ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri kanadez divorcohet pas 18 vitesh martesë

    Kryeministri kanadez divorcohet pas 18 vitesh martesë

    Martesa e kryeministrit kanadez 51-vjeçar Justin Trudeau me gruan e tij 48-vjeçare Sophie Gregoire mbërriti në kapitullin e fundit.

    Divorcin pas 18 vitesh martesë, e njoftuan vetë çifti në rrjetet sociale, në një postim modest, ku bënë të ditur edhe vendimin e tyre.

    Trudeau dhe Gregoire kanë tre fëmijë nga martesa e tyre, 15-vjeçarin Javier, 14-vjeçaren Ella Grace dhe 9-vjeçarin Adrien.

    Çifti shkëmbyen betimet e besnikërisë së përjetshme në maj të 2005-ës në Montreal. Pothuajse dy dekada më vonë, megjithatë, të dy vendosën të merrnin rrugë të ndryshme nga njëri-tjetri.

    “Mirëmbrëma të gjithëve, unë dhe Sophie dëshirojmë të njoftojmë se pas diskutimeve të vështira, kemi vendosur të ndajmë rrugët tona. Megjithatë, ne do të mbetemi një familje, me dashuri dhe vlerësim të thellë për njëri-tjetrin, diçka që kemi ndërtuar dhe do të vazhdojmë ta ndërtojmë. Për hir të fëmijëve tanë, ju lutemi respektoni privatësinë tonë. Faleminderit”, përfundon njoftimi i Trudeau.

  • U aksidentua një ditë më parë në Ferizaj, ndërron jetë 62-vjeçari

    U aksidentua një ditë më parë në Ferizaj, ndërron jetë 62-vjeçari

    Në orët e para të ditës së sotme (e enjte) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndërruar jetë 62-vjeçari me inicialet H.S., i cili ishte aksidentuar një ditë më parë ndërsa po lëvizte me biçikletë në Ferizaj.

    Aksidenti ndodhi të mërkurën në drekë në rrugën “Riza Matoshi” në Ferizaj ku një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte 39-vjeçarja me inicialet B.S., përplasi çiklistin tashmë të ndjerë.

    62-vjeçari ishte dërguar menjëherë për ndihmë në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas për tretman të mëtutjeshëm është nisur drejt Prishtinës në QKUK.

    Me vendim të prokurorit të rastit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Ndërsa e dyshuara B.S vazhdon të mbahet në qendrën e ndalimit për procedura të tjera hetimore.

  • Vazhdojnë pritjet dhe kolonat në hyrje-daljet e Kosovës

    Vazhdojnë pritjet dhe kolonat në hyrje-daljet e Kosovës

    Edhe mëngjesin e sotëm qytetarët janë duke u përballur me pritje dhe kolona në pikat kufitare në hyrje-daljet e Kosovës.

    Shumica e bashkatdhetarëve tashmë kanë filluar të kthehen në vendet e tyre evropiane, ku ata jetojnë e veprojnë.

    Njësoj sikurse ardhja e tyre, edhe tash me kthimin e tyre mërgimtarët janë duke u përballur me pritje e kolona në pikat kufitare.

    Sipas të dhënave të fundit që Qendra e Menaxhimit Kufitar i ka përditësuar në 07:49, shihet se kolonë e pritje më të madhe ka në pikën kufitare Merdar në dalje të Kosovës.

    Aty bashkatdhetarët janë duke pritur deri në një orë e gjysmë.

    Pritje ka edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë. Sipas këtyre të dhënave, në këtë pikëkalim pritja është deri në 40 minuta dhe kolona arrin deri në 250 metra.

    QMK-ja bën të ditur se nëpër të gjitha pikat e tjera kufitare si në hyrje, ashtu edhe në dalje të Kosovës pritja nuk është më e gjatë se pesë minuta.

  • ​Shpërthim në Krujë, dëmtohet 4 biznese

    ​Shpërthim në Krujë, dëmtohet 4 biznese

    Në orët e para të ditës së sotme (e enjte) Kruja është tronditur nga një shpërthim duke dëmtuar xhamat e katër bizneseve përreth.

    Sipas policisë në Shqipëri, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Zim Zeneli” ndërsa lënda plasëse ka shpërthyer në asfalt.

    “Më datë 3 gusht rreth orës 02:25, në rrugën ‘Zim Zeneli’, në asfalt, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse dhe si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e katër bizneseve përreth”, njoftoi policia.

    Grupi hetimor është duke punuar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

  • Dyshohet se ndërroi pronësinë e një kompanie disa milionëshe, arrestohet 58-vjeçari

    Dyshohet se ndërroi pronësinë e një kompanie disa milionëshe, arrestohet 58-vjeçari

    Një person është ankuar në Policinë e Kosovës se persona të dyshuar përmes dokumenteve të falsifikuara të paraqitura në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pëlqimin e tij, i kanë bartur pronësinë dhe aksionet e kompanisë te një person tjetër.

    Policia tha se vlera e aksioneve, apo kapitali i kësaj kompanie, sipas ankuesit është disa milionë euro.

    Policia në koordinim me prokurorinë kompetente, kanë ndërmarr veprime hetimore, janë siguruar prova dhe dëshmi të dokumenteve të falsifikuara siç janë: Një autorizim, një vendim për ndryshim të statutit të biznesit dhe një kontratë për falje të aksioneve, me të cilat është bërë edhe ndryshimi i pronësisë dhe aksionarit të këtij biznesi.

    Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari M.A., viti i lindjes 1965, mashkull kosovar, në prezencë të avokatit mbrojtës.

    Pas përfundimit dhe sigurimit të provave dhe dëshmive është iniciuar rasti “falsifikim i dokumenteve” dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell dhe kthjellime.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gajkova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 34 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale, për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Pejës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 39 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Papa takohet me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët

    Papa takohet me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët

    Papa Françesku ka zhvilluar një takim privat me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët gjatë qëndrimit në Portugali.

    Vatikani bëri me dije se takimi, i mbajtur në misionin diplomatik të Selisë së Shenjtë në Portugali, përfshiu 13 viktima të abuzimit dhe zgjati më shumë se një orë. Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të Kishës Portugeze përgjegjëse për mbrojtjen e të miturve, raportoi BBC.

    Në një shërbim të mbrëmjes në Lisbonë, Papa tha se Kisha duhet të dëgjojë “klithmën e ankthshme të viktimave”, ndërsa shtoi se “skandali na thërret në një pastrim të përulur dhe të vazhdueshëm” dhe se zemërimi i përhapur mbi të kishte kontribuar në një shkëputje në rritje nga praktika e besimit”.

    Në shkurt, një komision i pavarur i ngritur nga Kisha Katolike në Portugali publikoi një raport që dokumentonte përvojat e 564 personave që thanë se ishin abuzuar nga priftërinjtë ose zyrtarë të tjerë të Kishës, teksa u shqyrtuan rastet që datonin nga 1950-ta.

    Një raport i këtij viti arriti në përfundimin se të paktën 4,815 fëmijë ishin abuzuar në Portugali dhe se Kisha kishte kërkuar “sistematikisht” ta fshehë këtë çështje.

    Papa Françesku ndodhet në Portugali për të shënuar Ditën Botërore të Rinisë, një festival njëjavor i ngjarjeve fetare dhe kulturore që organizohet nga Kisha çdo disa vjet në qytete anembanë botës.

  • LDK pret mërgatën, Abdixhiku: Ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste

    LDK pret mërgatën, Abdixhiku: Ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste

    Në selinë qendrore është organizuar takimi tradicional i LDK-së me mërgimtarët. Deputetë, anëtarë të kryesisë, kryetarë komunash e struktura të tjera partiake kanë hapur dyert për të bashkëbiseduar me bashkatdhetarët. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar ata për ringritje të madhe rugoviste, siç e quajti ai, duke shtuar se shtyllë e veçantë mbetet mërgata.

    Teksa u ka uruar mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve nga mërgata, Abdixhiku tha se të njëjtit janë në shtëpinë e tyre.

    “Është nder t’ju kemi këtu, është nder t’ju takojmë sërish çdo verë. Pritja këtu është shumë më modeste se çfarë pritje na bëni ju sa herë që vijmë atje, por me rëndësi është që të jemi bashkë, të qëndrojmë bashkë, të flasim bashkë dhe të takohemi më shpesh gjithherë. Siç e dini LDK është në proces të riorganizimit të brendshëm, jemi në proces zgjedhor. Deri më tani kemi përmbyllur rreth 50 për qind të zgjedhjeve në LDK, në pjesëmarrje rekorde prej 21 mijë anëtarë në këtë proces zgjedhor. Dhe pas këtij procesi zgjedhor tani në gusht do të vazhdojmë dhe zgjedhjet në degët e mbetura, me synim për të arritur në një numër impresiv të 40 mijë anëtarëve që marrin pjesë në festën e madhe të demokracisë”, deklaroi ai para bashkëatdhetarëve.

    Abdixhiku i ka bërë thirrje mërgatës për pjesëmarrje sa më aktive në strukturat partiake të LDK-së.

    Ndërsa shprehu mirënjohjen për bashkëatdhetarët të cilët kanë kontribuar për vendin.

    “Këto procese jetike për ne, shtyllë e veçantë mbetet mërgata. Prandaj ju lus e ju ftojë, e ju bëjë thirrje që në dy muajt e ardhshëm sa pritet të zgjas procesi ynë zgjedhor, të angazhohemi të gjithë bashkërisht për pjesëmarrje sa më aktive në strukturat tona politike, në mënyrë që të japim Kosovës një lëvizje rugoviste, demokratike të vërtetë, një shtëpi për të cilën Kosova po thërret në vazhdimësi. Në këtë rrugëtim ju do të keni vend të veçantë, jo vetëm në mendjet dhe zemrat tona, do të keni vend të veçantë në të gjitha strukturat politike përfaqësuese të LDK-së. Për këtë jemi të interesuar të gjithë, jemi bashkë, kemi një mision, një qëllim, në këtë moment të rëndësishëm politik të Kosovës duhet të kuptojmë dhe pozicionin tonë historik, rolin e madh që e kemi si parti politike më e vjetra në vend por si parti që ka dhënë shumë për vendin dhe që ka nisur procese historike të paimagjinueshme e pa përsëritshme. Kemi bërë angazhimin e përbashkët për liri, kemi bërë angazhimin e përbashkët për demokraci, kemi bërë angazhimin e përbashkët për pavarësi, dhe për këtë Kosova, qytetarët tanë, mërgatës sonë i janë mirënjohës përherë”, shtoi kreu i LDK-së.

    Si partia më e vjetër politike në vend, siç tha ai, kanë zgjedhur rrugën e Ibrahim Rugovës si udha tradicionale e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Sot ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste, të djathtë, patriotë gjithandej në Kosovë, në mërgatë, në çdo shtet evropian e më gjerë për të bërë rikthimin tonë të madh. Ne do t’ia dalim të gjithë bashkërisht, kemi nisur një rrugë të re politike. Një rrugë e re për Kosovën, një rrugë tradicionale për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo rrugë është rruga e Ibrahim Rugovës dhe nuk do të bëhet ndryshe”, përfundoi ai.

    Zeqir Gjuka, i cili është veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga dega në Zvicër, tha se është hera e dytë që merr pjesë në takimin tradicional për mërgatën, të organizuar nga ky subjekt politik.

    “Na shërben për ofrimin tonë si veprimtarë, shkëmbimin e mendimeve dhe ideve, por njëkohësisht edhe paraqitjen e preokupimeve tona si mërgatë pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjektit që i takojmë… Ndër preukupimet është që të përpiqemi që bashkë të ruajmë rininë tonë të pastër”, tha ai.

    Arbesa Dermaku nga Gjilani, e cila jeton në Zvicër, u shpreh se është e angazhuar në Forumin e Rinisë, për çka tha se ndihet mirë sa herë që merr pjesë në këto takime.

    “Më pëlqen shumë energjia që e ka LDK… Mua më pëlqen shumë Forumi i Rinisë që e ka LDK dhe Forumi i Grave që e kanë për gratë, jam që një kohë të gjatë… Çfarë do t’i thosha kryetarit Abdixhiku? Do t’i thosha faleminderit, si rini me ardh këtu kënaqem shumë me këtë forumin”, tha ajo.

    Ky takim me mërgatën organizohet për herë të dytë në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. /

  • 8 vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale

    8 vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, tetë vjet më parë, pikërisht më 3 gusht 2015 kanë votuar pro ndryshimit të amendamentit kushtetues, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

    Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që i hapën rrugë Qeverisë t’i dërgojë edhe dy projektligje të tjera sa i përket Speciales.

    Opozita e atëhershme ishte ajo që u tregua më e zëshmja në kundërshtimin e themelimit të Gjykatës Speciale, duke e quajtur të padrejtë, selektive dhe e cila do ta cenojë sovranitetin e vendit.

    Qeveria dhe pozita e quajtën të padrejtë këtë votim, por të domosdoshme për t’i hequr dyshimet për çdo pretendim për krime të supozuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën e fundit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte në Kosovë ka ngritur aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, si dhe ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.

  • Raporti i BE-së për Kosovën: Situata në veri mbetet sfiduese

    Raporti i BE-së për Kosovën: Situata në veri mbetet sfiduese

    Situata në veri të Kosovës është duke u konsideruar sfiduese edhe në raportin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut.

    Në raport thuhet se dorëheqja e serbëve nga institucioneve publike ka ndikuar negativisht në siguri, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë.

    “Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket gjykimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes, përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medias. Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e postblloqeve pasuese ndikuan negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet të reduktuar”, thuhet në raport.

    Ndër tjera, është thënë se duhet përmirësim edhe forcim i proceseve zgjedhore.

    “Procesi zgjedhor i Kosovës ende ka nevojë për fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, dhe më së fundi nga Misioni përcjellës i zgjedhjeve të BE-së, i vendosur në Kosovë në nëntor 2022”, thuhet në raport.

    Pa u përmendur nuk ka mbetur as procesi i dialogut për të u tha se në Kosovë zhvillohet një dialog i rregullt politik, në të dy aspektet teknike dhe nivelet politike.

    “BE-ja vazhdon të lehtësojë Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur kriza të përsëritura në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022 dhe situata në terren mbetet e brishtë”.

    Po ashtu, u theksua edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.

    BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo përfshin lirinë e tubimit dhe shoqërimit, lirinë e shprehjes, të drejtat e personave në situata të cenueshme, duke përfshirë personat që u përkasin pakicave; e drejta për barazi dhe mosdiskriminim, fëmijët, personat LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe barazinë gjinore, si pjesë e rrugës evropiane të Kosovës.