ATV

Category: Lajme

  • Konjufca udhëton sot në Francë për vizitë zyrtare, kjo është agjenda e tij

    Konjufca udhëton sot në Francë për vizitë zyrtare, kjo është agjenda e tij

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca do të udhëtojë sot për në Francë për vizitë zyrtare, bashkë me kabinetin e tij.

    Lajmin e ka bërë të ditur Shefi i Kabintetit, Ilir Kërçeli, ku ka njoftuar se Konjufca do të takohet me Kryetaren e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet dhe zyrtarë të tjerë të shtetit francez.

    Postimi i plotë i tij:

    Kryetari Konjufca bashkë me kabinetin e tij, sot udhëton në Francë për vizitë zyrtare.

    Takim me znj. Yaël Braun-Pivet Kryetare e Asamblesë Kombëtare

    1.Znj Valérie RABAULT, Nënkryetare e Asamblesë Kombëtare

    2.Z. Jean-Louis BOURLANGES, Kryetar i Komisionit për punë të jashtme

    3.Z. Frédéric PETIT, Député des Français établis hors de France

    4.Z. Jean-Philippe ARDOUIN, Kryetar i Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë

    Takim me z. Gerard Larcher, Kryetari i Senatit Francez.

    1.Z. Roger Karoutchi, ish ministër, Nënkryetari i parë

    2.Z. Christian Cambon, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe forca të armatosura

    3.Znj Marta de Cidrac, Kryetare e Grupit të Miqësisë Francë – Ballkani Perëndimor

    4.Znj. Laure Darcos, Kryetare e Grupit të Miqësisë për Kosovën

  • Bislimi dhe Petkoviq takohen të mërkurën në Bruksel

    Bislimi dhe Petkoviq takohen të mërkurën në Bruksel

    Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe kryenegociator serb, Petar Petkoviq do të takohen nesër (e mërkurë) në Bruksel.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

    Ai ka thënë se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

    “Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, tha Stano në Twitter.

    Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.

  • Serbia e emëron “Putinov” një fshat në Medvegjë

    Serbia e emëron “Putinov” një fshat në Medvegjë

    Serbia i ka ndërruar emrin fshatit Axhinci në Medvegjë, duke e emëruar “Putinovo”, për nder të presidentit rus, Vladimir Putin.

    Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Institutit Hibrid, Agim Musliu, derisa ka thënë se kjo është dëshmi e presionit të shtetit serb ndaj shqiptarëëve, në përpjekje për t’i larguar ata nga Serbia.

    “A e dinit?

    Fshati në #Medvegjë, i quajtur #Putinovo për të nderuar #Putinin, shërben si presion për shqiptarët që të largohen nga #Serbia. Ky fshat në të kaluarën njihej si #Axhinci, duke iu referuar emrit shqiptar #Haxhi (ose #Adjija në versionin #serb)”, ka shkruar Musliu në Twitter.

    Ndryshe, me kërkesën për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dje në Prishtinë ka dje në Prishtinë ka protestuar Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar. Ata kërkuan që të ndërpritet menjëherë pasivizimi i adresave, të anulohen të gjitha vendimet e lëshuara dhe një nga shtetet e bashkësisë evropiane të merr në mbështetje të gjithë banorët shqiptarë.

    “Stop pasivizimi i adresave të shqiptarëve”, ka qenë njëra nga thirrjet e protestuesve të cilët kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

  • ​KRU “Prishtina”: S’ka ujë pa paguar faturat, nesër nis aksioni i shkyçjes

    ​KRU “Prishtina”: S’ka ujë pa paguar faturat, nesër nis aksioni i shkyçjes

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina”, ka njoftuar se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro, 40 milionë nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.

    KRU Prishtina thekson se nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit, ngase kompania ka një kosto të lartë të trajtimit të ujit dhe shpërndarjes përmes tubacioneve primare, sekondare e terciare deri te konsumatorët.

    “Nga dita e nesërme, 19 korrik 2023, duke filluar nga ora 10:00 do të rifillojmë me aksion intensiv me disa ekipe të shkyçjes, me fokus konsumatorët që kanë borxhe tejet të mëdha. Nesër, me asistencë të Policisë së Kosovës, shkyçjet do realizohen në një ndër lagjet më të mëdha të Prishtinës”, thuhet në njoftim.

  • ​Dështon mbledhja e komisionit për ekonomi

    ​Dështon mbledhja e komisionit për ekonomi

    Në mungesë të kourumit ka dështuar mbledhja e komisionit për ekonomi, kur pritej të shqyrtohej raporti vjetor i ndërmarrjes publike Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT për vitin 2022.

    Të pranishëm ishin vetë tre deputetë, dy nga LVV-ja dhe një nga PDK-ja, të tjerë deputetë munguan.

  • ​Veriu dhe raportet Kosovë-Serbi, temat me të cilat keqinformuan më së shumti mediat serbe

    ​Veriu dhe raportet Kosovë-Serbi, temat me të cilat keqinformuan më së shumti mediat serbe

    Tema e veriut të Kosovës dhe raportet Kosovë-Serbi, kanë qenë dy nga temat me të cilat është keqinformuar më së shumti publiku nga mediat në gjuhën serbe. Kështu thotë raporti “Prapa Ekraneve: Raport vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ”. Kjo situatë është monitoruar gjatë gjashtë muajve të këtij viti dhe gjashtë muajve të fundit të vitit paraprak.

    Festim Rizanaj nga Hibrid.info tha se ky raport pasqyron gjendjen e çrregillimit informativ gjatë periudhës janar-qershor 2023, duke bërë analizë krahasimore me gjashtë mujorin e fundit të vitit paraprak (korrik-dhjetor 2022).

    “Qëllimi i këtij raporti është analizimi i çrregullimit informativ në Kosovë dhe mjedisit medial ne vend. Në funksion të analizës dhe shqyrtimit të sfidave të çrregullimit informativ në Kosovë dhe raporti përbëhet prej tre pjesëve kryesore”, tha ai.

    Në prezantimin e këtij raporti, autori Shkëlzen Osmani tha se policia është nga institucionet më të përfolura, ku mediat serbe kanë shkruar për masat e tyre. Po ashtu, theksoi se kryeministri Albin Kurti ka qenë personaliteti më i përfolur.

  • ​Nis rregullimi i rrugëve që zhbllokojnë komplet qytetin e Mitrovicës

    ​Nis rregullimi i rrugëve që zhbllokojnë komplet qytetin e Mitrovicës

    Ka nis punimet për rregullimin e rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit të Mitrovicës, rrugë kjo e cila ka një gjatësi deri 1.7 kilometra dhe do të parandalojnë pluhurin, gropat dhe vërshimet, që për shumë vite kanë ndodhur në këtë vend.

    KosovaPress ka raportuar më herët për gjendjen e rëndë të rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit. Ndërsa, rregullimi i saj kap vlerën prej 1.3 milion euro.

    Banorët e kësaj lagjeje u shprehën jashtëzakonisht të lumtur, derisa vlerësuan angazhimin e komunës në rregullimin e rrugëve në këtë zonë, në të cilën jetojnë mbi 800 familje me rreth 5 mijë banorë.

    Xhelal Lushta, banor i rrugës “Ali Zeneli”, në Mitrovicë, duke folur për KosovaPress, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për fillimin e punimeve.

    Sipas tij, kjo lagje është më e dendura me popullatë në qytetin e Mitrovicës, ndërsa më e lënë pas dore.

    ‘I lumtur e i shashtrisur pasi filloi puna. Tash unë akoma nuk po besoj se ka filluar qysh duhet… Që 12 vjet jemi duke u ankuar për këtë rrugë… Janë 770 familje me mesatare nga pesë anëtarë. Është lagjja më e dendur në Mitrovicë, ndërsa më e lënë pas dore’, ka thënë Lushta.

    Mehmet Haziri, një banor tjetër i kësaj rruge, ka treguar për peripetitë që kanë përjetuar në të kaluarën, por edhe dëmtimin e automjeteve për shkak të gropave të shumta.

    ‘Për rrugën jemi të lumtur se ka nis me u punu…Rruga ka qenë katastrofë, baltë, një shi me ra s’mujshim me dalë…Kemi pasur probleme me automjete, ka pasur gropa, automjetet prekshin, u dëmtojshin’, tha ai.

    Destan Hoti, shpreson që punimet të mos zgjasin shumë dhe të përfundojnë sa më shpejtë.

    “Për që kanë nisur punimet jam shumë i lumtur, ndoshta kryhet sa më shpejtë, por zakonisht te ne zgjatë shumë”, tha ai.

    Ndërkaq, edhe Selman Peci, banor i rrugës “Lah Nimani”, nuk e fsheh gëzimin për fillimin e punimeve, duke thënë se përkundër vonesës, ‘më mirë vonë se kurrë’.

    ‘Gjendja ka qenë katastrofë deri në këtë moment. Jemi gëzuar që kanë filluar punimet, më mirë vonë se kurrë hiç. Jemi të kënaqur edhe pse po kemi probleme për parking, por më mirë që kanë filluar tash, sesa me prit edhe 5-6 vjet ose deri në zgjedhjet tjera’, theksoi Peci.

    Në anën tjetër, Edison Tërnava, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se ky projekt që ka gjatësinë prej 1.7 kilometra, kap vlerën prej 1.3 milion euro dhe do të përfundojë deri vitin e ardhshëm.

    Sipas tij, këto punime do të ndikojnë jashtëzakonisht në zhbllokimin e qytetit, duke mundësuar që qytetarët, sidomos të Zhabarit, pastaj Iliridës dhe lagjeve tjera, të kenë qasje më të lehtë në qendër, përmes këtyre rrugëve.

    ‘Jemi në procedurë të përgatitjes së terrenit për punimin e kanalizimeve dhe kanaleve për rrjetin nëntokësor… Kemi me arritë me përfundu deri në vitin tjetër që kjo rrugë me qenë e kalueshme… Si projekt kap shifrën rreth 1.3 milion, dhe parashihet të vazhdojë deri te Universiteti “Isa Boletini”… Shkon deri në 1.7 kilometra, rrugë me katër korsi do të thotë që lidhë dhe zhbllokon komplet qytetin… Ka me qenë një lehtësim shumë i madh për qytetin e Mitrovicës, sidomos për zonën e Iliridës, Zhabarit, të cilët… kanë me pas më lehtë me u kyç në qendër të qytetit përmes rrugës ‘Ali Zeneli’, theksoi drejtori Tërnava.

  • ​Osmani takon sot veteranët

    ​Osmani takon sot veteranët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i takojë sot përfaqësuesit e OVL UÇK-së.

    Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, këshilltari për media, Bekim Kupina.

    KosovaPress mëson nga burime të veta se ky takim pritet të ndodhë sot pasdite.

    Kujtojmë se dje, kryetari i OVL-së Faton Klinaku ka bërë të ditur se i kanë kërkuar takim presidentes Osmani takim lidhur me Ligjin për pagën minimale.

    Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë për shkak të lënies jashtë të kësaj kategorie në këtë ligj.

    “Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot i kanë dërguar kërkesë për takim zyrtar Presidentes së Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani Sadriu, lidhur me çështjen e miratimit nga Kuvendi i Kosovës, të ligjit për pagën minimale, me anë të të cilit janë përjashtuar veteranët e luftës së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e tij.

    Ndërkaq, të shtunën që lamë pas, në Prishtinë u mbajt një protestë në mbështetje të kësaj kërkese për veteranët.

    Nga pjesëmarrësit u deklarua se do të ketë edhe protesta të tjera në rast e ky ligj dekretohet pa marrë parasysh kërkesat e tyre.

  • Ukraina sulmohet me dronë rusë, dëmtohet infrastruktura e Odesës

    Ukraina sulmohet me dronë rusë, dëmtohet infrastruktura e Odesës

    Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në mëngjesin e 18 korrikut në Ukrainën jugore, duke dëmtuar infrastrukturën në portin e Detit të Zi të Odesës, raportuan zyrtarët rajonalë dhe ushtria, pasi Moska tha se zmbrapsi një sulm ukrainas me dronë në rajonin e aneksuar ilegalisht të Krimesë.

    Serhiy Bratchuk, një zëdhënës i administratës ushtarake të rajonit të Odesës, tha më 18 korrik se mbrojtja ajrore e Ukrainës zmbrapsi një sulm ajror rus në këtë qytet.

    Ukraina tha më vonë në një deklaratë se “mbetjet nga raketat e shkatërruara dhe vala e shpërthimit nga rrëzimi dëmtuan objektet e infrastrukturës së portit”.

    Sulmet në Odesa, qytet vendimtar për eksportet e grurit të Ukrainës, erdhi një ditë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lejuar eksportin e sigrut të drithërave, duke refuzuar ta zgjasë marrëveshjen pasi ajo skadoi më 17 korrik.

    Rusia gjatë natës gjithashtu nisi një sulm në rajonin e Mikolaiv, duke përdorur dronë të prodhuar nga Irani që shkaktuan një zjarr, tha në Telegram guvernatori rajonal Vitaliy Kim.

    “Po shuajmë zjarrin. Nuk ka viktima”, ka shkruar Kim.

    Kryetari i qytetit të Mikolaiv, Oleksandr Sienkovych, tha se zjarri shpërtheu në një nga objektet e qytetit dhe se ishte “mjaft serioz”.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe kryetari i Krimesë i vendosur nga Moska, Sergei Aksyonov, thanë më 18 korrik se forcat ruse kishin zmbrapsur një sulm nga 28 dronë ukrainas në pjesën lindore të rajonit.

    Ministria tha në një deklaratë se 17 dronë u shkatërruan dhe se 11 u çaktivizuan me mjete elektronike. Si ministria ashtu edhe Aksyonov thanë se sulmi nuk shkaktoi viktima apo dëme.

    Raporti, i cili nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, erdhi një ditë pas një sulmi në urën që lidh Krimenë me Rusinë që vrau dy persona dhe shkaktoi dëme të mëdha dhe një ndërprerje në trafik. Rusia ka fajësuar Ukrainën për sulmin.

    Kievi nuk mori përgjegjësinë, por mediat ukrainase raportuan se shërbimet e sigurisë kishin lëshuar dronë detarë.

    Më 18 korrik, zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin tha në Telegram se trafiku rrugor ishte rihapur pjesërisht në urën e Krimesë.

    Ai tha se dëmet e shkaktuara në urë do të riparohen plotësisht deri më 1 nëntor, teksa presidenti rus Vladimir Putin u zotua për një “përgjigje” ndaj sulmit.

    Khusnullin tha se një pjesë e rrugës në urë u shkatërrua dhe do të duhet të rindërtohet, por se nuk ka dëmtime në shtyllat kryesore të urës.

    Putin, i cili urdhëroi ndërtimin e urës pasi Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, e quajti sulmin një akt “terrorist”.

  • Zelensky kërkon vazhdimin e marrëveshjes së grurit pa pjesëmarrjen ruse

    Zelensky kërkon vazhdimin e marrëveshjes së grurit pa pjesëmarrjen ruse

    Ukraina i ka propozuar Turqisë dhe OKB-së që korridori i drithit të vazhdojë të funksionojë pa Rusinë, e cila u tërhoq nga marrëveshja të hënën.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se Ukraina marrëveshja për eksportin e grurit me Turqinë dhe OKB-në, mbetet në fuqi, shkruan BBC.

    “Nisma e grurit të Detit të Zi mund dhe duhet të vazhdojë të funksionojë, nëse duhet pa Rusinë, atëherë pa Rusinë. Marrëveshja për eksportin e grurit me Turqinë dhe OKB-në, mbetet në fuqi. E vetmja gjë që duhet tani është zbatimi i kujdesshëm i tij dhe presioni vendimtar i botës ndaj shtetit terrorist”, tha Zelensky.

    Sipas tij, OKB dhe Turqia mund të sigurojnë funksionimin e korridorit ushqimor.

    “Ukraina, OKB dhe Turqia së bashku mund të sigurojnë funksionimin e korridorit ushqimor dhe inspektimin e anijeve. Kjo është e nevojshme për të gjithë në botë”, tha presidenti ukrainas.

    Marrëveshja që lejon Ukrainën të eksportojë grurë përmes Detit të Zi ka përfunduar zyrtarisht të hënën (dje), pasi Rusia u tërhoq nga kjo marrëveshje. Vendimi është dënuar nga liderët botërorë, të cilët thonë se do të prekë zonat me njerëzit më të varfër të planetit.