ATV

Category: Lajme

  • Engel kritikon ShBA-në: Stop bullizimit të Kosovës, qasja e butë me Serbinë s’po funksionon

    Engel kritikon ShBA-në: Stop bullizimit të Kosovës, qasja e butë me Serbinë s’po funksionon

    Eliot Engel është një nga figurat më të njohura amerikanë në Kosovë, për shkak të angazhimit disa dekadash për Kosovën në Uashington.

    Ish-kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ka shkruar një artikull të gjatë në lidhje me Kosovën, Serbinë dhe marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së, ku ka kritikuar ashpër Administratën Biden.

    Në artikullin e titulluar “ShBA-ja duhet të qëndrojë me Kosovën”, Engell, politikan demokrat, shkruan që në hyrje se dëshira e ShBA-së për stabilitet në Ballkan e ka tejkaluar mbështetjen e saj për demokracinë, rendin dhe ligjin dhe luftën kundër korrupsionit. Në shkrimin e tij, z. Engell thekson se ka shqetësime për trajtimin që Administrata Biden ka ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    “Por, megjithëse në përgjithësi mbështes atë që po bën administrata e Presidentit Joe Biden brenda dhe jashtë vendit, kam shqetësime për trajtimin e mosmarrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Departamenti i Shtetit.” – shkruan ai për revistën e njohur amerikane, Foreign Policy.

    Në fakt, Engel e kritikon Departamentin e Shtetit, duke shkruar se kohët e fundit ky dikaster i rëndësishëm është “dukur më pak i gatshëm për të mbështetur ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin e saj”.

    “Kur Kosova u përpoq që të gjithë qytetarët e saj, përfshirë serbët etnikë në veri, të përdorin targat e saj dhe jo ato të Serbisë, Departamenti i Shtetit kritikoi ashpër Kosovën. Kur Kosova kërkoi të kishte kryetarë komunash të zgjedhur siç duhet, të cilët ishin shqiptarë etnikë për shkak se serbët etnikë bojkotuan votimin, e që të fillonin punën në zyrat e tyre në veri të Kosovës – një funksion themelor dhe normal i një qeverie demokratike – Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken “dënoi ashpër” republikën e re dhe dënoi vendin.” – shkruan Engel.

    Tutje, Engel i ka shtruar disa pyetje retorike, të cilës në fund edhe i është përgjigjur vetë.

    “A e dënoi Uashingtoni presidentin serb Aleksandar Vuçiq për presionin ndaj serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet? Jo. A e dënoi grupin e vogël të serbëve që sulmuan Forcën e NATO-s në Kosovë, duke plagosur 30 paqeruajtës? Mezi — e dënoi dhunën, por nuk i përmendi sulmuesit. A e dënoi Serbinë për nxitjen e qytetarëve serbë etnikë të veriut të Kosovës që të refuzojë në mënyrë agresive përdorimin e targave të vendit ku ata jetojnë? Jo. A i ka dënuar ajo veprimet e Serbisë kundër shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore, të cilat, sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, përbëjnë “spastrim etnik përmes mjeteve administrative”? Përsëri, mezi, nëse fare.” – shkruan ai.

    Sipas Engel, që tash është jashtë politikës, ShBA-ja përveç se e ka lëmuar një bullizues gjysmë autokratik si Aleksandar Vuçiq, është bërë edhe vetë një bullizuese.

    “Me ngurrim kam arritur në përfundimin se në mosmarrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni ka lëmuar një bullizues gjysmë autokratik – Vuçiqin – dhe është bërë vetë një lloj bullizuesi, duke abuzuar dhe duke e frikësuar vendin më të vogël, më të cenueshëm, Kosovën. Është sjellje që është nën Shtetet e Bashkuara dhe është koha për të rivendosur qasjen.” – shkruan ai.

    Engel edhe ka dhënë përgjigjen e tij se pse po ngjan një gjë e tillë në raportet mes Kosovës, Serbisë dhe ShBA-së.

    “Unë besoj se në dritën e luftës në Ukrainë, dëshira e Uashingtonit për stabilitet në Ballkan ka tejkaluar mbështetjen e tij për demokracinë, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin. Presidenti amerikan meriton një meritë të madhe për mënyrën se si administrata e tij po udhëheq Perëndimin në mbështetje të Ukrainës. Por dëshira e tij e zjarrtë për të ruajtur stabilitetin në Evropë ka shtrembëruar pikëpamjen e administratës së tij për konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës. Uashingtoni tani po e qetëson Vuçiqin në një përpjekje për të ulur tendencat e tij ndezëse.” – shkruan ai.

    Ai e ka kritikuar administratën e Bidenit se po e bllokon Prishtinën nga frika se Beogradi mund të ndezë flakët nacionaliste.

    “Por tani, administrata e Bidenit duhet të mbështesë Kosovën teksa ajo forcon demokracinë e saj dhe konsolidon sovranitetin. Në vend të kësaj, ajo po e bllokon Prishtinën nga frika se Beogradi gjysmë-autokratik mund të ndezë flakët nacionaliste dhe t’i vërë flakën fuçisë së barutit që ka kultivuar në veri të Kosovës.” – shkruan ai.

    Ai ka theksuar se duhet ndryshuar kursi i ShBA-së, pasi qasja e butë ndaj Serbisë nuk po funskionon.

    “Në ndërkohë, qasja e butë ndaj Serbisë nuk po funksionon dhe është koha për të ndryshuar kursin. Administrata Biden ndërmori hapin e parë në këtë drejtim javën e kaluar, kur Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj shefit të spiunazhit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për shkak të “korrupsionit të avancuar … duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës” dhe duke përdorur “pozitat e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”. Por këto aktivitete kanë vazhduar në të gjithë qeverinë serbe për vite me radhë, dhe është koha për të bërë një shkëputje të vërtetë me të kaluarën.” – shkruan ai.

    Në fund, ai i ka kërkuar që ShBA-ja të ndalojë “bullizimin” e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtypin e lirë, si dhe të kundërshtojnë korrupsionin. Ato veçori janë në rënie në Serbi, por janë në rritje në Kosovë. I bëj thirrje administratës së Bidenit që t’i kthehet bazamentit: Rifokusimi në vlerat e ShBA-së dhe ndalimi i bullizimit të Kosovës. Dhe ajo duhet të ribalancojë politikën e saj në Ballkan për të mbështetur ata që i përqafojnë ato prioritete dhe të jenë të zëshëm kundër atyre që nuk i përqafojnë.” – përfundon Engel në shkrimin e tij.

  • Kongresmeni pyet pse nuk është sanksionuar Serbia, Escobar i përgjigjet me rastin e Vulinit

    Kongresmeni pyet pse nuk është sanksionuar Serbia, Escobar i përgjigjet me rastin e Vulinit

    “Pse nuk është sanksionuar Serbia”, ishte pyetje e kongresistit Keith Self, drejtuar Gabriel Escobarit, emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.

    Escobar ka raportuar para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Ai ka folur edhe për Kosovën dhe situatën e tensionuar që mbizotëroi në veriun e vendit gjatë muajve të fundit.

    E shkak i tensionimit ishte kundërshtimi i serbëve lokalë dhe Beogradit për kryetarët shqiptarë që fituan zgjedhjet e prillit në Veri – të cilat Lista Serbe i kishte bojktotuar me një koordinim të dukshëm me Beogradin zyrtar.

    Për këtë Self pyeti se pse nuk ka sanksione për Serbinë duke e lidhur edhe bojkotin e zgjedhjeve.

    “Dëgjoj një lloj jonkonsistence. Ju keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment, kështu thatë. Por, që tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim që Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës, nuk ka kurrfarë dyshimi në këtë. Në diçka nuk jam fort i sigurt, më duket se Serbia i ka vonuar pak zgjedhjet e veta për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Kjo nuk është Ukraina, por është në kufi të NATO-s. Serbia dhe Rusia janë të rrethuara nga shtetet e NATO-s dhe kjo mund të jetë më shumë rrezik në kuptimin e përhapjes së dhunës. Nuk jam fort i qartë pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë sot sepse kanë importuar armatim të rëndë nga Rusia që nga viti 2017, që është dashur të çonte drejt sanksioneve në kuptimin e luftimeve të kundërshtarëve të Amerikës me anë të sanksioneve në vitin 2017. Po ju pyes juve pse jo?” ka pyetur ai, të martën.

    Përgjigja Escobarit ishte sanksionimi i Aleksandër Vulnit, shefit të shërbimit sekret serb.

    “Nuk është zyra ime që merret me sanksionet. Sanksionet nuk kanë të bëjnë vetëm me blerjen e armatimit rus, po të ishte kështu do të kishim probleme edhe me Turqinë dhe të tjerët. Është niveli i blerjeve dhe kapaciteteve teknologjike të këtyre blerjeve. Për këtë kemi vazhduar komunikimin me Serbinë”, ka thënë ai.

    Escobar në raportim ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se i hap rrugës Kosovës për një perspektivë të re ku SHBA-ja do të angazhohej për njohje ndërkombëtare.

  • PDK: Qeveria s’ka më kredibilitet, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

    PDK: Qeveria s’ka më kredibilitet, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur sot një takim të përbashkët në mes të Kryesisë së Partisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së.

    Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, respektivisht krizën politike e cila erdhi si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të fshehta të Qeverisë së Kosovës.

    Prishja e raporteve më miqtë ndërkombëtarë, vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës, bashkëpunimi me kriminelin Millan Radojçiq dhe Listën Serbe, takimet dhe vendimet e fshehta në dëm të interesit nacional – janë disa prej shkaktarëve të cilat kanë bërë që kjo Qeveri ta humbas tërësisht kredibilitetin e saj.

    Gjatë këtij takimi, Kryetari Krasniqi, Kryesia e Partisë, deputetët e Grupit Parlamentar, dënuan edhe një herë provokimin dhe dhunën e Qeverisë ndaj deputetëve të PDK-së, të shkaktuar në seancën e Kuvendit, të enjten më 13 korrik.

    Sipas Krasniqit, i gjithë ky orkestrim i Qeverisë ndodhi për të tërhequr vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

    Me këtë rast, Kryetari Krasniqi, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetët e Grupit Parlamentar, njëzëri kërkuan zbardhjen e të vërtetës e cila fshihet prapa përgjimeve të cilat dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të Qeverisë Kurti me Radojçiqin dhe Listën Serbe.

    PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht.

    PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të tregoj se çfarë po ndodhë edhe me situatën në pjesën veriore të Kosovës. Psë lëshoi pe Qeveria dhe pranoi të tërhiqet nga pjesa veriore, pas disa muajve të tensionit dhe detyrimit të aleatëve tanë që t’i vënë sanksione Kosovës? Pse u liruan kriminelët serbë të arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it?

    Për të gjitha këto veprime dhe takimet e fshehura dhe të paparalajmëruara të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me ata të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian – PDK kërkon transaprencë dhe llogaridhënie të plotë.

    Gjithsesi, duke parë se kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin – PDK konsideron se zgjidhja e vetme për ta larguar Kosovën nga kjo rrugë e shkatërrimit të çdo gjëje që është arritur në vitet e lirisë e të shtetësisë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë.

    Formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në binarët e rrugës euro-atlantike është jetike për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë. Vetëm duke rivendosur e forcuar aleancat ndërkombëtare e forcojmë edhe shtetin tonë.

    Në fund të këtij takimi, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e Grupit Parlamentar për vizitën zyrtare që kishte në Paris dhe Bruksel, ku takoi shumë miq dhe aleatë të vendit tonë.

    Në të gjitha këto takime, Kryetari Krasniqi ka potencuar se veprimet e Qeverisë nuk janë vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e tyre. Në këtë kontekst, Kryetari Krasniqi ka kërkuar që Kosova dhe qytetarët tanë, si vendi dhe populli më proevropian në rajon, të mos ndëshkohen me sanksione për shkak të kësaj kryeneqësie politike të një individi. Kosova, sikur historikisht, mbetet e palëkundur në bashkëpunimin e saj me aleatët ndërkombëtarë dhe në rrugëtimin e saj euro-atlantik.

    PDK do të përcjellë zhvillimet e ardhshme me vëmendje të plotë dhe, karshi këtyre zhvillimeve, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion që të ndalojë shkatërrimin e së ardhmes së shtetit të Kosovës, të ruaj interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.

  • Qeveria e ka në programin për Forcën e Sigurisë së Kosovës themelimin e Agjencisë për Inteligjencë

    Qeveria e ka në programin për Forcën e Sigurisë së Kosovës themelimin e Agjencisë për Inteligjencë

    Vetëm rritja e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës po shihet si e pamjaftueshme për përforcimin e ushtrisë. Sipas Nuredin Ibishit, FSK-ja ende nuk ka arritur në nivel çfarë kërkohet me standardet e NATO-s, megjithëse vlerëson se ka pasur progres në fazën e transformimit.

    Përveç blerjes së dronëve, Ibishi thotë se është e domosdoshme edhe funksionalizimi i Njësisë për Helikopterë.

    Por një ish-komandanti i FSK-së po aq e sheh të nevojshme themelimin e Agjencisë së Inteligjencës ushtarake, e cila parashihet në programin e Qeverisë.

    Ai madje e ka parë të panevojshme publikimin nga kryeministri të fotografive për blerjen e dronëve nga Turqia, për të cilët thotë se ka muaj që qëndrojnë në Kosovë.

    Në programin e Qeverisë deri në vitin 2025, gjithashtu, parashihet rishikimi i strategjisë për siguri kibernetike të Ministrisë, anëtarësimi në organizata, bashkëpunimi me vendet e tjera dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare.

    Megjithatë, FSK-ja për shkak të situatës politike, u përjashtua nga ushtrimi i madh ushtarak “Defender”, ku Kosova ishte nikoqire.

    Në Qeverinë Kurti u nda buxheti më i madh deri më tani, për Ministrinë e Mbrojtjes. Buxheti për vitin 2023 është rreth 116 milionë euro, ndërsa është planifikuar që në vitin 2024 buxheti të rritet në 137 milionë euro.

    Për buxhetin e FSK-së kishin ndihmuar edhe qytetarët, përmes Fondit të Sigurisë që e kishte prezantuar ekzekutivi. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani u premton veteranëve se Ligji për pagën minimale do të analizohet

    Osmani u premton veteranëve se Ligji për pagën minimale do të analizohet

    Përfaqësuese të shoqatave të dala nga lufta kanë paralajmëruar protesta për të kundërshtuar miratimin e Ligjit për Pagën Minimale. Andaj më 26 korrik do të mblidhen para Kuvendit.

    Veteranët janë duke e kundërshtuar miratimin e Ligjit, ngase pavarësisht kërkesave nuk janë përfshirë në ndryshime. Që nga miratimi i tij në Kuvend, më 13 korrik, veteranët e UÇK-së kërkuan nga presidentja që të mos e dekretojë këtë ligj.

    Këtë premtim e morën edhe pas një takimi që patën me Vjosa Osmanin.

    Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, nga zyra e presidentes është thënë se ligjin do ta trajtojë me ekspertë ligjorë, sapo ta ketë në zyrë dhe më pas “do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore”.

    Veteranët patën kritika edhe për deklarimet e kryeministrit i cili, sipas tyre, nuk është kompetent të flasë rreth numrit të veteranëve.

    Ligji për Pagën Minimale nuk ka hyrë ende në fuqi, derisa Kushtetuta i jep të drejtë Presidentes që me arsyetim ta kundërshtojë dhe ta kthejë ligjin në Kuvend. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar pushtetin aktual për zaptim dhe ndërhyrje në ndërmarrje

    Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar pushtetin aktual për zaptim dhe ndërhyrje në ndërmarrje

    Ndërhyrje në ndërmarrje publike dhe pengim të qasjes së opozitarëve në objektet e ndërmarrjeve, janë akuzat që Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, po ia bën pushtetit aktual në kryeqytet.

    Vetëvendosja ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për shpërfillje të vendimit të MAPL-së, që ka shpallur të pavlefshëm shkarkimin e Fehmi Kupinës, nga posti i kryesuesit të Kuvendit.

    Veç kësaj, Gëzim Sveçla, kryetar i Grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, tha se po ashtu ata kanë penguar edhe qasjen e tyre në ndërmarrjet publike.

    “Kryetari Rama është duke sfiduar ligjin me këto vendime duke zgjedhur jashtëligjshëm. Ne i kemi vizituar disa nga ndërmarrjet. Në trafikun urban kam qenë unë, ku fillimisht na është refuzuar hyrja, e pastaj nuk na ka pritur askush. Problematike ka qenë në Ndërmarrjen Publike Banesore ku fizikisht jemi penguar të hyjmë atje, gjatë ditës së djeshme”, tha Sveçla.

    Pos akuzave për Ramën, opozitarët e Vetëvendosjes akuzuan edhe PDK-në, për keqmenaxhim dhe zaptim të ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

    “Nuhi Halimi, kryesues i Bordit të NPB-së, kandidat për asamble i PDK-së, dje bashkë me anëtarët e PSD-së të instaluar nga Dardan Molliqaj në NPB, na kanë ndaluar me forcë hyrjen në ndërtesë. Policia ka rënë në lajthitje nga Komuna e Prishtinës, ata asistuan në zaptimin e ndërmarrjes. PDK-ja nuk di ndryshe, ose janë hajna ose bandita, ose dyja këto bashkë”, tha asambleisti i LV-së në Prishtinë, Arianit Beqiri.

    Asambleja e Prishtinës, që nga mbledhja e 8 qershorit, është kthyer në “luftë” mes pushtetit dhe opozitës. Fillimisht opozita mori shumicën dhe shkarkoi aksionarët e ndërmarrjeve publike. Por, më pas, pushteti riktheu shumicën dhe anuloi vendimin e opozitës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dezinformatat, mediat serbe stimulojnë narrativën se serbët në Kosovë janë të kërcënuar

    Dezinformatat, mediat serbe stimulojnë narrativën se serbët në Kosovë janë të kërcënuar

    Tensionet e herëpashershme në veri dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë qenë temat kryesore që u përdorën për prodhim të keqinformimit në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 dhe gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

    Kështu del nga raporti “Prapa Ekranit” të realizuar nga organizata joqeveritare “Hibrid Info”.

    “Ngjashëm si në periudhën e kaluar gjashtëmujore, edhe në këtë periudhë, ngjarjet që lidhen me veriun e Kosovës kanë qenë temat kryesore nga të cilat janë krijuar dhe shpërndarë informata nga media të ndryshme. Nëse veriut i shtohet edhe tema mes Kosovës dhe Serbisë me katër për qind, atëherë këto janë temat më të publikuara gjatë këtyre gjashtë muajve”, tha Shkelzen Osmani nga OJQ “Hibrid Info”.

    Shtrembërimi i realitetit politik, që ka të bëjë me marrëdhëniet Kosovë – Serbi, ka qenë i shtrirë në disa tema.

    “Publikimet shtrembëruese me tematikë politike, të shpërndara nga mediat në gjuhën shqipe dhe serbe, i kanë trajtuar më së shumti marrëdhëniet Kosovë- Serbi, veriun e Kosovës, komunat me shumicë serbe në Kosovë, pretendimet e pabaza të mediave serbe”, tha Osmani.

    Temat nga të cilat janë prodhuar më së shumti lajme keqinformuese në kategorinë e dezinformatës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë ato sociale, të kronikës së zezë e sigurisë.

    Sipas raportit, edhe rrjetet sociale, në krye me Facebookun, po luajnë një rol të madh në keqinformimin e audiencës. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte personaliteti më i përfolur nga mediat në gjuhën shqipe e ato serbe. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Disa nga serbët e arrestuar për sulme në pjesën veriore, pasi kanë paguar dorëzaninë, janë liruar

    Disa nga serbët e arrestuar për sulme në pjesën veriore, pasi kanë paguar dorëzaninë, janë liruar

    Ky është Nemanja Vllaskovic i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri. Vllaskovic, për arrestimin e të cilit njoftoi vetë ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla, u lirua ditë më parë nga paraburgimi.

    Ai dhe i dyshuari tjetër për sulm ndaj gazetarëve Dalibor Spasiq, do të mbrohen në liri pasi paguan dorëzaninë.

    Megjithatë, kjo masë sipas juristëve, nuk aplikohet shpesh. Ndërkaq, për shkak të terrenit specifik, siç është veriu, Arbër Jashari nuk pajtohet me caktimin e kësaj mase.

    “Në rastin konkret, normal Gjykata është ajo që e vlerëson, por ekziston gjithmonë rreziku që ata të shmangen… dhe për shkak të specifikave që ka terreni ku ata veprojnë dhe mund ta llogarisin një kosto financiare sesa të ndiqen penalisht dhe të rrezikojnë dënimin”, tha avokati Arbër Jashari.

    Sipas Jasharit, nëse do të ishin paraqitur prova që do të vërtetonin dyshimet për vepër penale, do të duhej të vendosej për masë më të rëndë.

    Duke aluduar në deklarimet e ministrit të Brendshëm, i cili pas çdo arrestimi të serbëve në veri, reagonte nëpërmes rrjeteve sociale, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, bëjnë thirrje që politika të qëndrojë larg këtyre zhvillimeve.

    Nën dyshime për sulme ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, policia kishte arrestuar edhe Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Urosh Vukasinoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Bislimi e Petkoviç në Bruksel, për planin e sekuencimit të marrëveshjes bazë

    Bislimi e Petkoviç në Bruksel, për planin e sekuencimit të marrëveshjes bazë

    Dhjetë ditë pas dakordimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të jetë në Bruksel për një rund të ri bisedimesh me Serbinë.

    Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse Përfaqësuesi i Posaçëm, Lajcak, do të takojë ndaras kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, apo nëse do të ketë takim trepalësh.

    Në cilindo format, përveç hapave të mëtejmë për deeskalim të situatës në veri, diskutimet do të përqendrohen në finalizimin e draft-dokumentit për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “Siç është theksuar në pikën 4 të dakordimit të Bratislavës, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Vazhdimisht po dëshmojmë gatishmërinë tonë për deeskalim, siç e dëshmoi dhe dakordimi i Bratislavës dhe, po ashtu, dhe fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe i zbatuar në plotni”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

    Pa dhënë detaje, zëdhënësi për Politikë të Jashtme të BE-së, Peter Stano, konfirmoi rundin e ri të bisedimeve Kosovë – Serbi.

    “Nesër, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, do të presë në Bruksel kryenegociatorët e të dyja palëve, në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Fokusi do të jetë implementimi i marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe hapat drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Bashkimi Evropian nuk ka treguar ende se kur dhe si pritet të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat, sipas kryeministrit Albin Kurti, “cenojnë barabarësinë e palëve në dialog”.

    Pas veprimeve fillestare për shtensionim, sipas planit të 10 Korrikut, Qeveria përsëriti se masat janë të padrejta dhe se duhet të hiqen sa më parë.

    Ndërkaq, SHBA-ja përsëriti thirrjen që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin hapa për shtensionim dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani: Ligji për pagën minimale do të trajtohet nga ekspertët ligjorë të Presidencës

    Osmani: Ligji për pagën minimale do të trajtohet nga ekspertët ligjorë të Presidencës

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka pritur në takimit organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në takim u diskutua Ligji për pagën minimale.

    Osmani tha se ky ligj ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.

    “Ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”, tha Osmani.

    Në këtë takim, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prezantuan edhe disa nga sfidat me të cilat përballen këto kategori dhe u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin për trajtimin e tyre.