ATV

Category: Lajme

  • Rrahja në Kuvend, reagon LV-ja: I patrembur para krimit të 20 vjetëve!

    Rrahja në Kuvend, reagon LV-ja: I patrembur para krimit të 20 vjetëve!

    Në Kuvendin e Kosovës të enjten ka ndodhur një përleshje masive, teksa po mbante fjalim, kryeministri Albin Kurti.

    Sipas pamjeve të publikuara, shihet se Kurti është spërkatur me ujë nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    Lushtaku u tentua të pengohet nga ministri i Financave, Hekuran Murati, por pa sukses. Për veprimin e ligjvënësit opozitar është nervozuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovë, për çka e gjuan me shishe Lushtakun.

    Për këtë incident ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet.

    Nga LVV-ja kanë publikuar një pjesë të videos kur Kurti shihet në mes të turmës pas përleshjes së ndodhur, i rrethuar nga deputetë, ministra e policë që i qëndronin afër.

    “I patrembur para krimit të 20 vjetëve”, thuhet në përshkrimin e LVV-së në Facebook, sipër videos së shpërndarë.

  • ​Hoxha: Pushteti është i kapur nga krimineli Radojiçiq

    ​Hoxha: Pushteti është i kapur nga krimineli Radojiçiq

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha i ka përshëndetur deputetët e shumicës dhe përfaqësuesit e qeverisë me fjalën “zdravo”. Ajo deklaroi se është tronditës “nënshtrimi” ndaj Slavko Simiq dhe Radojiçiqit, që siç tha ajo, dëshmohet në audio-incizimet me shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lilës. Sipas saj, pushteti është i kapur nga krimineli, Milan Radojiçiq.

    Deputetja e opozitës gjatë seancës plenare tha se pushtetit nuk i ka mbetur kredibilitet për të folur për veri, sepse siç tha ajo, kryeministri Albin Kurti është njeriu që më së shumti ka moralizuar për patriotizëm.

    Ajo tha se qytetarët janë shokuar nga ajo çfarë kanë dëgjuar në audio-incizimet mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq.

    “Sa tronditës është nënshtrimi ndaj Slavko Simiq dhe Radoiçiqit për punën elementare të këtij kuvendi, po aq tronditës është edhe qarja e hallit me punëtorin e Radojiçiqit për çështje të rëndësishme të interesit tonë shtetëror. Për çështje të krenarisë tonë kombëtare, për çështjen e veteranëve të UÇK-së akuzoi para Slavkos njërin nga komandantët më të shquar të UÇK-së, zotëri Haradinaj, akuzoi PDK-në për të cilën në të njëjtën bisedë Radoiçiq u ankua se PDK ‘ja ka nxirë jetën’ dhe do ta luftojë atë me tërë qenien sa do të jetë gjallë. E fyu rëndë nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili, e shpifi ndaj shefit të këtij grupi parlamentar, zotëri Tahiri. Tha që nuk ka folur për veteranët nëpër media, por doli që pjesën më të madhe të bisedës e kishte zhvilluar kundër tyre, kundër ligjit që do të ndihmonte fatin e tyre”, deklaroi Hoxha.

    Në këtë situatë, Hoxha tha se nuk mjafton dorëheqja, e as shkarkimi.

    Ajo shtoi se Kusari Lila u koordinua me Radojiçiqin për marrëveshjen për energjinë në veri, për çështjen e Trust-it dhe shumë të tjera.

    “Çfarë duhet të ndodhë më shumë për të kuptuar që ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës. Që ka urdhër arrest nga prokuroria dhe që shefja e grupit të LVV-së i garanton që do të flas me kryeministrin Kurti, me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që t’i lehtësohet barra e rëndë e akuzave kundër tij. Të konsiderohet heroi i Kosovës, Enver Zymberi si një numër i thjeshtë matematikor i vrarë në detyrë, e jo si një hero që ka luftuar pikërisht për vendosjen e sovranitetit, rendit dhe ligjit dhe zbatimit të tij dhe mbrojtjen e Kushtetutës, është jo vetëm e papranueshme por është e ultë dhe antikombëtare. Lirisht mund të them se lakmia për pushtet ju ka verbuar. ‘Zdravo Slavko’, ‘zdravo’ me buzëqeshje e nënqeshje me të, heshtja kur të thotë se ke folur pesë herë me Radojiçiqin dhe nëse dalin ato biseda do t’i thyhet koka juve e krejt LVV-së, janë vetëm disa nga pikat që ju i dëshmoni se jeni të kapur nga Radojiçiqi”, shtoi deputetja e PDK-së.

    Hoxha shtoi se pushteti nuk ka ‘as sy e as fytyrë’ për të ju dalë përballë nënave gjakovare, të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së. Ajo tha se është urgjente që Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

  • Si nisi kjo përleshje mes PDK-së dhe LV-së në Kuvend?

    Si nisi kjo përleshje mes PDK-së dhe LV-së në Kuvend?

    Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu i vendos një foto të Akbin Kurti një foto përpara foltores, në të cilën shihet “kryeministri pinokio”.

    Këtë foto e heq nga foltorja ministri Besnik Bislimi, madje edhe e shqyen atë.

    Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së Mergim Lushtaku shkon i lagë me ujë kryeministrin Kurti, ministrin Hekuran Murati dhe ministrin Besnik Bislimi.

    Nga ky moment fillon përleshja, ku afër foltores afrohen edhe deputetë të tjerë të PDK-së dhe LV-së. /atvlive.tv

  • Eskalon situata në Kuvend, sulmohet kryeministri Kurti

    Eskalon situata në Kuvend, sulmohet kryeministri Kurti

    Deputetët e pushtetit dhe opozitës janë rrahur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

    Rrahja ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti.

    Përplasja ka nisur në kohën kur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti.

    Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik bilimi e ka goditur atë me shishe të ujit në fytyrë.

    Pastaj aty janë ofruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të opozitës të cilët janë përfshirë në rrahje.

  • Ambasadorit norvegjez i përfundon mandati, e falënderon Osmanin për bashkëpunim

    Ambasadorit norvegjez i përfundon mandati, e falënderon Osmanin për bashkëpunim

    Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, ka bërë të ditur se ka përfunduar mandati i tij.

    Ai e ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për bashkëpunimin e treguar, si dhe për të cilën ka thënë se është një presidente e duhur për popullin e Kosovës.

    “Lamtumira, asnjëherë nuk është e lehtë. Sidomos në Kosovë ku mandati im ka qenë i mbushur me shumë gëzime dhe progrese që kur erdha në vitin 2019”, ka shkruar Grøndahl në Twitter.

  • ​Rrustemi: Duhet të hiqen masat negative për Kosovën

    ​Rrustemi: Duhet të hiqen masat negative për Kosovën

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaroi sot se dakordimi për shtensionim me Bashkimin Evropian, nënkupton edhe heqjen e masave ndaj Kosovës. Sipas tij, marrëveshja e arritur të hënën është në përputhje me qëndrimin e institucioneve të Kosovës. Ai shtoi se gjendja në terren lejon zvogëlimin gradual të prezencës së policisë rreth ndërtesave komunale.

    Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputeti i shumicës parlamentare tha se akuzat për mos koordinim dhe izolim ishin kërkesa për dorëzim dhe vazhdim të qeverisjes si në dekadat e kaluara.

    “Ky dakordim është në përputhje me gjendjen në terren, pas zgjedhjeve komunale në katër komunat në veri të vendit me 23 prill të këtij viti dhe qëndrimin e qeverisë për sundim të ligjit dhe sjellje para drejtësisë të personave përgjegjës për akte të dhunës në fund të muajit maj dhe fillim të muajit qershor. Po ashtu, ky dakordim është në përputhje me qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për mundësinë e zgjedhjeve të hershme në katër komunat në veri të vendit. Prezenca e njësive të policisë ka qenë në përputhje me situatën e krijuar. Gjendja në terren tani lejon për zvogëlim gradual të prezencës së policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave në katër komunat në veri të vendit”, tha ai.

    Rrustemi u shpreh se objektet e komunave janë pronë e republikës dhe aty duhet të shërbejë kryetari i zgjedhur. Po ashtu, ai theksoi se flamuri i Kosovës e ka vendin në objektet në fjalë.

    “Ky dakordësim që u arrit të hënën, mund të arrihej edhe me 22 qershor të muajit të kaluar në Bruksel, pasi këto ishin ngaherë qëndrime të institiconeve të Republikës së Kosovës. Sundim i ligjit, ulje proporcionale e prezencës së policisë, zgjedhje të hershme dhe kthim tek tryeza e dialogut për zbatim të plot dhe pa kushte të marrëveshjes bazë për normalizim të marëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ky dakordim me Bashkimin Evropian për deeskalim dhe normalizim nënkupton edhe kthim të balancit në tavolinën e dialogut. Kjo nënkupton që masat negative të njëanshme dhe të përkohshme duhet të hiqen dhe do të hiqen nga Bashkimi Evropian”, shtoi Rrustemi.

    Me fillimin e fjalimit të Rrustemit, deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës vendosën në foltoren e Kuvendit të Kosovës, pankartë me mbishkrimin “Zdravo”. Deputetet e opozitës, Floretë Zejnallahu dhe Blerta Deliu Kodra vendosën pankartat në foltore dhe pranë ulëses së kryeministrit Albin Kurti./KP

  • Tentoi të rrahë vëllain dhe kunatën e tij, u arrestua një person në Gjakovë

    Tentoi të rrahë vëllain dhe kunatën e tij, u arrestua një person në Gjakovë

    Një person u arrestua dje në Gjakovë pasi kërcënoi dhe tentoi të sulmoi fizikisht vëllain dhe kunatën e tij.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte kanosur dhe tentuar që t’i sulmojë fizikisht vëllain dhe kunatën e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, informoi Policia.

    Rasti u cilësua si “Dhunë në familje”.

  • Një person gjendet i vdekur në Mitrovicë

    Një person gjendet i vdekur në Mitrovicë

    Një person është gjetur pa shenja jete mbrëmë në Mitrovicë.

    Mjeku kujdestar e ka kontastuar vdekjen e viktimës.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe ekipi mjekësor ku nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës.”, ka informuar Policia.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

  • Një burrë arrestohet nën dyshimin për marrëdhënie seksuale me një të mitur

    Një burrë arrestohet nën dyshimin për marrëdhënie seksuale me një të mitur

    Policia informoi sot se një burrë u arrestua në magjistralen Ferizaj-Prishtinë nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën femër kosovar (e mitur).”, u bë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit u dërgua në mbajtje.

    Rasti u cilësua si “Dhunim”.

  • Pankarta “Zdravo” vendoset në foltoren e Kuvendit dhe pranë ulëses së Kurtit

    Pankarta “Zdravo” vendoset në foltoren e Kuvendit dhe pranë ulëses së Kurtit

    Deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës vendosën sot në foltoren e kuvendit, pankartë me mbishkrimin “Zdravo”.

    Teksa filloi deklarimin deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, deputetet e opozitës, Floretë Zejnallahu dhe Blerta Deliu Kodra vendosën pankarta me mbishkrimin “Zdravo” në foltore dhe pranë ulëses së kryeministrit, Albin Kurti.