ATV

Category: Lajme

  • Lajçaku tregon se çka bisedoi me Kurtin në Greqi

    Lajçaku tregon se çka bisedoi me Kurtin në Greqi

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajça, ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti ka diskutuar për situatën aktuale në veri.

    Lajçaku me Kurtin u takuan në Greqi, ku i dërguari i BE-së, theksoi se tema mes tyre ishte rruga drejt deeskalimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut.

    “Në Simpoziumin e Symit të këtij viti, pata një diskutim të dobishëm me Kryeministrin Albin Kurti, për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe rrugën përpara drejt deeskalimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut”, shkroi Lajçak.

     

  • Bayraktarët nuk do të mund të përdoren pa autorizimin e KFOR-it

    Bayraktarët nuk do të mund të përdoren pa autorizimin e KFOR-it

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se pret nga institucionet e Kosovës që të koordinohen në lidhje me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve, përfshirë edhe ata Bayraktar TB-2.

    Në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, KFOR-i kujton se komandanti i këtij misioni e ka autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës më 1999.

    Një ditë më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendi ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

    Me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, tha ai dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.

    Se sa dronë janë blerë, nuk është e qartë.

    Por, kujton KFOR-i, hapësira e poshtme ajrore e Kosovës “mund të përdoret për nevoja specifike” dhe me “autorizim të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”.

    Hapësira e poshtme ajrore nënkupton lartësinë deri në 6.250 metra.

    Dronët Bayraktar TB-2 fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra.

    Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri.

    Është e paraparë që deri në vitin 2028, ajo t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç thuhet, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.

    Megjithatë, ajo nuk do t’i zëvendësojë forcat e KFOR-it që vazhdojnë të kenë rreth 4.000 trupa në Kosovë.

    Blerja e dronëve Bayraktar “në funksion të mbrojtjes”

    Zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë, Enver Dugolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur bëhet fjalë për çështje që bien edhe në domenin e misionit të KFOR-it, “ka bashkëpunim dhe koordinim”.

    Bazuar në obligimet ligjore që ka Forca e Sigurisë e Kosovës, thotë ai, blerja e pajisjeve ushtarake është e domosdoshme.

    “…pra, kjo çështje ka të bëjë me përgatitjen e Forcës së Sigurisë për të mbrojtur vendin, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, thotë Dugolli, i cili vjen nga radhët e partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Quni, anëtar i Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thotë se dronët luftarakë shihen kryesisht si armë sulmi, por kjo, sipas tij, nuk nënkupton se Kosova po përgatitet për aktivitete sulmuese.

    “Krijohet përshtypja se dronët janë sisteme apo armë sulmuese. Ne gjithnjë kemi folur për operacione defensive, do të thotë kur rrezikohet territori i Republikës së Kosovës. Përderisa ne jemi në këto pozicione mbrojtëse, nuk flasim për armë sulmuese”, thotë Quni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës – parti në opozitë.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shton se Qeverinë e Kosovës e presin sfida për të siguruar kompetenca ligjore për Forcën e Sigurisë, në lidhje me aktivitetet e saj në hapësirën ajrore të vendit.

    “Kjo është çështje, e cila duhet të jetë në fokusin e Qeverisë në të ardhmen. Do të thotë, të sigurojë infrastrukturën ligjore, pasi që disa kompetenca mbi kontrollin ajror janë çështje ekskluzive e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë. Nuk është diçka që nuk mund të tejkalohet nëse ekziston një bashkëveprim dhe një koordinim i mirë me autoritetet e NATO-s dhe me partnerët tanë”, thotë Quni.

    Vrajolli: Pajisja me armë për çfarëdo rrethane hipotetike

    Autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur çmimin e dronëve të blerë, por në treg ata njihen si të lirë dhe efektivë.

    Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se nëse shikohen kostot e pajisjeve luftarake, të cilat sigurohen nga ushtritë e botës, fillimisht duken të pajustifikueshme, në rast se ato nuk përdoren. Nga ky këndvështrim mund të shihen edhe dronët Bayraktar të blerë nga Kosova, thotë ai.

    Por, shton Vrajolli, pajisjet luftarake jo gjithmonë blihen për t’u përdorur me çdo kusht.

    “Sektori i mbrojtjes bëhet për t’u siguruar se në çfarëdo rrethane hipotetike që mund të shfaqet, përgatitjet e mbrojtjes të jenë në nivel të duhur. Në këtë këndvështrim, ky përforcim që është bërë nga ushtria e Kosovës, nuk paraqet ndonjë problem të madh. Mbase jo domosdo ne presim që dikush do të na sulmojë. Por, nëse na sulmon, atëherë ne duhet të jemi të përgatitur”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

    Çfarë është droni Bayraktar TB-2?

    Droni Bayraktar TB-2 është fluturake pa pilot, që kontrollohet nga distanca.

    Ky dron është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayraktar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.

    Bayraktar TB-2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe fluturimi mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë. Ky dron mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.

    Ai është vlerësuar si mjaft i rëndësishëm në konfliktet në botë, përfshirë edhe atë në Ukrainë.

    Bayraktar TB-2 aktualisht përdoret nga së paku 11 ushtri të botës.

    Autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur se kur kanë arritur dronët në Kosovë, por jozyrtarisht është thënë se kjo ka ndodhur në muajin maj, pak para stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2023”.

    Kosova është përjashtuar nga këto stërvitje, të udhëhequra nga SHBA-ja, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e saj të banuar me shumicë serbe. Tash e gati dy muaj, qytetarët serbë atje janë duke kundërshtuar vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë. /REL

  • ​Escobar sot raporton para Kongresit amerikan për situatën në Kosovë

    ​Escobar sot raporton para Kongresit amerikan për situatën në Kosovë

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot (e martë) do të paraqes para Kongresit amerikan një raport për zhvillimet e deritanishme lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

    Sipas dokumentit, raportimi para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, do të ndërlidhet kryesisht me nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Sipas Escobar, AKS do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Serbia ranë dakord të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare.

    “Politika jonë në Ballkanin Perëndimor bazohet në një parim të thjeshtë: integrimin e vazhdueshëm të rajonit në strukturat euroatlantike. Ky integrim forcon Evropën si një partner gjeostrategjik; forcon qeverisjen demokratike dhe shtetin e së drejtës; dhe i bën vendet e Ballkanit Perëndimor më të sigurt dhe më të begatë – dhe në këtë mënyrë rajonin partnerë më të mirë të sigurisë dhe tregtisë për Shtetet e Bashkuara.

    Ne e kuptojmë se pengesat ndaj këtij procesi janë të vështira – duke përfshirë përparimin e ngecur në demokratizimin, korrupsionin, varësinë nga energjia ruse, politikat etnonacionaliste, ndikimin e dëmshëm të huaj dhe dezinformimin. Megjithatë, ato nuk janë të pakapërcyeshme; Ballkani Perëndimor duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u kualifikuar për anëtarësim. Angazhimi ynë po i ndihmon ata të luftojnë korrupsionin gërryes dhe dezinformimin që ushqen ndjeshmërinë ndaj ndikimit keqdashës – nga shtetet autoritare si Rusia dhe PRC, por edhe aktorë të këqij nga brenda. Angazhimi ynë është i fokusuar në zgjidhjen e tensioneve të vazhdueshme që kërcënojnë këtë rrugë dhe një stabilitet më të madh rajonal.

    Më lejoni të filloj me marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë. Në muajin shkurt dhe mars, BE-ja me mbështetjen e fortë të SHBA-së arriti një Marrëveshje përparimtare për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe një aneks zbatimi që ofron një kornizë përmes së cilës të dy vendet përmbushin detyrimet e tyre të pavarura. Një element kyç është përmbushja e obligimit të Kosovës që nga viti 2013 për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. AKS do të fuqizojë komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Serbia ranë dakord të njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe, më e rëndësishmja, në këtë marrëveshje, Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Që kur palët arritën këto marrëveshje, ka pasur provokime serioze, tensione të përshkallëzuara dhe dhunë të papranueshme nga protestuesit serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në veri të Kosovës. Si përgjigje, NATO vendosi elementë të forcave rezervë për të përforcuar misionin; ajo mban një qëndrim të zgjeruar në veri të Kosovës për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në përputhje me mandatin e saj të OKB-së. Me BE-në, ne kemi bërë thirrje për de-përshkallëzim të menjëhershëm, për të përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja komunale dhe për kryetar komunash në katër komuna në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e serbëve etnikë dhe një rifokus në zbatimin e marrëveshjes së arritur në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Së bashku me partnerët tanë evropianë, ne mbetemi të angazhuar me Kosovën dhe Serbinë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre, të cilat janë thelbësore për përparimin e vazhdueshëm në të dyja rrugët e tyre evropiane”, thuhet në dokument.

  • Çfarë pritet të ndodh sot në Kosovë?

    Çfarë pritet të ndodh sot në Kosovë?

    Ngjarjet e planifikuara për sot:

    – Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me Bordin dhe Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ku do të diskutojnë lidhur me punën, sfidat dhe planet e Bordit dhe Drejtorit të SHSKUK. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

    – Qendra Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë mban konferencë për media. (Zyret e Qendres së Prishtinës, në rrugën “Rexhep Luci”, hyrja afër bankës NLB, kati i 3-të, ora 11:00)

    – Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti e Shqyrton Raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

    – Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Fondit për Sigurime Shëndetësore, për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:30)

    – Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim i shqyrton projektligjin për vlerësimin strategjik mjedisor, Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00).

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një person në Mitrovicë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një person në Mitrovicë

    Një person është arrestuar dje në Mitrovicën e Veriut, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Mitrovicë Veri 17.07.2023 – 02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka sulmuar fizikisht nënën e tij kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Vdekje e dyshimtë në Kamenicë, një burrë gjendet në rrugë pa shenja jete

    Vdekje e dyshimtë në Kamenicë, një burrë gjendet në rrugë pa shenja jete

    Një person është gjetur pa shenje jete dje në fshatin Kremenatë të Kamenicës.

    Kështu njoftoi Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh, ku ndër të tjera thuhet se viktima është gjetur i shtrirë në rrugë, pa shenja jete.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor i cila ka konstatuar vdekjen e viktimës. Njësitet policore janë duke u marrë me rastin, ndërsa pritet vendim i prokurorit për veprime tjera”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

    Rasti është hapur si vdekje e dyshimtë.

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Dita e sotme në vendin tonë pritet të ketë mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gjakova me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 37 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 41 gradë Celsius. /atvlive.tv//atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Mustafa vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    Mustafa vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    Sot në Hagë vazhdon seanca ku dëshmon Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.

    Ndryshe dje dëshmitari Rrustem Mustafa- Remi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka filluar dëshminë me pyetjet nga avokati Ben Emerson.

    Po ashtu dje Mustafa është pyetur edhe për Kushtetutën e Kaçanikut e miratuar me 7 shtator 1990. Mustafa tha se kjo ajo kushtetutë është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të asaj kohe, raporton RTKlive.

    Po ashtu Mustafën, ka filluar ta marr në pyetje trupi gjykues pasi që palët kanë përfunduar pyetjet dhe kundër-pyetjet e tyre, raporton RTKlive.

    Fillimisht janë bërë pyetje nga gjykatësi Christoph Barthe dhe më pas nga gjykatësi Guenawl Mettraux, ku pyetjet e këtij të fundit pritet të vazhdojnë sot.

  • Aksident trafiku në Rahovec, lëndohen tre persona

    Aksident trafiku në Rahovec, lëndohen tre persona

    Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ndodhi mbrëmë në fshatin Xërxë të Rahovecit.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:00.

    Lidhur me aksidentin Elezaj ka dhënë edhe detaje të tjera.

    “Në aksident ishin të përfshirë dy vetura dhe një traktor. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, lëndime kanë pësuar tre persona. Rastin është duke e trajtuar Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor”, ka thënë Elezaj.

  • Grenell: Dëshmia e Escobarit nuk ka fakte nga terreni, na duhet llogaridhënie

    Grenell: Dëshmia e Escobarit nuk ka fakte nga terreni, na duhet llogaridhënie

    Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka vlerësuar se dëshmia e diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, i cili iu dorëzua Kongresit Amerikan lidhur me zhvillimet në rajonin për të cilin është ngarkuar me detyrë, nuk kishte fakte nga ngjarjet aktuale në terren.

    Escobar, do të japë dëshmi të martën para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, transmeton Paparaci.

    Fokus kryesor do të jenë marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë dhe nevoja e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Megjithëkëtë, duke përmendur dy kongresmenët Michael McCaul dhe Thomas Kean, Grenell tha se të njëjtit “u manovruan” nga Departamenti amerikan i Shtetit.

    “Kjo dëshmi për Kosovën/Serbinë nuk ka fakte nga ngjarjet aktuale në terren dhe nuk ofron zgjidhje reale. Ne kemi nevojë për llogaridhënie dhe nuk është kjo”, ka shkruar Grenell në Twitter.