ATV

Category: Lajme

  • Rama në Samitin e NATO-s takohet me Erdogan, flasin veçanërisht për Veriun e Kosovës

    Rama në Samitin e NATO-s takohet me Erdogan, flasin veçanërisht për Veriun e Kosovës

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka njoftuar se ka zhvilluar një takim bilateral me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në kuadër të Samitit të NATO-s që po mbahet në Vilnius të Lituanisë.

    Rama tha se temë e takimit me të do të jetë situata në rajon me theks Veriu i Kosovës.

    “Vilnius, Lituani – Me Presidentin Erdoğan, në takimin bilateral për situatën në rajonin tonë dhe veçanërisht në Veriun e Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook, duke i bashkëngjitur edhe disa fotografi të takimit.

    Në Vilnius janë mbledhur liderët e shteteve anëtare të NATO-s me temë kryesore Ukrainën.

  • Kurti flet për audio incizimet: Unë as që kam komunikuar e as që jam takuar me Radojiçiqin

    Kurti flet për audio incizimet: Unë as që kam komunikuar e as që jam takuar me Radojiçiqin

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka mbrojtur Mimoza Kusarin për incizimin e dalë me Sllavko Simiqin e Listën Serbe derisa ka thënë që nuk ka komunikuar vetë e as nuk është takuar ndonjëherë me Radojiçiqin.

    E pyetur nga gazetarja e Nacionales për një koment mbi incizimin dhe nëse është takuar edhe ai, Kurti u shpreh:

    “Unë as që kam komunikuar e as që jam takuar ndonjëherë me personin në fjalë. Por, edhe njëherë ju lus të gjithëve sa i përket kësaj lufte hibride e cila bëhet nga Serbia kundër shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratik në Kosovë.” – u shpreh kryeministri i vendit.

    Më tutje, Kurti e mbrojti në mënyrë të qartë Kusarin duke i thënë këto fjalë:

    “Gjatë takimit që ajo ka pasur me shefin e Listës Serbe kur ata ishin në Kuvend e kur e kishin Goran Rakiqin në qeveri aty asaj i është lëshuar në interfon të telefonit të Sllavko Simiqit, gjë që s’mund të thuhet që është takim.”

    Ai tutje u shpreh se duhej të kishim kujdes nga lufta hibride e Serbisë në kontekstin e këtij incizimi.

  • Kurti i bën thirrje të kualifikuarëve që të aplikojnë për inspektorë shëndetësorë

    Kurti i bën thirrje të kualifikuarëve që të aplikojnë për inspektorë shëndetësorë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij po e përmbush premtimin për rritjen e numrit të inspektorëve shëndetësorë në vend.

    Kryeministri Kurti ka shkarkuar në Facebook se nga 12 inspektorë shëndetësorë, ky numër do të rritet për 25 sosh.

    Ai ka ftuar të gjithë të kualifikuarit të konkurrojnë për këtë pozitë.

    “Ashtu siç kemi premtuar numri i inspektorëve po rritet. Vetëm 12 inspektorë shëndetësorë ishin në Republikën e Kosovës. Shumë shpejt numri i tyre do të rritet për 25 sosh. Pra, po e bëjmë trefishimin e numrit të inspektorëve shëndetësor, duke e ngritur atë në 37. Kjo padyshim do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Të gjithë ju të kualifikuar për këtë pozitë ju ftoj që të konkurroni”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Shpërthimi i fuqishëm në objektin e prokurorisë në Meksikë, vriten 3 policë, 10 plagosen

    Shpërthimi i fuqishëm në objektin e prokurorisë në Meksikë, vriten 3 policë, 10 plagosen

    Tre oficerë policie u vranë dhe 10 persona të tjerë mbetën të plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në godinën e prokurorisë në shtetin e Jalisco-s në Meksikë.

    Guvernatori Enrique Alfaro e cilësoi sulmin një akt frikacakësh që tregoi edhe njëherë se çfarë janë në gjendje të bëjnë grupet e krimit të organizuar në Meksikë.

    Sipas raportimeve të rrjetit lokal Televisa, shpërthimi ndodhi pranë një automjeti në të cilin po udhëtonin zyrtarët e sigurisë.

    Shteti perëndimor i Jalisco është baza e operacioneve të kartelit “New Generation”, një nga grupet më të fuqishme të trafikut të drogës në Meksikë, i cili kontrollon një pjesë të madhe të vendit dhe është i përfshirë në luftime të përgjakshme me sindikatat e tjera të drogës.

  • Rama takon Macronin, presidenti francez po përgatitet të vizitojë Tiranën

    Rama takon Macronin, presidenti francez po përgatitet të vizitojë Tiranën

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përgatitet që të vijë në Shqipëri.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka dhënë këtë lajm përmes një postimi në “Facebook”.

    Kreu i qeverisë ka shpërndarë edhe një foto nga takimi që ka kryer me presidentin francez në Vilnius, aty ku ka marrë pjesë në samitin e NATO-s.

    “Vilnius, Lituani – Me presidentin e Francës, Emanuel Macron, i cili po përgatitet për të ardhur në Tiranë”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

  • Todosijeviq lirohet nga akuzat pas deklaratës për Raçakun

    Todosijeviq lirohet nga akuzat pas deklaratës për Raçakun

    Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, nga të gjitha akuzat për gjuhë të urrejtjes në deklaratën e tij ku mohonte masakrën e Reçakut.

    Vendimi nënkupton se edhe aktgjykimi i mëparshëm me të cilin ai ishte dënuar me një vit burgim, anulohet.

    Lajmin për lirimin e tij nga të gjitha akuzat e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Nebojsha Vlajiq.

    “Vendimi i Gjykatës Supreme është i formës së prerë, nuk ka më ankesa apo procedurë, zoti Todosijeviq është njeri i lirë”, tha Vlajiq, shkruan REL.

    Ivan Todosijeviq u gjykua dy herë për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”. Herën e parë ai u dënua me dy vjet burg, por Gjykata e Supreme e Kosovës mori vendim në fund të vitit 2021 që gjykimin ta kthejë në fillim.

    Në një gjykim të përsëritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai është dënuar me një vit burg.

    Gjyqi ndaj tij është zhvilluar për shkak të gjuhës së urrejtjes. Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

    Todosijeviq është anëtar i kryesisë së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai është edhe kryetar i komunës paralele serbe të Zveçanit.

    Në kohën kur Todosijeviq bëri deklaratat për masakrën e Reçakut, ai mbante postin e ministrit të Administrimit të Vetëqeverisjes Lokal në Qeverinë e Kosovës. Më pas ai u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Përveç se i kishte cilësuar si “trillim” ngjarjet në Reçak, deklaratatat e bëra në 20-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershëm, Todosijeviq tha po ashtu se “terroristët shqiptarë, që i shpikën të gjitha, i bënë krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi, për të cilat askush nuk është burgosur dhe nuk ka dhënë përgjegjësi deri më sot”.

    NATO nisi sulmet ndaj caqeve serbe për të parandaluar dhunën e ushtruar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kësaj ngjarje i parapriu vrasja e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të Shtimes.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht i ka dalë në mbrojtje Todosijeviqit, duke thënë se ai beson se “Reçaku është trillim” dhe se serbët në Kosovë nuk kanë të drejtë të lirisë së fjalës./REL/

     

  • Aliu thotë se nga 350 mijë ndërtime pa leje janë legalizuar vetëm 15 mijë, kanë vlerë 1 miliard euro

    Aliu thotë se nga 350 mijë ndërtime pa leje janë legalizuar vetëm 15 mijë, kanë vlerë 1 miliard euro

    Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në konferencën e mbajtur për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur rreth Ligjit për legalizimin e ndërtimeve, si dhe atij për ndryshime klimatike.

    Ligjin për ndryshime klimatike, që u miratua në mbledhjen e Qeverisë, Aliu e ka cilësuar shumë të rëndësishëm.

    Mirëpo, siç u shpreh ai, mos-kalimi i Ligjit për legalizimin e ndërtimeve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, sjell dëme të mëdha për vendin.

    “Miratuam Ligjin për Ndryshime Klimatike, do të kemi ndryshim të madh në mjedis. Është ligj i rëndësishëm. Dua të jua përkujtoj se ndikimet e ndryshimeve klimatike janë të vërejtshme, që kanë të bëjnë me thatësirat, që kërkojnë projekte në adaptimin e këtyre rrethanave të reja që po hyjmë”.

    “Krahas këtij ligji jemi duke bërë edhe strategji të ndryshme. Vendi ynë është në gjendje kritike sa i përket ujit dhe këto projekte do të na mundësojnë që të adaptohemi me këtë situatë. Kosova është duke shfrytëzuat të gjitha mekanizmat për të lobuar që ne jemi shumë të diskriminuar si vend në botë, në konventën e Kombeve të Bashkuara, Kosova pothuajse nuk ekziston fare. Lobojmë që të kemi qasje në fondet e BE-së, nga ndryshimet klimatike ndikojnë edhe ndikohemi. Edhe dy projektet e tjera janë të rëndësishme.  Jemi duke zgjidhur problemet e shumta për shpronësimet”, tha ai.

    Aliu tha se nga 350 mijë ndërtime pa leje janë legalizuar vetëm 15 mijë.

    Ai theksoi se bëhet fjalë për vazhdimin e afatit për qytetarët për legalizimin e ndërtimeve.

    “Trajtimi i ndërtimeve pa leje ka qenë dje në rend të ditës dhe nuk ka kaluar. Është bërë dëm i madh. Është e vërtetë që numrat kanë qenë por, disa deputetë të Vetëvendosjes nuk e kanë votuar. Një numër i madh i qytetarëve po presin, por shpresoj që në seancën e radhës të kemi këtë mundësi”, tha Aliu.

    “Ju e shihni që ky ligj ka kritere. Nga këto 15 mijë objekte të legalizuara, vlera e tyre është 1 miliard euro”, theksoi ai.

  • Stoltenberg: Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s

    Stoltenberg: Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, janë duke mbajtur një konferencë për shtyp.

    Stoltenberg konfirmoi që në fillim se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s.

    “Ne ramë dakord për një paketë tre-pjesëshe që e afron Ukrainën me NATO-n. Një program i shumëfishtë i ndihmës praktike, krijimi i një këshilli të ri që do të lidhë NATO-n dhe Ukrainën, dhe konfirmimi që Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s, gjithashtu. si heqja e kërkesës për anëtarësim në një anëtar veprimi.

    Lidhur me anëtarësimin në NATO, Stoltenberg tha se aleanca do t’i bëjë një ftesë NATO-s kur aleatët të bien dakord, kur të plotësohen kushtet.

    “Kur të përfundojë lufta, ne duhet të sigurohemi që të ketë marrëveshje të besueshme për sigurinë e Ukrainës, në mënyrë që historia të mos përsëritet”, tha Stoltenberg.

    Duke iu kthyer presidentit ukrainas, ai tha: “Sot takohemi si të barabartë, mezi pres ditën kur të takohemi si aleatë”.

  • Analisti Mustafa Nano emërohet ambasador në Zvicër

    Analisti Mustafa Nano emërohet ambasador në Zvicër

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka pranuar të gjitha propozimet e qeverisë Rama për të liruar dhe emëruar disa diplomatë shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar ata me ish-deputetë të Partisë Socialiste.

    Bajram Begaj ka firmosur lirimin nga detyra të Visha Ajazi Likës, ish kreut të SHISH, i cili shërbente si ambasador në NATO. Në këtë post Qeveria Rama ka vendosur të caktojë ish-deputetin e PS-së, Ilir Gjoni, ky i fundit ka qenë dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

    Po ashtu me dekret, Begaj ka liruar nga detyra, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Qirjako Qirko dhe në këtë post ka emëruar Uran Ferizin. Nga ana tjetër, si ambasadorë të rinj janë emëruar, analisti Mustafa Nano, i cili do shërbejë në Zvicër në vend të Ilir Gjonit.

    Ndërkohë që ish deputeti i PS-së, Fatmir Velaj, piktori i njohur, do të jetë ambasador në Austri, në vend të Roland Bimos. Ish-deputetja tjetër e PS, Vasilika Hysi do të shkojë në Gjenevë, post që e mbante Ravesa Lleshi, vajza e ish-ministrit te Mbrojtjes se komunizmit, Ismail Lleshit. Kjo e fundit u lirua po sot me dekret të propozuar nga qeveri Rama.

  • Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

    Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi mbrëmë për marrëveshjen me emisarin e Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak për shtensionimin e situatës në veri, duke thënë se veprimet “do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore”.

    Bislimi tha se tani “ka ardhur momenti që “Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara”. Ai javën e ardhshme pritet të shkojë në Bruksel për t’u takuar me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, ku synohet të bëhet finalizimi i planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit pritet tё fillojё zbatimi i saj.

    “Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar”, shkroi Bislimi në Facebook.

    Kryenegociatori i Kosovës foli për konstruktivitetin në dialog që, siç tha ai, Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë.

    “E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë”, shkroi Bislimi në Facebook.