ATV

Category: Lajme

  • Rama: Për herë të parë inskenuam zjarr në Komunë, institucionet përgjegjëse ishin në nivel të detyrës

    Rama: Për herë të parë inskenuam zjarr në Komunë, institucionet përgjegjëse ishin në nivel të detyrës

    Komuna e Prishtinës, gjegjësisht, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka zhvilluar një ushtrim praktik në objektin e vjetër të komunës në rast të zjarrit dhe fatkeqësive tjera natyrore me qëllim testimin e gatishmërisë reaguese të pjesëtarëve të personelit e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

    Pas përfundimit të gjithë ushtrimit, kreu i Prishtinës, Përparim Rama tha se ushtrimi kishte për synim që të vlerësojë reagimin dhe koordinimin e institucioneve.

    Ai pohoi se ky inskenim është bërë për herë të parë dhe se do të ndodh edhe herëve të tjera, me qëllim që të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

    Rama ka sqaruar se i gjithë aksioni ka zgajtur 10 minuta deri në fikjen e tërësishëm të zjarrit, dhe se të gjithë ata që kanë qenë në ndërtesë janë evokuar me kohë.

    “E kemi pasur testimin e parë, për ta testuar emergjencën, zjarrfikësit në rast nevoje. Kemi bë një inskenim të një zjarri në ndërtesën e kryeqytetit, një zjarri që ka ndodhur në përdhes. Janë thirru zjarrfikësit, janë thirr ambulanta, Policia. Prej momenti kur ka ndodhur zjarri janë lajmëruar të gjithë punëtorë që të bëhet evakuimi në pikat ku janë të përcaktuar se ku duhet me u evokuar”.

    “Deri në momenti edhe kur kanë ardh zjarrfikësit dhe është sanuar zjarri, fillimisht kjo ka ndodhur brenda 6 minutash, e për 10 minuta është sanuar zjarri dhe kemi pasur edhe kërcime nga ndërtesa në dyshekun. Të gjitha këto janë përgatitje, që nuk ka ndodhur kurrë më parë në kryeqytet dhe do ta bëjmë se herë të kemi nevojë që ta përmirësojmë punën e jetës së qytetarëve tanë në këtë rast punëtorëve të administratës së punëtorëve”.

  • Fluks i turistëve të huaj në Tiranë

    Fluks i turistëve të huaj në Tiranë

    Tirana gjithnjë e më shumë po kthehet në destinacionin e preferuar të turistëve të huaj, të cilët në këto ditë vere vazhdojnë të mbushin rrugët, muzeumet dhe monumentet e kultit.

    Turistët i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej” te “Piramida”, në Bunk Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

    Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Evropës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë. Transformimi që ka pësuar Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.

    Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

    Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë: Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia e gjetheve”, etj./Atsh

  • Nuk ikën vetëm kosovarët nga vendi, por edhe zviceranët/ Mbi 800,000 sot punojnë larg vendit të tyre, në Kosovë janë mbi 500

    Nuk ikën vetëm kosovarët nga vendi, por edhe zviceranët/ Mbi 800,000 sot punojnë larg vendit të tyre, në Kosovë janë mbi 500

    Bernë, 3 gusht – Largimi nga Kosova, në këtë rast nga Zvicra, trend, luks apo për shkak krize? Njerëzit janë si shpendët shtegtarë, ku është më nxehtë, më sigurt dhe më mirë, edhe “fluturojnë”. Më mirë se në Zvicër nuk ka, po ja edhe zviceranët largohen nga ky vend i çokolatave, siç thonë në “çdo dy hapa” me banka, në mesin e tyre mjekë, policë, inxhinierë, mësues dhe të tjerë me zanate të ndryshme. Megjithëse largimi i shqiptarëve nga Kosova dallon nga ata të para vitit 1999 që u dëbuan nga regjimi i egër serb, kur Kosova ishte nën okupim, por sot largimi i tyre nga Republika e Kosovës, për të cilën luftuan, sikur nga Zvicra dhe vendet e BE-së, vende këto që konsiderohen të sigurta, largimi i tyre është i pakuptimtë?!, shkruan gazeta zvicerane Le Canton27.ch.

    Nga Berna: Nefail Maliqi

    Gazeta zvicerane Le Canton27.ch njofton nga Berna, duke ju referuar burimeve të OFS, se mbi 800,000 zviceranë aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të tyre, kryesisht në Gjermani me mbi 200 mijë, pastaj në Francë rreth 100 mijë. Madje edhe në Kosovë ka mbi 500 veta të tillë, të cilët sot jetojnë dhe punojnë pa asnjë problem. Përderisa kosovarët ikin dikush për qejf (luks), ndërsa dikush për zor, dhe kërkojnë azil në Zvicër, qindra zviceranë viteve të fundit kanë kërkuar “azil” në Kosovë, pasi Zvicra dhe vendet e BE-së e konsiderojnë atë si një vend të sigurt, veçanërisht për ata që duan të punojnë – shkruan Le Canton27.ch.

    Deri në shekullin e 20-të, Zvicra ishte një vend emigracioni: dmth., njerëzit lundronin dhe largoheshin nga vendi për shkak të varfërisë. Nga viti 2011, numri i personave që largohen nga Zvicra për t’u vendosur jashtë vendit është rritur sërish nga viti në vit. Pas një viti rekord emigracioni në 2018-ën, shifrat ranë sërish: numri i emigrantëve ra veçanërisht në fillimin e pandemisë në vitin 2020. Por numri i atyre që largohen nga Zvicra ka filluar të rritet përsëri me një hov të madh. Vendet e tyre të preferuara janë: Gjermania, Portugalia, Italia, Franca, Amerika, Afrika, madje deri në Australi.

    Popullsia e Zvicrës jashtë vendit ka kaluar pragun e 800 mijë shtetasve. Numri i tyre vazhdon të rritet edhe në vitin 2022. Por në Afrikën Qendrore dhe Jugore, gjatë 20 viteve të fundit, tendenca është mjaft në rënie. Gianni Zezza (66), megjithatë, është një nga ata që e shohin këtë rajon si një interes të rëndësishëm personal. Si shumë zviceranë të tjerë, ai vendosi të vendoset jashtë vendit të tij.

    Për gati 30 vjet, një segment gjithnjë e në rritje i qytetarëve zviceranë kanë të përbashkët një interes për të lëvizur jashtë vendit. Nga nevoja për të rilidhur me origjinën, nga mundësia profesionale apo thjesht nga dëshira për të shkuar diku tjetër, ka shumë arsye për të larguar nga territori kombëtar. Pasi u rrit në Zvicër dhe kaloi pjesën e parë të jetës së tij në kantonin e Valais, Gianni Zezza e kuptoi shumë herët se motivet që e shtynë të largohej jashtë kufijve kombëtarë.

    I lindur në Sion në vitin 1956, ky italian me origjinë u bë zviceran i natyralizuar në fund të viteve 1970, pasi kishte kaluar gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në malësitë e Valais. Zviceran me bindje, ai megjithatë ndjeu nevojën për të njohur një botë të re. “Gjatë adoleshencës, ne ndikojmë shumë lehtë, ndonjëherë edhe pozitivisht,” shpjegon ai me telefon nga rezidenca e tij e vendosur në ishullin kryesor të arkipelagut Bissagos, në Guinea-Bissau. “Shoku im më i mirë, në Mayens-de-Sion, ishte senegalez dhe falë tij, një pjesë të madhe të fëmijërisë sime e lashë me kulturën senegaleze. Kështu që në moshë shumë të re më tërhoqi Afrika.”

    Pikërisht në vitin 1989, në moshën 33-vjeçare, Gianni vendosi të largohej nga Zvicra. Ai bashkohet me mikun e tij në Kafountine, në Basse-Casamance, një rajon në Senegalin jugor. Ai zbulon një vend ku ka shumë mundësi për të zhvilluar projektet e tij për të mirën e senegalezëve. Në vitin 2011, ai vendosi të shkonte edhe më në jug dhe u vendos në një ishull në brigjet e Atlantikut të Guinea-Bissau. Ai ndërtoi një shtëpi atje, me tre dhoma për mysafirë, një restorant dhe një bar disa kilometra me kanoe nga kryeqyteti Bissau. Gjithashtu aktiv në peshkim, ai tani, gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, ka gjetur ritmin e tij të jetës.

    Disa shtetas të dyfishtë me zviceranë jashtë vendit: Gati 75% e tyre kanë të paktën dy shtetësi dhe kanë zgjedhur të shkojnë dhe të jetojnë jashtë vendit. Disa prej tyre shfrytëzojnë edhe mundësinë për t’u natyralizuar në vendin pritës. Tashmë dykombëshe italiane dhe zvicerane, Gianni imagjinonte gjithashtu të merrte kombësinë Guineane. Por për arsye administrative ai hoqi dorë. “Në disa vende është e ndërlikuar të kesh më shumë se dy pasaporta. Për të mos pasur probleme të këtij rendi, preferova të mbaja një leje qëndrimi që zgjat pesë vjet në Guinea-Bissau. Megjithatë, për t’u llogaritur si zviceran jashtë vendit, ai u deklarua në përfaqësinë kompetente, që ndodhet në Dakar.

    Numri i zviceranëve jashtë vendit vazhdon të rritet: Historia personale e Gianni ofron një hapësirë për të kuptuar dhe zbuluar arsyet e shumta që i shtyjnë qytetarët zviceranë të largohen nga vendi i tyre çdo vit. Gjatë 20 viteve të fundit, për shembull, numri i zviceranëve jashtë vendit ka vazhduar të rritet. Sot, pak më shumë se 800,000 njerëz janë të regjistruar në një përfaqësi jashtë vendit. Ky fenomen përforcohet edhe nga një numër në rritje i të porsalindurve që fitojnë shtetësinë zvicerane në lindje jashtë territorit zviceran.

    Ashtu si Gianni, një shumicë e madhe sigurisht që dëshiron të mbajë një lidhje të fortë me Zvicrën. Për të, Zvicra do të mbetet vendi i fëmijërisë së tij, por aktualisht ai përjashton mundësinë e kthimit nga ana tjetër në një të ardhme më të largët. “Mësova të jetoj në natyrë, mbjell fruta dhe perime, kap peshk dhe jetoj nga bujqësia dhe ushqimi organik. Një kthim në Zvicër më duket shumë i largët pas disa dekadash të kaluara në Afrikë.

    Ky realitet tregohet nga statistikat: bilanci migrator i njerëzve me kombësi zvicerane ka qenë negativ që nga viti 1992. Kjo do të thotë konkretisht se përqindja e zviceranëve që kanë zgjedhur të largohen nga vendi ka qenë gjithmonë më e lartë se përqindja e zviceranëve që kanë dëshiruar të ktheheshin dhe jetojnë në vend. “Nuk më pëlqen të udhëtoj,” shpjegon Gianni. “Nuk po largohem sepse dua të udhëtoj, por sepse dua të jetoj ndryshe.”

    Drejtoria Konsullore e FDFA ende është në shërbim të zviceranëve jashtë vendit: Për përkujtim, Drejtoria Konsullore e FDFA ofron shërbime të ndryshme në mbarë botën për zviceranët jashtë vendit, drejtpërdrejt ose përmes rrjetit të përfaqësive konsullore. DC punon ngushtë me shërbime të tjera federale, organe kantonale, autoritetet e huaja dhe partnerë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Së fundi, ai siguron koordinim brenda administratës federale për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zviceranët jashtë vendit.

  • Sekuestrohen pesë armë zjarri në ahengje familjare në rajonin e Prishtinës

    Sekuestrohen pesë armë zjarri në ahengje familjare në rajonin e Prishtinës

    Vetëm në rajonin e Prishtinës janë sekuestruar pesë armë zjarri në ahengje familjare.

    Policia e Kosovës njoftoi se janë iniciuar raste për veprat penale përdorim i armës dhe mjetit të rrezikshëm, si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    “Nisur nga fakti se akoma është prezent si dukuri, përdorimi i armëve të zjarrit në ndeja dhe ahengje të ndryshme, strukturat operative rajonale të policisë së Prishtinës, po vazhdojnë punën për parandalimin e kësaj dukurie.  Që nga data 29 korrik 2023 deri sot, policia e Rajonit të Prishtinës,  ka sekuestruar 5 armë zjarri, të cilat dyshohet të jenë përdorë në ahengje familjare.  Pas përfundimit të procedurave dhe konsultimit me prokurorin e shtetit ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat:  Përdorim i armës dhe mjetit të rrezikshëm,  Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

    “Policia e Rajonit të Prishtinës, komfor detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla. Andaj mbështetur mbi këtë bazë, apelojmë të gjithë qytetarët që tu shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident”, thuhet tutje në njoftim.

  • Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 40 aktakuza

    Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 40 aktakuza

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur dyzet (40) aktakuza kundër dyzetekatër (44) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar njëzetetetë (28) persona dhe janë paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave dhe një (1) kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ndaj një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar njëmbëdhjetë (11) persona, ka ushtruar dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy (2) persona si dhe ka ngritur njëzetetetë (28) aktakuza kundër njëzetetetë (28) për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër katërmbëdhjetë (14) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit ka ndaluar katër (4) persona të dyshuar dhe ka ushtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ndaj një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit në tri raste të ndara ka ndaluar katër (4) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tre (3) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar pesë (5) persona dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi.

  • Osmani: Prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë, garanci e sigurisë

    Osmani: Prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë, garanci e sigurisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kampin në Bondsteel.

    Ajo ka marrë pjesë në ndërrimin e komandës ndërmjet Kol. Matthew O. Dinenna dhe Kol. Terry A. Saul.

    Me këtë rast, Osmani ka potencuar se prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë është garanci e stabilitetit dhe sigurisë në vend.

  • Akuzat e reja, Donald Trump del sot para gjykatës

    Akuzat e reja, Donald Trump del sot para gjykatës

    Ish-presidenti I SHBA-ve Donald Trump do të dale sot përpara në një seancë dëgjimore, për komplot për ndërhyrje në zgjedhjet e 2020-ës, raporton BBC.

    Në prag të gjykimit Trump e kritikoi çështjen si provë e “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të SHBA nën drejtimin e Joe Biden.

    Siguria është duke u rritur në Uashington DC për seancën dëgjimore. Barriera metalike janë vendosur jashtë gjykatës federale.

    Trump, pritet të dalë para gjykatës, por të deklarohet i pafajshëm. Ndonëse e ka mundësinë e paraqitjes në gjyq edhe përmes video-lidhjes, ai pritet të dalë në seancë fizikisht. Në prag të gjykimit Trump e kritikoi çështjen si provë e “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të SHBA nën drejtimin e Joe Biden.

  • Gjykata Komerciale shtyn vendimin e MINT-it për Klan Kosovën

    Gjykata Komerciale shtyn vendimin e MINT-it për Klan Kosovën

    Gjykata Komerciale ka informuar se ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës, duke shtyrë vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.

    “APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve”, thuhet në njoftim.

    Tutje, kjo gjykatë njoftoi se e ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të MINT-it, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.

    “II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.”, thuhet mes tjerash në vendim.

  • Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

    Në një rast në Prishtinë, një grua ka raportuar se burri i saj që ndodhet jashtë shtetit ka ushtruar vazhdimisht dhunë psikike dhe fizike ndaj saj.

    “Podujevë 02.08.2023 – 14:30. Viktima femër  kosovare,  ka informuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull  kosovar,  në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj. I dyshuari gjendet jashtë shtetit. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në një rast tjetër në Prishtinë është arrestuar një person për dhunë në familje.

    “Prishtinë  01.08.2023 – 14:12. Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

    E në Gjilan u arrestua një burrë për dhunë të ushtruar ndaj gruas së tij.

    “Gjilan, 02.08.2023 – 15:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar, pasi që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër  kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia.

    Ndërsa, në Pejë u arrestua një person për dhunë në familje, i cili gjendej në arrati.

    “Pejë,26.07.2023-20:00. Lidhur me rastin, më datë 02.08.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar i cili ka qenë në arrati. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton tutje policia.

  • Gjendet i vdekur një person në oborrin e shtëpisë së tij në Obiliq

    Gjendet i vdekur një person në oborrin e shtëpisë së tij në Obiliq

    Një person i gjinisë mashkullore është gjetur pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij, në Obiliq.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Njoftimi i plotë:

    HETIM MBI VDEKJEN/Obiliq, 02.08.2023 – 00:08. Raportohet se në oborrin e shtëpisë së tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.