ATV

Category: Lajme

  • Paraqitja interesante e liderëve të shteteve të NATO-s në një video, pjesë edhe Rama

    Paraqitja interesante e liderëve të shteteve të NATO-s në një video, pjesë edhe Rama

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka shpërndarë një video në të cilën shfaqen të gjithë liderët e shteteve anëtare të NATO-s.

    Vizualizimi i videos ishte më ndryshe ku i paraqite të gjithë politikanët në uniforma ushtarake në bazë të shtetit që e drejtojnë.

    Në mesin e këtyre liderëve ishte edhe Edi Rama. Pos kësaj, aty tregohej edhe viti për secilin shtet kur janë bërë pjesë e NATO-s.

    “Mirëmëngjesi dhe me këtë video plot humor nga Samiti i NATO-s ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.

    Në fund një pjesë iu kushtua edhe Ukrainës, duke lënë të nënkuptohet se ende nuk ka një përgjigje që ky vend t’i bashkohet aleancës Veri-Atlantike.

    Videon e gjeni duke klikuar KETU.

  • Tentim vrasje në fshatin Siboc të Podujevës, i dyshuari gjendet në arrati

    Tentim vrasje në fshatin Siboc të Podujevës, i dyshuari gjendet në arrati

    Një burrë ka raportuar në Polici se mbrëmë një person kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tij, derisa ai ishte duke drejtuar veturën.

    “VRASJE NË TENTATIVË/ Fsh. Sibofc, Podujevë 12.07.2023 – 19:34. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën në drejtim të tij kishte gjuajtur me armë zjarri i dyshuari mashkull kosovar”, njoftoi Policia.

    “Vetura e viktimës ishte qëlluar me pesë predha në pjesën e pasme- bagazh. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjete asgjë e dyshuar”, thuhet mes tjerash në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari nuk është hasur nga policia dhe gjendet në arrati.

     

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë pritet të mbizotërohet kryesisht me kthjellime dhe mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gjakova me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 36 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 33 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 39 gradë Celsius. /atvlive.tv//atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Kuvendi mban seancë, në rend dite zgjedhja e guvernatorit të BQK-së

    Kuvendi mban seancë, në rend dite zgjedhja e guvernatorit të BQK-së

    Kuvendi i Kosovës nga ora 10:00 do të mbajë seancë plenare, derisa ka njoftuar se në rend dite është edhe zgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

    Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, ndërsa pritet të bëhet votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Në seancën e sotme gjithashtu pritet të votohet edhe projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit.

    Kuvendi sot do të shqyrtoj edhe Projektligjin për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

  • Nushi: Audio-incizimet e kanë rrënuar e kthyer përmbysë VV-në, dikush duhet të japë përgjegjësi

    Nushi: Audio-incizimet e kanë rrënuar e kthyer përmbysë VV-në, dikush duhet të japë përgjegjësi

    Sekretari Organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje me publikimin e audio-incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, është rrënuar dhe është kthyer përmbysë.  

    Ai i tha Ekonomia Online se për këto përgjime në të cilat Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke diskutuar me Listën Serbe, do të duhet që dikush të japë përgjegjësi edhe morale edhe penale.

    Nushi shtoi se problem në këtë çështje është se koordinimi është bërë me Milan Radojiçiqin, i cili sic thotë ai, është koka e krimit të organizuar në veriun e vendit dhe i sanksionuar nga Amerika.

    “Krejt imazhi që e kanë ndërtuar përgjatë viteve Lëvizja Vetëvendosje duke i cilësuar të gjithë të tjerët si bashkëpunëtor të Serbisë përmes Listës Serbe, me këto përgjime është rrënuar dhe është kthyer përmbysë. Aty lëre që ka koordinim me Listën Serbe që në vetë vete nuk është ndonjë problem sepse ata kanë vota në parlament edhe janë parti parlamentare, mirëpo përmes Listës Serbe ajo koordinohej me Milan Radojiçiqin, i cili është koka e krimit të organizuar në veriun e vendit dhe më gjerë edhe i sanksionuar nga Amerika”.

    Ai tha se kjo është një çështje skandaloze dhe se dikush do të duhet që të jep përgjegjësi morale e penale, pasi sipas tij, Kusari-Lila ka biseduar me njerëz që janë në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë nuk ka lajmëruar asnjë institucion të sigurisë.

    “Problemi këtu është edhe trajtimi që subjekti ja bërë vetë këtyre përgjimeve. Zonja Kusari fillimisht i mohoj, pastaj tha po është zëri imi, pastaj tha skam folur me Milan Radojiçiqin, pastaj tha po, tash po del që ka folur pesë herë. Pra është një tendencë për manipulim dhe shmangie të fakteve që ne të gjithë po i dëgjojmë të cilat kjo Qeveri po do që t’i mbuloj me propagandën e saj. Është skandaloze dikush duhet që të jep përgjegjësi edhe morale edhe penale sepse Mimoza ka biseduar me njerëz që janë në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë nuk ka lajmëruar as një institucion të sigurisë”.

    Ai tha se kur është votuar paga minimale në Kuvend të vetmit që kanë votuar për janë VV-ja dhe Lista Serbe, raporton EO.

    “Tash duhet me i pa historikisht qysh ka vajtur votimi, mua mu kujtua paga minimale kur është votuar, është një ndër momentet e rralla kur Lista Serbe merr pjesë në votim dhe janë komplet në votim për edhe janë veç dy subjekte që janë për, Lista Serbe edhe VV-ja. Dihet që më atë ligj u eliminua ndërlidhja e veteranëve me pagën minimale çka shkaktoj edhe revolta shumë të mëdha tekë kjo kategori”, tha ai për EO.

  • Abdixhiku sot mban takimin e tretë konsultativ për gjendjen politike në vend

    Abdixhiku sot mban takimin e tretë konsultativ për gjendjen politike në vend

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot do ta mbajë takimin e tretë konsultativ për gjendjen politike në vend.

    Sipas njoftimit të LDK-së, kësaj radhe Abdixhiku ka ftuar komunitetin akademik dhe diplomatë.

    “Nesër (e enjte), në orën 15:00, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar komunitetin akademik dhe diplomatë, takimi i tretë konsultativ për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

    Takimi mbahet në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës duke filluar në orën 15:00.

  • “Të kthehen serbët në polici, pastaj zgjedhjet në veri”

    “Të kthehen serbët në polici, pastaj zgjedhjet në veri”

    Tërheqja e të gjithë pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, kthimi i serbëve në polici dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja – këto janë hapat që Slavisha nga Zubin Potoku i sheh si zgjidhje për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.

    “Të kthehen policët tanë… do të thotë, që ne të kthehemi në punë në [sistemin] e Kosovë. Përderisa janë këtu, do të jetë e vështirë”, thotë ky i intervistuar nga Radio Evropa e Lirë (REL).

    Me të pajtohen Miroslav dhe Nemanja nga Zubin Potoku dhe shtojnë se serbët nga veriu duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

    Serbët në veri braktisën institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si formë e kundërshtimit të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës. Që atëherë ka pasur një varg krizash dhe protestash të serbëve.

    Tensionet e fundit, të cilat u rritën në fund të majit për shkak të ardhjes së kryetarëve shqiptarë në krye të komunave, vazhdojnë edhe më tej.

    Danijela nga Mitrovica e Veriut, e sheh zgjidhen e krizës në veri si një proces gradual. Ajo beson se serbët, si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të tërhiqen nga protestat para komunave.

    “Se çfarë mund të shkojë keq në ndërkohë, nuk jam e sigurt, por evidente është se nuk do të ketë tërheqje të plotë të njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe para komunave, gjë që në fakt nuk e përmbushë plotësisht kërkesën e serbëve”, deklaron ajo.

    Më 10 korrik, BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës dhe një një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25 për qind e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

  • Abdixhiku: Rruga e ardhshme e Kosovës është rrugë pa Kurtin

    Abdixhiku: Rruga e ardhshme e Kosovës është rrugë pa Kurtin

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rruga e tretë do të jetë pa kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me të.

    “Ka një rrugë të tretë, që me aleatë e mundim Serbinë, me aleatë i luftojmë edhe bandat në veri. Sot jemi të dobët, pa aleatë dhe prodhues të krizave”, tha ai në .

    Sipas tij, Kurti mbahet përgjegjës për të gjitha skandalet e dështimet e sotme.

    “Shikoni çfarë bëri në veri, e tensionoi situatën, morëm dënime, sanksione. E kuptoni sa e trishtë është kjo?”.

    “Të gjitha këto trazira për t’u kthyer sërish kryetarët serbë në komunat në veri. Çfarë arritje është kjo? Për teket e një njeriu që të mbuloj paaftësinë e tij në sektorët e tjerë”, deklaroi ligjvënësi opozitar. /rtv21

  • Vjen reagimi i Krasniqit për audio-incizimet e Kusarit me Listën Serbe

    Vjen reagimi i Krasniqit për audio-incizimet e Kusarit me Listën Serbe

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar sonte pas publikimit të audio-incizimeve ku shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe Sllavko Simiq dhe përmes tij edhe me kriminelin në kërkim Millan Radoiqiq me të cilët ndër të tjera ka folur dhe i ka fyer veteranët e UÇK-së, qytetarët e Kosovës që kërkonin tërheqjen e disa mjeteve nga TRUST-i dhe tema tjera duke sulmuar kolegët e saj shqiptarë tek Lista Serbe.

    “Ofendimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroit Enver Zymberi – që ra në detyrë duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, si dhe i kolegëve të mi të Partisë Demokratike të Kosovës nga eksponentja kryesore e pushtetit të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, është manifestimi më i hapur i mentalitetit tinëzar, mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin. Aq më shumë kur krejt këto paskan ndodhur gjatë serive të koordinimit me punëtorët e Milan Radojçiqit”, tha Krasniqi në faqen e tij në Facebook.

    Ai ka thënë se këto ofendime të shefes së deputetëve të VV-së janë të papranueshme dhe përbëjnë dëshminë e radhës se me këtë mentalitet, Kosova jo vetëm që s’ka të ardhme, por rrezikon ta cenojë edhe të kaluarën e saj të lavdishme.

    “Qeverisja e Albin Kurtit e ka degraduar çdo sferë të jetës. Stagnim në ekonomi, komë në diplomaci, kolaps në shendetësi, degradim në arsim, izolim ndërkombëtar e kërcënim të fjalës së lirë. Tashmë edhe dëshmi konkrete për veprime të koordinuara mes Kurtit e Radojçiqit, përmes mashave të tyre Kusari-Lila e Simiq”, tha lideri i opozitës.

    Kreu i PDK-së tha se ka vetëm një rrugë për ta ndalë këtë degradim të gjithanshëm: “zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur!”.

  • Stoltenberg: Samiti i NATO-s në Vilnius përfundon me mbështetje të fortë për Ukrainën

    Stoltenberg: Samiti i NATO-s në Vilnius përfundon me mbështetje të fortë për Ukrainën

    Samiti i NATO-s në Vilnius përfundoi dje me mbështetje të fortë për Ukrainën, pasi aleatët ranë dakord për një paketë trepjesëshe “për ta sjellë Ukrainën më afër aleancës”, ndërsa vendet e G7-tës nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi garancitë e sigurisë të Kievit.

    Në fjalën e tij përmbyllëse, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët sapo përfunduan një samit “historik” në Lituani me marrëveshje mbi “planet më të detajuara dhe më të fuqishme të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë”.

    Duke nënvizuar se riafirmuan gjithashtu për ta sjellë Ukrainën më afër aleancës dhe për të rritur mbështetjen për një kohë të gjatë, Stoltenberg tha se NATO dhe Ukraina do të takohen në Këshillin NATO-Ukrainë për të diskutuar çështjet si partnerë të barabartë tani e tutje.

    “Unë mirëpres gjithashtu njoftimet e reja të mëdha të mbështetjes ushtarake të bëra nga aleatët e NATO-s në këtë samit”, tha ai.

    Duke kujtuar ndihmën ushtarake të ofruar nga aleatët me vlerë dhjetëra miliarda dollarë dhe trajnimin e dhjetëra mijëra trupave ukrainase nga aleatët, ai tha se “ndërsa Ukraina vazhdon të çlirojë territorin, ne do të qëndrojmë pranë tyre për aq kohë sa të duhet”.

    Ai përmendi gjithashtu paketën e re shumëvjeçare të ndihmës për Ukrainën, e cila u miratua të martën, për të ndihmuar në kalimin e Ukrainës nga standardet e epokës sovjetike në ato të NATO-s dhe për t’i bërë forcat e saj plotësisht të ndërveprueshme me NATO-n.

    “Ukraina është tani më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha Stoltenberg, duke iu referuar heqjes së kërkesës për një plan veprimi anëtarësimi për Ukrainën.

    “Ne do të lëshojmë një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n kur aleatët të bien dakord që kushtet janë përmbushur”, përsëriti ai. “Kjo dërgon një mesazh të qartë, të fortë dhe të bashkuar nga samiti ynë i Vilniusit”, shtoi shefi i NATO-s.

    Lidhur me takimin e tij me partnerët e Indo-Paqësorit, Stoltenberg tha se “vetëbesimi global i Pekinit dhe lufta e Moskës kundër Ukrainës kërkojnë një koordinim edhe më të ngushtë midis NATO-s, BE-së dhe partnerëve tanë të Indo-Paqësorit”.

    NATO po përballet me situatën “më serioze” të sigurisë në dekada, por aleatët po i bëjnë ballë sfidës, tha ai dhe shtoi se “NATO është më e bashkuar se kurrë, duke qëndruar e fortë në mbrojtje të popullit tonë dhe vlerave tona”.

    Ai falënderoi gjithashtu presidentin lituan Gitanas Nauseda dhe qeverinë e vendit për pritjen e samitit historik. /Abc news