Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic, është takuar sot me homologun e tij nga Izraeli, Eli Cohen, duke thënë se vendimi i Izraelit për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës ka dëmtuar raportet në mes të Serbisë dhe Izraelit.
Ai tutje ka thënë se pret që marrëdhëniet me Izraelin të rivendosen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe të ruhet miqësia me popullin hebre.
“Ne vlerësojmë negativisht dhe mendojmë se vendimi i qeverisë izraelite për njohjen e Kosovës i ka dëmtuar marrëdhëniet tona, duke pasur parasysh se për ne çështja e Kosovës është e një rëndësie të jashtëzakonshme historike dhe jo vetëm për shkak të së kaluarës sonë, por edhe për shkak të identitetin kombëtar të serbëve. Në këtë drejtim e kemi krahasuar vazhdimisht qëndrimin tuaj ndaj Jerusalemit me qëndrimin tonë ndaj çështjes së Kosovës”, ka deklaruar Daçiq.
Joe Biden jep miratimin për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por pas luftës. Ai tha se e kupton zhgënjimin e Volodymyr Zelensky për të mos marrë ndihmën që i nevojitet.
Para se të nisej për në Evropë, Biden tha në një intervistë për CNN se ai nuk mendon se tani është koha e duhur që Ukraina të anëtarësohet në NATO. Nëse do të bashkohej tani, “ne do të ishim në luftë me Rusinë,” shpjegoi ai.
I pyetur nga një gazetar se sa shpejt pas luftës do të dëshironte që Ukraina të anëtarësohej në NATO, Biden u përgjigj: Për një orë e 20 minuta.
Gjatë takimit të tij me Zelensky ai ka thënë se mezi pret ditën kur ai do të mirëpresë vendin e tij në NATO, në një përpjekje për të zbutur komentet e tij të fundit se tani nuk është koha që Kievi të aplikojë për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
“Guximi dhe vendosmëria juaj kanë qenë një model për të gjithë botën,” i tha Biden Zelenskyt, gjatë takimit të tyre në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius.
Presidenti i SHBA tha se e kuptonte zhgënjimin e liderit ukrainas që nuk mori ndihmën që i nevojitej shpejt. “Unë ju premtoj se SHBA po bën gjithçka që mundet për të marrë atë që ju nevojitet,” i siguroi ai gazetarët. “Mezi pres ditën kur ne festojmë anëtarësimin tuaj zyrtar në NATO,” shtoi ai. /Abc news
Habit Hjredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se inkorporomi i Konventës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Kosovës, do të ketë përfitime të shumta personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
“Çdo punë që bëhet nga ana e institucionit tonë është në përputhje me këtë konventë. Natyrisht që mbas shumë analizave që kemi bërë, nuk ka qenë e mjaftueshme kjo. Çfarë ne përfitojmë dhe pse do duhej të inkorporojmë në Kushtetutën e Republikës këtë konventë, natyrisht që mund të përfitojmë shumë qytetarët tanë, personat me aftësi të kufizuara, sepse kjo konventë ka pesëdhjetë nene dhe shumica nga neneve i dedikohen aspektit të shëndetësisë, qasjes, edukimit, mirëqenies dhe specifikave të tjera”, tha Hjredini.
Ai përmendi se një nga nenet e kësaj konvente, jo vetëm që obligon secilin shtet që të krijojë kushte për personat me aftësi të kufizuara, por edhe ta adaptojë edhe legjislacionin në përputhje me konventën.
“Është një nga nenet që kërkohen nga secili shtet që Qeveria të krijojë një strukturë, një komitet, një këshill nacional që merret dhe koordinon punën në nivel vendi, gjë për të cilën, ne si qeveri kemi bërë. E kemi këshillin nacional për personat me aftësi të kufizuar që është kompetent për të koordinuar procesin e politikave, po ne e shohim me vlerë këtë konventë, sepse jo vetëm që i obligon qeverinë tonë në dy nivelet për të marrë veprime konkrete në aspektin e shëndetësisë, mirëqenies sociale të punësimit, por në të njëjtën kohë, nenet e konventës thonë që në momentin kur ratifikohet kjo konventë, shteti, do të thotë qeveria, obligohet që legjislacionin që e ka, ta adaptojë në përputhje me konventën”, tha Hjredini. /atvlive.tv
Afrim Maliqi, përfaqësues i HANDIKOS, në emisionin CONTEXT në ATV, vlerësoi se Kosova ende qëndron keq në ofrimin e shërbimeve ndaj personave me aftësi të kufizuara.
“Sfidat janë të shumta, si në sfida në qasje, si në arsim, vetëm, unë gjithmonë dalja dhe them se pasqyra më e mirë se si kuptohet, se ku qëndron Kosova, ku qëndrojmë ne, tregon me vetë faktin numrit i vogël i fëmijëve të përfshirë në arsim. Vlerësohet se vetëm 12 përqindje, por edhe nëse janë 15 për qind, ku është 85 përqindëshi. Institucionet e tona duhet të mirren me atë numër dhe kjo krejt për arsye të mungesës së shërbimeve të duhura shëndetësore, mungesës së kujdestarëve apo asistentëve personal, mungesës së pajisjeve ndihmëse teknologjike, qasjes, infrastrukturës, transportit të qasshëm, që fëmijët nuk mund të vijnë”, tha Maliqi.
Ai bëri një krahasim se si shteti ndërmerr masa ndaj familjeve të fëmijëve që nuk kanë kufizime në sistemin arsimor, ndërsa kjo, sipas tij nuk ndodh edhe me familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Po qe se sot një fëmijë, i cili nuk ka kufizime, nuk drejtohet në shkollë, atëherë institucionet ndërmarrin përsipër masa ndaj tyre, ndërsa paramendoni, ndaj një familje e cili e cila ka një fëmijë me aftësi të kufizuar, absolut nuk ndërmarrin masa. Pse? Për shkak se nëse ndërmarrin masa, atëherë duhet t’i plotësojnë kushtet, e kushtet nuk mund të plotësohen. Është duke u folur, u fole edhe në vitin 2022, po flitet për personat me aftësi të kufizuar, çka është e mirë, ka përpjekje, mirëpo ende duhet të punohen edhe më shumë”, tha Maliqi.
Ai përmendi se një ndër shkaktarët të cilët i përjashtojnë personat me aftësi të kufizuara nga shoqëria, janë paragjykimet e shoqërisë ndaj tyre.
“Në vendin tonë vlerësohet se janë tre shkaktarë të cilët i përjashtojnë personat me aftësi të kufizuara nga shoqëria. E para janë paragjykimet, të cilat i ka shoqëria ndaj personave me aftësi të kufizuar të cilat shkaktojnë kompleks, madje edhe izolim për shkak se ata e pranojnë atë gjendje dhe izolohen. Po kjo ndodh për arsye se, nëse sot marrim për shembull një familja nëse lind një fëmijë me aftësi të kufizuara, nëse nëna është duke punu, ajo detyrimisht largohet prej pune në mënyrë që të kujdeset për fëmijën apo ndodh edhe të i rriturie njëjta. Kjo familje varfërohet edhe më tepër. Prandaj shpeshherë edhe thuhet i kam dëgju fjalët që thonë se familjet po i mshefin personat me aftësi të kufizuara. Kjo nuk është fshehje, aspak, po ata e pranojnë për shkak se atë izolim të pavullnetshëm, të padëshirë, për shkak se institucionet nuk u ofrojnë shërbime të duhura shëndetësore rehabilituese fillimisht”, tha Maliqi.
Shkaktar tjetër, sipas Maliqit është edhe qasshmëria e personave me aftësi të kufizuara.
“Qasshmëria në objekte në rrugë në trotuare në çdokund. Po te qasshmëria hyn në komunikimi, gjuha e shenjave, mënyrat e komunikimit për grupet e ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, që kjo i pengon personat me aftësi të kufizuar në pjesëmarrje, e po ashtu edhe legjislacioni apo politika duke mos i përfshi fillimisht personat me aftësi të kufizuara në grupe punuese, në të drejtat që ata i artikulojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, për shkak se vlerësohet se personat me aftësi të kufizuar janë ekspertë sa i përket aftësisë së kufizuar, mirëpo janë persona të tjerë profesionistë, e kur kombinohen këto dy atëherë situata mund të shkojë deri te përmirësimi”, u shpreh Maliqi. /atvlive.tv
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se “karma ekziston” për deputeten Mimoza Kusari-Lila e cila dikur ishte bashkëpartiake e tij.
“Gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë për njerëzit që në të kaluarën më lënduan, më zhgënjyen, u përpoqën të më mashtronin. Unë nuk jam shqetësuar kurrë për këtë, sepse kam qenë i bindur që nuk kam pse të hakmerrem me askënd. Karma ekziston!”, shkroi Pacolli pas incizimeve të reja të publikuara ku është e përfshirë Kusari-Lila dhe Sllavko Simiq i Listës Serbe.
Mimoza Kusari – Lila ka qenë pjesë e AKR-së për një kohë të gjatë, ndërsa me këtë parti pati qenë edhe ministre në Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Hashim Thaçi. Po kjo parti e pati nominuar për kryeministre.
Po me AKR garoi për kryetare të Gjakovës, ku më 2013 fitoi zgjedhjet por në gjysmë të mandatit doli nga partia dhe krijoi Alternativën të cilën e udhëheq edhe sot dhe është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Mesazh politik për presidentin e Serbisë po vlerësohet të jetë futja në listën e sanksioneve amerikane e shefit të BIA-së, Aleksandër Vulin.
Përmes këtyre veprimeve, përçohet edhe porosia se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendosja e shefit të inteligjencës serbe në listën e sanksioneve nga Thesari amerikan, sipas Ehat Miftarajt, lidhet edhe me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Aktualisht, shefi i inteligjencës serbe dyshohet se është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, derisa përmes autoritetit të tij, ka mbështetur Rusinë në aktivitetin e saj për cenimin e stabilitetit në Ballkanin perëndimor, thuhet mes tjerash në deklaratën e Thesarit amerikan.
Pasi administrata amerikane e renditi në listë të zezë, një pjesë e opozitës serbe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Aleksandar Vulinit nga drejtimi i BIA-s.
Ndërkaq, presidenti serb Aleksandar Vucic nuk u përgjigj nëse Vulini duhet të shkarkohet, por tha se për sanksionet ndaj tij do të flasë nesër, në detaje. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Veriu më shumë gjasë do të shkojë në zgjedhje, për të dytën herë brenda këtij viti.
Kryeministri Albin Kurti pohoi gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve në 4 komunat veriore, por kryetarët e tanishëm tha se nuk do të japin dorëheqje.
“Dorëheqja është një akt individual moral, pra nuk e thotë dikush në vend të dikujt tjetër, kur e thotë dikush në vend të dikujt tjetër mund të jetë shkarkim, por dorëheqja është dorëheqje e dikujt të veçantë të cilin duhet ta pyesni. Nuk do të ketë dorëheqje, por të ketë neni 72 i ligjit për zgjedhjet lokale”, tha Kurti.
Andaj e vetmja formë, sipas kryeministrit Kurti, është ashtu siç parasheh Ligji për Vetëqeverisje Lokale.
“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme atje, ne këtë e kemi shprehur si zotim tonin edhe më herët dhe se për të arritur aty është e nevojshme që të ndjekim procedurat siç i parasheh ligji në Kosovë, përkatësisht ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Kurti.
Në këtë situatë, sipas njohësve të qeverisjeve lokale, ka vetëm një rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Në rastin hipotetik nëse ata nuk japin dorëheqje, atëherë ekziston një procedurë. Në fillim duhet të mblidhen 20 për qind e votuesve të regjistruar dhe t’i mbledhin nënshkrimet për ta iniciuar procedurën, e cila do të shtynte deri te mbajtja e një referendumi, pastaj duhet të organizohet një referendum ku duhet të marrin pjesë 50 për qind të votuesve të regjistruar dhe në të njëjtën kohë duhet të votojnë më shumë se 50 për qind e votuesve të regjistruar për shkarkimin e kryetarit”, tha Selatin Kllokoqi nga Demokracia Plus.
Kryetarët e rinj në katër komunat veriore dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, ndonëse pjesëmarrja në votime ishte tejet e ulët. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Më të paktë në numër, por qëndrimi para objekteve komunale është shndërruar në obligim për protestuesit serbë në Zveçan dhe në Leposaviq. Krahas tyre, të pranishëm janë edhe pjesëtarët e KFOR-it.
Kurse Policët e Kosovës, kundër pranisë të të cilëve po protestohet, do të pakësohen si rezultat i dakordimit që u arrit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për hapat drejt shtensionimit të situatës.
“Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Për njohësin e sigurisë, Avni Islami, vendimi për reduktimin e numrit të policëve brenda dhe rreth objektit komunal është i drejtë.
“Kjo marrëveshje është në të mirë të shtensionimit të situatës, është në të mirë të Kosovës dhe vetë qytetarëve në atë pjesë. Forcat e rendit janë për ruajtjen dhe paqen në atë zonë dhe gjithë vendin”, tha Islami.
Jo si zgjidhje, por indikator pozitiv për shtensionimin e situatës, reduktimin e numrit të policëve në dhe rreth objekteve komunale e sheh edhe aktivisti nga Mitrovica e Veriut, Sergjan Simonovic.
“Është një shenjë e mirë, nuk e di a është lajm i mirë apo jo. Unë mendoj se masat e ndërkombëtarëve po japin rezultate. Unë nuk besoj që kryeministri Kurti do ta merrte një vendim të tillë pa asistencën e ndërkombëtarëve, gjithsesi ky reduktim i policëve nuk do ta zgjidhë problemin”, tha Simonovic.
Por, zgjidhje, sipas tij, do ishte riintegrimi i policëve të komunitetit serb në komunat veriore dhe themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dakordimi i arritur mes Kosovës dhe BE-së parasheh edhe mundësinë e zvogëlimit të mëtejmë të pranisë policore, bazuar në vlerësimet e rregullta të sigurisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Betimi i katër kryetarëve shqiptarë në veri, me 25 maj kaloi pa asnjë incident. Por, një ditë pas, kur Lulzim Hetemi i Leposaviqit, Izmir Zeqiri i Zubin Potokut e Ilir Peci i Zveçanit shkuan në zyrat e tyre komunale, të shoqëruar nga njësitë speciale, nisën tensionet.
Prania e kryetarëve që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit në ndërtesa komunale u kundërshtua ashpër nga qytetarët serbë.
Gurë, shok-bomba e gjësende të forta u hodhën në drejtim të forcave të rendit, qysh në ditën e parë të protestave. Vetëm me 26 maj u konfirmua lëndimi i 5 zyrtarëve policorë, derisa pati edhe vetura të djegura.
E hëna e 29 majit, pati shumë dhunë, derisa pjesëtarët e KFOR-it përpiqeshin ta merrnin situatën nën kontroll. Nga përplasja me protestuesit serbë të cilët përdorën edhe armë zjarri, 30 ushtarë të misionit paqeruajtës u lënduan, madje njërit prej tyre pas disa ditësh iu amputua këmba.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk u kursyen as punëtorët e mediave. Asociacioni i Gazetarëve regjistroi mbi 30 sulme ndaj gazetarëve e kameramanëve.
Derisa Qeveria nuk i dëgjonte kërkesat ndërkombëtare për hapa drejt shtensionimit, Bashkimi Evropian dhe disa shtete anëtare veç e veç vendosën masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Pas gjithë këtyre incidenteve e zhvillimeve, tërheqja e ekzekutivit kosovar, sipas politologut Fidan Ukaj, është e vonuar.
“Dhe çfarë kemi fituar nga barrikadimi i Kurtit deri në këtë masë, është masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të mos harrojmë dëmtimi i imazhit, sepse në media ndërkombëtare jemi paraqitur si palë destruktiv”, tha politologu, Fidan Ukaj.
Nëse nuk ka progres në dialog, sipas Arbër Fetahut nga GLSP-ja, veprimet e fundit të Qeverisë, në katër komunat veriore nuk ia kanë vlejtur.
“Nëse ne nuk marrim diçka të madhe në dialog, në kuptimin e zbatimit të marrëveshjes në plotëni, nëse nuk hapet rruga për në organizata ndërkombëtare, sepse demi tashmë është bërë, sepse imazhi është dëmtuar dhe është thyer ai mirëbesimi i partnerëve që e kanë pasur për Kosovën”, tha Fetahu.
Teksa për hapat drejt deeskalimit të situatës në veri, u pajtuan të hënën në Bratislavë, përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Nga salla e mbledhjeve të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se uron që pritjes për vendimin nga Gjykata Kushtetuese për amendamentet lidhur me vetingun në drejtësi, t’i vijë fundi.
Më direkte në kërkesë ndaj Gjykatës Kushtetuese ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën pas mbledhjes.
“Presim që Gjykata Kushtetuese sa më parë e sa më shpejt t’i hapë rrugën zhvillimi të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.
Në kuadër që asaj i referohet si reformë në sistemin e drejtësisë, Qeveria miratoi Projektligjin për Këshillin Prokurorial – që mes tjerash parasheh ndryshim në përzgjedhjen dhe përbërjen e Këshillit.
“Nga 13 anëtarë në 7 anëtarë permanentë. Anëtarët permanentë janë 7, në mesin e të cilëve tre prokurorë, kryeprokurori i shtetit, sipas detyrës zyrtare dhe 3 anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre… Përbërja e përkohshme rritet përkohësisht nga 13 në 19 anëtarë, kjo përbërje do të jetë deri në janar 2026”, tha Haxhiu.
Në dy vendime të ndryshme, Qeveria miratoi shpronësimin e mëtejmë për zgjerimin e rrugës Prizren – Prevallë dhe rrugës Doganaj – Shtërpcë.
“Janë dy projekte të cilat kanë pasur ngecje për shkak të shpronësimeve”, tha ministri MPHI-së, Liburn Aliu.
Ekzekutivi miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për kredi nga Banka Evropiane për Investime për financim shtesë prej 38 milionë Eurosh, për vazhdimin e rehabilitimit të “Linjës Hekurudhore 10”, pjesa nga Mitrovica në Leshak.
Qeveria themeloi Grupin Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Aprovimin e morën edhe nismat për lidhjen e dy marrëveshjeve me Turqinë, për bashkëpunim në fushën ushtarake të trajnimeve, teknikës dhe shkencës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: