ATV

Category: Lajme

  • ​Hadar: Kemi rritur nivelin e ekipit, luajmë ndaj Zvicrës për fitoren e parë

    ​Hadar: Kemi rritur nivelin e ekipit, luajmë ndaj Zvicrës për fitoren e parë

    Në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian të basketbollit, Kosova të mërkurën do të ballafaqohet me Zvicrën, ndeshje që zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

    Para kësaj sfide, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Rami Hadar theksoi se gjatë këtyre dy javëve të stërvitjeve ka parë progres të madh tek lojtarët, derisa shtoi se e ka studiuar Zvicrën dhe se do të hyjnë në fushë për fitore.

    “Në këto dy javë kam parë progres të madh te ekipi, por ka ende hapësirë për përmirësim. Ne jemi gati për këtë ballafaqim. Zvicra është rival i vështirë, e kemi studiuar atë, por ne jemi gati po ashtu dhe unë jam optimistë për rezultat pozitivë”, tha Hadar.

    Nga ana tjetër, kapiteni i kombëtares, Dardan Berisha, duke vlerësuar lartë punën e trajnerit izraelit dhe përkushtimin e tij, deklaroi se të mërkurën Kosova zbret në parket për të dhënë maksimumin. Sipas tij, skuadra e tanishme është dukshëm më cilësore se sa viteve të kaluara, andaj edhe pritjet janë të mëdha.

    “Kosova ka pasur trajner të mirë vazhdimisht, por më duhet të pranoj që Hadar ka sjellë seriozitet të madh në stërvitje. Me idetë e tij ne do të dalim në fushë për të treguar lojën tonë përballë Zvicrës. Ajo që ka rëndësi është përkushtimi që duhet ta kemi. Unë pres që ta kemi mbështetjen e tifozëve sepse janë pjesë shumë e rëndësishme e jona”, tha Berisha.

    Kosova-Zvicra përballen në kuadër të rrethit të tretë parakualifikues për Eurobasket 2025. Në këtë grup është edhe Danimarka, ndërsa vendi i parë kualifikohet në rrethin e ardhshëm.

  • Remi: Shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, qëndruan jashtë vendit në pjesën më të madhe të luftës

    Remi: Shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, qëndruan jashtë vendit në pjesën më të madhe të luftës

    Dëshmitari Rrustem Mustafa- Remi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të hënën tha se shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kanë qëndruar jashtë vendit në pjesën më të madhe të luftës.

    Të gjithë qëndronin jashtë vendi, me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujes dhe komandantët e zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit”, tha Remi.

    Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmerson, i cili e pyeti se a është në dijeni se disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, përveç Azem Sylës, qëndronin jashtë vendit për pjesën më të madhe të konfliktit nga nëntori ‘98 deri në mars ‘99, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Përgjigjen e lartpërmendur, Mustafa e kishte dhënë në sesion privat gjatë disa pyetjeve të avokatit Emmeson, por më pas në seancë publike u lexua dhe u konfirmua nga dëshmitari.

    Paraprakisht, dëshmitari Mustafa ka thënë se para kohës së Ramubujesë nuk e kishte ditur se Azem Syla ka qenë komandat i përgjithshëm i UÇK-së, duke vazhduar të thotë se tani e di se kështu ka qenë, por se personalisht kishte menduar se ai merret me logjistikë, pasi që bazën e ka pasur në Tiranë.

    Tutje, pohoi se si komandant i zonës operative të Llapit nuk e kishte ditur se kush e ka marrë rolin e komandantit nga Shtabi i Përgjithshëm.

    Andaj, tha se duke qenë se Bislim Zyrapi ka qenë në rolin e shefit të Shtabit të UÇK-së dhe se ka qenë person me përvojë ushtarake, ka qenë i mendimit se Zyrapi mund të kishte qenë komandant.

    Mustafa u përgjigj me “po” në disa çështje që Emmerson e pyeti se pas marrëveshjes së Rambujesë ishte formuar Qeveria e përkohshme e Kosovës, se Azem Syla ishte bërë ministër i Mbrojtjes dhe se Bislim Zyrapi ishte bërë shef i kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Në vazhdim, mbrojtja e Rexhep Selimit, ndonëse kishin planifikuar 5 orë pyetje për ish-komandant Remin, në këtë seancë kanë informuar gjykatën dhe të tjerët se nuk kanë pyetje për të bërë.

  • Protestohet në Prishtinë për presionin që Serbia po i bënë Luginës

    Protestohet në Prishtinë për presionin që Serbia po i bënë Luginës

    Partia e Ballit Kombëtar Demokrat Shqiptar (BKD) ka protestuar te hënën në Prishtinë kundër presionit që Serbia po i bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Protesta ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te sheshi “Skënderbeu”, përderisa pjesëmarrësve u printe kryetari i BKD-së Nikoll Perkaj.

    Perkaj, tha se arsye e kësaj proteste është siç tha dhuna nga Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës.

    “Pikërisht një metodë e spastrimit etnik të Luginës së Preshevës na ka nxjerrë neve këtu në sheshin e ‘Skënderbeut’ për t’u dalë zot vëllezërve tanë dhe për të kundërshtuar këtë spastrim etnik që po e bën Serbia”.

    “Duket se nuk po ka guxim t’i përdorë metodat e vjetra që duke vrarë e duke përndjekë, duke mos i kursyer as gratë e fëmijët e që këtë metodë e përdori edhe në luftën e fundit në Kosovë”, u shpreh ai.

  • ​Federata e punëtorëve ka një apel për kompanitë ndërtimore dhe ato rrugore

    ​Federata e punëtorëve ka një apel për kompanitë ndërtimore dhe ato rrugore

    Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, duke u nisur nga temperaturat e larta që po dominojnë ne vendin tonë tash e disa ditë, e të cilat do të vazhdojnë si duket edhe për një kohë, u ka bërë apel pronarëve të kompanive private që të kenë kujdes me shëndetin e punëtorëve, pasi që dihet se punimi në objekte të larta me temperatura ekstreme të mëdha, rrezikojnë drejtpërsëdrejti punëtorët që punojnë në hapësirat e jashtme.

    Kjo federatë ka lutur kompanitë që ta ndryshojnë orarin e punës dhe t’i përshtaten temperaturave më të ulëta, sidomos para dhe pas ditës.

    “Çdo pakujdesi e juaja kushton me jetë”, thuhet në apelin e kësaj federate.

  • Hoti: Dy zhvillime shqetësuese po ndodhin në prokurim publik gjatë qeverisjes “Krejt dhe Drejt”

    Hoti: Dy zhvillime shqetësuese po ndodhin në prokurim publik gjatë qeverisjes “Krejt dhe Drejt”

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngritur disa shqetësime të tij në lidhje me prokurimin publik gjatë qeverisë Kurti II. Ai ka thënë se gjatë vitit 2022 janë nënshkruar kontrata njëburimore në vlerë prej 78.6 milionë euro, 26.6 milionë euro më shumë se në vitin paraprak.

    “Gjatë vitit 2022, janë nënshkruar kontrata një burimore në vlerë 78.6 mil euro, një rritje prej 26.6 mil euro krahasuar me vitin paraprak, apo 51% më shumë. KEK-u është prijës në këtë drejtim: nga 44 mil euro vlerë të kontratave të nënshkruara nga KEK-u gjatë vitit 2022, 38% apo 16.8 mil i ka bërë me kontrata njëburimore”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka shtuar se në vitin 202, “mesatarisht kanë konkurruar 4.0 operatorë ekonomikë për çdo tender, ndërkaq në vitin 2022 ka konkurruar 4.08”.

    Hoti vlerëson se këto zhvillime janë të dëmshme në dy aspekte.

    “- Kur lidhen më shumë kontrata njëburimore, atëherë buxhetit të shtetit i kushtojnë më shtrenjtë punët apo shërbimet që i prokuron dhe konkurrenca është e padrejtë.

    – Kur ka më pak konkurrues për çdo tender të hapur, atëherë kjo nënkupton se kompanitë private nuk besojnë se kontratat jepen sipas kritereve ligjore, sipas çmimit më të ulët dhe cilësisë më të lartë. Duket qartë se kompanitë besojnë se janë lidhjet dhe favorizimet që përcaktojnë se kujt i jepet tenderi”, ka shkruar deputeti i LDK-së.

  • ​Ministri i Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë

    ​Ministri i Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë, përmes llogarisë aktive brenda apo jashtë Kosovës. Sipas tij, në këtë mënyrë do të forcohej ushtria e Kosovës.

    Mehaj ka shkruar se ushtria e vendit po konsolidohet në vazhdimësi përmes investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake.

    “Ushtria jonë përmes investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake po konsolidohet në vazhdimësi. Që të jetë edhe më e fortë për të garantuar një Kosovë më të sigurt, të gjithë ju qytetarë të dashur mund të kontribuoni duke dhuruar në Fondin e Sigurisë në llogarinë aktive brenda apo jashtë vendit”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

    Ai gjithashtu ka publikuar mënyrën alternative për të kontribuuar, duke shfaqur fotografinë e faqes që i dedikohet Fondit të Sigurisë në eKosova.

    Të dielën, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

    “Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë.”, ka thënë Kurti.

    Ai ka shtuar se Kosova tash është edhe më e sigurt, “përveçse gjithnjë krenare”./KP

  • Kerry viziton Kinën për bisedime rreth klimës

    Kerry viziton Kinën për bisedime rreth klimës

    Të hënën, i dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry, u angazhua në diskutime me homologun e tij kinez në Pekin, duke synuar rivendosjen e kanaleve të komunikimit që u ndërprenë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, Tajvanin, të drejtat e njeriut dhe pretendimet territoriale të Kinës.

    Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Kinës, Xinhua, Kerry u takua me Xie Zhenhua, duke shënuar dialogun e parë gjithëpërfshirës ballë për ballë për klimën midis përfaqësuesve të dy kontribuuesve kryesorë të ndotjes në botë, pas një pauze prej gati një viti.

    Kina është prodhuesi dhe konsumatori më i madh i qymyrit në nivel global, dhe pavarësisht kësaj, vendi ka vazhduar të ndërtojë impiante të reja qymyri, por gjithashtu ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

    Para vizitës së tij, Kerry u përball me pyetje nga republikanët e Kongresit, disa prej të cilëve madje sfiduan faktin e mirë-vendosur shkencor të ndryshimeve klimatike. Megjithatë, pavarësisht kritikave të herëpashershme, si republikanët ashtu edhe demokratët në përgjithësi pranojnë konsensusin shkencor për ngrohjen globale.

    Fokusi i kritikave nga anëtarët e komitetit të Republikanëve ishte kryesisht për shkak të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në negociatat për klimën me Kinën.

    Kina është zotuar për të stabilizuar emetimet e saj të dioksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i kërkojnë Kinës të miratojë objektiva më ambicioze për reduktimin e emetimeve.

    Gjatë vizitës së tij, John Kerry pritet të avokojë për një ulje të varësisë së Kinës nga qymyri dhe vendosjen e objektivave për reduktimin e emetimeve të metanit, i cili, krahas dioksidit të karbonit, kontribuon në ngrohjen globale.

    Kina, si SHBA dhe Evropa, ka përjetuar periudha të zgjatura të nxehtësisë ekstreme, duke çuar në kërcënime për të korrat dhe ka përdorur strehimoret nga epoka e Luftës së Ftohtë për të mbrojtur banorët nga nxehtësia.

    Ligjvënësit amerikanë kanë kritikuar Kinën se nuk ka bërë shkurtime më të rëndësishme në emetimet e karburanteve fosile që dëmtojnë klimën. Kina ka argumentuar se ajo është ende një ekonomi në zhvillim dhe nuk duhet të mbahet në të njëjtat standarde klimatike si ekonomitë e zhvilluara perëndimore.

    Kerry theksoi se hendeku i rëndësishëm midis pretendimeve të Kinës dhe madhësisë së ekonomisë së saj, e cila qëndron si e dyta më e madhe në botë, nuk duhet të pengojë përpjekjet globale për të reduktuar emetimet.

    Megjithatë, ai pranoi se është e pamundur që gjatë kësaj vizite ta bindë Kinë për t’iu përmbajtur të njëjtave kërkesa për reduktimin e emetimeve si ekonomitë e tjera të mëdha.

    Vizita e Kerryt pason udhëtimet e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe sekretares së Thesarit Janet Yellen, duke e bërë atë zyrtarin e tretë të lartë nga administrata Biden që përfshihet në diskutime me homologët kinezë.

    Kina kishte pezulluar më parë disa kontakte të nivelit të mesëm dhe të lartë me administratën Biden, duke përfshirë ato që lidhen me çështjet klimatike, si shenjë e pakënaqësisë së tyre me vizitën e bërë nga ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan në gusht.

    Kina pretendon Tajvanin si territorin e saj dhe ka kryer stërvitje ushtarake pranë ishullit për të demonstruar gatishmërinë e saj për të zbatuar një bllokadë ose për të nisur një pushtim.

    Probleme tjera i kanë lëkundur raportet mes dy vendeve, përfshirë balonën spiune kineze që pluskoi mbi qiellin e Shteteve të Bashkuara.

    Diplomati më i lartë i Kinës për klimën, Xie, kishte probleme shëndetësore, gjë që ndikoi gjithashtu në ndërprerjen e diskutimeve për klimën midis SHBA-së dhe Kinës.

    Synimi i administratës Biden me Pekinin tani është të arrijë “stabilitet, nëse mundemi”, u tha Kerry ligjvënësve përpara vizitës së tij.

    “Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të gjejmë mënyra se si mund të bashkëpunojmë për të adresuar realisht krizën e klimës”, tha Kerry.

    Në një koment të publikuar nga Xinhua, ndërveprimet e fundit zyrtare midis SHBA-së dhe Kinës u panë si një shenjë pozitive për të parandaluar keqkuptimet e mëtejshme dhe për të rikthyer marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur.

    Megjithatë, Pekini po kërkon më shumë lëshime në frontin politik, për të cilat SHBA-të kanë thënë se nuk do ta bëjnë.

    “Për Kinë-SHBA. bashkëpunimi për të qenë i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm, lidhjet dypalëshe duhet të trajtohen si një e tërë”, thuhej në deklaratën e publikuar në Xinhua./rel/

  • Këshilltari i Bislimit: Zv/kryeministri s’ka planifikuar të shkojë në Tiranë, janë spekulime

    Këshilltari i Bislimit: Zv/kryeministri s’ka planifikuar të shkojë në Tiranë, janë spekulime

    Klinsman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se numri dy i qeverisë nuk ka pasur plane të shkojë në Tiranë të hënën.

    Rrjedhimisht, ka thënë ai, lajmi i publikuar sot nga mediumi Abc News në Shqipëri për refuzimin e pranisë së zëvendëskryeministrit Bislimi në samitin joformal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë është i “pavërtetë”.

    “Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar”, ka thënë Kadiu.

    Sipas tij, meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga Bislimi për pjesëmarrje në samitin në Tiranë, atëherë edhe lajmi për refuzimin e pranisë së tij nuk qëndron.

    “Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij”, ka deklaruar ai. “Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”.

  • Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet për sulm seksual

    Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet për sulm seksual

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gjakovë, i cili dyshohet për sulm seksual.

    Rasti është raportuar të dielën ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Sipas njoftimit të Policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime

    Më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime

    Këtë vit çmimet janë ngritur edhe në sektorin e turizmit, çka ka bërë që shumë qytetarë të mendojnë që mos të shkojnë në bregdet fare. Sipas raportit të fundit të ASK-së, rreth 60 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime.

    Në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës“, thuhet se për mbi 40% prej tyre shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare.

    “57.3 për qind e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi larg shtëpisë. Për 40.7 për qind të ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare. Në shpenzimet për strehim janë përfshirë: pagesa e kredisë hipotekare, qiraja, sigurimet dhe pagesat për shërbime, shpenzimet për mbledhjen e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, mirëmbajtja e rregullt, riparimi dhe shpenzime tjera”.

    Ndërsa mbi 40 për qind e ekonomive familjare thuhet se mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro dhe të paguajnë prej burimeve vetanake, por 57 për qind e tyre nuk mund të përballojnë këtë shpenzim.