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë.

    Serbia duhet të ndalojë veprimet e saj nxitëse të dhunës, që çoi në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, në konfiskimin e një arsenali të madh municionesh në afërsi të komunës së Zveçanit, e kidnapimin e tre zyrtarëve tanë policorë thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

    Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar.

  • Kosova pajtohet të zvogëlojë praninë policore dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri

    Kosova pajtohet të zvogëlojë praninë policore dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri

    Qeveria e Kosovës njoftoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

    Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

    Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

    Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.

    “Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës”, tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

    Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, njoftoi ekzekutivi.

    “BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Qeveria e Kosovës.

    Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet javën e ardhshme.

    Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Që atëherë, serbët lokalë po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu.

    Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.

    Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, ishin bojkotuar nga partitë dhe popullata serb.

  • Situata e tensionuar Kosovë-Serbi, Bolton: Kërcënimi i vërtetë nga Moska

    Situata e tensionuar Kosovë-Serbi, Bolton: Kërcënimi i vërtetë nga Moska

    John Bolton, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA, ka folur në lidhje me situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.

    I ftuar në Euronews Albania, ai tha se kërcënimi i vërtetë me të cilin përballemi të gjithë, është nga qeveria në Moskë.

    Më tej, ai shtoi se mosmarrëveshjet që kanë duhet të vihen nën kontroll në mënyrë që SHBA e BE por dhe shtetet e tjera të fokusohen te lufta në Ukrainë.

    “Nga jashtë, duket sikur kemi humbur mundësi për të zgjidhur me diplomaci fërkimet e dukshme mes Serbisë dhe Kosovës. Shumë njerëz janë përpjekur për disa kohë në këtë drejtim. Nuk e di se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin e fundit. Jam i sigurt që arsyet janë komplekse, por mendoj se në perspektivën e Evropës si një e tërë dhe të Shteteve të Bashkuara, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, nuk është momenti ku tensionet tjetërkund në kontinentin evropian, në Ballkan apo kudo gjetkë, duhen lejuar të shpërthejnë”.

    “Së paku, duhet të kemi parasysh që kërcënimi i vërtetë me të cilin përballemi të gjithë, është nga qeveria në Moskë, fërkimet dhe mosmarrëveshjet që kemi, që janë të shumta, duhet të vihen nen kontroll së afërmi që të gjithë të përqendrohemi në një fund të kënaqshëm të luftës në Ukrainë”. tha ai.