ATV

Category: Lajme

  • Escobar para Kongresit del me thirrje për Kosovën dhe Serbinë: Le t’i përmbushin të gjitha detyrimet e tyre

    Escobar para Kongresit del me thirrje për Kosovën dhe Serbinë: Le t’i përmbushin të gjitha detyrimet e tyre

    I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në dëshminë e tij drejtuar Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, për angazhimin e SHBA-së në Ballkan, kujtoi tensionet në veri të Kosovës, raporton Paparaci.

    Ai u bëri thirrje të dyja palëve të përmbushin të gjitha detyrimet, të cilat, thotë ai, janë të nevojshme për përparim të vazhdueshëm në rrugëtimin e tyre evropian.

    Escobar do të raportojë nesër para Kongresit Amerikan, pikërisht për shkak të zhvillimeve në Ballkanin e Perëndimor.

    Fillimisht, ai gjatë dëshmisë përmend arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti, për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja shteteve.

    “Më lejoni të filloj me marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë. Në Shkurt dhe mars, BE – me mbështetjen e fortë të SHBA – arriti një përparim Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe një zbatim aneks që sigurojnë një kornizë përmes së cilës të dyja vendet i përmbushin ato detyrimet e pavarura”, tha ai.

    Sipas tij, një element kyç është përmbushja e obligimeve të Kosovës, siç është ajo e vitit 2013 për themelimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

    Diplomati amerikan theksoi se Asociacioni “do fuqizojë komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët për të koordinuar mbi sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal”.

    Për më tepër, Kosova dhe Serbia siç tha ai, ranë dakord të njihnin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëri-tjetrit. “Dhe – me rëndësi – sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk do të lobojë më kundër Kosovës anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”.

    Mirëpo, ai shtoi se që kur palët kanë arritur këto marrëveshje, ka pasur serioze provokime, tensione në rritje dhe dhunë e papranueshme nga protestuesit serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në veri të Kosovës.

    “Si përgjigje, NATO dislokoi elementë të forcës rezervë për të përforcuar misionin; ajo mban një qëndrim të përmirësuar në veri të Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt në në përputhje me mandatin e saj në OKB. Me BE-në, ne kemi bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm, për të përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja komunale dhe kryebashkiake në katër komunat në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e serbëve etnikë, dhe rifokusimi i zbatimit të marrëveshjes së arritur në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

    Mes tjerash, ai u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i përmbushin obligimet e tyre, transmeton Paparaci.

    “Së bashku me partnerët tanë evropianë, ne mbetemi të angazhuar me Kosovën dhe Serbinë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre, të cilat janë thelbësore për të progres të vazhdueshëm në të dyja rrugët e tyre evropiane”.

    Nga ana tjetër, ai u shpreh se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duan një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre – me demokraci dhe qeveri më të forta, më transparente të përgjegjshme, ku përfitojnë të gjithë.

    “Angazhimi ynë po ndihmon për të realizuar kjo ëndërr dhe angazhimi i vazhdueshëm bipartizan i Kongresit mbetet kyç për të suksesin e saj”, përfundoi ai./Paparaci.com

  • Ministri serb thotë se komandanti i ri i KFOR-it “do të jetë një gjeneral turk”

    Ministri serb thotë se komandanti i ri i KFOR-it “do të jetë një gjeneral turk”

    Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviq, ka pretenduar se komandanti i ri i KFOR-it do të jetë një gjeneral turk.

    Sipas tij, kontingjenti më i madh i KFOR-t do të jetë nga Turqia.

    Aktualisht, komandant i KFOR-it është gjeneralmajor Angelo Ristuccia. Ai ishte zgjedhur për këtë pozitë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës se KFOR-it, gjatë tetorit të 2022-s.

    “Kontingjenti më i madh i NATO-s në Kosovë, si pjesë e KFOR-it, do të jetë nga Turqia. Për herë të parë komandanti i KFOR-it vjen nga Turqia”, tha Vuçeviq.

    “Turqia është një vend i madh, një fuqi dhe ka një ndikim të rëndësishëm politik dhe ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe ne duhet të kujdesemi që të kemi marrëdhëniet më të mira të mundshme me Turqinë, por ne e shikojmë këtë çështje. të Kosovës në mënyra krejtësisht të ndryshme, është interesante se kazermat e tyre ushtarake në Prizren quhen me emrin e Sulltan Muratit, që është një shoqatë e fortë për të gjithë ne në këtë rajon”, shtoi ai.

    Pikërisht për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë, ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka dërguar notë proteste ambasadorit të Turqisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të dielën se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Ende nuk dihet se sa dronë janë blerë dhe cila është shuma e tyre.

    Megjithatë, Kurti u shpreh se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”.

    Nga ana tjetër, KFOR-i deklaroi hapësira e poshtme ajrore e Kosovës “mund të përdoret për nevoja specifike” dhe me “autorizim të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”.

    Hapësira e poshtme ajrore nënkupton lartësinë deri në 6.250 metra. Ndërkohë, dronët Bayraktar TB-2 fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra.

  • Bislimi dhe Petkoviq takohen të mërkurën, nën ndërmjetësimin e Lajçakut

    Bislimi dhe Petkoviq takohen të mërkurën, nën ndërmjetësimin e Lajçakut

    Të mërkurën do të mbahet në Bruksel një takim mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq.

    Burime të RTK-së kanë konfirmuar se emisari për dialogun, Miroslav Lajçak tashmë ka arritur të aranzhojë një takim të tillë.

    Ky takim pritet me interes pasi është i pari pas fillimit të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

  • Kurti takon Lajçakun në Greqi: Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë

    Kurti takon Lajçakun në Greqi: Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në një Simpozium në Greqi. Me këtë rast, Kurti ka njoftuar se është takuar me emisarin evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

    “Pata një bisedë të gjatë me emisarin Miroslav Lajçak në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, ka shkruar Kurti.

    Paraprakisht, qeveria ka dërguar një komunikatë për media ku ka njoftuar për pjesëmarrjen e shefit të ekzekutivit në këtë simpozium.

  • Ish komandanti i Llapit u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Veselit e Krasniqit

    Ish komandanti i Llapit u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Veselit e Krasniqit

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai gjatë seancës të hënën, është sfiduar nga pyetjet e mbrojtjes. Duke e përshkruar  Jakup Krasniqi si njërin prej figurave më të respektuara në Kosovë, Remi ka deklaruar se disa anëtarë të Shtabit të UÇK-së qëndruan jashtë Kosovës, pjesën më të madhe të kohës gjatë periudhës së luftës.

    Gjatë tërë ditës së hënë, Rustem Mustafa, i njohur me nofkën Remi, iu është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, në Gjykatën Speciale në Hagë, Remi është pyetur për strukturën dhe shtabin e përgjithshëm të UÇK-së.

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, ka deklaruar se përveç Jakup Krasniqit e Ramë Bujës, anëtarët e shtabit të përgjithshëm qëndronin jashtë Kosovës, në pjesën më të madhe gjatë kohës së luftës.

    Remi tha se Krasniqi është njëri prej figurave më të respektuara në Kosovë.

    Pyetje për Remin rreth takimeve të Shtabit të Përgjithshëm kishte edhe mbrojtja e Kadri Veselit.

    Ndërkohë, nga mbrojtja gjatë kësaj seance janë lexuar deklarata nga takimet e komandantëve të zonave, duke shprehur pakënaqësi për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

  • Kurti në Greqi, nuk merr pjesë në takimin joformal me Ramën

    Kurti në Greqi, nuk merr pjesë në takimin joformal me Ramën

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Kryeministri Albin Kurti nuk mori pjesë në drekën joformale të Procesit të Berlinit në Tiranë, të ftuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ai ishte në një konferencë në Greqi, në të cilën Qeveria tha se ai e kishte konfirmuar pjesëmarrjen – muaj më parë, teksa theksoi se ftesa nga Rama erdhi para një jave. Opozitarët kritikuan kryeministrin Kurti, duke thënë se sjellja e tij është fëmijërore dhe e papërgjegjshme.

    Për herë të tretë brenda pesë javësh, përkundër ftesave, në raste dhe formate të ndryshme, nuk janë takuar kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama.

    Këtë herë, kryeministri kosovar mungoi në drekën joformale të krerëve të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me komisionerin e BE-së, Oliver Varhelyi, të thirrur nga homologu i tij shqiptar, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë pas tre muajsh.

    Në Qeverinë e Kosovës, mungesën e kryeministrit Kurti në takimin e Tiranës e lidhën me aspektin kohor të dërgimit dhe pranimit të ftesës.

    “Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht, kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”.

    Në drekën joformale nuk ishte as zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

    Në një reagim në rrjetet sociale, ish-ambasadorja, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi fëmijërore dhe të papërgjegjshme sjelljen e kryeministrit.

    “Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”.

    Kritik ishte edhe ish-kryeministri, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    “Nuk ka asnjë takim tjetër më të rëndësishëm për kryeministrin e Kosovës se pjesëmarrja në takimin përgatitur që po mbahet në Tiranë. Mospjesëmarrja në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti të kryeministrit për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit. Mospjesëmarrja në këtë takim është heqje dorë nga obligimet shtetërore të Kosovës. Mospjesëmarrja në këtë takim është tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”.

    Ndërsa, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës mospjesëmarrja e Kurtit në takimin e së hënës e dëmton Kosovën.

    “Mosshkuarja e kryeministrit Kurti në një takim joformal, të ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, tregon logjikën e mbrapshtë, inatçore, logjikën autoritare të një njeriu që udhëheq Kosovën. Është e papranueshme që Kosova të përjashtohet nga të gjitha tryezat. Kjo është joshtetformuese”, tha Tahiri.

    Në fillim të këtij muaji, kryeministri Albin Kurti refuzoi takimin me kryeministrin Edi Rama, në turneun e Ramës në Ballkanin Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Tiranës.

    Paraprakisht, kryeministri Rama kishte anuluar mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, e planifikuar të mbahej më 14 Qershor.

  • Nënshkruhet marrëveshja, artistë amerikanë performojnë në Prishtinë

    Nënshkruhet marrëveshja, artistë amerikanë performojnë në Prishtinë

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me ambasadorin e ShBA-së, Jeffrey Hovenier, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin “ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës, programi i shkëmbimit kreativ ShBA-Kosovë”, përmes të cilit artistë të njohur botërorë do të vijnë në Kosovë, për t’i interpretuar veprat e tyre artistike.

    Prishtina, Prizreni e Mitrovica do të jenë tri destinacionet kryesore të dhjetëra artistëve amerikanë që do t’i paraqesin veprat e tyre të artit e kulturës në kuadër të marrëveshjes SHBA – Kosovë.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, këtë të hënë, kanë nënshkruar marrëveshjen, përmes së cilës synohet ndërtimi i urave të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

    I pari i kryeqytetit tha se ky projekt do të jetë vlerë e shtuar për artin dhe kulturën në Kosovë.

    “Bashkëpunimet të cilat i kemi pasur shumë të mirëfillta deri tash, do të vazhdojnë në një mënyrë edhe më të mirë dhe të shtuar në aspektin e artit dhe kulturës, ndërmjet kryeqytetit, organizatave joqeveritare dhe Ambasadës Amerikane. Përmes saj do të vijnë artistë të mirënjohur amerikanë, të cilët do të jenë të ekspozuar këtu në kryeqytet, duke iu falënderuar intervenimeve fantastike që po i bën Autostrada Biennale në tulltore.

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffreey Hovinier, tha përmes artit dhe kulturës, do të thyhen të gjitha barrierat ndërmjet vendeve.

    “Këta artistë vijnë nga anë të ndryshme të ShBA-së dhe me vete sjellin një larmi të gjerë të prejardhjes, mediumit, po ashtu, edhe këndvështrimeve artistike gjatë shprehjes së artit të tyre. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta artistë do të krijojnë dhe do t’i ekspozojnë veprat e tyre. Prandaj e mirëpres me padurim këtë sinergji të ndjenjave amerikane dhe ndjenjave kosovare. 

    Ndërkaq, drejtori i organizatës “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, tha se përmes këtij projekti do të ketë rritje të shkathtësimit të të rinjve.

    “Autostrada Bienale jo vetëm që është bienale e artit bashkëkohor, ajo ka themeluar edhe institucionin e saj, i cili është një institucion i edukimit dhe prodhimit. Nga ideja e kësaj autostrade kemi pasur përkrahjen e komunës dhe ambasadës amerikane, të cilat e kanë përkrah si ide. Hapet rrugë që përmes një hapësire prodhuese dhe edukative të kemi projekte më afatgjate për kontribut të shkathtësive të të rinjve, e cila pastaj po përkthehet edhe në aspektin ekonomik”.

    Pjesë e projektit “Ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës”, do të jenë 30 artistë nga e gjithë bota.

  • Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial, shoqëria civile e quan politizim objektiv të KPK së

    Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial, shoqëria civile e quan politizim objektiv të KPK së

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Shoqëria civile ka kritikuar projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke vlerësuar se nëse ai miratohet në Kuvend rrezikon politizimin e KPK-së. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, KDI-së dhe Lëvizjes FOL, Ministria nuk i ka adresuar disa nga vërejtjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese, e cila e kishte rrëzuar ligjin e kaluar. Sipas shoqërisë civile, me përbërjen prej 19 anëtarëve të KPK-së, 8 prej të cilëve do të jenë joprokurorë që do të zgjidhen me shumicë të thjeshtë të votave nga Kuvendi, rrezikohet skajshmërisht politizimi i Këshillit Prokurorial.

    Me projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial, parashihet që deri në vitin 2026 ky institucion të përbëhet nga 19 anëtarë.

    Por kjo rritje e numrit të anëtarëve, tetë prej të cilëve do të zgjidhen me një shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, po kritikohet nga shoqëria civile.

    Sipas Lëvizjes FOL dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi, kjo përbërje dhe rregulla se kuorumi në KPK mund të krijohet vetëm edhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, paraqet politizim objektiv të këtij institucioni të drejtësisë.

    Sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës, edhe dispozita që Avokati i Popullit t’i propozojë dy anëtarë joprokurorë është në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses.

    Monitorues të shoqërisë civile, të cilët kanë qenë pjesë e grupit punues, kanë thënë se Ministria e Drejtësisë nuk i ka marrë parasysh komentet e tyre. Për më tepër, sipas tyre, MD-ja nuk i adresoi as rekomandimet e Venecias.

    Rreth përmbajtjes së Projektligjit të ri për KPK-në, reagoi javën e kaluar edhe ky institucion, i cili theksoi se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar.

    Ligjin e kaluar për KPK-në, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm, duke gjetur vërejtje edhe në balancimin e anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë.

  • Ia ktheu borxhin Shqipërisë, Kosova me më pak rezerva të energjisë për dimër

    Ia ktheu borxhin Shqipërisë, Kosova me më pak rezerva të energjisë për dimër

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Për shkak të sasisë së energjisë në formë obligimi për kthim, që e kishte marrë gjatë dimrit nga Shqipëria, Kosova këtë vit ka nisur me vonesë depozitat për dimër. Edhe pse është ende fillimi i sezonit kur Shqipëria ka nevojë për më shumë energji, sasia e depozitave nuk ka arritur as 10% të sasisë së përgjithshme, krahasuar me vitin e kaluar.

    Kthimi i energjisë që Kosova e kishte marrë gjatë dimrit nga Shqipëria, nëpërmjet marrëveshjes për shkëmbime, pritet të ndikojë që sasia e depozitave këtë vit të jetë dukshëm me e ulët – sesa vitin e kaluar.

    Si shkak i nevojës për import, dimrin që shkoi, Kosova harxhoi depozitat dhe u fut në obligime për kthim të energjisë ndaj Shqipërisë.

    “Gjatë vitit 2022, KEK-u ka depozituar në KESH 226,330 MW. Ndërsa, ka pranuar nga KESH-i sasinë prej 135,965 MW. Gjatë muajve të dimrit kur në Kosovë konsumi ka shënuar ngritje, diferenca nga viti 2022 i është kthyer KEK-ut, si dhe KESH-i ka depozituar sasinë prej 91.094 MW”.

    Pas kthimit të obligimeve, tashmë ka nisur depozitimi i energjisë në Shqipëri, që deri tani nuk arrin as 10% të vlerës së përgjithshme, krahasuar me vitin e kaluar.

    “Tani kur Shqipëria ka nevojë, KEK-u ka filluar të depozitojë energji elektrike drejt KESH-it dhe deri më tani ka depozituar sasinë prej 21,714 MW dhe do të vazhdojë të depozitojë sa herë që ka teprica dhe KESH-i ka nevojë. Keni parasysh se shifrat e paraqitura janë dinamike dhe mund të ndryshojnë nga dita në ditë, posaçërisht tani në muajt e verës kur në Shqipëri konsumi shënon ngritje”.

    Me sasinë aktuale të depozitave dhe me trendin aktual, pritet që Kosova të hyjë në dimër me ndjeshëm, më pak rezerva të energjisë dhe pa kapacitete të reja prodhuese të energjisë.

    Me sasinë e depozituar në Shqipëri vitin e kaluar, të shfrytëzuar gjatë muajve të dimrit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në raportimin e saj në Kuvend kishte thënë se janë kursyer rreth 50 milionë euro import.

    Sipas marrëveshjes për shkëmbime energjetike, KEK-u dhe KESH-i ofrojnë ose pranojnë energji, vetëm kur njëra ka teprica dhe tjetra nevojë – dhe anasjelltas.

  • Hapet konkurs për 25 inspektorë shëndetësorë

    Hapet konkurs për 25 inspektorë shëndetësorë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkurs për 25 inspektorë shëndetësorë. Por, sipas njohësve të kësaj fushe, ky konkurs do të hapej kohë më parë, pasi edhe numri i ankesave të pacientëve është i lartë.

    Pas rikthimit për të tretën herë si ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë takimit të parë, të mbajtur në fillim të këtij viti, me anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi, ka dhënë premtime, të cilat u zotua se do t’i realizojë brenda këtij viti.

    Vitia kishte thënë se brenda gjashtë muajve do të ketë rritje të numrit të inspektorëve shëndetësorë.

    “Ministria e Financave ka ndarë buxhetin edhe për 42 inspektorë të rinj. Shumë shpejt do të shpallet konkursi për rekrutimin e tyre, rritja e numrit nënkupton edhe rritjen e shërbimeve cilësore për qytetarët e vendit.“

    Ndonëse jo me shifrat e parapara si në premtime, disa ditë më parë u hap konkursi për 25 inspektorë të rinj.

    Për njohësit e këtij lëmi, kjo shifër është shumë e ulët duke marrë parasysh numrin aktual të inspektorëve dhe ankesat e mëdha të pacientëve.

    Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve, thotë se për shkak të mungesës së inspektorëve, shpeshherë ka pasur shkelje të të drejtave të pacientëve.

    “Ankesat e vazhdueshme që vijnë në shoqatë tregojnë për shkelje të të drejtave të pacientëve, si nga institucionet shëndetësore, por edhe nivel të ulët të vetëdijes rreth të drejtave dhe përgjegjësive që kanë kujdesi shëndetësor ministria të ketë më shumë fushata dhe t’i perceptojë më mirë”.

    Që të parandaloheshin shkeljet e tilla, gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitia, thotë se numri i inspektorëve është dashur të rritej kohë më parë.

    “Ministria e Shëndetësisë të ketë më shumë prioritet inspektimin, të kërkojë llogaridhënie, sepse kohëve të fundit është në gjumë, të ketë më shumë vëmendje për shërbimet që kryhen dhe të inspektimeve që neglizhohen nga inspektorati shëndetësor”.

    Aktualisht në sistemin shëndetësor të vendit janë vetëm 12 inspektorë.